займ на карту онлайн потребительский кредит

Ekspozita “Bolero” sjellë në Berat Miradije Ramiqin

23 Shtator, 2017 - 4:32 pm

25 vepra të realizuara në disa vite krijimtari, ku piktura shkon përkrah me mësimdhënien. 25 piktura ku ngjyrat ndërthuren mes tyre për të përcjellë botën shpirtërore të një femre që nuk ndalet kurrë për tu realizuar. Një mori formash shpërthyese për të sjell nëpërmjet artit ngjarjet më të rëndësishme të një kombi. Një ekspozitë e titulluar “Bolero” për tu rikthyer në qytetin me vlera të Beratit, përcjellë KultPlus.

Përjetimet e ngjarjeve që kaluan vajzat dhe gratë e Kosovës gjatë vitit 1999, ‘lufta” e çdo femre për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat përballë një realiteti maskilist. Një kujtesë kolektive për të gjithë ata që nga lufta rezultojnë të humbur dhe ajo që mbetet është që ti kujtojmë gjatë. Këto dhe shumë emocione të tjera që çdo komb i ka përjetuar janë përcjell nëpërmjet penelit të piktores Miradije Ramiqi, e cila artin e ka kthyer në lajtmotiv të jetës së saj. Pedagoge e Universitetit të Prishtinës Miradije Ramiqi është prezantuar mbrëmjen e djeshme me ekspozitën e saj ‘Bolero” përpara publikut beratas. Në këtë ekspozitë të saj të dytë personale në këtë qytet Ramniqi, një emër i njohur në botën e artit jo vetëm në Kosovë, por dhe më gjerë, rikthehet me disa cikle pikturash, pjesë e krijimtarisë së saj më të mirë.

Miq të galerisë dhe të artistes, drejtues të institucioneve të kulturës, nxënës të liceut artistik ishin mbrëmjen e djeshme në hapje të kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj. Naser Shatrolli, regjisor në Prishtinë në cilësinë e kuratorit të ekspozitës e cilësoi artisten si një femër të fortë që ka lobuar nëpërmjet artit të saj shumë në Kosovë për të drejtat e grave dhe vajzave, gjë që reflektohet në veprat e saj në pikturë ku qenia femër ka zënë një vëmendje të madhe.
“Femra si kontekst është në boshtin e brushës së saj artistike. Ngjyra do të marrë formën e vetë në imtërsiat e trupit të saj gjersa e ngjizë lëkurën e saj me lirinë, i demaskon lakuriqësitë e Iriqit të zi që përthithë gjinjtë e saj diellor.

Ramiqi shenjëzon me të kuqen të zezat historike, përbotëron dhunën e ushtruar ndaj kësaj uzine gjinore, e cila bartë në majet e gjinjëve logon e vallëzimit shpirtëror francez bolero, e mbuluar me bluzin e purpurtë numër 1999 përkatësisht evidenton nga larg kursin e itinerarit të qëllimit,” u shpreh ndër të tjera në hapje të ekspozitës kuratori i saj Naser Shatrolli.

Ndërsa, vetë Miradije Ramiqi u shpreh se rikthehet me mjaft kënaqësi në këtë qytet pas shtatë nga koha ku ekspozoi për herë të parë individualisht.

“Në këtë ekspozitë kam sjellë disa cikle duke sjell pikturat që përcjellin emocionet e viteve më të këqija të historisë së Kosovës, vitit 1999. Pjesë e kësaj ekspozite është dhe cikli “fytyrat e humbura”, që vjen si një homazh për ata që nuk janë më,” u shpreh ndër të tjera në fjalën e saj Ramiqi.

Pjesëmarrësit më pas ndoqën nga afër krijimet e Ramiqit, ku ngjyrat e kuqe e bardha dhe e zeza përcjellin emocione pa fund të artit bashkohorë të një emri si Miradija. Pjesëmarrëse në shumë evente ndërkombëtare, vlerësuar me çmime brenda dhe jashtë Kosovës Ramiqi duket se do ti rikthehet sërish në të ardhmen ekspozimit në Berat. / KultPlus.com

Erjola Azizolli

Të ngjajshme