Emrat e njohur të industrisë muzikore, pjesë e prapaskenave të Sunnyhill Festival

29 Korrik, 2025 - 9:16 pm

Festivali i sivjetmë “Sunnyhill Festival” përpos emrave tani të njohur pjesëmarrës do të mirëpresë edhe figura tjera të njohura të industrisë muzikore ndërkombëtare, ndër të cilët spikat Paul Tollet, promotori i shquar amerikan me bazë në Los Angeles. I njohur si bashkëthemelues i festivalit legjendar Coachella më 1999, së bashku me Rick Van Santenin, Tollet konsiderohet një nga zërat më me ndikim në skenën globale të muzikës live, mëson KultPlus.

Në mesin e të ftuarve është edhe Robert Kyncl, udhëheqës i “Creative Artists Agency”, një prej agjencive më të fuqishme në botë, si dhe themelues i “Warner Music Group”, kompania e mirënjohur me seli në New York nga ku kanë dalë disa nga artistët më të njohur të skenës botërore.

Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe Christofer Huber, drejtues i Europan Festival Association, i njohur për kontributin e tij në rrjetëzimin dhe zhvillimin e festivaleve evropiane.

Ashtu si në edicionet e kaluara, nuk do të mungojë as David Bradley, agjenti i pop-yllit Dua Lipa që e ka ndjekur dhe përfaqësuar që prej fillimeve të karrierës së saj. Një tjetër emër me peshë që do të jetë i pranishëm është Maha Dakhill, një nga agjentet më të kërkuara dhe një ndër zbulueset më të mëdha të talenteve në botën e artit dhe argëtimit.

Pjesëmarrja e këtyre emrave jo vetëm që e ngrit nivelin e festivalit në Kosovë, por gjithashtu krijon mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare dhe për afirmimin e skenës lokale në arenën globale./KultPlus.com

Të ngjajshme