Testamenti

Poezi nga Dritëro Agolli.

O toka ime që të lërova e të thura këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?

Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,

Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta,
E kyçur dera, me lloze porta…

2012

“Na shqiptarët s’kemi dashuni njani me tjetrin…” (VIDEO)

At Zef Pllumi në një intervistë të rrallë televizive, vite më parë, përmbledhë mirë realitetin shqiptar.

Kur gazetarja e pyet se prej nga i vjen e keqja shqiptarëve, ai bindshëm e pa menduar shumë thotë se shqiptarët janë faji i vetes.

“E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër” tregon At Zef Pllumi.

Një burrë i qetë dhe një mendimtar, frati françeskan ka qenë publicist e shkrimtar dhe gjithmonë në kërkim të të vërtetave. Ai ndërroi jetë në vitin 2007 në Romë të Italisë.

“Kjo është e keqja e madhe që na vje e që na ka ardhë historikisht” tregon At Zef Pllumi në vazhdimësi të kësaj interviste.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Presidenti Moisiu vlerësoi Atë Zefin “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.

Nga ana e tij Atë Zef Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve. / KultPlus.com

BERLINALE bojkoton filmat me të akuzuarit për ngacmim seksual

Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, Dieter Kosslick, ka zbuluar sot se në festival nuk do të shfaqen filmat ku marrin pjesë artistët që janë akuzuar për abuzim seksual, në kuadër të kampanjës #Metoo.

Kosslick ende nuk ka zbuluar emrat e këtyre filmave, por ka treguar se janë rreth pesë filma të cilët nuk do të shfaqen në Berlinale këtë vit.

Festivali fillon me 15 shkurt, edicionin e tij të 68-të.

“Është një prej debateve më sensibilizuese që ka ndodhur së voni, dhe ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme. Nuk mund të garantoj se në filmat tjerë nuk do të dalë ndonjë gjë e papritur rreth kësaj çështjeje” ka treguar Kosslick.

Janë gjithsej 400 filma që do të vijnë këtë vit në Berlinale, para audiencës që vjen nga mbarë bota.
Madje, kampanja #Metoo e cila u nis nga disa gra që akuzonin personazhe të njohura për ngacmim seksual, do të ketë edhe programin e vet filmik në Berlinale.

Skandalet me ngacmimet seksuale nisën para disa muajsh kur Harvey Weinstein u akuzua nga disa aktore e artiste për ngacmim seksual, e më pas edhe të tjerë meshkuj u akuzuan për këtë dukuri të tmerrshme. / KultPlus.com

Festivali ‘Kala’, shtatë ditë muzikë dhe vallëzim në Shqipëri

Edicioni i këtij viti i festivalit Kala është konfirmuar të mbahet në verë.

I pari festival ndërkombëtar i muzikës në Shqipëri, Kala Festival premton që këtë verë do të ketë vallëzim, muzikë dhe kënaqësi, nga 20 deri me 27 qershor.

Festivali do të mbahet në një pjesë të bregdetit shqiptar tek e cila mund të arrihet vetëm me barkë, aty ku ‘Adriatiku e takon Jonin’.

Disa prej klubeve londineze më të njohura si secretsundaze, Phonica, Stamp the Wax, Feelings dhe Savage e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, shkruan KultPlus.

Po organizohet madje edhe transport nga vendet tjera, si nga Corfu në Greqi.

A post shared by Kala (@kalaalbania) on

Priten të bëhen të ditur ditëve në vazhdim të gjithë artistët dhe klubet që do të jenë pjesë e këtij festivali në Shqipëri. / KultPlus.com

Shkurte Fejza dhe Kastriot Tusha vijnë me këngën ‘Një zemër’ (VIDEO)

Shkurte Fejza dhe Kastriot Tusha kanë bashkuar forcat për një këngë e cila vjen në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Dy këngëtarët e njohur kanë bashkëpunuar me Faruk Tashollin dhe Edmond Zhulalin për të sjellë këngën “Një zemër”, së cilës i kanë bashkangjitur edhe videoklipin.

Në fund të këngës, dy mjeshtrit e muzikës bashkojnë duart për të krijuar shqiponjën, simbolin kombëtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Me 17 shkurt 2018, Kosova feston dhjetë vite pavarësi dhe kësisoj edhe këngëtarët dhe artistët nisin e krijojnë diçka simbolike mbi këtë ditë të rëndësishme në historinë e Kosovës. / KultPlus.com

Ah, po bie shi prapë

Eja, mike, se po bie shi.
Më duketë sikur qan qielli, sikur derdh lotë të hollë. Edhe zëmra ime sot po qan. Jam vetëm, lotët e qiellit riedhin jashtë qelqevet dhe po ndjej të ftohtët brënda në zëmër.
E mban mënt, mike, kur ishim bashkë sa shum’ e donim shinë? E mban mënt gazin që ndjenim afrë dritares kur binin pikat e mbëdha të shiut? Ti i prisnje ato ditë, se e dinje që më pëlqenin; i prisnje ato ditë, më prisnje mua.
Ahere, kur bota mbytësh në lot, në ishim të gëzuarë; ahere, kur bota mbulohësh me ujë të ftohtë, ne kishim nxehtë në zëmrët.
Po tani, nga kjo odë gjysm’ e errët, shikoj pikat që po kullojnë, dhe po mbërdhi.
– Mit’hat Frashëri –

Dua Lipa dhe Natalie Portman, këtë javë në Saturday Night Live (VIDEO)

Formati i emisionit ka tri dekada që ka mbetur i njëjtë.

Çdo emision mblidhen dy artistë të njohur ndërsa edhe performohet gjatë emisionit.

Në episodin e kësaj të shtune, Dua Lipa dhe Natalie Portman janë dyshja që do të argëtojnë shikuesit e emisionit.
Dua Lipa është nga Prishtina ndërsa Portman ka origjinë izraelite.

Secili episod fillon me një monolog ndërsa përfundon me thënien “Live from New York, it’s Saturday Night!”. / KultPlus.com

Shqiptarja Marina Sula, në listën e Forbes 30 under 30

Në listën e prezantuar nga FORBES, në mesin e 30 pesonazheve më me ndikim në Evropë më të rinj se 30 vjeç është edhe Marina Sula.

Artistja shqiptare jeton prej kohësh në Vjenë, ndërsa sipas listës ajo ka ndikuar në kulturë, pasi edhe është radhitur nën listën e artit dhe kulturës formuluar nga Forbes, për vitin 2018-të.


Low Frequencies – Olivia Coeln, Marina Sula, 2016

E lindur në Lezhë, Shqipëri, Marina Sula u diplomua në Universitetin e Vjenës me diplomë në artin historik dhe më pas mori pjesë në Akademinë e Arteve të Bukura të qytetit.

Aktualisht jeton dhe punon në Vjenë dhe ka marrë pjesë në gjithsej tetë ekspozita që nga viti 2014, 4 prej tyre solo, në Shqipëri, Austri dhe Itali. Puna e saj fokusohet në instalimet dhe përfshin instalimet hapësinore, fotografi, skulptura dhe vizatime abstrakte digjitale, të bëra me majë të gishtave të dorës së artistit në pajisjen e saj mobile dhe të përkthyera në vizatime abstrakte.

Ekspozita e 26 vjeçares, “Soft Power”, në Galerinë e Gabriele Senn në Vjenë në fund të vitit 2016, u vlerësua për përdorimin e saj të strategjive të reklamimit, performancës së medies sociale dhe afërsisë të dashur në ritualet e tilla si spastrimi i trupit për të shpërndarë dallimet midis një brenda dhe jashtë, privatësinë dhe ekspozimin. / KultPlus.com

Librat që Tolstoy i propozon për secilën moshë të jetës

Pas ditëlindjes së 50-të, Leo Tolstoy vendosi të distancohej nga të gjithë dhe të provonte të gjente kuptimin e jetës.

Shkrimtari që solli në jetë personazhet e ndryshme artistike, dikur e humbi veten.

Në moshën 63 vjeçare, në një letër dërguar një miku, Tolstoy e përmblodhi një listë të librave që sipas tij janë mundësi e mirë për njeriun të jetë i lumtur, duke lexuar, shkruan KultPlus.

Mosha 0-14
Tales from The Thousand and One Nights: The 40 Thieves, Prince Qam-al-Zaman
Tregimi i Joseph nga Bibla
Pushkin’s Poems – “Napoleon”
The Byliny – Dobrynya Nikitich, Ilya Muromets, Alyosha Popovich

Mosha 14-20
Polinka Saks – Aleksandr Druzhinin
A Sportsman’s Notebook – Ivan Turgenev
Dead Souls – Nikolai Gogol
Die Räuber – Friedrich Schiller
Yevgeny Onegin – Alexander Pushkin
David Copperfield – Charles Dickens

Mosha 20-35
Poema – F.T. Tyutchev
Iliada / Odisea – Homer
The Symposium and The Phaedo – Plato
Hermani dhe Dorothea – Johann Wolfgang von Goethe
Notre-Dame de Paris – Victor Hugo

Mosha 35-63
Novelat e George Eliot, Anthony Trollope dhe Henry Wood.
Të mjerët – Victor Hugo
Progress and Poverty – Henry George
The Essence of Christianity – Ludwig Feuerbach
Discourse on Religious Subject – Theodore Parker

BRAINPICKINGS / KultPlus

Uta Ibrahimi shpalosi kujtimet nga Himalajet në ekspozitën e parë personale (FOTO)

Gili Hoxhaj

Uta Ibrahimi është gruaja e parë shqiptare e cila është ngjitur në majën më të lartë të tokës , Everest. Disa momente të ngjitjes së saj janë përjetësuar përmes fotografive. Pikërisht përmes tyre, ajo e solli këtë rrugëtim shumë më pranë të pranishmëve në ekspozitën e parë personale ‘’Kujtimet nga Himalajet’’ që u hap sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Që në hyrje të Lapidariumit të Muzeut, Uta dukej sikur kishte vendosur që me të afërmit e vizitorët e saj të ndajë një pjesë të çmueshme të eksperiencës së saj.

Kartolina e bluza e gjëra të tjera ishin dhurata që Uta ofronte për çdonjërin. Uta dukej sikur një pjesë të kujtimeve të saj donte t’i bënte pjesë e të gjithë atyre që vazhdojnë ta mbështesin, e dëshironin ta shihnin më për së afërmi rrugëtimin e saj. Nëntëmbëdhjetë fotografi të ekspozuara në mure, e dëshmonin guximin dhe sakrificat e saj përgjatë ngjitjes. Me sy të buzëqeshur Uta është që nga pamja e kampit bazë në Everest, në kampet e tjera, akullnaja e deri tek mbërritja e majës. Përveç kësaj, ajo në këtë ekspozitë solli edhe rrobat, tendat e pajisjet që e kishin shoqëruar gjatë ngjitjes.

Ideja e Utës për t’i prezantuar kujtimet e saj në një ekspozitë ka lindur gjatë prezantimeve e takimeve të ndryshme me të rinj në shkolla dhe organizata, atje ku edhe e vëren interesimin dhe kureshtjen e tyre për eksperiencën e saj.

Uta para rreth një viti ka ngritur flamujt shqiptarë në majën më të lartë.

Vetëm dy muaj e ndajnë nga synimi që këta flamuj t’i ngrisë edhe para 12 majave të tjera. Këtë vit ajo synon ta arrijë majën e katërt më të lartë në botë, majën Lhotce (8516), për të vazhduar në muajt e verës në majën më të rrezikshme të botës , ne majën K2 (7,221m). Për t’i arritur këto Uta ka lansuar kampanjën ‘’14 Majet e Himalajeve’’, dhe brendin ‘’Utalaya Himalaya’’ ku përmes platformës Kosova Ideas, të gjithë mund të kontribuojnë me donacione për të përkrahur ekspeditat e saj në të ardhmen. Uta tha për KultPlus se deri më tani përkrahja morale ka qenë shumë e madhe, ndërsa tani të gjithë kanë rastin me mundësitë e tyre ta përkrahin atë edhe financiarisht.
Rrugëtimi, fotografitë e prezantimet e shumta të saj kanë një mesazh tejet inkurajues. Ajo thotë që pavarësisht që jetojmë në një vend të vogël e më shumë probleme, mundësitë për t’i arritur majat e jetës janë shumë të mëdha, dhe krejt çka duhet është puna dhe sakrifica.

“Everesti ka qenë për mua diçka e pamundshme, ose më mirë të them vështirë e realizueshme dhe unë e kam arritur. Shumë njerëz, sidomos femrat dhe gratë, unë i shtyj dhe i motivoj që t’i arrijnë majat e tyre në jetë, cilado qofshin ato”, ka thënë Uta Ibrahimi për KultPlus.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skender Boshtrakaj, tha se është shumë e rëndësishme që aktivitetet e muzeut në vigjilje të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës po fillojnë pikërisht me këtë ekspozitë, e cila tregon suksesin e jashtëzakonshëm të një vajze kosovare. Ai po ashtu për KultPlus tha se sukseset dhe puna e saj do të jenë frymëzuese edhe për gjeneratën e re dhe ato që do të vijnë.

“Për mua është i rëndësishëm suksesi i saj si një femër e madhe dhe guximtare. Është shumë e rëndësishme po ashtu që edhe për gjeneratën e re, të dërgojmë mesazhe që secili mund të ngjitet majave të botës kur besohet fort në ëndërr dhe kur punohet shumë që ato ëndrra të bëhen realitet edhe në rastet kur mungon mbështetja apo është inkezistente ose edhe e vonuar”, ka thënë Boshtrakaj.

Ekspozita e Uta Ibrahimit do të qëndrojë e hapur për një javë në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. / KultPlus.com

Shkruaj poezi

Poezi nga PETRIT RUKA

Shkruaj nëse sytë të kanë lënë e nuk sheh,
në je i belbër
a mbete pa këmbë,
po ngele jetim, në burg a me kancer,
kur shpirti të ka ardhur ndër dhëmbë.

Shkruaj po u ndave nga një grua a shok,
kur malli të këput për të vdekur.
Kur ëndrra nuk sheh dhe duhet t’i shpikësh,
kur ajri ngjishet, bie era hekur.

Shkruaj poezi kur fjalët mungojnë,
fshihen si milingonat nga shiu.
Kur të ndjesh se të gjithë
të paskan harruar
siç harrojnë arixhinjtë një varr arixhiu.

Shkruaj kur të mungon i tëri Atdheu,
kur Atdheu për festa
ha mëlçinë tënde,
kur vetmia të të mbetet e vetmja grua
që mund të martosh çdo mendje.

Në këto çaste shkruaj
për të mbetur i gjallë,
të mbijetosh mes Hiroshimë së marrë,
shkruaj që Biblioteka e Aleksandrisë të gjendet
të lexosh aty poezinë tënde të parë.

Por mos shkruaj kurrë, kur të jesh i lumtur,
se nuk je ti,
je ndërruar me një tjetër.
në botë nuk mbeti më asgjë për të parë
përveç poezisë, gjithçka është e vjetër…

Tiranë, janar 2013

Fjalët e fundit të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi

Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.

Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr.

Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.

Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh. / KultPlus.com

Viti 1971, bashkohen katër emra të artit e kulturës shqipe

Në këtë fotografi të realizuar në vitin 1971 janë katër njerëz që i dhanë shumë artit e kulturës shqipe.

Melihate Ajeti – Aktorja numër një e teatrit prishtinas. Melihatja e nisi aktrimin si 16 vjeçare, më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin dhe kapacitetin e madh prej aktoreje.

Ismail Kadare – Shkrimtar shqiptar i njohur në mbarë botën. Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit, shkruan KultPlus.

Azem Shkreli
– poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën

Besim Sahatçiu
– Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. U lind më 2 tetor 1935 në Pejë, dhe ndërroi jetë në vitin 2005.

Fotografia: ILAZ ALIU / Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history.

“Kukulla” e Kadaresë botohet në italisht

Në 1994 Ismail Kadare niset nga Parisi për në Tiranë. Nëna e Ismailit po vdiste dhe i vëllai e paralajmëroi me shpresën që ai mund ta gjente gjallë, sa ta përshëndeste. Ajo është në koma dhe është në shtëpinë e së motrës për një kujdes më të mirë.

Kushëriri i Ismailit e ka marrë në krahë, sepse ishte e lehtë, si të ishte letër. Një kukull letre, mendon Ismaili, dhe e kupton se asgjë nuk ka ndryshuar.

Kështu nis shkrimi për botimin në gjuhën italiane të roamnit “Kukulla”, rrëfimit të Ismail Kadaresë për të ëmën në “mangialibri”.

Shënohet se siç rrëfen Kadare, e ëma ishte e lehtë kur ecte, sa pothuaj nuk i prekte shkallët, e lehtë ishte edhe mënyra se si ajo fliste.

Kur kukulla në vitin 1933 arriti në shtëpinë e bashkëshortit duhet të jetë ndjerë shumë e impresionuar për shkak të ndryshimit dhe për shkak “tri të panjohurave të mëdha që e prisnin: i shoqi, shtëpia dhe vjehrra”.

E nxehur, nëna e bashkëshortit të saj, kishte zgjedhur pikërisht atë çast për të shpallur zyrtarisht “mbylljen” e saj siç e diktonte zakoni: gratë më të vjetra, në një farë kohe, vendosin të qëndrojnë të mbyllura në shtëpi deri në fund të ditëve të tyre.

Nisin “proceset”, siç i quan Ismaili, që i kujton mirë, sepse në atë kohë ai ishte djalosh. Procesi në shtëpinë “Kadare” duhej herë pas here të zgjidhte konfliktet mes Kukullës dhe vjehrrës, për të dekretuar se kush kishte të drejtë.

Shkrimtar, poet, eseist e më shumë se një herë kandidat për Çmimin Nobel, Ismail Kadare në këtë roman tregon për jetën e nënës së tij, nën titullin “Kukulla”. Si gjithnjë kur ndiqn gjurmët e jetës së një personi, nuk tregohen vetëm episodet. Shpesh flitet për atë që nuk është thënë, shkruan Gazeta Shqiptare.

Nuk është rastësi që autori, duke reflektuar në punën e tij si shkrimtar, citon romanet e pashkruara si më të mirar dhe shtëpia në Gjirokastrës, është një shtëpi e madhe që e frikëson Kukullën – “shtëpia më ha mua” duket sikur thotë. Duke portretizuar nënën e tij, Kadare flet për veten, letërsinë dhe historinë komplekse të Shqipërisë midis viteve ’30 dhe ’90.

Shqipëria e Ismail Kadaresë, “Kukulla”, apo nëna, portreti i së cilës sjellë në vitet e fundit, fillimisht si kapitull brenda librit ‘Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit’ dhe më vonë si roman më vete, duket sikur të jetë jo thjesht imazhi femëror plotësues, por personazhi qendror i krejt veprës letrare të shkruar dhe publikuar deri më tash prej Kadaresë. / KultPlus.com

Robert Pichler kthehet në kohë, në Galerinë e Arteve në Shkodër

Të premten e 2 shkurtit do të hapet në Galerinë e Arteve në Shkodër një ekspozitë fotografike e fotografit e antropologut austriak Robert Pichler, kuruar nga Edit Pula.

“Kthim në kohë. Shqipëria e viteve 90-të” do të hapet nesër mbrëma, ndërsa një bisedë me artistin do të vijojë me datë 3 shkurt në ora 11:00.

Ekspozita e Pichler prezanton fotografi nga Shqipëria e Veriut dhe Shkodra në Vitet 90 dhe tematizon fazën e rrëmujshme të tranzicionit në Shqipëri nga komunizmi në demokraci.

Kjo ekspozitë lëvizëse, e cila nisi udhëtimin e saj verën e shkuar në Stacionin e Autobusëve të zonës së Veriut në Tiranë, u shfaq për herë të parë në Muzeun Historik të Bajram Currit, do të ndalet dy javë në Shkodër, për të vazhduar rrugëtimin e saj më tej edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 17 shkurt. / KultPlus.com

Manjola Brahaj në mesin e finalistëve në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Manjola Brahaj, e cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Ishte e bukura”.

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. / KultPlus.com

Sërish ndërtim pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit

Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore si dhe lejes ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon, njofton OJQ EC Ma Ndryshe.

Rasti i ri, sipas autoriteteve lokale ka ndodhur në rrugën “Bujtina”.

Sipas të dhënave zyrtare, rasti në fjalë ka leje për ndërtim në etazhitet B+P+1, e cila sipas Inspektoratit të Komunës së Prizrenit nuk është respektuar dhe është tejkaluar. Lidhur me këtë rast Inspektorati ka pohuar se ka reaguar, duke ndërmarrë masën e ndalimit të punimeve dhe inicimin e procedurave të mëtejme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

EC MA NDRYSHE i bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë serioze dhe t’i zbatojnë në përpikëri të gjitha normat ligjore në këtë zonë të mbrojtur, ashtu që të ruhen dhe promovohen vlerat e saj. / KultPlus.com

Eleni Foureira do të këndojë ‘Fuego’ në Eurovizion

Eleni Foureira do ta shkundë mirë skenën e Eurovizionit.

Shqiptarja që do të këndojë këtë vit për Qipron në Eurovizion, do të këndojë këngën “Fuego”, e cila ende nuk është bërë publike për audiencën.

Foureira është me origjinë nga Fieri i Shqipërisë dhe ka një karrierë pë tu lakmuar, në Greqi.
Kënga e saj është kompozuar nga Alex Papaconstantinou, shkruan KultPlus.

Foureira sot është shpallur edhe zyrtarisht si përfaqësuese e shtetit qipriot nga faqja e Eurovizionit.
Foureira do të këndojë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit, me datë 10 maj.

Qipro, si rezultat më të mirë në Eurovizion ka pozitën e pestë, në vitin 1982, 1997 dhe 2004.

Qipro ka debutuar në Eurovizion në vitin 1981 dhe ka marrë pjesë në garë gjithsej 34 herë. / KultPlus.com

Admira dhe Bosko, kur dashuria e vërtetë vritet me plumba

Ai ishte një serb 15 vjeçar, ajo 16 vjeçare myslimane. Bosko Brkic dhe Admira Ismic u takuan në një festë të Vitit të Ri në Sarajevë. Ata ishin bashkë për nëntë vjet, derisa u vranë në maj të vitit 1993.

Në tentimin e tyre pa sukses për tu larguar nga Sarajeva, çifti provoi të kalonte nëpër urën Vrabna, e njohur si vendi ku u vranë në vitin 1993 dy studente, Suada Dilibegovic dhe Olga Sucic, nga një snajper.

Historia e ‘Romeos dhe Xhulietës’ nga Sarajeva është një tregim i durimit, forcës dhe emocionit.
Kur nëna e Boskos e kishte pyetur Admirën se kush do ta ndante atë nga i dashuri i saj, ajo tha – “Vetëm plumbat”. Gjeneratat e reja mund të mësojnë se çifti pati ndjenja, pati jetë mes vete, patën momente gëzimi deri në vrasjen e tyre.

Historia është e njohur sidomos për qytetarët e Bosnjës, shkruan KultPlus.

Babai i Admirës, Zijo, ka disa fjalë për këtë dashuri e cila përfundoi në plumba të armikut.
“Vdekja e tyre është e pabesueshme, nuk e besoj as sot, të rinj të etur për jetë që u shuan nga vdekja, të gjitha planet e dëshirat u zhdukën me një të shtënë. Kjo është dëshmia se dashuria nuk mund të triumfojë, nuk mund të fitojë mbi njerëzit që nuk besojnë në të”.

Për dyshen është realizuar edhe një dokumentar, në vitin 1994, me titull “Romeo dhe Xhulieta në Sarajevë”. Nëna e Boskos, Rada, nuk është kthyer më kurrë në Sarajevë, sepse ajo nuk mund të ecë nëpër rrugët e njëjta ku ka ecur djali i saj.

Ka shumë më shumë informacion mbi dashurinë e cila bashkoi dy familje të frikësuara nga Bosnja e viteve 90-të.
Tanja shoqja e ngushtë e Admirës, tregon se ajo ishte e buzëqeshur, e lumtur.

“Ishim të ndryshme. Ajo interesohej në gjëra të cilat mua më dukeshin të çuditshme. Ka qenë një vajzë jo e zakonshme, ka ditur të rregullojë vetura të prishura dhe të voziste biçikletën”.

“Ndërsa Bosko ishte ndryshe. Më i relaksuar, më i qetë. Ai kishte sharmin që nuk e sheh në shumë njerëz” tregon Tanja.

Dyshja nderohen sot tek ura ku u pushkatuan gjatë 1335 ditëve të Sagës së Sarajevës. / KultPlus.com

Dënohen me nga 300 euro kompanitë që gabuan tek Rruga B

Janë dënuar me nga 300 euro kompanitë CIMA dhe LORIANO për gabimin e bërë sot në Rrugën B në kryeqytet.

Ato kanë vendosur reklama në një vend ku supozohej të kishte grafite, si vazhdimësi e tërë hapësirës në fjalë ku grafitet kanë nisur të realizohen prej artistëve të vendit e të huaj qysh në majin e vitit të kaluar.

Sot lajmin e kanë shpërndarë në Facebook qytetarë të ndryshëm, ndërsa kanë turpëruar publikisht të dy kompanitë dhe bizneset e tyre.

Lajmin e ka dhënë vetë Shpend Ahmeti – kryetar i Prishtinës. / KultPlus.com

Entela Kasi, fituese e ‘Penës së Flakës’

Entela Kasi me poezinë e saj “Nëse bota është e egër, Anja…”, ishte fituese e “Penës së Flakës”, aktivitet ky letrar që organizohet në kuadër të Manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, që mbahet përgjatë muajit janar në Gjilan, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ndryshe, në hapësirat e bibliotekës “Fan S. Noli”, ishin dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

Poetët që lexuan në “Pena e Flakës” ishin: Alketë Spahiu ( Gjilan ), Anton Nikë Berisha (Prishtinë ), Avni Rudaku ( Gjian ), Dhimitër Pojanaku ( Pogradec ), Entela Kasi ( Tiranë ), Flamur Shala ( Prishtinë ), Gani Neziri ( Gjilan ), Hajredin Kovaçi ( Ulqin ), Ibrahim Kadriu (Prishtinë), Izet Abdyli (Drenas ), Kliton Nesturi ( Tiranë ), Linditë Ramushi- Dushku ( Gjilan ), Nijazi Ramadani ( Gjilan ), Prend Buzhala (Klinë ), Rakela Yzeiri ( Tiranë ),Ramadan Mehmeti ( Prishtinë ), Ramadan Oraça ( Podujevë ), Rozafa Shpuza ( Shkodër ), Sadije Krasniqi (Lipjan), Sarë Gjergji ( Viti ), Sinan Sadiku ( Kamenicë ), Xheladin Rexhepi (Ferizaj ), Zeqir Fazliu ( Gjilan ).

“Për dallim nga herët e tjera, vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2018, kësaj here ishte paraparë të jenë vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre do të përcaktonin poezinë fituese, por që pas votimit doli që dy poete kishin numër të njëjtë votash (Entela Kasi – Tiranë dhe Rakela Yzeiri – Tiranë), andaj sërish është dashtë përcaktimi të bëhet nga juria e grupit punues (Xhevat Latifi, Fatushe Haliti dhe Sabit Rrustemi), që kishte bërë edhe përzgjedhjen e të gjitha poezive për t’u lexuar në këtë orë letrare, dhe vota e tyre përcaktoi edhe fituesen, Entela Kasi”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, kur jemi te rezultatet e konkursit anonim letrar, juria profesionale në përbërje, Ramadan Musliu, Donikë Dabishevci dhe Bardh Frangu, u bë i ditur edhe rezultati:

Anëtarja e Jurisë Donikë Dabishevci, vlerësoi prurjet në kwtë Konkurs dhe bëri të ditur se:

Në poezi:

Shpërblimi i parë i jepet poezisë – Në sheshin e Shkupit – Shifra – Gracka

Shpërblimi i dytë poezisë – Buka, toka, njeriu – Shifra – Hija e shtetit

Shpërblimi i tretë poezisë: Shtëpia e puthjeve – 20-9

Në prozë:

Shpërblimi i parë i jepet tregimit: Figura shtatëmbëdhjetë – Shifra – Shahu i përgjakur

Shpërblimi i dytë: Natë lutjesh – Shifra – Najazum

Shpërblimi i tretë: Mjaltë e hidhur – Shifra – Unë dhe vetvetja

Poezia e shpërblyer dhe të tjerat që u lexuan në Orën e Madhe letrare, bashkë me krijimet e shpërblyera të konkursit letrar, do të publikohen në revistën letrare – kulturore AGMIA.​ / KultPlus.com

Qendra për Zhvillimin e Artit reagon për reklamat te Rruga B në kryeqytet

Qendra për Zhvillimin e Artit (Q’art) shpreh shqetësimin për degradimin e hapësirave publike të dedikuara për art në Prishtinë. Ditëve të fundit është vërejtur ri-shfaqja e reklamave tek muri në Rruga B. Pas mbulimit të shkarravitjeve dhe reklamave në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Meeting of Styles”, e tërë ajo pjesë pat marrë një pamje të re si dhe ka vazhduar të shërbej si prapavijë për shumë video incizime, me ç’rast edhe për promovimin e Prishtinës si vatër e artit të rrugës prej të cilës përfitojnë më së shumti qytetarët dhe kafiteritë e asaj pjese.

Sot vërejtëm se një pjesë e këtij muri pranë rreth rrotullimit është mbuluar nga reklamat e dy bizneseve, CIMA Construction dhe Restoran LORIANO.

Si organizata e vetme që deri më tani ka arritur të bëj intervenime në hapësira publike, Q’art vazhdimisht ka ngritur zërin kundër fenomenit të dominimit të reklamave në hapësirat publike, siç ka qenë deri më tash në mënyrë kaotike dhe pa kritere të duhura.

Si organizatë ftojmë Komunën e Prishtinës dhe organet përkatëse që të marrin masat përkatëse për të evituar shëmtimin e mëtejmë të kësaj pjesë. Për të vendosur rregull në këtë fushë, Q’art propozon rekomandimet si në vijim:

1. Muri tek Rruga B të mbrohet nga reklamat dhe dëmtimet, dhe të jetë i dedikuar për vepra arti.
2. Bizneset që kanë ngjyrosur këtë pjesë me reklamat e tyre të gjobiten dhe mjetet nga gjoba të përdoren për të mbuluar këtë pjesë me vepra të reja arti.
3. Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Zhvillimin e Artit të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin synohet si në vijim:

a. definimi i strategjisë afat shkurtër për ringjalljen e hapësirave publike të mbetura shkret;
b. arti në hapësira publike të hyjë në agjendën prioritare të komunës; dhe
c. të bëhet rregullimi institucional i artit në hapësira publike.

Q’art është organizata e vetme në Prishtinë e cila ka arritur që në mënyrë të qëndrueshme të trajtoj hapësirat publike përmes veprave artistike. Deri më tani kjo ka ndodhur 3 edicione përmes Guerilla Art Festival si dhe edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar International Meeting of Styles – duke përmirësuar mbi 3000 metra katror hapësira shkrete dhe beton brenda qytetit të Prishtinës. / KultPlus.com

“Martesa” nga Blerta Zeqiri, tregimi i Kosovës dhe dashuria e pamundur

Gili Hoxhaj

Filmi “Martesa” me regji të Blerta Zeqirit, sot u shfaq për herë të parë në Kosovë, në një premierë për media. Ky film tashmë ka nisur rrugëtimin e suksesshëm ndërkombëtar me dy çmime nga Tallin Black Nighs Film Festival, ku edhe pati premierën botërore në Estoni.

Kjo është eksperienca e parë e regjisores Blerta Zeqiri, me një film të metrazhit të gjatë. Ngjarja e këtij filmi shtjellon dashurinë nëpërmjet një trekëndëshi, i cili përbëhet nga tri personazhe që vijnë në lojën e aktorëve Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu, shkruan KultPlus.

Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie. Unaza që Bekimi ka në gisht, nuk është shenja më e fortë e dashurisë së jetës së tij, ani pse e ndajnë vetëm dy javë nga dita e martesën me Anitën. Anita, është vajzë e një familjeje të të zhdukurve gjatë luftës. Martesën e çiftit, me mjaft emocion e pret familja e Bekimit, por jo dhe ai vet. Madje rrjedha e ndjenjave të tij, vjen e komplikohet me kthimin e Nolit, i cili është muzikant. Ai në Prishtinë vjen pas disa vitesh jetë në Francë.

Dashuria e tij me Bekimin ecën me hapat e njëjtë, pikërisht aty ku ishte ndalur që nga ndarja e parë e tyre, e nga koha kur mes tyre nuk kishte një të tretë.

Ngjarja e filmit shtjellohet në krejt këtë situatë, deri në ditën e martesës së Bekimit me Anitën, të cilët edhe po e presin fëmijën e parë. Filmi përmes ndërtimit të këtyre personazheve paraqet tendencën e shoqërisë për të mos e pranuar dashurinë mes anëtarëve të komunitetit LGBT, ndërsa ky është filmi i parë në Kosovë që trajton dashurinë mes personave të së njëjtës gjini.

Regjisorja Zeqiri, tashmë vetëm ka nisur të kurorëzojë suksesin e këtij filmi në të cilin ka shpenzuar pesë vite punë. Këtë film, ajo e ka cilësuar si projektin më së miri të realizuar. Zeqiri sot pas premierës për media, tha se gjatë këtij projekti përmes elementeve të ndryshme është përpjekur që të prekë sa më shumë jetën reale.
“Shumë herë filmi është tentuar të paraqitet si rrëfim për LGBT, por filmi është një rrëfim dashurie në Kosovën tonë duke u munduar ta bëjmë një pasqyrë sa më reale të jetës këtu”, tha sot regjisorja Zeqiri, ndërsa shtoi se filmi tenton të prekë rrëfimet e të tre personazheve kryesore, pa e penguar rrëfimin që tenton të bartë secili nga ky rol i caktuar në film.

Genc Salihu, përvojën e parë me aktrimin në një film, e shijon pikërisht përmes rolit të Nolit. Aktrimin në njërin nga rolet më kryesore të këtij filmi, ai e cilëson si një nga përvojat profesionale më përmbushëse dhe si përvojën më të mirë në jetën e tij, dhe gjithë kjo falë bashkëpunimit me regjisoren e aktorët e këtij filmi.

“Kam mësuar vërtetë shumë për artin e performancës në përgjithësi, më ka ndihmuar shumë që të hapem dhe që t’i kuptoj gjërat në detaj më të hollësishëm. Ka qenë një bashkëpunim mjaft organik dhe unë jam ndjerë shumë i sigurt gjatë tërë procesit dhe jam shumë i sigurt që kjo është meritë e Blertës për shkak se ka ditur shumë mirë që të më akomodojë brenda filmit”, është shprehur Genci sot në konferencën për media.

Derisa Genci është debutant në këtë film, Adriana Matoshi ka kaluar nëpërmjet shumë roleve ndërsa ky është edhe bashkëpunimi i saj i tretë me regjisoren Blerta Zeqiri, me të cilën ajo thotë se ndihet shumë komode.

“Përvoja në këtë film është një proces më i gjatë, por unë ndihem shumë rehat me bashkëpunimin me Blertën për shkak se e ka një natyrë të punës që din ta nxjerrë më të mirën nga aktori dhe di të jap indikacione që ta lehtësojnë jashtëzakonisht shumë punën”, është shprehur Adriana lidhur me rolin e saj në këtë film.

Aktori Alban Ukaj, si në këtë film ashtu dhe në shumë role të tjera tashmë është i dëshmuar për punën e tij. Ky është bashkëpunimi i tij i parë me regjisoren Zeqiri, mirëpo thotë se me natyrën e punës së saj njihet shumë para marrjes së këtij roli. Ai thotë se realizimi final i rolit të tij në këtë film ka kaluar në shumë improvizime e hulumtime.
“Blerta është njëra prej regjisoreve me të cilën është lehtë ta ndërtosh karakterin, pasi që nuk ka diçka në letër së cilës duhet t’i përmbahesh, pra Blerta mundohet që karakteri të ndërtohet bashkë por edhe që ta ketë një pjesë private të karakterit tënd në mënyrë që ta shfaqë në pjesën e rolit”, ka thënë sot aktori Ukaj.

Të gjithë ata që duan ta shohin këtë film, ai nga nesër do të jetë pjesë e repertorit të Cineplexx në Prishtinë, ndërsa publiku mund ta shijojë premierën e këtij filmi nesër në Cineplexx në Prishtinë dhe në Dokukino në Prizren kurse premiera për publikun tiranas vjen më 2 shkurt. / KultPlus.com

Sibel Halimi, finalistja tjetër e konkursit të poezisë ‘KultStrofa’

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Sibel Halimi, e cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Vdekje e bardhë”.

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. / KultPlus.com