Universiteti i Prishtinës bëhet me seminar të antropologjisë

25 Dhjetor, 2018 - 11:20 pm

Universiteti i Prishtinës, rishtazi është bërë me seminar të antropologjisë. Kjo si rezultat i një nisme të Departamentit të Antropologjisë të Fakultetit Filozofik, për themelimin e një tradite ligjërimi universitar antropologjik në formatin e një seminari, transmeton KTV.

Ligjëratat e këtij seminari, hë për hë, do të jenë të përmuajshme, të enjten e fundit të çdo muaji, në ora 16:00, në Fakultetin Filozofik. Në kuadër të këtij seminari tashmë kanë nisur të ligjërojnë antropologë, arkeologë, historianë dhe studiues të fushave të përafërta nga Kosova, Shqipëria por edhe nga vende të ndryshme të botës, e sidomos nga Franca dhe Britania e Madhe. Ligjëratat mbahen kryesisht mbi tema nga fushat e antroplogjisë, arkeologjisë dhe historisë.

Ky seminar është i hapur për publikun dhe ligjëratat në kuadër të tij mund të ndiqen nga të gjithë të interesuarit. Për tu njoftuar mbi programin e këtij seminari dhe ligjëratat e tij, mund të shkoni te grupi publik në Facebook “Seminari i Antropologjisë – Departamenti i Antropologjisë / UP”.

Të ngjajshme