“Arti dhe kultura janë thelbësorë në identitetin e një kombi”

9 Gusht, 2019 - 8:55 pm

Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po tërheq vëmendjen e medieve të huaja, përmes artit dhe kulturës.

Kësaj here gazeta italiane “La Stampa”, ka publikuar intervistën e ministres së Kulturës Elva Margariti mbi zhvillimet kulturore në Shqipëri.

“Shqipëria është një shtet relativisht i ri, pak më shumë se një shekull, por e ngjeshur me ngjarje të mëdha historike, që kanë lënë gjurmë edhe në arkitekturë. Nga një vend pa identitet arkitekturor, Shqipëria përqafoi idetë dhe projektet e arkitektëve italianë, në vitet ’30 –40. Firmën e arkitektëve si Bosio, Brasini, Berte mbajnë kompleksi i ministrive, Korpusi i Universitetit, Universiteti i Arteve, ndërtesa e Kryeministrisë, Bulevardi, etj. Uniformiteti i stilit sovjetik dhe kinez i viteve të diktaturës, u zëvendësua me kaosin ndërtimor të viteve të tranzicionit”, u shpreh Margariti gjatë intervistës për gazetën italiane “La Stampa”.

Margariti vijoi se, “Tirana është në një fazë tjetër, kur nuk synon më, të ndërtojë thjesht për të përmbushur nevojat për strehim, por për të thurur traditën dhe modernen, identitetin kombëtar me arritjet bashkëkohore për krijimin e hapësirave publike”.

“Arti dhe kultura janë thelbësorë në identitetin e një kombi. Për ne, kultura është një motor zhvillimi dhe po përpiqemi të kthejnë në resurse ekonomike, të gjitha asetet e trashëgimisë sonë kulturore. Investojmë, rrisim vizitorët në site, parqe e monumente kulture dhe i ofrojmë komuniteteve përreth mundësi zhvillimi. Është një proces i gjatë, por që po i jep frytet e veta. Kjo është ajo që do ta quaja “ekonomia e së bukurës”, përfundoi ministrja e Kulturës Elva Margariti duke vënë dhe një herë në vëmendjen e mediave të huaja që kultura është pasaporta më e mirë e një vendi.

Të ngjajshme