Tash muj m’e pa, krejt andrrën e saj

KultPlus ju sjellë këngën “Krejt Andrrën” nga Genc Salihu i cili për vite i ka qëndruar besnik stilit të tij të veçantë muzikor.

Kam mall me u marrë
N’sy të lagët, sy të lagët,
M’ka marrë malli.
E me ditë me i lanë me m’pa, lanë me m’pa,
Me ditë me m’ra ndërmend sa e lehtë
Asht me flejtë me ty.
Po’ tash po du’ me t’zgjue, du’ me t’zgjue ma,
Me duer, me gishta të ngathët,
Tue marrë zemër.

Asht verë e thatë,
Krejt koha e saj
Rrjedh në vend aq të huej,
Si shi.
Krejt janë tue pa
Ujë të kthjellët, janë tue pi
Venë që s’bahet këtu.

E n’këtë verë që s’bahet ma, s’bahet ma,
Po du’ me gdhendë nji grrithë n’drunin tand
E nja n’temin.
Po’ qysh me mujtë me dalë, mujtë me dalë ma
Prej mujit maj që zgjatë
Qe ku m’e ditë se sa.

Venë përçdo natë!
Po, tash muj m’e pa
Krejt andrrën e saj,
E di.

Shumë kuptimet e fjalës “gomar”

Artan Fuga

Sot termi gomar përdoret në shumë kuptime.

Gomari si kafshë shtëpiake.

Ik o gamor = përkëdhelje
Ik ore gomar = sharje për dikë si budalla
Qenke gomar fare = për dikë që nuk kupton diçka, ose që ja fut kot fare!
Punon si gomar = për dikë që punon shumë
Gomarllik = budallallik
Ata kanë në krye një gomar = drejtues i paditur
Je ngarkuar si gomar = mban peshë të rëndë dhe përgjegjësira të mëdha
Mban ai si gomar = I duruar
Pëllet si gomari = Kur dikush bërtet kot
Vickla gomari = teke të dikujt
Shiu i beharit si vrapi i gomarit = për diçka që ndodh shpejt dhe papritur e pa drejtim. 
Nuk ke ç’i bën gomarit i bie samarit = fajtor por që nuk ndëshkohet. 
etj.

Nga të gjitha këto vetëm identiteti gomari = kafshë shtëpiake është universal, i përdorur me të njejtin kuptim nga të gjithë, të tjerat janë metafora që marrin kuptim në kontekste pragmatike të caktuara.

Tani pas nja njëmijë vjetësh kur këto kuptime të dyta mos të jenë më dhe njerëzit e asaj kohe të lexojnë tekste te sotme, nuk do të kuptojnë sesi është e mundur që fjala gomar të ketë kuptimin e njëkohshëm :

kafshë shtëpiake me katërkëmbë dhe me veshë të gjata, këngëtar i keq,
budalla,
i duruar,
i paditur,
drejtues i dobët,
njeri shumë puntor,
njeri që merr përgjegjësi përsipër,
tekanjoz,
etj.

Ta zemë fjalinë :

Gomari pasi i hodhi ca vickla fatorinos, e pagoi biletën e autobuzit

Eshtë fjala për dikë që krejt pa arësye nuk deshte të paguante biletën e autobuzi dhe pasi bëri ca kundërshtime e pagoi atë.

Pas njëmijë vjetësh nuk përjashtohet që ndonjë historian i ditur ta përkthejë kështu:

Në Tiranë kishte autobuza për gomerë, dhe gomerët flsnin. Ose ka mundësi që gomerët dhe njerëzit udhëtonin në të njejtët autobuza. Ndodhte që gomerët e atëhershëm, që dinin të flisnin, protestonin për cmimin e biletave.

Sa qejf i kam gomerët, sidomos ata pa samar, që rrinë e tundin këmborët gjithë ditën dhe pastaj delirojnë duke pëllitur!/KultPlus.com

Instituti Albanologjik i Prishtinës boton monografinë shkencore “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” të autorit Sejdi Gashi


“Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” është studimi shkencor i autorit Dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në degën e gjuhësisë, që u botua nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Ky botim plotëson tablonë e studimit të të folmeve shqipe të Kosovës dhe si i tillë paraqet një kontribut me vlerë për studimet në gjuhësinë shqiptare. Punimi ndahet në 8 krerë, që ndërthuren me njëri-tjetrin, e ku përfshihen:

– Të dhëna të përgjithshme për Istogun me rrethinë,

– Fonetika (theksi, sistemi zanor, sistemi bashkë­tin­gë­llor, togjet zanore, diftongjet dhe grupet e bashkë­tin­gë­lloreve);

– Dukuritë fonetike (metafonia., apofonia, kontra­ksio­ni, shurdhimi, sonorizimi, asimilimi, disimilimi, rëniet e tingujve, metateza, elizioni, aglutinacioni, palatalizimi, reduktimi, kontraksioni i zanoreve, kontraksioni i bashkë­tin­gëlloreve dhe analogjia).

 – Morfologjia (sistemin emëror, sistemin mbiemëror, sistemin foljor, disa përemra, disa numërorë etj., si dhe pjesët e pandryshueshme të ligjëratës: ndajfoljet, lidhëzat, nyjat, pasthirrmat, onomatopetë etj.).

– Fjalëformimi si një prej shtyllave kryesore (para­shtesat, prapashtesat, parashtesat dhe prapashtesat një­ko­hë­sisht, paranyjëzimi, kompozimi, përngjitja dhe konver­sioni).

– Sintaksa.

– Tekste dialektore.

– Fjalorth dialektor .

Dalja në dritë e veprës së  Dr. Sejdi Gashit zgjeron edhe më tej studimet e dialektologjisë shqiptare dhe vjen pasi autori kishte bërë shumë studime që kur ishte student dhe më vonë duke botuar me dhjetëra artikuj nëpër gazeta dhe revista shkencore./ KultPlus.com

20 vjet nga Masakra e Mejës

Para 20 vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.

Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre.

Për të nderuar sakrificën e atyre që u vranë, sot prej orës 11:00 bëhen homazhe në varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Meje, ndërsa prej orës 12:00 do të mbahet akademi qendrore po në këtë kompleks.

Aty pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit, nga Presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlaentari Veseli, ministra, ambasadorë të akredituar në vendin tonë dhe shumë qytetarë e familjarë të të pagjeturve./koha.net/ KultPlus.com

Kati, primadonë e teatrit shqiptar

Frrok Kristaj

Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi Katarina Josipi – Kati në skenën e Teatrit profesionist të Prishtinës, ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm. Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë.

Katë Dulaj, apo siç njihet me emrin artistik Katarina Josipi – Kati jonë e madhe, u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, pikërisht më 9 nëntor të vitit 1923, e jo siç figuron aty-këtu nëpër disa dokumente me të cilat janë shërbyer disa institucione teatrore se Kati u lind më 19 nëntor 1923. Ajo më 19 nëntor (1923) është pagëzuar në Kishën e Zymit.

Katë Dulaj ishte e bija e Gjin dhe e Gjyste Dulajt. Ishin katër fëmijë – Marku, Lazri, Kata e Pali. Prindërit emrin Katës ia dhanë në bazë të festës së Shën Katarinës së Aleksandrisë, pajtore e Kishës në Pejë (kremtohet më 25 nëntor), por edhe festë familjare e dajëve të Katës – Prekpalajt. Përndryshe, Kata me vëllezër është brezi i 10 i familjes Berisha të ardhur nga Tropoja (Shqipëri) dhe të vendosur në Zym. Në fakt, i pari i lagjës Berishë (në Zym), që erdhi nga Tropoja quhej Peci, e më pastaj vijnë brezet: Pjetri i Pecit, Ndrekë Pjetri, Mark Ndreka, Gegë Marku, Ndue Gega, Pjetër Ndou, Jozë Pjetri, Gjin Joza dhe Kata Dulaj alias Katarina Josipi.

Katarina Josipi shkollimin fillor e filloi në Zym në gjuhën serbe pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit. Pastaj, e vazhdoi në Nish (tash në Serbi), ku ishte me babain e vet, që e ushtronte profesionin e bukëpjekësit. Pas bombardimit të Nishit, në prill të vitit 1941, babai i Katit, sikurse shumë bukëpjekës të tjerë nga Zymi, kishin ikur nga Nishi, kurse Gjin Joza, babai i Katit, ishte vendosur së pari në Lipjan e më pastaj në Ferizaj. Kati pas shkollimit fillor ndoqi tri klasë të shkollës së natës për rrobaqepëse.

Katarina Josipi si aktore hapëroi në dërrasat e Teatrit Amator në Ferizaj. kurse në pranverën e vitit 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Në Prishtinë kishte shkuar së bashku me Shaban Gashin e Matej Serreqin, që të dy nga Ferizaji. Kati në Prishtinë plot 21 vjet aktroi dhe kulmoi në skenën profesionale.

Dhe, po aty, në Prishtinë, më 29 prill 1969 vdiq në moshën 46-vjeçare, si për çudi prapë në ditën e festës së Shën Katarinës së Sienës (kremtohet më 29 prill), kurse u varros atje edhe nga erdhi – në Shëngjergj (Karashëngjergj), afër Zymit të Hasit të Thatë, pranë meshtarit e patriotit Atë Luigj Palaj, që e masakruan serbo-malazezët për shkak se nuk lejoi që shqiptarët të konvertohen në ortodoksizmin sllav, pranë figurës së madhe poliedrike të kulturës shqiptare – Atë Shtjefën Gjeçovit, që e vranë serbët më 14 tetor 1929. U varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës, në Shëngjergj, ku pas 26 vjetësh, pra iu bashkua edhe bashkëvendësi i Katit, e shkrimtari më i njohur i prozës moderne në letërsinë shqipe – Anton Pashku, si dhe në vitin 2007 aty afër u varros edhe mezosopranja e njohur shqiptare me prejardhje nga Zymi – Ermina (Delhysa) Lekaj.

Katarina Josipin – Katin e kemi parë në skenën e teatrit profesional, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në televizion e në film. Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e fillonte jetën magjepëse që e sheh, e ndien, ku i zbulonte karakteret e njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Ishte prijetare e dramës shqipe. Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës. Aty la djersën e vet. Në skenë ajo jeton edhe sot pas 50-vjetëve të kalimit të saj në amshim. Jeton në kujtimet e artistëve, por edhe të shikuesve e të dashamirëve të teatrit.

Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi, në skenën e Teatrit profesionist të Prishtinës, Kati ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit tonë. Bukuria shpirtërore e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë.

Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo episodik. Të gjitha i interpretonte me pasionin më të madh, me përkushtim, duke e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra të reja, karaktere të reja. Për Katin, po ashtu, ishte njësoj kur interpretonte role nga dramat origjinale apo të përkthyera, dramat klasike apo bashkëkohëse.

Kati me invencion të rrallë interpretonte bareshën dhe ministreshën. Kishte aftësi transformimi. Mishërohej thellësisht me personazhet që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret. Pra, Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë dhe të madhe, ngriti një galeri të tërë tipesh që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe, vërtet është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 80 e sa role që i interpretoi gjatë jetës së saj edhe ashtu të shkurtër.

Në skenën e Teatrit profesional të Prishtinës ajo i interpretoi me sukses të jashtëzakonshëm këto role: Marica (”Personi i dyshimtë”), Ndrikulla (”Pushteti”), Fjollka (”Martesa”), Rutarica (”Zhelanët”), Tanja (”Zjarri dhe hiri”), Marija Jegonovma (”Hani në rrugën kryesore”), Zibaja (një herë) dhe të dytën herë Maxhupja (”Zullumqari”), Kata (”Për kafshatën e bukës”), shoqja e Hasan Agës – Remzija (”Sikur të isha djalë”), Magda Ovesek – Duda (”Hijet e rënda”), Doka (”Zona e Zamfirit”), Ajshja (”Tri botëra”), Ana Marimovna Zemjakina, Mamia (”Dasma”), Përcjellsja (”Ruj Blaz”), Anzhelika (Zhorzh Dandeni), Stana (”Bota”), Saveta (”Proteksioni”), Vahidja (”Besa”), Sofija (”Dy rreshterë”), Hana (”M. E Betanjës”), Ortenzias (”Mirandolina”), Marija (”Fjala është për banesë”), Plaka, e ëma e Cenit herën e parë dhe herën e dytë Zejnepen (”Nuk martohem me pare”), Beatriqa (”Shërbëtori i dy zotërinjëve”), Itha, e shoqja e Gjonit (”Nita”), Merima (”Z. Fedori”), Sofija, e ëma e Hanëmit (”Halit Gashi”), Dilja (”Kryet e hudrës”), Atmanja (”Parajsa e humbur”), Simona (”Njerëzit”), Zonja Lekua (”Ciklonët”), Nada (”Kushëriri prej Amerike”), Bahrija (”Oda e errët”), Zhivka (”Zoja ministreshë”), Staka (”Dy metelikë”), Vilima (”I sëmuri për mend”), shoqja e Hasan Agës (”E shoqja e Hasan Agës”), Edita Frank (”Ditari i Ana Frank”), Gruaja (”Udhëtimi rreth botës”), Shaqja, e shoqja (”Lugati”), Mbretëresha, njerkë (”Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”), Amilja fon Ederlein (”Cubat”), Sarka vejushë (”Familja e pikëlluar”), Z. Podivec (”Ushtari i mirë Shvejk”), Kllara Denjson (”Pjata e drunjtë”), Lina (”Dje në jetë”), Pavka (”Deputeti i popullit”), Dr. Kiner (”Matura”), Ranka Volloviqi (”Konkursi”), Rigoleta (”Kur gruaja është memece”), Falltorja (”Autobiografia”), Raisa Pavllovna Gurmishska (”Pylli”), Filja (”Peripetitë e kohës”), Prydansa (”Zonja me kamelie”), Mr. Mabel Becker (”Jehona 60”), Ollga Karen (”Dje pas dite”), Elen Mamlloku (”Profesori Mamllok”), Zoja Mara (”Studentët e përjetshëm”), Elmira (”Tartufi”), Nerina (”Dredhitë e Shaptukut”), Kejti (”Magjistarja”), Padrona (”Ambrozio shfaros kohën”), Haska (”Hanka”), Shifra (”Kunora”), Zëri i gruas së Dylit (”Fosilët”), Shërbëtorja Razija (”Tri ditët e kiametit”), Shoqja e Skercos (“Miu në xhep”), Ajo (”Bashkudhëtarët”), Tima (”Hakmarrja”), Zëri i gruas (”Sinkopa”) dhe Nëna (”Legjenda mbi vdekjen e heroit”), si dhe në radiodramat e Radio – Prishtinës luajti dhe interpretoi një mori rolesh, si Vakën (në romanin e dramatizuar për radiodramë të Ramiz Kelmendit “Kur kositen livadhet”), Sofijen (në radiodramën “Zonjushat në re”) e shumë të tjera (Qemajl Sokoli ”Historia e Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë” tezë e doktoraturës).

Gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës, luajti me Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun, Muharrem Qenën, Hyrie Hanën, Istref Begollin, Xhevat Qenën, Shani Pallaskën, Malo Gamin, Ragip Loxhën, Kristë Berishën, Matej Serreqin, Shaban Gashin, Abdylrrahman Shalën, Melihate Ajetin, Leze Qenën, Meribane Shalën, Adelajde Sopin, Belxhyzare Fejzën, Qazim Dushkun, Luba Tadiqin, Naxhie Devën, Masar Kadiun, Xhevdet Lilën, Ahmet Spahiun, Ahmet Qirezin, Mysherefe Prekën, Basri Çitakun, Bajram Pakashticën, Zymber Statovcin, Shaban Domin, Gani Jetishin, Vera Balajn, Mikel Balajn, Riza Tarakun, Adem Mikullovcin, Dibran Tahirin, Selman Lokajn, Arif Valën, Safete Rogovën, Igballe Gjurkaj – Qenën e shumë e shumë të tjerë.

Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjia. Në mënyrë shumë të natyrshme e bindëse rolet që i interpretonte Kati, e mbanin vulën e kohës, të ambientit dhe të kushteve në të cilat edhe vetë ishte formuar.

Katarina Josipi – Kati për kontributin e saj, por edhe për rezultatet e arritura mori shumë herë shpërblime e mirënjohje që i jepnin atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte laurate e Shpërblimit të Dhjetorit të të vitit 1958 të Kuvendit të Kosovës, që ishte sinonim i Vendimeve të Bujanës, ku ishte vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë.

Kati që herët, në shkurt të vitit 1947, u ndoq nga pushteti i atëhershëm, u mor në hetime dhe u nxor para gjyqit bashkë me vëllanë – Lazrin, si anëtarë të Organizatës Nacional – Demokratike Shqiptare me akuzën armike e popullit. Ndër 38 anëtarët e “Grupit të Hamdi Berishës”, që të gjithë nga Ferizaji e rrethina, në procesin makabër të Gjilanit, mbajtur prej 1 deri më 7 shkurt të vitit 1947, Katarina Josipi ishte e vetmja femër ndër 37 meshkuj. Në atë gjykim Hamdi Berisha u dënua me vdekje, kurse 31 të tjerë u dënuan me gjithsej 327 vjet burg. Ndër ata ishte edhe vëllai i Katës – Lazëri, që u dënua me 12 vjet burg, si dhe gjashtë të tjerë, e ndër ta edhe Kati, pas disa muajsh hetuesie e represioni e liruan nga aktakuza.

Në anën tjetër, ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Qe martuar me Pjetër Hilën, emigrant që konsiderohej në atë kohë, Shkodra. Ajo ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti jugosllav ia dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi ish-bashkëshortin në Shkodër. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit.

Në fund, të themi edhe atë se me emrin e Katit është pagëzuar në vitin 1971 Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, i publikuar nga po ky Teatër, pastaj me emrin e saj (Katarina Josipi) është pagëzuar edhe Shoqëria kulturo – artistike tash Ansambli etno-kulturor në Zym, që është themeluar (më 4 maj 1970) në njëvjetorin

e vdekjes së Katit. Me emrin e Katit është pagëzuar edhe çmimi për rolin më të suksesshëm të femrës aktore në komedi (në Preshevë të Kosovës Lindore), si dhe në vendlindjen e saj tash e disa vjet jepet çmimi ”Unaza e Katit”.

Por e kemi borxh jo vetëm ta përkujtojmë emrin e Katit do të ishte mirë të pagëzohet Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, apo edhe ta përtrijmë emrin e saj nëpër institucione, së paku t’ia ngrisim një përmendore në vendlindje, në Ferizaj, në Prishtinë, apo në vende të tjera të Kosovës e më gjerë në trojet etnike shqiptare. Do përmendur se në vendlindje, në Zym, është restaurua Shtëpia e lindjes së Katarina Josipit dhe se së shpejti do të përurohet dhe do të shndërrohet në Muze./ KultPlus.com

Këngëtarja amerikane Chrysta Bell promovon albumin në Kosovë

Talenti, pasioni dhe sensualiteti i këngëtares Chrysta Bell, pushtuan skenën e Kino Lumbardhit në mbrëmjen e së premtes.

Muza e regjisorit David Lynch, interpretoi në Prizren me rastin e promovimit të albumit të saj të fundit, “Feels like love”, koncert që do ta veçojë këtë edicion të “Lumbardhit n’Behar”.

E njohur si këngëtare, kompozitore, tekstshkruese e aktore, Chrysta Bell solli energji të re në Kosovë.

Stili i saj i veçantë muzikor, që nuk mund të përkufizohet në një zhanër të vetëm, rezultoi në një koncert që u prit shumë mirë nga publiku kosovarë, ndërsa u quajt eksperiencë e veçantë nga artistja amerikane.

“Mendoj se muzika ime u përshtat shumë mirë me qytetin. Ndoshta po ndihem kështu, meqenëse sonte është edhe ditëlindja ime. Nuk e kemi ditur çfarë presim, por si performanca, edhe publiku ishte shumë energjik. U ndjeva sikur mes nesh po ndodhte një shkëmbim energjish. Erdhëm nga Teksasi pa e ditur çfarë na pret. Nuk dinim shumë për qytetin e Prizrenit, por kur erdhëm këtu, u ndjemë shumë të lidhur me njerëzit që takuam. Ishte eksperiencë shumë e bukur të shikosh publikun dhe të shohësh një reflektim të vetes nga e kaluara, të performosh dhe të shohësh se njerëzit që po të dëgjojnë, janë duke e ndjerë thellësisht muzikën tënde. Tani kam një lidhje shumë të mirë me këtë qytet dhe me Kosovën”, u shpreh Bell.

Muzika e pazakontë e Chrysta Bellit, fitoi interesimin dhe pëlqimin e publikut kosovar që u dallua me të rinj plot kureshtje për diçka më ndryshe.

“Në muzikën time ka elemente të muzikës pop, por ka edhe nën-zhanre tjera që janë rezultat i zhvillimit tim artistik në një botë avangarde, në të cilën jam zhytur tash e sa vjet”, tha ajo.

Përveç vokalit të saj të mrekullueshëm, performanca e këngëtares Bell u karakterizua me vallëzime plot sensualitet dhe sipas saj, e gjithë kjo është rezultat i eksperimentimeve të saj në gati të gjitha fushat e artit.

“Kur jam duke kënduar në skenë, çdo gjë që bëj, shpaloset në mënyrë natyrale. Unë këndoj me gjithë trupin tim dhe albumi im i fundit ka më shumë tinguj, nën të cilët mund të vallëzosh duke përfshirë edhe muzikën disko. Gjatë karrierës sime kam eksperimentuar shumë dhe çdo gjë që bëj në skenë, është paraqitje e ndjenjave të mia momentale. Jam munduar të krijoj koreografi, por prapë, çdo gjë më vjen natyrshëm”, thotë Bell.

Karriera e Chrysta Bellit nuk kufizohet vetëm në muzikë. Përveç krijimtarisë së saj muzikore e filmike, ajo njihet edhe si valltare e poete.

“Është e mrekullueshme, ndihem e shokuar për gjithçka që kam bërë deri tash dhe vazhdimisht më ofrohen mundësi të reja. Për aq kohë sa qëllimi im është suksesi, do të vazhdoj të punoj gjatë gjithë kohës. Ndihem sikur të gjitha përpjekjet e mia artistike e ushqejnë njëra-tjetrën.. aktrimi, muzika, vallëzimi, poezia, të gjitha janë pjesë e kësaj supe dhe shpresoj që do të jetë një supë e shijshme”, u shpreh ajo.

Por, çfarë e bëri Chrystan ta përfshijë Kosovën në turin “Feels like love”?

“Shumë shpesh na vijnë oferta nga agjentë të ndryshëm dhe nëse duken të pazakonta dhe misterioze, më interesojnë, sepse mendoj se i shton më shumë eksperiencë një turneu. Nuk kishim asnjë ide për Kosovën dhe që në momentin e parë që mbërrimë në qytetin e Prizrenit, pamë njerëz shumë të dashur, po ashtu shëtitëm nëpër disa rrugica çmendurisht të vogla e të ngushta. U mundova të marr të gjithë energjinë dhe eksperiencën, çka edhe më emocionoi shumë”, thotë Bell.

Edhe pse albumi i saj “Feels Like Love”, nuk ka as një muaj nga lansimi, Chrysta tashmë ka filluar punën për projektet e saj të reja.

“Për momentin jam duke punuar për videoklipet e albumit ‘Feels Like Love’ dhe menjëherë kam filluar të punoj për lansimin e këngëve të reja, nuk jemi duke u ndalur fare! Së bashku me bendin, jemi duke përjetuar një shpërthim kreativiteti që kur u bashkuam për këtë album”, tha Bell.

Me gjithë famën që gëzon, për një këngëtare si Chrysta, ngrohtësia që ofron publiku është një ndër gjërat më të rëndësishme për suksesin e një koncerti.

“Nuk e kam pritur këtë entuziazëm dhe ngrohtësi. Na ndodh të performojmë në një vend ku çdo gjë është e ftohtë. Ne gjithmonë japim 150% të vetes sonë në skenë, për çka edhe e dua shumë bendin tim. Asnjë nga ne nuk e nënvlerëson asnjë minutë të këtij procesi. Ne jetojmë për të performuar në skenë. Është shumë bukur kur shkon në një vend dhe e di se publiku të ka kërkuar me qëllim, të do në atë vend, dëshiron të të shohë duke performuar, të dëshiron sukses dhe dëshirojnë të kalojnë një natë dhe një kujtim të bukur. E ndiejmë këtë dhe kjo do të thotë shumë për performancën tonë. Të gjitha këto i gjetëm në Kosovë dhe kjo është diçka e madhe për ne”, shprehet ajo, shkruan albinfo.ch

Hapja e koncertit u shoqërua nga tingujt e muzikës së Blerta Kosovës, një artiste e re vendase, muzika e së cilës ngjason shumë më diskografinë e këngëtares Chrysta.

Këtë vit, sezoni pranveror muzikor “Lumbardhi n’Behar” filloi me muzikë më të veçantë e më të pazakontë, ndërsa nuk do të mbarojë me kaq.

Shumë shpejt, në kuadër të edicionit të dytë të këtij festivali do të performojnë edhe artistë e bende tjerë të njohur ndërkombëtarisht.

Qyteti i Prizrenit vazhdon të jetë një ndër vendet e preferuara për vizitorët dhe artistët e huaj.

Përveç “Lumbardhit n’Behar”, Prizrenin e pret një sezon i pasur me aktivitete kulturore e artistike./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=uILHsBe_b0M

Historia e shtëpisë më të veçuar në botë

Mbi një ishull të largët, në arkipelagun e Vestmannaejarit, pranë brigjeve jugore të Islandës, ndodhet një shtëpi e vetmuar, e bardhë, e izoluar, e ndërtuar në një faqe kodre, me pamje nga Oqeani Atlantik, transmeton Shekulli.

Shtëpia e bardhë u ndërtua në vitet 1950, nga një grup gjuetarësh, të cilët shkonin atje vetëm për të gjuajtur zogjtë e veçantë, dhe donin një banesë si strehë.

Image

Edhe pse duket si shtëpia ideale për pushime larg qytetërimit, aty nuk ka as elektricitet, as tubacione uji. Por ama e ka një saunë islandeze, që furnizohet me ujë nga një sistem që mbushet nga shiu.

Edhe pse për njerëzit nuk është vend i mirë për të jetuar, ajo shtëpi është ideale për zogjtë. Specie të ndryshme kanë ndërtuar me dhjetëra fole në shtëpi dhe në ishull.

Për këtë arsye, tani është rezervë natyrore e mbrojtur nga shteti, dhe mund të vizitohet vetëm me grupe të organizuara turistësh, me udhëtime brenda ditës./koha.net/KultPlus.com

Ambasadori amerikan në aksion, mbledhë bërllogun e kosovarëve

Ambasadori amerikan Philip Kosnett sot përveq që ka qenë i zënë me punë diplomatike, është marrë edhe me punë shtesë.

Kosnett ka marrë pjesë në një aksion të pastrimit të mbeturinave të lëna në hapësira publike në Kosovë. Në një postim në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Twitter, Kosnett ka publikuar foto nga aksioni i sotëm. Ai ka bërë thirrje që qytetarët të ruajnë ambientin dhe që mbajnë vendin e tyre të pastër.

Tutje Kosnett ka sfiduar qytetarët që edhe ata të kontribojnë në pastrimin e hapësirave publike.

Ky është postimi i plotë i Kosnett në Twitter:

Ambasada ishte jashtë dje për të bërë pjesën tonë për ta mbajtur Kosovën të pastër. Menzi po pres për të parë të gjithë që e bëjnë pjesën e tyre dhe të bashkohen sfidës #TrashTag #TrashTagKS Të e bëjmë ditën e Tokës çdo ditë #EarthDayEveryDay.

Andi Grizhja, instrumentisti shqiptar që po habit gjermanët

Perkusionist, baterist dhe instrumentist virtuoz i shumë veglave të tjera muzikore. Ky është Andi Grizhja, muzikanti nga Tirana i vendosur prej vitesh në Kassel të Gjermanisë dhe që tashmë ka një repertor të gjerë pjesësh muzikore, me shumë orkestra klasike dhe bashkëkohore në vendin më të madh të Evropës.

Dihet niveli muzikor dhe standarti i një vendi si Gjermania në fushën e interpretimit. Megjithatë Grizhja ka nisur të afirmohet dhe të krijojë emrin e tij edhe në këtë ambjent me konkurencë të lartë dhe shumë kërkues.

Para pak ditësh ai ekzekutoi një pjesë të veshtirë në kselofon, një instrument që ai e preferon shpesh në daljet e tij publike./javanews/ KultPlus.com

I shpëtuan Hitlerit, por jo kohës

Makineria naziste e luftës ushqehej kryesisht me paratë e grumbulluara nga sende me vlerë që grabiteshin me forcë në vendet e pushtuara.

Për t’u shpëtuar këtyre grabitjeve në Francë mijëra njerëz nisën të fshehin sendet e tyre me vlerë, duke nisur që nga aksesorët personalë e deri tek makinat, që në atë kohë vlerësoheshin si makina luksi.

Ai që e ilustron më së miri këtë fakt është zbulimi i dhjetëra makinave në një minierë në Francën qendrore. Zbulimi është kryer rastësisht nga 56-vjeçari belg, Vincent Michel.

Michel thotë se i ka gjetur rastësisht ato dhe se vazhdon ende që të pyesë veten sesi mund të ndodhë që të harrohen në një minierë dhjetëra të tilla, transmeton TCH.

Sigurisht, koha ka bërë të veten dhe sot mjetet që dikur gëlonin nëpër rrugët e Parisit janë të ndryshkura plotësisht.

Ekspozitë në Gjenevë, për 20 vjetorin e luftës në Kosovë

Për 20 vjetorin e përkujtimit të luftës në Kosovë, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës (ShSShGj) në Zvicër, në bashkëpunim me Universitetin Popullor Shqiptar (UPSh) do të hapë një ekspozitë me fotografi rreth luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit kjo ekspozitë do të mbahet në Universitetin e Gjenevës, në Unimail, nga 30 prilli deri më 4 maj të vitit 2019. “Më saktë, kjo është një ekspozitë fotografike nga fotografë të njohur nga agjencia « Magnum », e cila përjetëson nëpërmjet fotografive, vuajtjet e njerëzve si pasojë e luftës, duke dëshmuar më mirë se kushdo të kaluarën tonë të dhimbshme të këtyre viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e bërë në “Facebook”.

Kjo është një punë e bazuar në kujtimet e kohës së luftës në Kosovë me qëllim tërheqjen e vëmendjes së publikut, në mënyrë që ta bëjë atë të reflektojë mbi pasojat e dëmshme të saj. Qëllimi i kësaj ekspozite sipas organizatorëve është të informojë publikun për këtë luftë, plagët e së cilës janë ende të freskëta.

“Të flasësh për këtë temë, do të thotë ta ndalosh atë që të ndodhë sërish”, thuhet tutje në njoftimin e tyre./21Media/ KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Finiqit në Shqipëri, destinacion kulturor e turistik

Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pa ndarë e trashëgimisë shqiptare kulturore.

Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005.

Foinikia ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.

Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II p.k.r. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshat ka mbetje të mureve greke, por ato romake janë më të shumta në numër.

Tek akropoli është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu është zbuluar një teatër me kapacitet të madh. Janë gjendur edhe tri cisterna që i përkasin periudhës midis shek. V dhe shek. III para. Kr. dhe disa rrënoja ndërtesash. Prej vitit 2000 një mision arkeologjik i Universitetit të Bolonjës (Itali), kryen rregullisht gërmime arkeologjike.

Finiqi është një fshat në Bashkinë Finiq në rrethin e Delvinës të Shqipërisë e që gjendet në grykën e Bogasit. Njësitë administrative përbërëse janë Finiq, Aliko, Mesopotam, Dhiver dhe Livadhja. Bashkia e re e Finiqit kufizohet në veri me bashkinë Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Sarandë, transmeton koha.net

Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 11,862 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 39,055 banorë në një sipërfaqe prej 441.20 km2. Në bazë të të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 26.7 banorë për km2 ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 88.51 banorë/km2.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nacionale Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çoj në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.

Sot ky park është një destinacion i mirëfillt turistik, ku vizitor të shumtë njihen aty me historinë dhe antikitetin./ KultPlus.com

Për herë të parë janë bërë publike fotografi të rralla të aktorit Aleksandër Moisiu

Momentet më të rëndësishme të jetës së aktorit gjenial Aleksandër Moisiu në 44 foto të printuara në kanavacë janë bërë publike për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog përmes një ekspozite të organizuar dhe kuruar nga Pjetër Logoreci. Për herë të parë, mbrëmjen e së enjtes, publiku është njohur me objekte si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë.

Ekspozita është realizuar me foto dhe dokumente të panjohura mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7-vjeçare. 44 foto tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Kjo ekspozitë u çel edhe një vit më parë në Shkodër, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe bashkisë së qytetit. Në ekspozitën e mbrëmshme morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, presidenti Alfred Moisiu dhe personalitetet e tjera të artit e kulturës.

“Më vjen mirë që më vjen mundësia që të jem këtu sot në një ekspozitë të munguar prej shumë kohës të një ikone të kultuërs shqiptare, falë ftesës tuaj, ftesë që i bëhet sot gjithsecilit nëpërmjet një cikli me 44 foto të pashfaqura ndonjëherë për jetën e Aleksandër Moisiut, Kjo është një ndjesi e bukur në jetën artisike. Nuk jam ekspert i jetës dhe veprës së Aleksandër Moisiut. Jam vetëm një dëshmitar i ikonës dhe imazhit të tij. Për një tekë të fatit Aleksandër Moisiu është aktori i parë që unë kam parë; jo të gjallë, në baltë në duart e babait tim (skulptor). Isha shumë i vogël dhe m’u fiksua pamja e aktorit. Dhe ajo pamje ishte shablloni që m’u dha për ta krahasuar më vonë me aktorë të gjallë, që të mund të bëja klasifikimin e përshtatshmërisë me këtë ikonë aktori. Është një personazh, që me gjithë bardhezinë e fotografive dhe filmave, ka shumë ngjyra”, tha kryeministri Rama, duke përmendur “kostumet e aq roleve të kurorës së aktorëve që iu dhanë atij dikur.” Kryeministri Rama, kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme në shkëlqimin e karrierës së aktorit të madh me origjinë shqiptare.

Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste me 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vjenë, në moshën 56-vjeçare. E kishte lënë amanet që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij Johana Tervin. Aleksandri, në moshën 19-vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc ju përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si aktor në role të vogla në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt, me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Europës, Amerikës Veriore dhe në Argjentinë. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” e të tjera. Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 11 produksione të filmave, 9 prej tyre ishin filma pa zë, ndërsa dy ishin me zë. “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmes zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”, shkruante për të Stefan Cvajg. Ndërsa Franz Kafka shprehej se: “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë”./javanews/ KultPlus.com

Publikohet Harta Digjitale e pikave me rëndësi të veçantë kulturore e Mitrovicës

Organizata “7Arte” mbajti konferencën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore”, që njëherësh shënoi edhe përmbylljen e projektit hulumtues “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ky projekt synoi të zbatojë një analizë të gjendjes aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për hartimin e Planit Komunal për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile, studentë dhe qytetarë të Mitrovicës.

Konferenca kishte për qëllim prezantimin e të dhënave nga analiza mbi gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

Gjatë hapjes drejtori i organizatës 7Arte, Lulzim Hoti, prezantoi mbarëvajtjen e projektit, si dhe rezultatet e hulumtimit, ku të dhënat treguan përqindje të lartë të qytetarëve të cilët u deklaruan se trashëgimia kulturore është vlerë jetësore për mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës; 89% u deklaruan që të gjithë fëmijët në shkolla duhet të njoftohen mbi trashëgiminë kulturore të Mitrovicës; 82% deklaruan që komuna duhet të shpenzojë më shumë mjete në aktivitetet për trashëgimi kulturore; 91% u deklaruan se duan që Komuna e Mitrovicës duhet të punojë më shumë rreth mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës; 93% u deklaruan që Komuna e Mitrovicës duhet sa më parë të hartojë rregulloren/planin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, përgëzoi punën e bërë gjatë projektit si dhe u zotua që do të përkrahë iniciativat e shoqërisë civile e njëkohësisht edhe ato individuale të qytetarëve që kanë për qëllim përmirësimin e sferës së trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.

Madje, shprehu gatishmërinë për të ofruar bashkëpunime ndërsektoriale për hartimin e planeve e rregulloreve të cilat do e mbronin e promovonin trashëgiminë kulturore.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe studiues e profesorë të cilët kontribuuan me debat konstruktiv si dhe duke dhënë rekomandimet e tyre.

“Gjatë konferencës u publikua edhe Harta Digjitale e pikave me rëndësi të veçantë kulturore për qytetarët e Mitrovicës. Harta do të jetë e hapur për t’u pasuruar edhe me lokacione tjera që propozohen nga qytetarët”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Disa nga rekomandimet nga pjesëmarrësit në konferencë ishin: u rekomandua që të zhvillohet një hulumtim me mitrovicasit të cilët nuk jetojnë në Mitrovicë, se si ata që e kujtojnë Mitrovicën; që edukimi mbi trashëgiminë kulturore të fillojë nga gjeneratat e reja; të mblidhen kujtime nga gjeneratat e vjetra dhe të shkruhet mbi trashëgiminë shpirtërore të Mitrovicës, si dhe që të hartohet sa më parë Plani komunal për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, obligim ky i dalë edhe nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

Këto dhe me shumë të dhëna të detajuara do të publikohen në broshurën “Analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore të Mitrovicës – Përceptimet e qytetarëve të Mitrovicës”.

Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” realizohet në kuadër të projektit GrassRoots Action Support që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.”/KultPlus.com

Malm, kryetari i ri i akademisë suedeze të çmimeve Nobel

Akademia suedeze, që përzgjedh çmimin Nobel, emëroi Mats Malm, si shefin i ri të saj.

Malm është profesor i teorisë së letërsisë në Universitetin e Gotenburgut.

Ai do të pasojë Anders Olsson si sekretar i përhershëm më 1 qershor.

Sekretari i përhershëm vepron si zëdhënës i akademisë dhe bën shpalljen vjetore të zgjedhjes akademike të çmimeve Nobel.

Malm, 54 vjeç, premtoi se do të “vazhdojë punën rinovuese vitale që ka filluar tashmë,  referuar përpjekjeve për të rikthyer besimin në akademi pas polemikave që përfshinë atë vitin e kaluar’’./atsh

Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin!

Mësimet e Nënë Terezës për dashurinë, ‘Sekreti i Lumturisë’, gjen një nga thëniet më të bukura të saj: “Jeta jonë e varfërisë është po aq e nevojshme sa edhe vetë puna”, vetë në qiell shihet se sa shumë borxh u kemi të varfërve, për ndihmën e tyre ‘ ta duam Zotin më tepër për shkak të tyre’.

Pikërisht, përpjekja jonë për ta ndarë varfërinë me të varfrin, mundjen me të sëm.urin, për t’i shoqëruar njerëzit në dhim.bjen e tyre dhe për të mos i lënë vetëm, është diçka që të bën ta ndiesh Zotin më afër.

Kjo ndjenjë sipas Nënë Terezës, na bën të jemi hindus më të mirë, myslimanë apo katolikë më të mirë, çfarëdo që të jemi. Dhe si më të mirë mund të jemi më afër Zotit.
Për të mos e lënë vetëm atë, sepse vetmia është varfëria më e madhe, duke iu përgjigjur thirrjes së të së.murit dhe të vobektit, të jetimit dhe të mjerit, në këtë rrugë mund edhe të gjesh zotin e gjithësisë.
Me vepër përpiqet ta dëshmojë, e në qiell shihet më së miri se shumë gabojnë ato që hamendësojnë se Zotin e gjejnë vetëm në Tempull, në Kishë, në Sinagogë apo në Xhami.

Në të vërtetë, njeriu është tempull më vete, mbase tempulli më i përkryer dhe më i përsosur i cili në brendinë e vet mban imazhin e Zotit.

Prandaj, sikur ta ndihmosh nevojtarin, në të vërtetë, ti zotin tënd kënaq.

Sikur t’i kthesh buzëqeshjen jetimit, ti zotin e madhërishëm do të buzëqeshësh.
Pas shumë vitesh, nga ditëlindja e Nënë Terezës, njeriu ka arritur të përshkojë distanca të mëdha, por pak përpjekje për të mbërrirë te zemra e vëllaut të tij. Arrin të pushtojë sferat qiellore, por pak ose aspak arrin të bëhet peshkatar i zemrave të njerëzve.

Ne shqiptarët të cilët pretendojmë të kemi më së tepërmi hise në famën e Nënë Terezës, duhet të kuptojmë se çelsi i famës së saj është në dashurinë e madhe për njeriun si të tillë.

Në vitin 1989 kur Nënën Tereza bëri vizitën e parë në Shqipëri, në një konferencë shtypi, bëri një pyetje koment, ku i tha: Ju vërtet folët për zotin, por ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’.

Ndërsa Nënë Tereza iu përgjigj asaj: Atdheun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri-tjetrin.

Marrë nga profili i Fahri Xharrës:

Fakulteti i Arteve në Pejë formoi Trupën Këshillëdhënëse

Në Fakultetin e Arteve në Pejë u mbajt takim për të formuar Trupën Këshillëdhënëse të këtij Fakulteti, shkruan KultPlus.

Ky takim u hap nga Dekani i Fakultetit të Arteve  në Pejë, Hysen Nimani i cili më pas fjalën ia dha Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë,  Fadil Millakut i cili përshëndeti të pranishmit dhe tha se formimi i kësaj trupe do të jetë një ndihmë e madhe për Fakultetin e Arteve.

Në këtë takim u prezantua edhe një historik i shkurtër i Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Fakultetit të Arteve.

Po ashtu të pranishmit u njoftuan edhe me biografinë e kandidatëve të Trupës Këshillëdhënëse, të cilët janë:  Engelbert Zefaj, Drita Kadriu, Xhevdet Sahatxhija, Dardan Noka Selimaj, Veton Mujaj, Faik Zekaj, Urata Agagjyshi, Elbert Krasniqi, Vullnet Sanaja, Ermal Panduri dhe Neshad Asllani.

Engelbert Zefaj u zgjodh kryesues i Trupës Këshillëdhënëse kurse zëvendëskryesuese u zgjodh, Urata Agagjyshi. Zefaj tha se të qenit pjesë e kësaj trupe  për të është sa privilegj, aq edhe përgjegjësi.  Tutje Zefaj përgëzoi Fakultetin e Arteve për angazhimin dhe përkushtimin e dhënë për avancimin e zhvillimin e artit.

Fjalën e morën edhe anëtarët e tjerë të Trupës, të cilët u shprehën të gatshëm që përvojën e tyre shumëvjeçare në lëmine e artit ta përdorin si ndihmë për Fakultetin e Arteve.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Hysen Nimani  falënderoi të pranishmit për gatishmërinë e tyre, që edhe përkundër obligimeve të shumta, të jenë pjesë e kësaj trupe. I gjithë takimi u përmbyll me një koncert./ KultPlus.com

Ansambli i Armatës së SHBA-së sonte nis turneun e koncerteve nëpër Kosovë

Ansambli i Armatës së SHBA-ve për Evropë nis sonte turneun koral pranveror nëpër Kosovë, i cili do të vazhdojë deri të hënën, më 29 prill, njoftoi Ambasada e SHBA në Prishtinë.

Ansambli që në përbërje ka 19 ushtarë, – 9 vokalistë, 8 instrumentalistë dhe 2 teknikë të zërit, do të interpretojë si vijon:

– 26 prill 2019: 19:00 – 20:30 para Teatrit Kombëtar në Prishtinë;

– 27 prill 2019: 20:30 Koncert në Kino Lumbardhi në Prizren; dhe

– 29 prill 2019: 19:00 – 20:30 në Termokiss në Prishtinë.

Një bend vendor do ta hapë performansën.

Për 70 vite Ansambli dhe Kori i Armatës së SHBA-ve për Evropë ka qenë ambasadori muzikor i Amerikës në Evropë. 80 ushtarët amerikanë interpretojnë 200 herë në vit anekënd Evropës, duke punuar kështu për forcimin e marrëdhënieve tona me aleatët dhe partnerët, duke mbështetur pjesëtarët e shërbimit tonë dhe familjet e tyre, dhe duke nderuar të rënët tanë, thekson njoftimi.

Fillimisht i aktivizuar në vitin 1940, ky njësit arriti në Evropë në vitin 1949 dhe tashmë është i vendosur në Sembach, Gjermani. Me shtimin e Korit në vitin 1967, Ansambli dhe Kori i Armatës së SHBA-ve për Evropë vazhdon të përfaqësojë Armatën e SHBA-ve dhe Kombin tonë në gjithë kontinentin e Evropës.

Ditën që do ta shohësh veten me thinja përpara pasqyrës, kthehu e lexoji fjalët e këtij burri…

Është e vështirë të plakesh. Nuk do ta pranosh, por nuk e ndal dot.

E bukura është se të del plotësisht nga mendja.

Mendon se je ende i ri, derisa një ditë e sheh veten me thinja përpara pasqyrës. Sheh përreth fëmijët e tu të rritur dhe nipërit apo mbesat që luajnë rreth shtëpisë.

Aty kupton se koha ka kaluar pa e kuptuar dhe ti nuk ke bërë dot asgjë për ta ndalur.

Aty kupton se je plakur. Mirëpo je plakur nga jashtë, sepse nga brenda çdokush është aq sa e ndjen veten se është. Mos u trishtoni. Edhe plakja ka të mirat e veta.

Vitet e shumta mbi supe të japin mësime të vlefshme dhe të gjithë të besojnë problemet e tyre, pasi e dinë se pjekuria dhe përvojat e tua do t’i japin këshillat më të vlefshme për të ecur të sigurtë në jetë.

Këto janë disa nga mësimet që unë kam nxjerrë në jetë dhe dua që edhe ju t’i dini, nëse ende nuk i keni përjetuar, apo nuk jua kanë thënë:

Shumë njerëz i lëndojnë personat e mirë, sepse kërkojnë për dikë më të mirë në jetën e tyre, por gjithmonë përfundojnë me dikë më të keq dhe pastaj pendohen. Harrojnë se pendimi është i kotë, sepse askush me mend nuk rikthehet sërish me atë që e ka lënduar. 

Gjithkush përpiqet të gjejë njeriun e duhur në jetë, por askush nuk përpiqet të jetë vetë njeriu i duhur. Askush nuk përpiqet të vetëpërmirësohet dhe të bëhet i duhuri për dikë tjetër. I kërkojmë gjërat të gatshme, pa dhënë aq sa duhet nga jeta jonë.

Kalon shumë kohë, ndonjëherë edhe e gjithë jeta, derisa një person e kupton realisht se ka jetuar për të kënaqur të tjerët dhe ka përfunduar disa herë i lënduar vetë. Është e trishtë, por edhe pse thuhet se njerëzit mësojnë nga dhimbjet, nuk është dhe aq e vërtetë. Njerëzve u duket e ëmbël dhimbja prej atyre që duan.

Nuk duhet ta besosh gjithçka verbërisht. Është e kotë. Secili ta tregon historinë, sipas këndvështrimit të vetë. Jo më kot thuhet: “Dëgjo 100 vetë dhe bëj si di vetë”. Dëgjoji gjithë versionet e mundshme të një historie, por në fund vendos vetë për atë që e beson si të drejtin.

Ngjyrat e vërteta të atyre që të rrethojnë, njihen gjatë stuhive më të rënda të jetës. Mos prit t’i njohësh në gëzime njerëzit rreth teje. Të tërë të afrohen, të buzëqeshin dhe të bëjnë të besosh se duan më të mirën për ty në momente të gëzuara. Ama të paktë janë ata që do të qëndrojnë me ty në vështirësi dhe akoma më të paktë ata që do të ndihmojnë të dalësh prej vështirësive.

Çdo gjë që ta kanë marrë dhe mendon se e meritoje, do të kthehet 10-fish tek ty. Zoti punon për ata që e meritojnë. Nëse ti meriton paqe, lumturi, shëndet, miq, familjarë dhe financa të mira, Zoti do të t’i japë ato.

Njerëzit më të lumtur nuk janë ata që marrin, por ata që japin. HIdhni sytë përreth. Ata që kanë zili të tjerët dhe marrin sa më shumë prej tyre, kënaqen për momentin dhe më pas trishtohen. Nuk ngopen asnjëherë. Ata që japin, janë ata më të lumturit. Njerëz të tillë lumturohen nga lumturia e të tjerëve.

Ndërkohë që koha kalon, fillon të mos interesojë aq shumë sasia, sa cilësia. Nëse më parë kërkoje të kishe sa më shumë miq, të mbaje marrëdhënie të mira me sa më tepër të afërm apo fqinj, me kalimin e kohës fillon dhe bëhesh më përzgjedhës. Në jetën tënde fillon dhe lejon vetëm ata që mund të të falin diçka.

Gjëja më e mirë që mund të bësh, është ta falësh atë që ka gabuar. Mos i mundo ata më tepër, pasi mjaft keq janë ndjerë, kur e kanë kuptuar gabimin e tyre. Fali dhe harroje çfarë të kanë bërë. Jeta vazhdon. Mos u kap pas së shkuarës. Fali ata që të kanë lënduar, por trego më tepër kujdes që të mos lëndohesh sërish herë tjetër.

Kuptimi i jetës nuk qëndron tek të bërit keq. Të bësh keq është gjëja më e lehtë që ekziston. E vështirë është të bësh mirë dhe të mbahesh mend për mirë, ndaj lëri njerëzit më mirë, nga sa i ke gjetur. Përqafoje dhimbjen. Puthe atë që po vuan. Bëhu mik me të humburin. Duaje të vetmuarin.

Burimi: Albmagazine

Nerimane Kamberi do të promovojë librin “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”

Gazetarja Nerimane Kamberi do të promovojë librin e saj të ri “Hotel Grandi dhe reportazhe të tjera”, shkruan KultPlus.

Ky libër përmban  një përmbledhje të reportazheve për Kosovën, kujtimet, komunitetet etnike, fenë,  artin dhe kulturën, luftën dhe paqjen.

Ky libër është botuar nga edicionet Koha me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Kosovë.

Promovimi i librit do të mbahet në Aleancën Franceze në Prishtinë, më 30 prill duke filluar nga ora 19:30./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/AFpristina/photos/gm.533148887210762/2284734958214197/?type=3&theater

KMDLNj: Përdorimi i burkas në vende publike të ndalohet me ligj

KMDLNj vlerëson se kthimi i shtetasve kosovarë nga Siria është në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sikur që është edhe detyrim shtetëror.

Sipas KMDLNj-së, kushtet ku janë vendosur pas kthimit dhe trajtimi i tyre nga institucionet përgjegjëse kanë qenë të mira dhe të pakrahasueshme me kushtet ku kanë jetuar nëpër kampet për refugjatë në Siri.

“Problemi me të kthyerit ka filluar pasi është bërë publik struktura e të kthyerve e që është përcjellë me një qasje stigmatizuese që , në disa raste ka kaluar në racizëm të papranueshëm dhe të dënueshëm. Autoritetet kosovare, pas verifikimit kanë filluar procedurën penale ndaj 4 meshkujve që kanë luftuar në Siri sikur që , edhe shumica e femrave janë intervistuar e që pastaj një numri u është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në deklaratë.

KMDLNj thotë se stigmatizimi i tyre fillon me femrat për të cilat thuhet se janë martuar disa herë thuaja se kjo paraqet ndonjë interes për publikun . Stigmatizimi pastaj vazhdon me pamjet filmike ku shihen duke u dërguar në gjykatë të mbuluara me burka në vend se t’i dërgojnë në mënyra tjera e që në këtë fazë të mos i ekspozohen publikut.

KMDLNj e vlerëson krejtësisht të papranueshme qasjen ndaj fëmijëve të kthyer duke i vënë në fokus të trajtimit racist, si nga komentues të papërgjegjshëm, ashtu edhe nga figura publike dhe institucionale.

KMDLNj e vlerëson dhe përkrahë kthimin e qytetarëve të Kosovës deri më tani sikur që pret të kthehen edhe shtetasit kosovarë që ende janë në Siri. Ata gjithashtu propozojnë që përdorimi i burkas në vende publike të ndalohet me ligj dhe të mos lejohen që në gjykatë të hyjnë me burka .

“Ndalimi i përdorimit të burkas në vende publike nuk bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut prandaj edhe duhet të sanksionohet me ligj. Burka po krijon paragjykime të opinionit ndaj atyre që e bartin sikur që bartësit e burkas po i identifikon me një dhunë potenciale . KMDLNj nuk ka asnjë dilemë për ndalimin e burkas në vende publike”, thuhet në deklaratë.

KMDLNj gjithashtu kërkon që masa e arrestit të shqiptohet vetëm si masë e skajshme , kur të shteren të gjitha mundësitë tjera sikur që institucionet e Kosovës duhet ta shqyrtojnë dhe ta ndryshojnë strategjinë e punës me këtë kategori të të privuarve nga liria sepse deri më tani masat e ndërmarra kanë dështuar krejtësisht.

“Ligjërimi i imamëve të BIK-ut në burgjet kosovare është eksperiment i dështuar e që për pasojë ka se prodhon efekte të kundërta e asaj që synohet. KMDLNj i ka vizituar të gjithë të privuarit nga liria të cilësuar si radikalë islamikë , disa herë dhe konstaton se ky është grupi më i disiplinuar në burgjet e Kosovës që e respektojnë rendin shtëpiak , mbajnë rregull dhe qetësi kurse mbajtja e pastërtisë është shembullore. Këta të burgosur i kanë deklaruar KMDLNj-së ndihen të burgosur si ‘kurbanë’ të liberalizimit të vizave e jo për shkak të bindjeve që i kanë”, vijon deklarata.

KMDLNj vlerëson se kjo kategori e të privuarve nga liria në Kosovë është e diskriminuar dhe nuk i gëzojnë të drejtat e plota e sidomos janë të përjashtuar nga beneficionet, lirim me kusht dhe të drejtat e tjera që , nëse do të realizoheshin , pa i diskriminuar , do të ndihmonte shumë në risocializimin e tyre dhe integrimin në shoqëri

KMDLNj vlerëson se në mesin e të arrestuarve e që cilësohen si radikalë islamikë, xhihadistë apo ISIS me një ofertë të sinqertë nga shteti dhe me një qasje racionale të institucioneve përgjegjëse ka të tillë që mund të kthehen dhe të integrohen në shoqëri si qytetarë të barabartë , me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësit e që këtë mundësi nuk e kanë pasur deri më sot.

Blerina Sinaimeri, hulumtuesja shkencore në Francë

Shqiptarët vazhdojnë të jenë të suksesshëm në fushat ku veprojnë.

Ata tashmë janë të integruar në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Gjithashtu janë shembull se me punë mund të arrish të realizosh ëndrrat, shkruan albinfo.ch.

Shqiptarja Blerina Sinaimeri, sot është një hulumtuese shkencore në Institutin Kombëtar Francez për Shkenca Kompjuterike dhe Matematikë e Aplikuar “INRIA”.

Ajo merret me hulumtimet në fushën e biologjisë kompjuterike. Blerina ka lindur në Tiranë, derisa gjithashtu ka fituar edhe disa çmime ndërkombëtare në fushën e saj.

Sinaimeri gjithashtu ka mbajtur ligjërata të vende të ndryshme evropiane për fushën e saj, që është shumë e rëndësishme në ditët e sotme.

Blerina është një shembull për të gjithë shqiptarët se mund të arrijnë sukses në çdo sektor.

https://team.inria.fr/erable/files/2013/11/cv_sinaimeri-2.pdf

Blerina Sinaimeri

MKRS: Kosova ka shënuar hapa konkret në fushën e të Drejtës së Autorit


Në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, në Kosovë u organizua Konferenca “Të Drejtat Pronësore Intelektuale”, shkruan KultPlus.

Në këtë konferencë të bashkë organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, morën pjesë Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Bahri Berisha.

Konferenca për Pronësinë Intelektuale është e fokusuar në sistemin e pronësisë intelektuale në Kosovë, konkretisht në të arriturat e institucioneve gjatë vitit kalendarik dhe sfidat.

Zëvendësministrja Morina në fjalën e saj të rastit në hapjen e kësaj konference u shpreh: “Motoja e këtij viti ndërlidhet me sportin, me rëndësinë që ka kreativiteti dhe novacionin, përkatësisht e drejta autorit dhe pronësia industriale për sportin. Krijuesit me kreativitetin e tyre kanë mundësuar që sporti të jetë afër publikut e në kohë reale, ndërsa novatorët me shpikjet e tyre kanë lehtësuar sportin, duke u mundësuar sportistëve veshje e mjete novative për të arritur rezultate kulmore në sport, krijuesit dhe novatorët meritojnë mbrojtje dhe kompensime”.


Më tej, zëvendësministrja tha se “vendi ynë, ka shumë sportistë të nivelit botëror e të olimpiadës, kemi shembullin e olimpistës tonë të artë Majlinda Kelmendi, e cila e morri medaljen e artë në Olimpiadë, por ne duhet ti nxisim të rinjtë që edhe më shumë të merren me kreativitet e novacion, që të arrijmë të artën si shoqëri në shkencë e teknologji në novacion e kreativitet, për ketë arsyeje duhet të sigurojmë që të drejtat pronësore intelektuale mbrohen e respektohen”.

Po ashtu, Morina tha se “ Kosova ka vazhduar të marrë hapa në fushën e të drejtës së autorit, po ashtu, kemi vazhduar në krijimin e politikave të reja, në fund të vitit që lamë pas kemi miratuar Rregulloren e re për Kompensimet e veçanta për të siguruar kështu kompensime shtesë për autorët e krijuesit tanë, së fundi kemi hartuar Strategjinë për Forcimin e Sistemit të Drejtave të Autorit 2019-2023, strategjia do të ndikoj fuqishëm në vetëdijesimin dhe edukimin e shoqërisë për rëndësinë e të drejtës së autorit dhe në zbatimin e këtyre të drejtave në vendin tonë”.

“Gjithashtu, këtë vit do të hartohet koncept dokumenti për legjislacionin e të drejtës së autorit për harmonizimin e mëtejmë të legjislacionit tonë me legjislacionin e BE-së, falënderoj Task Forcën kundër Piraterisë, Zyrën për të Drejtat e Autorit për koordinimin, dhe posaçërisht Inspektoratin e Tregut, Policinë e Kosovës dhe Doganën për veprimet e ndërmarra kundër piraterisë dhe falsifikimit gjatë vitit 2018, duke kërkuar dhe inkurajuar që veprimet të vazhdojnë dhe mbrojtja e të drejtave pronësore intelektuale në vendin tonë të fuqizohet”, shtoi me tutje Morina. 

Ndërkaq, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se “Dua te ritheksoj para jush përkrahjen e vazhdueshme karshi sistemit të pronësisë intelektuale forcimi i pronësisë intelektuale është prioritet i ministrisë që e drejtoj” ./ KultPlus.com

“Tradita” shpallë konkurs për ndarjen e Çmimit Kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2019


Çmimi Kombëtar “Ali Vishko” jepet në bazë të Statutit të Shoqatës për Kulturë dhe Art “Tradita”  dhe i njëjti u ndahet personaliteteve nga vendi, rajoni e bota, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar “Ali Vishko” u ndahet personaliteteve për vepër jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me rëndësi të veçantë në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.

Të drejtë konkurrimi kanë:

Institucionet e arsimit të lartë;

Institucionet shkencore;

Shoqatat shkencore dhe profesionale;

Shoqatat tjera të qytetarëve dhe studiues individualë.

Propozimet duhet të jenë të arsyetuara me shkrim dhe të përmbajnë:

Të dhëna personale për autorin,

Të dhëna bibliografike dhe

Arsyetim të propozimit për marrjen e çmimit.

Propozimet  duhet të dërgohen në 5 kopje dhe të njëjtat  duhet të dorëzohenderi më 31. 5. 2019, në adresën:  Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”- Tetovë, Këshilli për ndarjen e Çmimit Kombëtar ,,Ali Vishko”, 1200 Tetovë, Rruga ,,Ivo Llolla Ribar”, nr. 211/10, Fahu postal, nr. 50. 

Propozimet e pakompletuara dhe ato të cilat nuk do të dorëzohen në afatin e paraparë nuk do të merren parasysh. Për më shumë informata na kontaktoni përmes adresës elektronike: [email protected].