Salla koncertale – bosht i jetës muzikore

20 Prill, 2018 - 11:00 am

[…për ambientin tonë kulturor ende nuk është e qartë dallimi në mes sallës koncertale dhe sallave të tjera si tipi i sallës universale apo sallës së operës (!)]

Shkruan:Rafet Rudi

Salla koncertale – bosht i jetës muzikore

Vlerësim për gjendjen e vërtetë të jetës muzikore të një ambienti kulturor, mund të merret më së miri përmes sallave koncertale. Edhe sot (por edhe gjatë historisë), shpeshherë salla e caktuar koncertale është bosht rreth të cilës zhvillohet jeta muzikore. Ajo, në mënyrë vendimtare, e kushtëzon nivelin dhe forcën kulturore të një mesi. Rëndësia e saj mund të jetë shumëfish më e madhe sesa që në dukje ka. Ta zëmë, informatat për një periudhë historike munden më me saktësi dhe në mënyre më komplete të gjenden në arkivat e sallës sesa në arkiva apo biblioteka shtetërore. Sallat, thjeshtë, mund të kenë peshën e një muzeu prestigjioz. Pikërisht për shkak të kësaj fuqie reale kulturore pronarët e sallave të tilla i kushtojnë rëndësi parësore ruajtjes së traditës dhe formimit të renomesë së sallës.

Kultivimi i renomesë së sallës

Ta zëmë në përvjetorin (të njëqindtë) e inaugurimit të Sallës në zë Carnegie Hall të New York, u botuan publikime të ndryshme për punën e sallës, u botuan seri të ndryshme disqesh; u organizuan cikle të posaçme të koncerteve etj. Gjatë sezonit festiv kujdes i posaçëm i kushtohet angazhimit të emrave eksluzivisht me renome botërore. U muar vesh se krejt kjo shfrytëzohet që të ngritet nami i sallës.
Përmes angazhimit të emrave të mëdhenj ata e ndërtojnë por edhe e ruajnë me fanatizëm pikërisht në këtë mënyrë. Në Europë e cila i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së traditës, salla dhe renomea e saj është çështje edhe e prestigjit (dhe në këtë element ajo ndryshon edhe nga Amerika ku në këtë drejtim bëhet një politikë më tolerante dhe më fleksibile).

Në ç’masë ruhet mëvetësia e sallës tregon edhe fakti se shpeshherë fizionomia programore e tyre specializohet qoftë në kuptim të zhanrit, qoftë edhe të orientimit stilistik(!) Kështu, një sallë e caktuar kultivon vëtëm muzikë estrade, tjetra vetëm muzikë klasike, ose salla e caktuar specializohet vetëm për muzikë kontemporane, tjetra për muzikë baroku, klasike, romantike etj. Formohet një traditë e qëndrueshme dhe ajo mbrohet gati me fanatizëm. Ta zamë, salla e njohur Olympia e Parisit e cila kultivon muzikën e popullarizuar (muzikën e lehtë estradeske) e tipit të një Edith Piaf, Iv Montan, etj., më 1969 tenton ta ndryshojë fizionominë, të etabluar me kohë, me organizimin e koncertit të pianistit të famshëm György Cziffra dhe të disa emrave të tjerë të muzikës klasike. Por publiku (i këtyre emrave të mëdhenjë të muzikës klasike) i cili është mësuar që ata ti shohë në sallat e tjera standarde, nuk i ka vizituar koncertet, spjegimi ka qenë i thjeshtë, “në sallën në të cilën mban koncerte edhe një Johnny Holliday ose Charles Aznavour etj.(!), nuk dëshiron të dëgjojnë një koncert të muzikës serioze”.

Natyrisht, kjo neve, nga perspektiva jonë, e një mesi, në të cilën ruajtja e traditës për objektet (kjo vlenë edhe për thesarin kulturor) kulturore nuk është e thelluar dhe ku rrethanat nuk kanë mundësuar që “një sallë koncertale” (çfarëdo qoftë ajo) tek ne t’a fitojë identitetin e vet, kjo është e çuditshme. Së këndejmi ne jetën muzikore e zhvillojmë në objekte që nuk kanë biografi të veten.

Mosnjohja e termit “sallë koncertale”

Vendi kryesor që ne e trajtojmë si “sallë koncertale” (Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë) nuk i plotëson asnjë prej kushteve për një sallë koncertale. Pastaj në këtë sallë organizohen edhe gjëra që nuk i takojnë një salle të vërtet koncertale (ta zëmë, pos koncerteve të të gjitha zhanreve, mbahen tubime politike, svilatet mode, ajo ndonjëherë shërben për panaire shitjeje librash bile edhe panaire të ushqimeve bujqësore (!).

Pse gjendja është kështu, natyrisht nuk është vështirë që të gjenden arsye, meqë ato janë të shumta. Megjithatë burim inicial pse kjo gjendje është sepse për ambientin tonin kulturor ende nuk është e qartë dallimi në mes sallës koncertale dhe sallave të tjera si tipi i sallës universale apo sallës së operës (!) etj. Koncertet simfonike dhe kamertale nuk mbahen në mënyrë cilësore në sallat universale (që janë të dedikuar edhe për variete) apo në podiume të operës. Natyrisht se mund të mbahen, tekefundit ato mund të mbahen edhe në vende të hapura edhe në stadiume, por gjiri i tyre i natyrshëm është vetëm salla koncertale. Kjo mosnjohje është vërejtur shumë mirë në përpilimin e “strategjisë kulturore” në Ministrinë tonë, lidhur me ndërtimin e një salle koncertale, ku këto ngatrime kanë qenë tejet të theksuara deri në banalitet.

Tërë këtë galimacias e sforcojnë në një anë udhëheqësit e politikës tonë kulturore, në anën tjetër gazetarët diletant që me një pakujdesi operojnë me tema dhe me nocione që nuk i njohin, por kësaj i kontribuojnë edhe vetë muziktarët meskin që plasojnë “vizione” naive personale dhe janë ata në të vërtet, që nuk lejojnë që të qartësohen gjërat.

Ndërtimi i objekteve kapitale në mese të ngritura kulturalisht, zakonisht iu prinë një kultivimi i një “masës kritike” për një realizim të till. Gjërat strategjike nacionale nuk bëhen me vizione provincialiste, lokale, partiake etj. Duhet të ekzistojë një pajtueshmëri (koncezus) në mes shtresave të interesuar dhe shtresave vendimmarrëse – pra, të puntorëve kulturor, establishmentit politik dhe shtetëror, por edhe opinionit të gjërë. Ndoshta, gjeneratës më të vjetër mund t’iu kujtohet ndërtimi i sallave koncertale qendrore në Zagreb dhe në Ljublanë – sallat “Vatroslav Lisinski” dhe “Cankarjev dom”). Ato janë ndërtuar me pregaditjet dhjetëvjeçare, në arritjen e “pikës kritike” të senzibilizimit të opinionit. Përfundimisht, kur këto projekte janë konsideruar dhe trajtuar prej të gjithëve si arritje kulminante nacionale dhe shtetërore, është marrë vendimi për ngritjen e tyre. Pikërisht për shkak të flijimit të madh nacional, ato sot mund të konsiderohen si arritje e respektueshme edhe për ambientin kulturor të Europës perendimore.

Për një sallë koncertale në Prishtinë

Pyetje në fund do të ishte se në ç’fazë ne gjendemi, mendimi im është që medoemos institucionet tona duhet të zhvillojë një debat me ekspertët (jo vetëm “ekspertët” meskin dhe partiak) e të gjitha fushave ku do të qartësohen gjërat, dhe pastaj të fillohet me marrjen e vendimeve të mëdha. Mendoj në ambientin tonë kulturor, edhepse ndonjëherë e artikuluar në mënyrë të plogësht, është duke u formuar një kërkesë e qartë, për ndërtimin e një salle koncertale.

Koncertet që janë duke u organizuar me artistë të vendit dhe të huaj, koncertet të rangut europian që janë duke u mbajtur në festivalet ndërkombetare që tash disa vite organizohen këtu, ekzistimi i Filharmonisë së Kosovës, publiku i mrekullueshëm me të cilën artistët nga bota vazhdimisht befasohen, artistët tanë të rinj, instrumentistët tanë e forcojnë këtë kërkesë. Ambienti ynë muzikor e meriton një sallë koncertale./KultPlus.com

Të ngjajshme