Restaurimi i dështuar i Kalasë së Novobërdës

10 Mars, 2019 - 9:30 am

Gjendja e Kalasë së qytetit të Novobërdës, që ndodhet 35 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit të Kosovës, është e mjerueshme.

Kjo trashëgimi kulturore e vendosur në një kodër prej 1 mijë e 124 metra mbi nivelin e detit, dita e ditës po shkatërrohet. E kjo sipas njohësit të turizmit kulturor, Sali Shoshit po ndodhë si pasojë e përdorimit të materialit jo adekuat për restaurimin e Kalasë.

Shoshi ka reaguar në llogarinë e tij “Facebook” duke publikuar disa fotografi ku pasqyrohet gjendja e Kalasë së Novobërdës dhe materiali i cili është përdorur. “SOT 3 vjet pas po shihen pasojat e përdorimit të materialeve të gabuara. Fatkeqësisht në këtë projekt kanë qenë të përfshirë aktere të rëndësishëm: #UNESCO, #EUROPEANUNION dhe Institucionet tona. Marre është me punu”, kishte shkruar Shoshi në llogarinë e tij “Facebook”.

Sali Shoshi, drejtor në trashëgimia Kulturore ” pa kufi” (CHwB), sot në një prononcim për portalin rtv21.tv vlerësoi se restaurimi në rastin e Kalasë se Novobërdës ka dështuar i gjithë zinxhiri që planifikon, realizon dhe mbikëqyrë punët.

“Siç po shihet aty janë përdorur materiale jo adekuate dhe mbase është punuar në mot të papërshtatshëm dhe si rrjedhojë materiali lidhës ka dështuar duke shkaktuar rrëshqitje dhe shembje të gurëve. Kjo tregon që gjatë realizimit ka pasur shkarje në analiza dhe aplikim të materialeve si dhe në mbikëqyrje të punëve”, u shpreh njohësi i turizmit kulturor.

Nga gjetjet arkeologjike dhe dokumentet, ky vendbanim daton të jetë ndërtuar në shekullin XIV./ KultPlus.com

Të ngjajshme