Mbi përgjegjësinë e individit dhe terapinë ekzistenciale të Viktor Frankl

2 Prill, 2023 - 4:00 pm

Ankthi, neveria dhe absurdi janë tri kategori shumë të rëndësishme në filozofinë dhe letërsinë ekzistenciale. E përbashkëta e këtyre kategorive është se të tria këto paraqiten si ‘manifestim i lirisë’. Në këtë rast liria është ajo gjendje ku njeriu është i pavarur dhe i shkëputur nga forcat biologjike dhe morale. Kjo shkëputje nga biologjia dhe morali, e bën njeriun të ndihet në ankth, neveri dhe të bie në absurd.

Kur njeriu vetëdijesohet mbi lirinë ai vetëdijesohet edhe për gjendjen e ankthit, absurdit dhe neverisë. Por, ky vetëdijesim nuk mund të vjen pa pasoja. Sipas botëkuptimit ekzistencial, njeriu në thelb është i lirë por pikërisht pse është i lirë, ai shpesh përfundon në pranga sepse nuk ka fuqi shpirtërore ta përballojë dhe realizojë këtë liri. Liria nuk duhet vetëm të kuptohet, por edhe të jetohet.

Nga ajo që u tha më lart del se qëllimi i ekzistencializmit është që individi në fillim të vetëdijesohet për faktin se është i lirë, dhe pastaj këtë liri ta aktualizojë dhe realizojë për veten dhe shoqërinë. Pra, nga një liri spekulative dhe teorike të kalojë në një liri praktike. Në lidhje me këtë, Walter Kaufmann thotë: “Për të qenë serioze një filozofi, ajo duhet të jetohet”.

Elementi apo kategoria që e bën të mundur këtë kalim nga reflektimi teorik në veprimin praktik gjendet brenda vetë njeriut. Ky element është ‘përgjegjësia’. Përgjegjësia është element esencial në teorinë e ekzistencializmit sepse e bën të mundur kalimin nga potenciali njerëzor në aktualitetin njerëzor. Përgjegjësia është një fuqi shpirtërore që i rregullon raportet njerëzore përmes parimit se njeriu nuk duhet të trajtohet si mjet, por vetëm si qëllim.

Ky element i ‘përgjegjësisë’ i trajtuar nga filozofia dhe letërsia ekzistencialiste, trajtohet edhe tek teoria e psikiatrit Viktor Frankl dhe paraqet thelbin e terapisë së tij ekzistenciale të emërtuar si: Logoterapi. Më poshtë jepet një paragraf nga vepra e Viktor Frankl-‘Doktori dhe Shpirti’ ku e sqaron raportin e Logoterapisë dhe Përgjegjësisë individuale.

“Psikoterapia (këtu ka fjalën për psikanalizën e Frojdit) bën përpjekje që aspektin instiktiv t’ia subordinojë të vetëdijshmes (Ego-së). Logoterapia, në anën tjetër tenton që ta vetëdijesojë njeriun për aspektin shpirtëror. Si një terapi ekzistenciale, në radhë të parë ajo është e preokupuar që ta vetëdijesojë njeriun mbi elementin e përgjegjësisë – pasiqë të qenit i përgjegjshëm është një nga elementet kryesore të të qenit njeri. Nëse të jesh njeri do të thotë të jesh i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm, atëherë ‘analiza ekzistenciale’(Logoterapia) është lloj i psikoterapisë e cila si pikënisje e ka të qenit i vetëdijshëm dhe përgjegjës”.

Përgatiti: Ardian Batusha/Virtualsophists/Kultplus.com

Të ngjajshme