займ на карту онлайн потребительский кредит

Bllaca, paratë pa vlerë dhe harresa kolektive

3 Prill, 2019 - 6:00 pm

Për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga dy qeveritë shqiptare, asnjëherë imazhi i shqiptarëve nuk ishte më i përdhosur se sot dhe asnjëherë miqtë ndërkombëtarë nuk ishin më të distancuar nga ne. Gjithçka e nisur keq, do ta ketë fundin e keq dhe paratë e vjedhura nga oligarkët shqiptarë andej e këtej kufirit, do ta kenë fatin e parave të biznesmenit të Bllacës 

Bajram Mjeku

Sot njëzet vjet jam larguar nga kampi i Bllacës në Maqedoninë e Veriut. Në fakt, nga mbrëmja e 24 marsit kur nisën sulmet e Aleancës veriatlantike deri më 31 mars të vitit ’99, kam qëndruar në ilegalitet të thellë në Prishtinë. Mëngjesin e 31 marsit, forcat serbe rrethuan apartamentet ku isha vendosur në Kodër të Diellit, pastaj na grumbulluan si të ishim kope e bagëtive dhe na nisën drejtë stacionit të trenit në Prishtinë. Nga aty më shumë se pesëdhjetë kompozicione të trenit u nisën drejtë Maqedonisë dhe vazhdoi kështu me javë të tëra

Në Bllacë, më saktë në llucën e saj bashkë me mijëra kosovarë të tjerë, kam qëndruar vetëm tre net. Aty jam bindur edhe një herë se paratë nuk vlejnë asgjë, përballë jetës me dinjitet dhe ndjenjës për të qenë i lirë.

Gjithçka që kisha me vete ishin rrobat e trupit dhe 20 marka gjermane në xhep. Më kujtohet si sot, kur nën një tendë tjetër të mbuluar me najlon qëndronte edhe një biznesmen kosovar me familjen e tij dhe me çantën e mbushur përplot marka gjermane. Pak ditë më vonë kam kuptuar se në çantën e tij ishin rreth gjysmë milioni marka! Nën tendën prej najloni unë flija i qetë, hiq pikëllimin për fatin e mbi një milion njerëzve që kishin mbetur në Kosovë, nën mëshirën e tytave të armëve të ushtrisë dhe policisë serbe, derisa biznesmeni kur flinte, çantën në vend të jastëkut e mbante nën kokë! Në Bllacë, unë dhe biznesmeni ishim të barabartë. Ndodhte kështu falë bujarisë së shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët na sillnin ushqime me bollëk, derisa tash njëzet vjet Qeveria e Kosovës nuk denjoi t’i falënderojë qoftë edhe një herë sa për sy e faqe. Vërtetë me biznesmenin ishim tepër të barabartë, mbasi paratë nuk na duheshin asgjë. Nuk kishim mundësi të blinim as edhe nga një pako cigare, si unë që kisha vetëm 20 marka në xhep, si ai që kishte të mbushur çantën me gjysmë milioni!

Lufta e fundit nuk ishte leksion për shqiptarët e Kosovës, mbasi këta të fundit nuk deshën të mësojnë se në këtë botë nuk ekziston asgjë me e vlefshme se të jesh i lirë dhe i pavarur, të kesh institucione të qëndrueshme dhe të bësh jetë me dinjitet. Të jesh i pasur dhe ruajna Zot të jetosh me para të vjedhura siç është duke ndodhur në dy dekadat e fundit në të dyja shtetet shqiptare, është më shumë se hiç.

*

Rasti është mbret i kohës, por edhe ironia është nëna e mizorisë! Me biznesmenin me çantën përplot para, organizatat ndërkombëtare na transferuan në të njëjtin shtet, madje në kryeqytetin norvegjez në Oslo! Nga Aeroporti i Shkupit u nisëm me të njëjtin avion pa u kontrolluar nga zyrtarët e Aeroportit, mbasi shumicës nga ne na mungonin edhe kartat e identitetit. Javën e parë sapo u vendosëm atje dhe derisa Mbretëria norvegjeze na mirëpriti e akomodoi jashtëzakonisht mirë, biznesmeni kosovar nisi t’i frekuentonte kazinot. Pak ditë më vonë kuptova se çantën e mbushur me para, disa matrapaz kinezë brenda natës ia shterën në njërën nga kazionit e atjeshme. Unë i kisha vënë vetes një mision; të punoja për aq sa të mundja që kur të kthehesha të siguroja një kulm mbi kokë, mbasi të gjitha pronat e familjes në vendlindje ishin djegur nga forcat serbe.

Biznesmeni që asnjëherë më nuk e kam parë, më kujton biznesmenët e sotëm qeveritarë e joqeveritarë, të cilët përmes tenderëve janë duke ia zhvatur Kosovës substancën e pavarësisë. Shkas për këtë shkrim është nisma për fillimin e ndërtimit të së ashtuquajturës autostradë e Dukagjinit, ku gjatë muajve të ardhshëm nga buxheti i varfër i Kosovës, pritet të investohen rreth 1 miliard euro. E ashtuquajtura austostradë, vetëm kështu nuk mund të quhet, sepse autostradat nuk e lidhin Pejën me Istogun, por lidhin kombe e kontinente.

Viteve të fundit, dëgjojmë shumë bashkëpatriotë duke thënë se e kaluara nuk përsëritet, duke demantuar thënien profetike; historia është mësuesja e jetës!

Shqiptarët e Kosovës, asnjëherë në ekzistencën e tyre nuk ishin më të lirë se sa në “Tre vjet Shqipni”, më saktë nga prilli i vitit 1941 deri në vjeshtën e vitit 1944, por që brenda natës ndryshoi gjithçka. Për herë të parë në historinë e tyre, në administratën kosovare u shkrua dhe u fol shqip. Për herë të parë në të gjitha qytetet e Kosovës u kremtua pavarësia e Shqipërisë. Për herë të parë dy vjet më vonë në Tiranë, kosovarët kishin një kryeministër të tyre, Rexhep Mitrovicën dhe kontrollonin dikasterin më të rëndësishëm me shqiptarin më të devotshëm Xhafer Devën, ministër i Punëve të Brendshme, por nga vjeshta e vitit 1944 deri në pranverën e vitit 1945 u përmbys gjithçka. Brigadat partizano-çetnike kryen masakrat më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni e vise tjera të banuara me shqiptarë.

E kur e kishim fjalën te autostrada e Dukagjinit dhe të gjitha autostradat tjera që janë ngritur dhe për të cilat nuk kishim fare nevojë përjashto Udhën e Kombit, atëherë ato janë ndërtuar dhe po ndërtohen vetëm për një fakt; që përmes tyre oligarkët e vendit të pasurohen me lehtësi dhe për ironi të kohës, të rinjët shqiptarë të kenë mundësi që përmes këtyre autostradave të largohen më shpejtë nga vendi. Sipas trendeve të fundit, dy shtetet shqiptare për mungesë të perspektivës dhe për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar, i detyruan rreth 350 mijë të rinjë të braktisin Shqipërinë dhe rreth 170 mijë Kosovën. Kështu, shumë shpejtë dy shtetet shqiptare, do të shndërrohen në shtete fantazmë. Për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga dy qeveritë shqiptare, asnjëherë imazhi i shqiptarëve nuk ishte më i përdhosur se sot dhe asnjëherë miqt ndërkombëtarë nuk ishin më të distancuar nga ne.

Gjithçka e nisur keq, do ta ketë fundin e keq dhe paratë e vjedhura nga oligarkët shqiptarë andej e këtej kufirit, do ta kenë fatin e parave të biznesmenit të Bllacës.

Të ngjajshme