Akademia serbe ekspozon trashëgiminë kulturore të Kosovës

29 Shtator, 2017 - 11:50 am

“Trashëgimia artistike serbe në Kosovë: Identiteti, rëndësia, rrezikimi”, është titulli i ekspozitës së organizuar nga Akademia e Shkencave e Serbisë, e hapur të mërkurën mbrëma në selinë e këtij institucioni në Beograd.

Me këtë ekspozitë, ky institucion synon që “t’ia kujtojë publikut vendës e atij botëror që populli serb jeton në Kosovë tash më shumë se një mijë vjet, dhe prej kohës së Stefan Nemanjes e deri më sot, pandërprerë kultivon krijimtarinë e shumanshme artistike”.

Siç raportojnë mediat serbe, kryetari i AShS-së, Vladimir Kostiq, në hapje të ekspozitës ka thënë se, para së gjithash, kjo është një ekspozitë për serbët. Ka thënë se “Trashëgimia artistike serbe në Kosovë e Metohi” jo vetëm që është ekspozita më e rëndësishme e këtij viti e Akademisë së Shkencave të Serbisë, por që për nga rëndësia është e pakrahasueshme. Eksponatet datojnë prej shekullit XII deri në shekullin XX, dhe të gjitha e kanë origjinën në Kosovë e që sot mbahen në Serbi.

Patriarku Irinej eksponatet i ka cilësuar si “dëshmi të padiskutueshme që hedhin poshtë çdo përpjekje për shtrembërimin e fakteve me synimin që trashëgimia kulturore në hapësirat e Kosovës e Metohisë të prezantohet si trashëgimi kulturore e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, dhe kur lobohet që ky shtet inekzistent të pranohet në UNESCO, falsifikimit të historisë të mos i jepet legjitimitet”. / KultPlus.com

Të ngjajshme