Ura e Mesit, gati projekti për restaurimin e simbolit të qytetërimit të lashtë

25 Maj, 2019 - 10:02 am

Ura e Mesit mbi lumin Kir, 8 km larg qytetit të Shkodrës, një ndër monumentet e kulturës me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë do të restaurohet.

Lajmi u bë i ditur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili thekson se “Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin ‘Ndërhyrje restauruese në Urën e Mesit’”.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në këtë urë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Ura e Mesit është ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet pashë Bushati. Ajo ndodhet mbi lumin Kir dhe shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3,4 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen edhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.

/k.s/r.e/A.T.Sh/ KultPlus.con

Të ngjajshme