Festivali i Këngës në RTSH në datat 20, 21 e 22 dhjetor

9 Dhjetor, 2018 - 9:00 am

Na ndajnë vetëm dy javë nga edicioni i 57-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Në faqen zyrtare të festivalit janë prezantuar këngët e 22 konkurrentëve të këtij edicioni.

Ashtu siç ka bërë të ditur edhe drejtoresha e Festivalit, Inva Mula, këtë vit këngët nuk do të zbulohen të plota, pasi formula e prezantimit të këtij edicioni ka si qëllim njohjen me një pjesë të këngës gërshetuar me një intervistë të artistit pjesëmarrës në garë, autorëve të këngës, apo edhe momente nga rutina e vetë protagonistëve.

Artistët kanë përzgjedhur vetë fabulën me të cilën shfaqet në këto klipe promovuese dhe njohëse njëherësh me materialet muzikore me të cilët do të garojnë në Festivalin e madh të muzikës. Këngët pjesëmarrëse do të prezantohen nën shoqërimin e Orkestrës së madhe të Radio Televizionit Shqiptar.

Komisioni që ka përzgjedhur 22 këngët përbëhet nga Inva Mula (soprano), Nestor Kraja (kompozitor) Martin Leka (zv.drejtor i Përgjithshëm në RTSH), Sokol Marsi (producent artistik), Bledar Laço (regjisor) dhe Pandi Laço (skenarist). Fituesi do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong, në Izrael. Festivali zhvillohet në datat 20-21- 22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

Të ngjajshme