Stacioni romak Ad Quintum, në Bradashesh të Elbasanit, kthehet në atraksion

19 Mars, 2018 - 9:28 am

Transformimi i pabesueshëm i Stacionit Romak Ad-Quintum (Nimfeu dhe Termat e Bradasheshit) pozicionuar në hyrje të qytetit të Elbasanit, do të kthehet në një atraksion të ri për vizitorët dhe turistët, fluksi i të cilëve pritet të shtohet tashmë me afrimin e sezonit veror.

Përmes një seti fotografish, të cilat janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës zbulohet i gjithë transformimi që ka pësuar ky vend, aq sa krijohet përshtypja se nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë.

Të gjitha punimet, nga pastrimi i bimësisë së ulët e të lartë tek vendosja e tendës së mbulimit e deri tek tabelat informuese kanë dhënë efektin e tyre në tërheqjen e turistëve drejt këtij monumenti, një numër që rritet ditë pas dite.

Lënë në harresë, në mëshirë të fatit, Ad-Quintum ( Stacioni i pestë) tashmë zbulon me dinjitet të gjitha vlerat që mbart prej shekujve.

Nimfeu dhe termat përbëjnë një kompleks të vetëm arkitektonik, i cili mendohet se është ndërtuar rreth shek II-III të erës sonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme