22 Gusht, 2025 - 4:50 pm
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, kanë nderuar shkrimtarin Ibrahim Kadriu me çmimin “Çelësi i Qytetit”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe.
Hyseni u shpreh se Kadriu është figurë e shquar e letrave shqipe, krijues që me veprat e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në identitetin kulturor e kombëtar, përcjellë KultPlus.
Ai njoftoi gjithashtu se ka propozuar që Kadriu të nominohet për çmimin “Nderi i Qytetit të Gjilanit”, si dhe të rekomandohet te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për tu nderuar me Medalje Presidenciale për kontributin e dhënë në pasurimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Nga ana e tij, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, tha se dorëzimi i çmimit është një ditë e veçantë për Gjilanin, pasi Kadriu mbetet një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë shqipe të kohës sonë.
Shkrimtari falënderoi për këtë nderim, duke theksuar se “guri më së shumti peshon në vendlindje”.
Ndërsa profesori Anton Nikë Berisha e cilësoi këtë vendim si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se rrallë ndodh të vlerësohet puna e një shkrimtari, dhe se ky akt tregon kujdesin për artin dhe ndikimin estetik që letërsia ka në shpirtin e njeriut./KultPlus.com