Zoti dhe njeriu, pjesë e parimeve të Nënë Terezës

4 Shtator, 2018 - 10:50 pm

Alberina Haxhijaj

Sonte në Katedralen Nënë Tereza, në kuadër të treditëshit kushtuar Shën Nënë Terezës, është mbajtur një ligjëratë nga Don Lush Gjergji, shkruan KultPlus.

Në Katedralen Nëna Tereza në Prishtinë, Don Lush Gjergji solli në pesë pikat, risitë e jetës dhe veprës së Nënë Terezë. Çka ka bërë ajo e që askush para saj as në Kishën Katolike, as në krishtenizëm, por as në botë, nuk e ka bërë.

Sipas tij, pika e parë është se Nëna Terezë është nisur nga besimi që Zoti është krijuesi i të gjithë njerëzve. Se jeta është universale dhe dhuratë e Zotit dhe se dashuria është e drejtë e çdo njeriu.

“Prandaj ajo së shpejti u bë nëna universale, që jetën e saj e mbështete në Zotin dhe në Njeriun”, u shpreh Don Lush Gjergji.

“Shumë rregulltar dhe rregulltare kanë themeluar degë në kishën katolike, apo bashkësi të cilat ndahen në dy pjesë. Disa janë aktivë e merren me veprimtari të ndryshme siç është edukimi i fëmijëve dhe të rinjve, shkollat, spitalet, burgjet e shumëçka tjetër. E të tjerat janë kontenplative, që do të thotë rregull i mbyllur. Aty hynë një herë e përgjithmonë dhe dalin prej këtij rregulli vetëm kur të vdesin dhe ti varrosin. Nënë Tereza e ka bërë një zgjedhje gjeniale ajo për vetën dhe për motrat e saj ka thënë: Gjithmonë jemi aktive dhe gjithmonë jemi kontenplative”, tregoi Don Lush Gjergji.

Sipas tij, kjo do të thotë se gjithmonë duhet të ndihmojmë dhe të veprojmë në të mirë të njerëzve dhe gjithmonë të jemi të drejtuar me mendje dhe me zemër e uratë për Zotin. Pastaj, ai bisedoi për aspektin e tretë, e që sipas tij është kujdesi për të gërbulurit.

“Preke të gërbulin me zemër”, ishin fjalët e Nënës Terezë për këtë kategori të njerëzve, për të cilët krijoi edhe një qytet, qytetin e Haresë. Ku janë 35 mijë të gërbulur, duke treguar kështu se për Zotin nuk ka dallime dhe përjashtime. E karakteristika e saj e katërt ishte “Zoti i dashur dhe njeriu vëlla apo motër”. Në anën tjetër risia e pestë e saj është se ajo i ka ndihmuar njerëzit buzë vdekjes.

“Ajo kishte themeluar edhe një qendër për njerëzit që ishin buzë vdekjes, duke thënë se ata: Kanë jetuar si kafshë por do të vdesin si engjëj. Ku 17 mijë njerëz kanë mbyllur sytë. Prandaj për jetën e saj mund të themi se është ungjilli, siç ka thënë kardinali Kovastri, në pesë gishta”, u shpreh Don Lush Gjergji, duke thënë fjalët “Ç’kam bërë sot për Zotin dhe ç’kam bërë sot për njeriu”, gjersa numëronte çdo fjalë me gishtërinjtë e tij.

Tutje ai tregoi se parimi i parë i Nënë Terezës është “Pa dashuri dhe flijim, jeta nuk ka kuptim”, i dyti “Dashuria do ta shpëtojë botë” dhe i treti “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”./ KultPlus.com

Të ngjajshme