“Moshe: Një tregim në vazhdim” me Orhan Kurtollin, ekspozita e radhës në ‘Stacion’

21 Maj, 2021 - 3:26 pm

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë prezenton ekspozitën “Moshe: Një tregim në vazhdim”, projekt kuratorial nga Albert Heta i konstruktuar në hulumtimin e veprave të zgjedhura artistike të Orhan Kurtollit, dhe dokumentacionin e zgjedhur personal arkivor të artistit.

Orhan Kurtolli (1952) ka lindur dhe jeton në Prishtinë. Pikturat e tij i referohen vrojtimit të angazhuar të ambientit, kushteve, njerëzve dhe arkitekturës së këtij qyteti, dhe shoqërisë kosovare. Gjatë vrojtimit të tij të gjatë, Kurtolli ka përjetuar edhe zhvillimet e hovshme historike në skenën e artit pamor në Kosovë, dhe zhvillimet e përmbysjet në kontekstin shoqëror dhe politik kosovar. 

Ekspozita “Moshe: Një tregim në vazhdim” është shfaqja e parë e projektit hulumtues në vazhdim, bashkëpunim me artistin “duke na shikuar neve dhe duke i parë me sy të ri edhe punimet e tija” në Klubin e Boksit. 

“Moshe: Një tregim në vazhdim” është pjesë e Programit Hapësinor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Ekspozita hapet më datë 25 maj në ora 19:00 tek Klubi i Boksit në Prishtinë.

Ekspozita “Moshe: Një tregim në vazhdim” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, x-print dhe DZG. / KultPlus.com

Të ngjajshme