Dielli herët depërtoi ndër dej! Si mbas nji cipe të hollë mendimi E ndriti rrugën tonë nga lindja E këndej.
Erdhi koha e zgjimit! Nji rreze e vetme përpara Mbi mur Ndriti dhena t’panjehuna përmbas, mungullim bimësie e filiza shum me krena gacash përmaje: rreziqe!/ KultPlus.com
Figura pionere e Hadi Shehut është sinonim i zhvillimeve të rëndësishme në skenën tonë të kulturës teatrore, kinematografike e televizive ku ka lënë gjurmë të mëdha si aktor dhe themelues i Teatrit profesionist të Gjakovës që sot me të drejtë bartë emrin e tij. Humbje kjo për kulturën e teatrit dhe kinematografinë e Kosovën të cilës tash i mungon një personalitet i çmuar me kontribut të pandalshëm.
Ai ka drejtuar Teatrin profesionist të Gjakovës prej 1981 – 1996 dhe prej vitit 1999 – 2006, e me mbi 170 role, kariera e tij si aktor ka përfshirë teatrin, filmin dhe mediumin televiziv.
Në mes të kësaj veprimtarie kolosale me role në Teatrin e Gjakovës, Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Tiranës, dhe në Teatrin e Pejës veçohen: – “Fisheku në pajë” (Gjeloshi), “Epoka gara Gjyqit” (Sulejman Vokshi), “Pjata e drunjtë” (Lon Denisoni), “Dragoi i Dragobisë” (Bajram Curri),”Pirrua” (Pirrua), ”Armiku i popullit” (Dr. Stokmani), “Monserati” (Monserati), “Halili e Hajria” (Halili), ndër të tjera.
Hadi Shehu gjithashtu ka shkëlqyer në role filmike si “Si të vdiset” (1972), “Kur pranvera vonohet” (1979), “Era dhe Lisi” (1979), “Gjurmë të bardha” (1980), “Përroi vërshues” (1983), “Pikniku” (1986), “Era e mollës” (1995), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), “Azem Galica” (2011) dhe poashtu në video-filmat “Buka e hidhur”, “Rruga pa kthim”, “Fantazmat lodrojnë”, “Vrasësit bëjnë dasëm natën”, etj.
Veprimtaria e tij e bujshme është shpërblyer me çmime të ndryshme si “Shpërblimi i Dhjetorit”, “Medalja e Punës”, “Çmimi për të Arriturat Artistike” (Beograd) për rolin e Betim Kosovës në filmin “Kur pranvera vonohet”, “Shenja e Artë” (Trebinje), si dhe me mirënjohje të shumta në festivale të ndryshme.
Ai është nderuar poashtu me “Çmimi për Vepër Jetësore” (2005) nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, “Statuja e Nënë Terezës” në spektaklin televiziv “Me shumë dashuri” (2008) në Tiranë (Shqipëri), “Medalja Presidenciale e Meritave” (2013) nga Presidenca e Republikës së Kosovës, “Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” (2012) nga MKRS.
Kontributi i tij per zhvillimin e kulturës Kosovare në profilet e teatrit dhe kinematografise do të mbetet si një prej shembujve më të fuqishëm për tu pasuar nga gjeneratat e reja. /KultPlus.com
Autostrada Biennale dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK) kanë formalizuar një bashkëpunim të ri me synimin për të promovuar dhe ri-funksionalizuar në mënyrë inovative objektet me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Ky memorandum përcakton angazhimin e përbashkët për ta shndërruar trashëgiminë kulturore në një hapësirë të gjallë ndërveprimi, ku arti bashkëkohor dhe historia e qytetit ndërthuren për të frymëzuar krijimtari dhe zhvillim social.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë edicionit të pestë të Autostrada Biennale kuruar nga Erzen Shkololli, i cili do të mbahet nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025, do të organizohen një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozita, vizita grupore dhe programe edukative, me qëllim të angazhimit të komunitetit lokal dhe profesionistëve të fushës.
“Vazhdimi i bashkëpunimit me Autostrada Biennale është një hap i natyrshëm në përpjekjet tona për të integruar trashëgiminë kulturore të Prizrenit në një nivel më të gjerë dhe ndërkombëtar. Ky bashkëpunim ka treguar se lidhja midis artit bashkëkohor dhe trashëgimisë kulturore mund të krijojë një sinergji të fuqishme, e cila ka pasur një ndikim të thellë në zhvillimin e qytetit dhe në forcimin e lidhjeve tona me komunitetin global”, është shprehur drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha.
Ndërkohë, Leutrim Fishekqiu, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Autostrada Biennale, e cilësoi këtë memorandum si një mundësi për të promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit bashkëkohor dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave kulturore.
“Ky bashkëpunim na jep mundësinë të eksplorojmë mënyra të reja se si arti bashkëkohor mund ta sjellë trashëgiminë kulturore më pranë njerëzve. Përmes projekteve të përbashkëta, do të punojmë që këto hapësira të mos jenë vetëm kujtesë e së kaluarës, por edhe pjesë e përvojës së përditshme kulturore, të hapura dhe të afërta me komunitetin”, u shpreh ai/KultPlus.com
Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj pesë ditë para se të shuhej, më 12 mars të vitit 1992 në moshën 67-vjeçare.
Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.
Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.
Të enjten, me datë 13 mars, duke filluar nga ora 17:00, do të mbahet diskutimi “Kontributi i Grave Queer në Kauzën Feministe”.
Në këtë diskutim, që do të mbahet në Bubble Pub, do të jetë në qendër të vëmendjes roli dhe kontributi i grave në kauzën feministe.
Në panel do të jenë aktivistja Rajmonda Sylbije, regjisorja Arlinda Morina dhe gazetarja Dafina Halili.
“Ky event organizohet nga Indefinite Institute në partneritet me CEL Kosova, në kuadër të projektit Women’s History Month, pjesë e fushatës ndërkombëtare #AccelerateAction – International Women’s Day 2025″, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Instituti i Arkeologjisë (IA), pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) nënshkruan memorandum mirëkuptimi për planin e konservimit të objekteve të zbuluara dhe projektin e ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit, ku përfshihen qytetet antike Bylis dhe Klos.
Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së Stefania Vizzaccaro dhe Adem Bunguri, drejtori i Institutit Arkeologjik, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ky memorandum ka si objekt vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit tekniko-shkencor mes palëve, në kuadër të realizimit te projektit të BE-së për Parkun Arkeologjik Bylis dhe Klos, orientuar nga turizmi me fokus trashëgiminë kulturore.
Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim do të bashkëpunojë dhe koordinojë informacionin, arkivin dhe asistencën teknike në veprimtaritë në terren, të cilat i shërbejnë AICS-së dhe nënkontraktorëve apo partnerëve si ndihmë për hartimin e projekteve në respekt të të drejtave të autorëve që kanë zhvilluar veprimtarinë arkeologjike në Bylis.
Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në Institutin e Arkeologjisë, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen dhe për investimet edhe në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe veçanërisht për investimet për pasqyrimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Gjinushi shprehu kënaqësinë që pas negociatave të vazhdueshme, një projekt kaq i rëndësishëm, siç është kthimi i Bylisit në një Qendër Multifunksionale, do të bëhet me kooperacionin italian.
“Kjo është një marrëveshje model, për të cilën vetë Instituti i Arkeologjisë dhe punonjësit e tij janë më se të interesuar, sepse pritet që puna e tyre shumëvjeçare të jetë sa më e aksesueshme dhe e ekspozuar ndaj publikut te gjerë. Si rrjedhojë, realizimi i projektit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë për pjesën shkencore është mënyra më e mirë për të rivlerësuar dhe pasqyruar gjerësisht trashëgiminë tonë. Siti arkeologjik i Bylisit është një nga sitet kryesore, krahas atyre më të njohura të vendit, si Butrinti e Apolonia. Kështu që në zbatim të kësaj marrëveshjeje Bylisi do zërë vendin që i takon, duke shërbyer si pikë referimi për studime, kërkime dhe për promovimin e trashëgimisë sonë arkeologjike”, theksoi Gjinushi.
Gjinushi u shpreh më tej se pas realizmit të projektit për muzeun qendror të Bylisit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të mirëpresë edhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen, me perspektivën për t’i dhënë dimensionet e duhura edhe Muzeut Arkeologjik pranë Institutit Arkeologjik, pjesë e ASHSH-së, këtu në Tiranë.
Drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së, Stefania Vizzaccaro, shprehu entuziazëm për memorandumin, të cilin e vlerësoi si një hap thelbësor për realizimin e projektit të ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit. Ajo tha se projekti në thelb synon zhvillimin ekonomik vendor drejtuar nga turizmi, por që gjithmonë përqendrohet tek trashëgimia kulturore.
Drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së njoftoi të pranishmit se projekti do të realizohet me fondet e BE-së, të cilat arrijnë shifrën 6.15 milionë euro.
Ajo falënderoi kryesinë e Akademisë së Shkencave për bashkëpunimin dhe veçanërisht kryetarin e ASHSH-së Skënder Gjinushi, zv.kryetarin Vasil Tole, si dhe Adem Bungurin e Gëzim Hoxhën për punën e çmuar në bashkëpunimin për konsultimin e projekteve të konservimit dhe të hartimit të strategjive për Qendrën Multifunksionale të Bylisit.
Me këtë rast ajo vlerësoi kontributin për dekada me radhë të punës kërkimore të Institutit Arkeologjik që ka krijuar një trashëgimi të pasur njohurish e praktikash të suksesshme e ekspertizash shkencore, të cilat do të kontribuojnë në mënyrë ekskluzive në këtë projekt.
Pas nënshkrimit të memorandumit u zhvillua një vizitë në muzeun dhe fondin arkivor të Institutit Arkeologjik./atsh/KultPlus.com
Këshilli i Ministrave deklaroi “Pasuri Kulturore të Paluajtshme” zonat arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave gjeografike të përcaktuara.
Gjithashtu u miratua plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave dhe u ngarkua Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”.
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor u ngarkua të publikojë hartat e qendrës historike dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
Me këtë vendim, shfuqizohet vendimi nr.728, datë 1.9.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, ndërkohë që për zbatimin e këtij vendimi u ngarkuan Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Lezhë./atsh/KultPlus.com
Në kuadër të projektit “Edukim përmes Artit”, Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve ka përcjellë për muaj me radhë vlerat e kulturës dhe traditës shqiptare tek brezi i ri.
Në përmbyllje të këtij programi, artistët e Ansamblit Popullor, së bashku me brezat e rinj të talentuar, do të sjellin nesër (13 mars), në skenën e TKOBAP-së, një mbrëmje kushtuar pasurisë sonë folklorike.
Nga veriu në jug, tradita do të bashkojë në një skenë të vetme: Shkollën Kombëtare të Baletit, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Shkollën “Qemal Stafa”, Shkollën “Ismail Qemali”, Shkollën “Gramoz Palushi”, International Dance Academy Albania, Virtuozët e vegjël, ALBA FOLK, Liceun Artistik “Jordan Misja”, trupën e valles dhe korin e Ansamblit Kombëtar.
Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve premton një mbrëmje të veçantë, ku arti dhe tradita vijnë së bashku për të vijuar brez pas brezi./atsh/KultPlus.com
Mbrëmjen e djeshme në mjediset e organizatës “Tek bunkeri” u shfaq filmi “Lamerica” i regjisorit Gianni Amelio, një film që na rikthen në Shqipërinë e viteve ’90, kur shumë shqiptarë ëndërronin një jetë më të mirë matanë detit.
Pas filmit u zhvillua një bisedë me regjisorin Pirro Milkani, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, i cili ka sjellë disa prej filmave të suksesshëm të viteve ’70-’80, por gjithashtu ai është edhe një nga aktorët e filmit. Biseda hapi një reflektim mbi periudhën që filmi trajton dhe ndikimin e saj në shoqërinë shqiptare.
Ky projekt u financua nga Bashkimi Evropian, pjesë e programit të EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit.
I vlerësuar me Golden Osella për Regjinë më të Mirë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe zgjedhur si përfaqësuesi i Italisë për Çmimet Oscar, ky film përçon një histori të thellë mbi identitetin, zhgënjimin dhe shpresën.
Filmi vendos përballë pasqyrimit të një kohe kur mijëra shqiptarë kërkonin një të ardhme më të mirë, dhe në fund, mbetet një reflektim mbi fatin e përbashkët të njerëzve në kërkim të një vendi që shpesh ekziston vetëm në ëndrra./atsh/KultPlus.com
Më 12 mars të vitit 1891 lindi reformatori i arsimit shqiptar, Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953).
Ivanaj ishte një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptarë i panjohur deri në ditët e sotme.
Mirash Ivanaj, lindur në Podgoricë, ridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi. Studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy diploma, për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj.
Në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja. Në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti.
Në vitin 1932, u bë pjesë e politikës dhe e jetës parlamentare. Projektligji i 11 prillit 1933 që u quajt “Reforma Ivanaj”, u sulmua jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë subjekt gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si rrjedhojë e kyçjes së shkollave fetare në vend.
Pushtimi italian do të sillte largimin e Ivanajt nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme. Në vitin 1945 do të rikthehej në tokën mëmë, pas garancisë së qeverisë së re për pushimin e procesit gjyqësor kundrejt tij. Emri i tij, si pjesë e listës së intelektualëve, do të përfshihej në listat e sigurimit të kohës. Si rezultat, “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.
U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, humbi jetën në burg./atsh/KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes rrjeteve sociale promovoi disa prej botimeve të fundit të saj. Bëhet fjalë për tri vepra të reja: dy nga fusha e historisë së artit dhe një nga mjekësia, të cilat i shtohen kolanës së botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Veshjet tradicionale në artin pamor shqiptar” me autor piktorin e mirënjohur Abaz Hado, është botim i ASHSH, në vitin 2024.
Vepra, me 291 faqe, synon të pasurojë me informacionin e nevojshëm njohjen, ndikimin, bashkëpunimin dhe pasurimin e artit pamor me bukurinë, larminë dhe pasurinë e veshjes tradicionale. Ajo ka përmbledhur në mënyrë selektive veprat kryesore të artit shqiptar, prej mbi 150 vjetësh, por dhe më parë, ku qartësisht është i dukshëm ndikimi nga vlerat, fryma dhe larmia e artit popullor.
Sipas recensentes së këtij botimi, Afërdita Onuzi, ky studim afron analizën konkrete, duke sjellë konkluzione mbi atë produkt tashmë të krijuar, si formë origjinale e artit pamor, përmes së cilës ka shprehur një unitet etnik kombëtar.
Një tjetër botim interesant është “Piktura e kishave e shekujve V-XV në Shqipëri” me autore Dhorka Dhamon. Edhe ky është një botim i ASHSH, i vitit 2024.
Në një studim prej 295 faqesh, Dhamo sjell pikturën mesjetare shqiptare, në të cilin lexuesi do të informohet për monumentet kryesore të pikturës që mbushin muret e kishave e manastireve në periudhën e sipërpërmendur. Ky botim u vlen studiuesve, historianëve të artit, bizantinologëve anembanë botës, studentëve e promovuesve të turizmit kulturor në Shqipëri.
Dy recensentët e botimit, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, kanë vlerësuar veprën për trajtimin që i bën artit kishtar në të gjitha shfaqjet e tij gjinore e tipologjike, në mozaikë, miniatura, ikona etj. Sipas tyre, analizat për monumente të veçanta shoqërohen me një material të bollshëm ilustrues dhe nga një bibliografi e pasur, që i bën bindëse përfundimet e arritura. Informacioni i shumanshëm që përftohet, si dhe gjuha e kuptueshme e përdorur, bën që monografia të jetë e vlefshme jo vetëm për specialistët e fushës, por dhe për opinionin e gjerë shoqëror të interesuar për njohjen e pasurisë kulturore të vendit. Gjithashtu, ajo mund të shërbejë edhe për hartimin e teksteve mësimore për studentët e degëve përkatëse.
Një botim i këtij viti i Akademise së Shkencave është “Protokollet e trajtimit sistemik të kancerit” me autorë Bledi Kreka dhe Manika Kreka Face.
Libri prej 446 faqesh është konceptuar në kapituj lehtësisht të kuptueshëm për mjekët dhe stafet mjekësore, renditur sipas peshës specifike të çdo patologjie, trajton 17 neoplazitë më të shpeshta në adultët: kanceri i gjirit, i pulmonit, i traktit digjestiv, i gjakut, i aparatit urogjenital, të lëkurës.
Ky manual, sipas recensentes dr. Anila Kristo, është një instrument i mirë pune për onkologët mjekësorë dhe personelin infermieror në spitalin onkologjik, onkopediatri dhe në qendrat e trajtimit me kimioterapi në spitalet rajonale./atsh/KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka publikuar programin vjetor të ekspozitave për vitin 2025, duke premtuar një sezon me aktivitete të shumta dhe të larmishme.
Ekspozita më e afërt në kalendar është “Venus” e cila nis në datën 20 mars dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor 2025.
Kjo ekspozitë e kuruar nga Lek Gjeloshi, është rezultat i një kërkimi të gjatë në koleksionet e Dedë Jakovës, Gegë Marubit dhe Pjetër Rraboshtës. Repertorin e tyre fotografik, në një moment të caktuar, e përshkon prania e një skulpture: hyjnisë antike, Venusit, e cila kundron e palëvizshme disa ngjarje që, njëherë e njëkohë u zhvilluan në oborrin e një shtëpie të rëndësishme qytetëse, ku edhe u dokumentuan ngjarje të përveçme dhe ndryshimet e forta politike.
Projekti i ekspozitës mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ndërkohë ekspozita që parashikohet të çelet në qershor për të qëndruar deri në shtator 2025, titullohet “Pazari i humbur i Shkodrës- Ringjallja e një kujtese”, me kuratore Kim Knoppers dhe që mbështetet nga MEKI, Muzeu Etnografik, Ambasada Holandeze, Ambasada e Hungarisë, Instituti i Antropologjisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
Nga shtatori deri në nëntor, “Marubi” do t’i ofrojë publikut një tjetër ekspozitë, “Drejt shtëpisë”. Ekspozita vjen si prodhim i artistëve nga programi i rezidencës së Art House School, kuruar nga: Niovi Zarampouka-Chatzimanou, Luçjan Bedeni, Tea Paci, Zef Paci.
“Olbania” do të përmbyllë ekspozitat e këtij viti, madje do të jetë e pranishme edhe në 2026-ën. Ekspozita nga Alterazioni Video çelet në nëntor 2025 – shkurt 2026 dhe do të kurohet nga Sara Dolfi Agostini, në bashkëpunim me MEKI-n dhe Institutin Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com
Mahir Domi dijetar me mendje të kthjellët një nga shembujt tipikë të intelektualit shqiptar.
Prof. Mahir Domi gjithnjë do të kujtohet si dijetar me horizont të gjerë e njeri me zemër të pastër, me mendje të kthjellët e pa paragjykime, me fjalë të ngrohtë dashamire dhe me kurajë intelektuale dhe me integritet moral. Ky dijetar është një nga shembujt tipikë të intelektualit shqiptar që, edhe kur arrin t’i përkasë krejt kombit, e mban qendrën shpirtërore të rëndesës te mjedisi shoqëror e njerëzor i vendlindjes. Mahir Domi mbeti gjithë jetën një bir i Elbasanit, ashtu si edhe një varg intelektualësh të tjerë të mirënjohur që i ka dhënë kombit shqiptar ky qytet i përmendur për dije, arsim e atdhesi – për ta thënë me një fjalë të A. Xhuvanit. Në shoqëri me bashkëvendësit e brezit të vet sikur tjetërsohej, bëhej gazmor e i qeshur, sikur nuk ishte më ai profesori serioz që kurdo e kudo do të bluante në mendje ndonjë problem shkencor që e mundonte. M. Domi erdhi në jetë më 12 mars 1915, në prag të Ditës së Verës, si shtetas i shtetit të porsalindur shqiptar, por që nuk qe ngritur dot ende më këmbë. Në korrik të atij viti, po në Elbasan, do të vinte në jetë edhe Dhimitër Shuteriqi, shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letërsisë, edhe ai anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Jeta e brezit të tyre është e ndërthurur me ëndrrat, me shpresat entuziaste e me zhgënjimet e hidhura, që ndërkëmbeheshin sipas rrethanave të brendshme e të jashtme. Por ai brez e shtrëngoi fort flamurin e idealeve të Rilindjes Kombëtare dhe Shqipërisë së mitur i dha mendjen e kthjellët dhe energjitë rinore për të përballuar furtunat e kohës. M. Domi mori një formim të shëndoshë në Liceun Kombëtar Francez të Korçës dhe gjatë studimeve të larta në Grënoblë të Francës (1937-1941) për filologji klasike dhe franceze u bë pjesëmarrës aktiv i rretheve të studentëve me ideale demokratike, që kundërshtuan pushtimin italian dhe morën pjesë në demonstrime e veprimtari antifashiste si në Francë, ashtu dhe në Shqipëri. Për këto Mahir Domi dhe një varg intelektualësh të tjerë, provuan dhe internimin në kampin e përqendrimit të Porto Romanos (pranë Durrësit).
Në vitet e para pas luftës (1945-1947) M. Domi ishte drejtor i Normales së mirënjohur në Elbasan.
Më pas kaloi në Ministrinë e Arsimit, në drejtorinë e teksteve e të programeve mësimore (1947-1950). Atje kreu një punë cilësore dhe themelvënëse së bashku edhe me shkrimtarin Sterjo Spasse. Të dy ishin të lidhur me një miqësi kolegjiale të çiltër, të qëndrueshme e prekëse. Brezi im, që u ul në bankat e shkollës së mesme më 1951, dhe të tjerët më pas vijimisht, deri nga fundi i viteve ’60, morën njohuri të gjera për letërsinë europiane nga tekstet e përpiluara nga M. Domi e S. Spasse, duke nisur me letërsinë klasike greko-latine, e në vijim me Rilindjen, Klasicizmin, Iluminizmin, Romantizmin e Realizmin. Këto tekste të hartuara me qartësi e me metodikë të admirueshme jepnin një pamje mjaft të qartë të historisë së drejtimeve e rrymave letrare, të parimeve krijuese e të përfaqësuesve më të shquar të tyre. Ato kanë qenë njëkohësisht edhe antologji me pjesë të zgjedhura nga autorët përkatës. Nëpërmjet tyre disa breza nxënësish të shkollave tona të mesme në vitet ‘50-’60 dhe në Kosovë e Maqedoni në vitet ’70-’80, kur u ribotuan dhe u përdorën ato tekste atje, njohën dhe admiruan një letërsi të madhe, formuan kulturën e tyre të përgjithshme letrare. Për sa i takon letërsisë shqipe, mund të them se prof. M. Domi nuk kishte lënë autor pa lexuar dhe ishte në gjendje të gjykonte për karakteristikat kryesore të veprimtarisë letrare të tyre.Me këto cilësi ai u bë njëri ndër hartuesit dhe njëkohësisht redaktorët kryesorë të veprës “Historia e letërsisë shqipe” (vëll. I e II), që u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës në vitet 1959-1960, si përpjekje e parë për të hartuar një histori të letërsisë e të mendimit letrar shqiptar. Në këtë vepër M. Domi shkroi pjesën e letërsisë së vjetër shqipe dhe redaktoi pjesën më të madhe të letërsisë së Rilindjes Kombëtare, autorët e së cilës i njihte me hollësi. Letërsinë M. Domi e vështronte si element të rëndësishëm të historisë së mendimit e të kulturës së një populli dhe në këtë drejtim ai ishte gjurmues i zellshëm. E përmenda që në fillim këtë anë të veprimtarisë së prof. M. Domit në fushën e letërsisë shqipe dhe në hartimin e teksteve shkollore të letërsisë së huaj, sepse ai tani njihet kryesisht si gjuhëtar dhe vlerat e punës së tij në fushën e letërsisë në vitet ’50-’60 mbeten pak si në hije ndaj vlerave të veprimtarisë së gjerë në fushën e gjuhësisë.Duhet theksuar ndërkaq se prirja e tij ndaj letërsisë ka lidhje të ngushtë edhe me dy drejtime të veprimtarisë në gjuhësi: së pari, me çështjet e normës letrare (veçanërisht në fushën e drejtshkrimit) dhe, së dyti, me sintaksën: në të dyja këto drejtime studimesh ai u mbështet shumë si në letërsinë e mëparshme, ashtu edhe në letërsisë e re të pasluftës. Ai e shihte letërsinë si farkën e përpunimit e të kristalizimit të normës letrare në tërësinë e saj. Si një nga lexuesit më të zellshëm e më të vëmendshëm të letërsisë shqipe, ai ishte njëkohësisht një nga vrojtuesit e mprehtë të risive, po edhe të mangësive gjuhësore të saj. Kur kaloi nga Ministria e Arsimit në Institutin e Shkencave më 1950, M. Domi pati dy detyra kryesore, të lidhura njëra me tjetrën: fjalorin e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimin. Kur u nda nga jeta K. Cipoja (kryetar i komisionit hartues) në janar 1952, fjalori kishte përfunduar, por nuk kishte arritur njësinë dhe njëtrajtësinë e brendshme; veç kësaj ishte vërejtur se mungonin mjaft fjalë të nevojshme dhe, nga ana tjetër, ishin përfshirë jo pak fjalë, të cilat nga kuptimet e përhapja do t’i takonin një fjalori më të madh. M. Domit i ra barra kryesore për rishikimin dhe redaktimin tërësor të veprës.
Domi ka pasur një rol qendror në përpunimin dhe stabilizimin e rregullave të drejtshkrimit.
Atij i detyrohet hopi cilësor nga drejtshkrimi i vitit 1951 te drejtshkrimi i botuar më 1956, por i përpunuar prej tij më 1953 e 1954 dhe i zbatuar te “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), i cili shërbeu edhe si fjalor drejtshkrimor deri në daljen e fjalorit të parë drejtshkrimor të mirëfilltë (1976). Me këtë rast le të përmendim se dallimet e drejtshkrimit të sotshëm (d.m.th. të vitit 1973) nga drejtshkrimi i vitit 1956 nuk janë të shumta. Prandaj nuk është as e saktë e as e drejtë të flitet për drejtshkrimin e botuar pas Kongresit si për diçka krejt të re. Lidhja e M. Domit me shkollën ka qenë e vijueshme, e pashkëputur. Ajo u bë edhe më e fortë me themelimin e Universitetit të Tiranës më 1957, kur ai u ngarkua si përgjegjësi i parë i katedrës së gjuhës shqipe (1957-1962) dhe mori përsipër lëndën e rëndësishme të sintaksës, për të cilën kishte botuar edhe tekstin e shkollave të mesme. Sintaksa u bë fusha kryesore e punës së tij për shqipen e sotme, ku ai solli ide e vështrime të reja dhe material të pasur, sidomos nga letërsia. M. Domi ndiqte me vëmendje trajtesat sintaksore të gjuhëve të ndryshme, sidomos të rusishtes, të frëngjishtes, të rumanishtes, po edhe të gjuhëve të tjera, duke u përpjekur të sillte në gjuhësinë tonë risitë e kësaj disipline e duke nxitur përpunimin e një mendimi të ri në gjuhësinë tonë. Ai shtroi si detyrë të dorës së parë përshkrimin sa më të plotë të strukturës dhe të semantikës sintaksore të shqipes, prandaj, edhe kur nisej për të hartuar një kapitull teksti, përfundonte gati në një studim monografik.Me gjithë vështrimet e ndryshme për një varg çështjesh të sintaksës, ai ishte bashkëpunues shembullor me kolegët e fushës, si S. Floqi, S. Prifti etj. Te zhvillimi i sintaksës M. Domi shihte një anë thelbësore të zhvillimit të gjuhës në tërësi dhe njëkohësisht një pasqyrim të zhvillimit intelektual dhe të integrimit të shprehjes sonë gjuhësore në sisteme më të gjera e më të përpunuara. Në fushën e gramatikës ai e orientoi punën drejt trajtesave monografike, mbi të cilat do të mbështetej vepra përgjithësuese normative “Gramatikë e gjuhës shqipe” e tipit teorik e përshkrues, që do të paraqiste kategoritë dhe strukturën gramatikore kryesisht të shqipes së sotme letrare. Si kryeredaktor i kësaj vepre komplekse M. Domi diti të organizojë grupin hartues dhe të drejtojë diskutimin paraprak të një vargu çështjesh problemore. Kësaj vepre i priu ngritja e Kartotekës së gramatikës me disa qindra mijëra skeda, që dolën nga vjelja sistematike e qindra veprave letrare e të gjinive të tjera, përsëri nën drejtimin dhe me pjesëmarrjen e tij. M. Domi ka qenë i bindur për rëndësinë e shumanshme të njohjes së plotë e sa më të hollësishme të ligjërimeve dialektore të shqipes, qoftë për studimet diakronike, qoftë për studimet në fushën e gjuhës së sotme.Ai luftoi me këmbëngulje për të zgjeruar sektorin (asnjëherë kjo nuk ka qenë punë e lehtë) dhe ndërtoi një program shumëvjeçar për të mbuluar gjithë territorin e vendit me skica e monografi dialektore. Diskutimet e punimeve dialektologjike nën drejtimin e tij dhe përfundimet e relacionet vjetore që nxirrte ai, kanë qenë një shkollë kualifikimi jo vetëm për ne të brendshmit, por edhe për një varg bashkëpunëtorësh të jashtëm. Ai ideoi edhe serinë “Dialektologjia shqiptare”, që u botua në vitet 1971-2005 (7 vëllime me rreth 3300 faqe gjithsej) krahas dhjetëra punimeve dialektologjike të botuara në revistën shkencore të Institutit. Kjo veprimtari e ndikoi për zhvillimin e hulumtimeve dialektologjike edhe në Kosovë e në Maqedoni. Kështu, me kujdesin dhe nën drejtimin e tij, dialektologjia shqiptare pati një rritje jo vetëm sasiore (numri i punimeve dhe numri i hulumtuesve), por edhe cilësore, duke kaluar nga monografitë përshkruese në punime përgjithësuese ose për çështje problemore. Të gjitha këto hapën rrugën për të ndërmarrë një vepër përgjithësuese e cilësore si “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” në dy vëllime e me mbi 1000 faqe. Vepra u hartua në vitet ’80, por u botua më 2007-2008. M. Domi ka shkruar parathënien paraqitëse e arsyetuese; gjejmë këtu një dëshmi tjetër për lidhjen e tij të ngushtë me letërsinë, kur citon shkrimtarin e shek. XIX Charles Nodier, akademik i Francës, që ka shkruar: “Kushdo që nuk ka hulumtuar me kujdes të folmet e gjuhës së vet, nuk e di këtë veçse përgjysmë.” Me këtë bindje për vlerën e madhe të fjalës së popullit, ai bashkë me mikun e tij të rinisë e të zemrës, të paharruarin Qemal Haxhihasani, redaktuan me kujdes fjalorin e fjalëve e të shprehjeve popullore që kishte lënë Aleksandër Xhuvani në copa skedash dhe e botuan pjesë-pjesë në “Studime filologjike”, gjithsej rreth 600 faqe. M. Domi ka ndihmesa të rëndësishme edhe në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ai dha lëndën e morfologjisë historike në Universitet dhe hartoi tekstin e saj, shkroi artikuj kumtesa e referate për çështje të marrëdhënieve të shqipes me ilirishten, për formimin e gjuhës shqipe dhe prejardhjen e saj, për marrëdhëniet dhe ngjashmëritë e shqipes me rumanishten, për evolucionin historik të strukturës gramatikore, për çështje të toponimisë së lashtë etj
Domi ka qenë i mirëpritur në Prishtinë e në Shkup.
Vizitat dhe ligjëratat e tij atje përbënin ngjarje. Kolegët dhe studentët e rrethonin me një dashuri prekëse dhe përpiqeshin të përfitonin sa më shumë. Gjithmonë tregonte shumë dashamirësi ndaj tyre dhe kthehej përherë i ngazëllyer. M. Domi është edhe një nga gjuhëtarët shqiptarë më të njohur në botën e jashtme. Kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me mjaft kolegë në lindje e në perëndim dhe në botën arbëreshe. Ka botuar një varg artikujsh në revista e përmbledhje studimesh me njohje ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar e nderuar albanologjinë tonë në disa kongrese e veprimtari shkencore ballkanike e europiane. Në çdo rast përpiqej të sillte sa më shumë informacion të dobishëm nga veprimtaritë ku merrte pjesë dhe diskutonte se çfarë mund të bënim edhe sipas përvojave që kishte njohur. Ndiqte me rregull të rejat në ballkanistikë e në gjuhësi përgjithësisht dhe mbante herë pas here informacione në institut, të cilat i botonte në shtypin shkencor. Njeri sistematik e i rregullt mbante gjithnjë një ditar pune, ku shënonte me shpjegime të shkurtra punët e tij të ditës. Ditarët e tij me të dhënat e pasura e të përpikta janë një kronikë e vyer për historinë e shkencave filologjike në Shqipëri.
Domi kishte një varg cilësish të admirueshme në personalitetin e në karakterin e tij.
Ishte kurdoherë i pakursyer për të dhënë ndihmesën e tij në punë nga më të ndryshmet. Ngarkohej me detyra në lloj-lloj komisionesh e forumesh dhe i kryente me përpikëri. Nuk dinte të thoshte jo, dhe kjo mirësi ndaj të tjerëve e shmangte nga punët që kishte në duar. Më 1965 në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një konferencë për të shënuar 50-vjetorin e tij. Mbaj mend se auditori i madh në katin e tretë të Fakultetit qe mbushur plot edhe me pedagogë e studentë.Fjalën e rastit e mbajti Eqrem Çabej. Duke folur për kolegun dhe mikun, të cilit i detyrohej shumë, ai vërejti (edhe me njëfarë qortimi për ta vënë pak në sedër) se “profesor Domit i mungon edhe doza më e vogël e egoizmit, ose e egotizmit, për ta thënë me një fjalë të Stendhalit.” Ndërkaq duhet njohur se autoriteti i tij i padiskutueshëm si përgjegjës i Sektorit të gramatikës e të dialektologjisë (që ishte atëherë sa gjithë Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë sot), por edhe në Institut, në Fakultet, në Universitet e në rrethe të tjera shoqërore e zyrtare, buron edhe nga ky tipar i karakterit të tij. M. Domi ka ditur të ruante, edhe në rrethana të vështira, frymën e kolegjialitetit e të bashkëpunimit dhe atmosferën pozitive të punës në sektorin që drejtonte.
Vepra shkencore e Mahir Domit është pasuri kombëtare. Ashtu si edhe vepra e themeluesve të tjerë të kësaj Akademie, ajo ka zbritur në fondin e artë të thesarit të shkencës e të kulturës sonë dhe shërben si një garanci për qëndrueshmërinë e vlerave shkencore të sotme. Por ndryshe nga ari i thesarit të shtetit që vetëm duhet të ruhet me kujdes, fondi i artë i shkencës duhet të bëhet sa më i njohur, në radhë të parë nëpërmjet botimeve të denja me kritere dhe me cilësi akademike. Lumturisht, në rastin e veprës shkencore të Mahir Domit këtë detyrë e ka marrë përsipër akademia e Shkencave dhe po e kryen me sukses një redaksi e përbërë nga nxënësit dhe kolegët e tij, prof. Enver Hysa, prof. Seit Mansaku e prof. Remzi Përnaska. Vëllimet I (2013) e II (2016) të “Veprës” përmbajnë studimet sintaksore të M. Domit, vëllimi III (2018) përmban tekstin e sintaksës për shkollat e mesme (sipas botimit të vitit 1957). Teksti është një shembull i përkryer për parashtrimin e qartë e metodik të strukturës sintaksore të gjuhës shqipe, me ilustrime nga pjesët më të bukura e më edukative të shkrimtarëve shqiptarë. Breza të tërë nxënësish kanë fituar njohuri të plota e të sakta për ndërtimin e fjalisë e të periudhës, për të parashtruar qartë, rrjedhshëm e bukur mendimet, çka është edhe detyra kryesore praktike e mësimit të sintaksës në shkollë. Ndërkaq redaksia e lartpërmendur vijon punën për vëllimet e tjera të trashëgimisë shkencore të prof. Mahir Domit. /KultPlus.com
Drejtori i ri i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është zgjedhur Aulon Naçi, përcjell KultPlus.
Naçi ka një karrierë të pasur dhe të spikatur në fushën e muzikës dhe kompozicionit. Ai ka përfunduar studimet në Konservatorin “J. Tomadini” në Udine, Itali, duke u diplomuar me maksimumin e notave dhe me titullin nderi. Më pas, ka vazhduar specializimin në Belgjikë, si asistent lektor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit për një vit.
Veprat e tij janë interpretuar dhe pritur me entuziazëm në një gamë të gjerë vendesh, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Austrinë, Greqinë, Kanadanë, Holandën, Belgjikën, Rumaninë, Slloveninë dhe shumë të tjera. Ai ka udhëhequr artistikisht aktivitete të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me emra të njohur të panoramës muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare, si ansamble dhe solistë. Disa nga bashkëpunimet më të njohura janë me Korin e Filarmonisë së Kosovës dhe solistët e Orkestrës së “Teatro Alla Scala”.
Aulon Naçi ka marrë çmime të ndryshme si kompozitor dhe kontribues në muzikë përfshirë rikthimin e tij në vendlindje si “Albanian Excellence”, “Vela Latina” dhe “Krenaria e qytetit të Vlorës”. Në vitin 2023, ai u përzgjodh për të marrë pjesë në programin prestigjioz LEAD Albania, modeluar sipas programit White House Fellows në SHBA. Po ashtu, në maj 2024, ai përfundoi programin Emerging Leaders në Harvard Kennedy School duke u aftësuar në aspektet menaxheriale dhe të lidershipit.
Në vitin e fundit, Naçi ka kontribuar edhe si këshilltar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjithashtu prej 8 vitesh është angazhuar si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Fakultetin e Muzikës për degën e kompozicionit duke dhënë kontributin e tij për ngritjen e kapaciteteve të talenteve të reja.
Përzgjedhja u bë një Juri, përmes një procesi konkurrimi platformash, të zyrtarizuar me miratim nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – MEKI./ KultPlus.com
Shumica e këtyre qyteteve, 13, janë në Indi, vendin me popullsinë më të madhe në botë, ku rritja e shpejtë ekonomike mbështetet kryesisht në përdorimin e qymyrit dhe ku qindra miliona njerëz jetojnë në qytete të mbushura me trafik dhe ndotje.
Katër qytete të tjera janë në Pakistanin fqinj, një është në Kinë dhe një tjetër në Kazakistan. Vetëm një qytet jashtë Azisë është në këtë listë: N’Djamena, kryeqyteti i Çadit në Afrikën Qendrore – i cili është emëruar si vendi me ndotjen më të keqe të ajrit.
Ndërkohë, qytetet me ndotjen më të keqe në Amerikën e Veriut ishin të gjitha në Kaliforni.
Raporti nga IQAir, një kompani zvicerane që monitoron cilësinë e ajrit global, shqyrtoi veçanërisht materien e grimcave të imëta, ose PM2.5, një nga ndotësit më të vegjël dhe më të dëmshëm. PM2.5 vjen nga burime si djegia e karburanteve fosile, stuhitë e pluhurit dhe zjarret e egra.
Grimcat shkaktojnë irritim dhe inflamacion dhe janë lidhur me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kronike të veshkave. Ekspozimi mund të shkaktojë kancer, goditje në tru ose infarkte dhe është lidhur me një rrezik më të madh për depresion dhe ankth. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub.
Byrnihat, një qytet industrial në veri-lindje të Indisë, regjistroi një koncentrim PM2.5 prej 128.2 vitin e kaluar – më shumë se 25 herë standardi i OBSH-së.
Dymbëdhjetë qytete të tjera në listën e 20 më të ndoturave janë në Indi. Kryeqyteti i saj, Nju Delhi, u rendit si kryeqyteti më i ndotur në botë për të gjashtin vit radhazi, me një koncentrim PM2.5 prej 91.8. Raporti gjithashtu përfshiu gjashtë qytete satelitë – Faridabad, Loni, Delhi, Gurugram, Noida dhe Greater Noida – duke i renditur ato gjithashtu në listë.
Vetëm vitin e kaluar, një mbulesë e dendur tymi mbuloi Delhin, duke ndërprerë fluturimet, duke bllokuar pamjen e ndërtesave dhe duke i shtyrë autoritetet të shpallnin një “emergjencë mjekësore”. Megjithatë, përgjithësisht, India – vendi me popullsinë më të madhe në botë me 1.4 miliardë njerëz – ra nga vendi i tretë në të pestin në krahasim me vitin e kaluar, sipas raportit.
Por raporti thekson se ndotja e ajrit “mbetet një barrë e madhe shëndetësore… duke reduktuar shpresën e jetës me rreth 5.2 vjet”. Fqinjët e Indisë, Bangladeshi dhe Pakistani – të cilët kanë së bashku rreth 400 milionë banorë – ishin vendet e dyta dhe të treta më të ndotura në botë përsa i përket molekulave të PM2.5, sipas raportit.
Kina – që dikur mbante vendin e parë në renditjet globale të ajrit më të ndotur – ka shënuar një përmirësim të vogël, sipas raportit. Mesatarja vjetore kombëtare e PM2.5 në Kinë ka rënë nga 32.5 mikrogramë për metër kub në 31, me përmirësim të cilësisë së ajrit në qytetet e mëdha si Pekin, Shangai, Chengdu, Guangzhou dhe Shenzhen, tha raporti.
Kina është prodhuesi më i madh i dioksidit të karbonit në botë, por vitet e fundit ka zhvilluar një fushatë kundër ndotjes së ajrit, sidomos në qytetet që kanë nxitur rritjen e saj ekonomike, dhe ka shtuar ndjeshëm prodhimin e energjisë diellore dhe erë./ KultPlus.com
Instituti Albanologjik-Prishtinë ka botuar librin shkencor “Shkrime për letërsinë” të Dr. Gëzim Aliut, bashkëpunëtor i lart shkencor në Degën e Letërsisë-IAP, njëkohësisht dhe shkrimtar e prozator i njohur dhe i vlerësuar lartë nga kritika e specializuar dhe lexuesi i tashëm shqiptar.
“Shkrime për letërsinë” është një përmbledhje e punimeve studimore për shkrimtarë të ndryshëm e të vlershëm shqiptarë, për çështje dhe fenomene të veçanta të narratologjisë, dhe probleme të ndjeshme të albanologjisë dhe kulturës.
Recensues të këtij libri janë Dr. Fadil Grajçevci dhe Dr. Meliza Kransiqi, lektor i tij është Dr. Naim Berisha, ndërsa radhitjen kompjuterike dhe ballinën e ka realizuar Endrit Aliu.
“Shkrime për letërsinë” është libri i nëntë i autorit./ KultPlus.com
(Nga takimet në Gjermani me shkrimtarin Martin Camaj)
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Poetin Martin Camaj e njihja që nga fëmijëria në saje të veprave “Nji fyll ndër male” dhe “Kanga e vrrinit”, të botuara në Prishtinë nga mesi i viteve të pesëdhjeta. Poezitë e Camajt ishin një frymëzim, që ndikoi përcaktimin tim për krijimtarinë, duke filluar nga vjershat për fëmijë, ato për të rritur dhe më vonë tek proza. Njoftimet që kishim për shkrimtarin Martin Camja, ishin paksa të censuruara nga shkaku i veprimtarisë së tij në Romë tek revista letrare “Shejza” e Koliqit, që kishte tretmanin e “shtypit emigrant antijugosllav”. Kjo kishte ndi-kuar që edhe dy përmbledhjet me poezi, të anashkalohen nga lektura shkollore, ku ishin për disa vite. Mosbotimi i tyre pa ndonjë anatemë politike, njëherësh e kishte qitë “në heshtje” edhe shkrimtarin, që kishte ndarë fatin e veprës. Kalimi i tij në Mynhen, studimet e suksesshme dhe punësimi në Universitetin Ludwig-Maximilian, si docent dhe më vonë profesor i albanologjisë, ku do të drejtojë edhe katedrën e këtyre studimeve dhe do të ndikojë që edhe në kuadër të revistës shkencore “Südost-Vorschungen“, të përfshihen tema nga albanologjia, ia kishin krijuar renomenë e një studiuesi serioz, por nuk ia kishin hapur rrugën veprave të tij letrare romanit “Djella”, poezive “Rrathët” dhe të tjera të botuar në Romë dhe Mynhen, t’u bashkohen “Kangës së vrrinit” dhe “Nji fyll ndër male”. Për to nuk kishte pasë ndonjë ndalesë “zyrtare”, por as prani në jetën letrare dhe kulturore të Prishtinës. Kontaktet me veprat e Camajt kishin studentët e tij në Universitetin e Mynhenit, ku ai ligjëronte dhe ata të rrallët që kthenin në bibliotekën e këtij Universiteti ose edhe në bibliotekën e madhe të “Südost Institut” për ndonjë hulumtim shkencor.
Duke shfletuar katalogun e “Südost Vorschungen“, hasa edhe në romanin „Djella“ të Martin Camajt. Aty ndesha edhe shënimet përcjellë-se për Camajn, ligjërues në Universitetin Ludwig-Maximilian, gjë që me një letër iu lajmërova, me dëshirën që sapo të ktheja në „Südost Institut“ për hulumtimet e mia për temën e magjistraturës rreth pasqyrimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në dokumentet gjermane, të cilat krahas Arkivit Politik të Ministrisë së Jashtme duhej të zgjeroheshin edhe në pikat tjera arkivore edhe të instituteve dhe bibliotekave të tyre, ku tashmë kisha dedikuar burime të shumta.
Nuk vonoi dhe Martin Camaj ma drodhi letrën. Ishte një letër e përzemërt, ku ai tregonte se kishte njohuri për punën time si korres-pondent i përhershëm i „Rilindjes“ i akredituar në Bon. Më shkruante se „Rilindjen“ bashkë me disa botime të tjera në gjuhën shqipe i merrte rregullisht, nëpërmes „Institutit juglinde“ të Mynhenit dhe seminarit të gjuhës shqipe pranë Universitetit Ludwig-Maximilian, ku ai ligjëronte. Me njëfarë mallëngjimi fliste për vitet e studimeve në Beograd dhe lidhjet letrare që kishte me Prishtinën, ku edhe i ishin botuar dy përmbledhjet nga mesi i viteve të pesëdhjeta, për ç’gjë falënderohej, meqë thoshte, ia kishin hapur rrugën për te thellësitë letrare, ai uji i pashtershëm, që shuan etjen e shpirtit. Më tha se në Bibliotekën e „Südost Institut“ si dhe në arkivin e Institutit të Europës Lindore (Osteuropa-Institut), me mbi 120 mijë dokumente nga hapë-sira e vendeve të Europës Lindore, ku përfshiheshin edhe Jugosllavia dhe Shqipëria, kishte shumë e shumë libra dhe dokumente që lidhen me shqiptarët dhe të kaluarën e tyre historike, kulturore dhe shoqë-rore-politike. Përmendi letërkëmbimin e De Radës me Gustav Meye-rin, një memorandum të Meyerit dërguar Kongresit të Berlinit dhe fuqive të mëdha europiane, po edhe shtypit gjerman, si dhe një Memorandum, manuscript, të Wilehm von Wiedit (Vilhelm von Vidit) nga viti 1917, dokument ky i mbetur në hije, po me interes të madh për studimin e kohës si princ i Shqipërisë dhe pas saj.
Diku në shtator të vitit 1977, në lokalet e seminarit të gjuhës shqipe të Universitetit Ludwig-Maximilian, kisha përpara poetin tim të dashur të fëmijërisë dhe të djalërisë, dhe poashtu, kisha përpara, një shkrimtar dhe një studiues, për veprat e të cilit kisha pak njohuri, pa i lexuar. Camaj, gjithë mallëngjim, zuri ngojë lidhjen shpirtërore me Kosovën, prej nga tha se „kishte shpërthye si shkrimtar“. Shtoi se aty i kishte rranjët…
Mbas pak, hapi çantën dhe ma la përpara një dosje të fryrë me letërkëmbimin e albanologut të madh gjerman Gustav Meyerit me De Radën si dhe disa letra dhe shënime të tjera nga Hora Arbëreshe, reagime gjatë dhe pas mbajtjes së Kongresit të Berlinit si dhe për ngjarjet që do ta përcjellin pavarësinë e Shqipërisë deri në vitin 1912. Aty ishte edhe fotokopja e manuskriptit „Albanishes Memorandum“ të Vilhelm von Vidit nga vitit 1917.
Pas një vizite kalimthi bibliotekës së madhe të Universitetit Ludwig-Maximilan dhe pajisjes me katalogjet e regjistrimeve në Bibliotekë, kaluam te Arkivi i Südost-Institutit. Arkivi, i themeluar në vitin 1930 nga Shteti i Lirë i Bajernit, ka mbi 160 mijë dokumente nga hapësira e vendeve të Europës Juglindore, ca prej tyre nga shekulli XIII, që kanë të bëjë me Mbretërinë e Bavarisë, Austrinë, me Austro Hungarinë, mandej, pjesën e Ballkanit e deri tek Rusia. Krahas tyre, janë përfshirë edhe mijëra dokumente nga Perandoria Osmane nga kalimi i saj në Ilirik, në shekullin XIV e deri te rrënimi mbas Luftës së Parë Botërore në “Dosja e Ilirikut”, (emërtim ky nga ai që i ishte dhënë provincës nga Perandoria e Romës në shekullin IV pas erës sonë e që kishte vazhduar edhe gjatë Bizantit për t’u kthyer në Ballkan, në gjysmën e dytë të shekullit XIX nga Perandoria Osmane nën trysninë e Rusisë). Në arkiv përfshihen disa nga raportet nga kryqëzata e tretë dhe ajo e katër 1200-1204, që lidhen me Barba-rosën si dhe Ludwigun kur ushtritë e tyre arrijnë Naisusin (Nishin) dhe prej andej i drejtohen Kostandinopojës, të cilën, në vitin 1202, do ta plaçkitin dhe shkatërrojnë për ta vendosur atë që quhet Perandori Katolike Perëndimore (1204-1267). Një pjesë e mirë e dokumenteve lidhen me luftuat austro-osmane të viteve 1696 dhe ato 1730 të drejtuara nga gjenerali Pikëllomëni, i cili nga Nishi depërtoi deri në Prishtinë e prej andej, një pjesë e forcave të tij i drejtohej Prizrenit, dhe tjetra, Shkupit, për t’u përfshirë në betejën vendimtare kundër Mustafë pashë Qypriliut, sadriazemit osman me rrënjët shqiptare. Aty, pos tjerave, pata rastin ta shoh edhe origjinalin e manuskriptit “Albanishe Memorandum” (Memorandumi shqiptar), të Princ Vidit nga viti 1917, të cilin Camaj e kishte fotokopjuar bashkë me të tjerat që m’i dha sapo u takuam.
Aty, për herë të parë, e mora ndore origjinalin e veprës “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren” te Josef Ritter von Xylan-derit, nga viti 1833 të botuar në Frankfurt. Ky botim unikat, do t’u paraprijë veprave të tjera nga albanologë gjermanë: “Albanische Stu-dien” në tri vëllime e vitit 1856 e Georg von Hahn dhe “Etymologische Wörtebuch der albanesiaschen Sprache” (Fjalori Etimolgjik i gjuhës shqipe”) i Gustav Meyerit, botuar në Strasbur në vitin 1891 dhe të të tjerave të kësaj natyre që krijuan shkencën e albanologjisë.
E veçanta e librit të Xylanderit ka të bëjë me atë se është vepra e parë ndër më kompletet nga fusha e gjuhësisë për gjendjen e gjuhës shqipe, mbështetur mbi të folmet e arvanitasve të Greqisë e shkruar nga një gjeneral i Bavarisë, ndër ushtarakët më të njohur gjermanë të kohës, i cili la pas studime të çmueshme historike dhe gjuhësore për ç’gjë u pranua anëtarë i Akademisë së Shkencave të Suedisë.
Pasditen dhe deri në orët e mbrëmjes, e kaluam në shtëpinë e Martinit në Lenggris, një katund piktoresk në skaj Mynhenit. Na priti, bashkëshortja, Erica, mjeke e njohur. Aty u njoha edhe me biblik-tekën e madhe të Martinit me rreth dhjetë mijë libra në shqipe, gjermanishte, italishte, latinishte dhe serbishte. Krahas letërsisë, pjesa më e madhe e tyre ishin nga fusha e historiografisë, gjuhësisë, ku kishte edhe enciklopedi nga ajo gjermane e “Dudenit” me 32 libra, britanikja dhe të tjera.
Tha se kjo ishte pasuria e tij më e madhe dhe më e çmueshme. Mbas një pushimi, foli e tha se këto libra do të dëshironte të për-fundonin në Bibliotekën Universitare të Kosovës në Prishtinë, në ndërtesën, si tha, ndër më të bukurat e kontinentit.
Ia ktheva se biblioteka e tij do të pasuronte Bibliotekën e Univer-sitetit të Kosovës. Kjo i pëlqeu, por shtoi se “rruga nga Mynheni deri në Prishtinë asht e largët…”
Fillimisht mendova se e kishte te largësia, që nuk paraqiste ndonjë vështirësi në rrethanat e tanishme të transportit, por pas pak e kuptova se mendjen e kishte tek krijimi i kushteve për pranimin zyrtar të tyre kur dihej se mund të pengoheshin nga pushteti, ndonëse nga Jugosllavia, si emigrant politik shqiptar në vitin 1956, për në Itali ishte larguar në përputhje me të drejtën që karta e OKB-së u garantonte emigrantëve për të zgjedhur vendin që u përshtatej. Ishte, megjithatë, qëndrimi katërvjeçar në Romë dhe puna letrare në revistën letrare “Shejzat” e Koliqit, për të cilën zyrtarët e Shqipërisë dhe ata jugosllavë njësoj mendonin, se ishte pjesë e “propagandës së qarqeve shqiptaromëdha” në Perëndim! Edhe pse Martin Camaj në Jugosllavi zyrtarisht nuk ishte ngarkuar me ndonjë anatemë “të bashkëpunëtorit” të këtyre qarqeve, megjithatë, diçka e pathënë nga kjo politikë, kishte penguar veprën e Camajt të njihet në Kosovë, ku i kishte fillimet tejet të suksesshme me dy librat e poezive (“Nji fyll ndër male” dhe “Kangët e vrrinit”) të botuara nga mesi i viteve të pesëdhjeta në Prishtinë.
“Njoh Pajazit Nushin nga koha e studimeve në Beograd.”
Në një pliko kishte futë dy nga librat e fundit (romanin “Djella” dhe librin me poezi “Rrathët”) dhuratë për të. Më tha t’ia përcjellja dëshirën time që biblioteka e tij private me mbi 10 mijë libra t’i dhurohej Bibliotekës Universitare në Prishtinë, si fondacion i shkrimtarit.
Gjatë pushimeve të verës ktheva te profesor Pajazit Nushi, aso-kohe nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Ia dhashë librat e Martin Camajt dhe i tregova për dëshirën e tij që biblioteka e tij të përfundojë në Prishtinë.
Profesor Pajazit Nushi, i mori librat dhe i shfletoi me vëmendje. Lavdëroi përgatitjen teknike të librave, me ilustrime të piktorit Gje-losh Gjokaj dhe tha se kishte respekt për poezitë e tij të botuara në Prishtinë si dhe për punën shkencore në Beograd, me ç’rast përmendi disertacionin për Gjon Buzukun të mbrojtur në Universitetin e Beo-gradit tek albanologu Henrik Bariqi.
Pa ndonjë hamendje, më tha se dhurata e Martinit Bibliotekës sonë është e mirëseardhur dhe e çmueshme. Do të pranohet në marrëveshje me autorin në përputhje me procedurën zyrtare të donacioneve nga jashtë dhe se nuk shihte kurrfarë pengese të vinin në Prishtinë. Shtoi se do ta njoftonte profesor Ymer Jakën, Sekretar krahinor për arsim dhe kulturë si dhe Sekretariatin krahinor për marrëdhënie me botën, që udhëhiqej nga profesor Ukshin Hoti, që të kryheshin të gjitha veprimet e parapara me ligj.
“Të fala Martinit dhe uroji punë të mbarë letrare”.
Pas pushimeve vjetore në Prishtinë, në shtatorin e vitit 1978, ktheva prapë në Mynhen për hulumtime disaditëshe në Bibliotekën e “Südost- Institutit” dhe në “Arkivin e Institutit të Evropës Lindore”.
Puna e parë ishte takimi me Martinin. Nga Boni ia kisha dërguar një letër me ato që kisha biseduar me profesor Pajazit Nushin. Kjo e kishte gëzuar së tepërmi. Më tha se mezi priste që të viheshin lidhjet e duhura me institucionet e Kosovës për marrjen e librave.
“Librat atje më riatdhesojnë…”
Përkundër premtimeve që kishte marrë nga drejtuesit e Bibliotekës Universitare si dhe njoftimeve se ishte bërë kërkesa zyrtare në organet federative për t’i marrë si donacione, ato nuk kishin gjetur rrugën e Prishtinës, që Martini e zuri ngoje me më-dyshje kur e hapi punën e tyre.
Nga ato që Martini dinte, procedura nga Prishtina kishte filluar dhe, kur pritej t’u hapej rruga për në Prishtinë, kishin qenë ngjarjet e marsit të vitit 1981 (demonstratat në Prishtinë), që ua kishin mbyllur atë. Rezolutat e Kryesisë së RSF-së nga maji i vitit 1981 rreth “demonstratave armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irreden-tizmit shqiptar” me qendër në Universitetin e Kosovës, siç kishte vu në shënjestër çdo gjë të kulturës, shkencës dhe arsimit kombëtar mbi bazat institucionale (Universitet, Akademi e Shkencave, Institute shkencore-hulumtuese, veprimtari botuese, teatër, balet, film e të tjera), kishte ngrirë të gjitha aranzhmanet dhe marrëveshjet kultu-rore dhe arsimore me jashtë, siç kishte pezulluar edhe studimet postdiplomike dhe ato hulumtuese shkencore të hulumtuesve nga Kosova jashtë deri tek një verifikim i ri nga organet federative!…
Edhe dy herë gjatë vitit 1980 takova Martinin në Mynhen. E mbante shpresa se do të vijë koha kur ai dhe librat e tij do të kthehen në Kosovë.
“Librat mund ta humbin rrugën, po jo edhe Martini…”
Dhe, përnjëmend, nga mesi i vitit 1991 u gjend për disa ditë në Prishtinë.
Natyrisht se adresa e parë ishte shtëpia botuese “Rilindja”, e cila, me vendimet e regjimit të Beogradit, ishte dëbuar me dhunë nga shtëpia e shtypit. Me disa nga shkrimtarët e viteve të hershme, u takua te “Elida”. Ndërsa, me dr. Rugovën, si Kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u takua në barakën e Shoqatës. Ishte një përqafim i gjatë midis dy shkrimtarëve dhe studiuesve të rëndësi-shëm të letërsisë dhe njëherësh i dy intelektualëve, njërit të përfshirë në jetën politike dhe së shpejti, që në prill 1992, do të zgjidhej President i Parë i Republikës së Kosovës, ndërsa Martin Camaj, pas çmalljes disaditësh në Prishtinë, do të kthehet prapë në Gjermani, ku më 12 mars 1992 do t’i mbyllë sytë përgjithmonë.
(Shkëputje nga “Vitet e Gjermanisë”, 2024, faqe 116-119)./ KultPlus.com
Ansambli vokal “Harmonius” mbrëmë për herë të parë është prezantuar para publikut me koncertin “Këndo me ne” në Kishën Katolike “Shën Ndou”, nën drejtimin e dirigjentes Adelinë Ndreca- Kolaj, shkruan KultPlus.
Ky ansambël në përbërje nga: Aurela Krasniqi, Aurela Murtezaj, Urata Haziraj, Elona Sadiku, Saranda Ademi- Smajlaj, Fjolla Salihu- Kadiu, Fiona Shabani dhe Rita Hyseni solli një koncert të pasur artistik në paraqitjen e tij premierë, me një repertor që përfshin vepra të zgjedhura kryesisht nga muzika “Evergreen”, me mesazhe të fuqishme për gruan, fuqinë e gruas, dhe për bukurinë e jetës në përgjithësi.
“Harmonius Vocal Ensemble” përbëhet nga tetë vajza, dhe për mision ka kultivimin dhe promovimin e interpretimit vokal në një nivel të lartë artistik përmes një çasjeje të rafinuar ndaj muzikës. Pjesëmarrja e një publiku që kishte zënë çdo cep të sallës, ishte shenja e parë e kualitative e Oktetit “Harmonious”, pjesë e të cilit janë: katër soprano, dy mezzosoprano dhe dy alto.
Ndërkaq, interpretimi i tyre me zëra të jashtëzakonshëm që përcillnin një ndjeshmëri të veçantë, të kombinuar përkushtim estetik, solli një përjetim të rrallë artistik përmes veprave: Warrior- Kim Baryluk The Wyrd Sisters, True Colors- Billy Steinberg dhe Tom Kell, Autumn Leaves- Joseph Kosma, Wake me up- Tim Bergling (Avicii), Aloe Blacc, Michael Einziger, Egbert Nathaniel Dowkins Arr. Henrik Dahlgren, La Llorona- Adrian A. Cuello Piraquibis, Java Jive- Ben Oakland & Milton.
Vepra “Bring me Little Water, Sylvie”- nga Huddie W. Ledbetter solli një atmosferë të veçantë përmes mënyrës interpretative, që përcillej me një mënyrë elegante të të kënduarit e kombinuar me duartokitje me duar dhe trup, prekje delikate dhe tinguj të krijuar me këmbë. Kurse, vepra e fundit “What a Wonderful World”- nga George David Weiss & Bob Thiele, nën përcjelljen e pianistes Kristina Palokaj- Perkola e përfshiu në interpretim edhe publikun, duke dhuruar edhe atomosferën kulmore të koncertit.
Nën emcione të shumta, dirigjentja Adelinë Ndreca- Kolaj, pas koncertit tha se interpretimi i veprave të zgjedhura sipas shijes së profesionisteve ka qenë arsyeja e mirëpritjes së “Oktetit” nga ana e publikut.
“Ishte një emocion shumë i veçantë, bashkëpunimi pas një kohe shumë të gjatë me kor të tillë. Ka qenë një mbrëmje shumë e këndshme. Si gjithmonë vajzat e kanë treguar edhe njëherë sa të mrekullueshme janë. Paraqitja jonë ka qenë premierë, pas një miniprezantimi në muajin nëntor. Repertori ka pasur një laramani veprash. Kemi vendosur të këndojmë atë që neve na pëlqen, jo atë që presin të tjerët prej nesh të këndojmë. Për ta shiuar një vepër 100% duhet që ansambli fillimisht ta shijoj këngën që e këndon. Besoj që ja kemi dal”, ka thënë dirigjentja Ndreca-Kolaj.
Ajo më tutje tha se nëse kori gjen mbështetje, tendencat janë që performancat të vazhdojnë edhe në qytete të tjera, e pse jo, edhe jashtë kufijve të Kosovës.
“Gjithmonë kemi marrë komente të mira nga kolegët, por të kesh prezent një numër kaq të madh të njerëzve, për ne ka qenë një nder i madh. Normalisht, na ka bërë të ndihemi shumë mirë dhe na ka shtyen të vazhdojmë tutje me programe të tilla, me diçka jo shumë të zakonshme në Kosovë. Nëse kori gjen mbështetje, ka tendenca që të performojë edhe në qytete të tjera, e si dihet, pse jo edhe jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë dirigjentja Ndreca- Kolaj.
Ndërkaq, sopranoja Elona Sadiku ka thënë se ndihet krenare për nivelin e treguar artistik, qysh në paraqitjen premierë të “Harmonius Vocal Ensemble”.
“Performanca ka shkuar edhe më mirë se sa që e kam pritur, për faktin që “Harmonius Vocal Ensemble”është një ansambël i ri, andaj edhe pritshmëritë e mija kanë qenë më të pakta se sa ajo që është arritur sonte. Mund të them që ndiej krenari që jam gjendur mes disa grave dhe vajzave të mrekullueshme. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme interpretimi përkrah tyre”, ka thënë sopranoja Sadiku, e lumtur për një pjesëmarrje të madhe të publikut në sallë.
“Si ansambël i ri jemi shumë të lumtur për prezencën e shumë njerëzve. Na kanë nderuar me prezencën e tyre, e ne besoj e kemi bërë po të njejtën gjë duke përçuar emocionet më të thella te ata”, ka përfunduar Sadiku.
“Harmonius Vocal Ensemble” është themeluar në tetor të vitit 2024./ KultPlus.com
Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, po përfaqëson vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit.
Pas muajsh analizash të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura përmes teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, ajo do të prezantojë studimin e saj të enjten në mëngjes me temën: “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families”.
Përveç prezantimit të hulumtimit të saj, Hyseni do të ketë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, duke përjetuar nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë.
Si e vetmja përfaqësuese nga Kosova, ajo e konsideron këtë një moment të rëndësishëm për vendin, duke e vendosur Kosovën në hartën e shkencës planetare.
“Të shkruash për serenatën korçare është njësoj sikur të duash të tregosh një ëndërr që e ke parë në një natë maji, kur protomajaja ka çelur te pragu i portës dhe hëna ka dalë si një perëndeshë mbi fronin e blertë të malit të Moravës dhe përzien rrezet e saj të arta me lulet erëkëndshme, kurse zëri i bilbilave me jonet e veta e shpie shpirtin në lëndina përrallore…”. Këtë pasazh veçon në librin e tij të titulluar “Serenata, himni i dashurisë korçare” shkrimtari Vangjush Ziko, duke i sjellë Korçës në kujtesë atë që e bën të quhet qyteti i serenatave.
“Është e pafalshme që ta lëmë serenatën në harresë, edhe pse kjo gjini muzikore e spikatur vetëm në Korçë tashmë e ka mbyllur ciklin e saj”, thotë Ziko. Malli i mërgimit në Kanada, por edhe mosha afro 75-vjeçare, nuk e kanë lënë të qetë për të kërkuar rrënjët e serenatës korçare, brezat e këngëtarëve të saj, personazhet që edhe sot e kësaj dite Korça i mban për emblematikë etj. Qysh i ri, pas përfundimit të studimeve për letërsi në Moskë, Vangjush Ziko ka qenë aktiv në jetën kulturore të qytetit të tij të lindjes dhe pjesë të veprimtarisë artistike ka qenë edhe serenata. Jo më kot, ai na rikthen me nostalgji “jetën” e serenatës në Korçë.
Origjinaliteti i serenatës korçare
Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore korçare. “Për hir të së vërtetës duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, jo vetëm të Qefalonisë në Greqi, por edhe të serenatave italiane dhe spanjolle”, përmend në librin e tij Vangjush Ziko. Sipas tij, këtë e dëshmojnë edhe tekstet e disa serenatave të përkthyera nga këngë greke prej Spiridon Ilos dhe Loni Llogorit. Kurse në këngën “Zyhra”, të kënduar nga këngëtari bohem Petro Dula ndihen motivet e këngëve orientale. “Nuk është aspak i çuditshëm apo i dënueshëm ndikimi i serenatës italiane apo qefaloniane në serenatën korçare. Qefalonia është porta nga hyri serenata në Gadishullin Ballkanik. Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë”, na thotë Vangjush Ziko. Atij i kanë rënë në dorë tri fletore me tekste serenatash të shkruara prej serenatistit Sotiraq Mite. Në to, autori ka dëshmuar se mjaft prej serenatave janë origjinale në tekst e muzikë, e për disa të tjera pohon me sinqeritet se janë të përkthyera nga tekste të serenatave greke, italiane apo spanjolle. “Këto dëshmi flasin jo vetëm për raportet e serenatës korçare me serenatën mesdhetare, por edhe për sinqeritetin profesional dhe karakterin korrekt të një prej kantautorëve më të përkushtuar, më prodhimtarë dhe më popullorë, i quajtur princ i serenatës korçare, Sotiraq Mite”, thekson Ziko. Do të duhej patjetër njëfarë kohe, që kjo përvojë e re e mbartur të “alkimizohej” me shijen dhe me traditën muzikore vendase. Kështu, me krijimin e shoqërive kulturore zyrtare si klubi “Rilindja”, nën drejtimin e profesor Spiro Kondës, shoqëria “Djelmuria korçare”, shoqëria e Arteve të Bukura, e korit “Lyra” etj., filluan të krijohen e kompozohen shqip edhe këngë dashurie përveç këngëve patriotike. Serenata korçare nisi të marrë tipare origjinale. Kjo krijimtari mori hov veçanërisht në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe në vazhdim kur po njiheshin edhe autorët e këtyre serenatave. Në vitet që pasuan, bëhet fjalë kryesisht për krijime të mirëfillta dhe me plot gojën mund të thuhet se bëhet fjalë tashmë për serenatën origjinale korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm. Apoteoza e serenatës është lëvizja e lehtë e perdes së dritares, që zëvendëson duartrokitjet dhe drithërimat e sallës. Serenata është shumë më modeste edhe për instrumentet muzikore. Asaj i mjafton një mandolinë apo kitarë. Në fillimet e saj i mjaftonte vetëm fyelli… Pas çastit të ekzekutimit të saj të parë, “premierës” nën dritare, serenata fiton “qytetarinë” e saj për t’u kënduar në rrugë, gosti, në dasma e kudo.
Serenata në shtatë breza
Sipas Vangjush Zikos, serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza serenatistësh. Grupi i parë u përket viteve 1860-1880, ku merrnin pjesë Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, L. Osmanlli etj. Një grup tjetër i njohur në kohën e vet përpara vitit 1913 ishte ai i Nodhi Lakos, këngëtar dhe instrumentist, Sotir Dakos, Petraq Pilkatit, Taqi Fundos. Ndërsa kantautori më i njohur i viteve ‘50 të shekullit të kaluar mbetet Sotiraq Mite. Grupe të tjera të reja të shekullit të kaluar janë “Trëndafili i kuq” me kantautor Sotiraq Qano, Naskë Kondili, Gjergji Peleshi, Naskë Bicolli, Nesti Miska, Aristidh Themeli etj. Vijojnë grupe të tjera serenatistësh, si ai i kantautorit Ilia Vinjau, grupi me Ridvan Shëllirën, grupi i kantautorit më në zë aktualisht në Korçë i Mihallaq Andreas, ai i Tomi Kondakçiut, i Nonda Kajnos, i Maksi Kullës, kantautorët e tjerë si Vaskë Gaqi, Ilia Peleshi, Vaskë Nico. Ata që kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë serenatën korçare janë të panumërt në këtë qytet. Në Korçë janë të zakonshme familjet që kanë pasur nga dy apo tre breza serenatistësh. Një nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli. Ata këndonin familjarisht me burra dhe gra, zakonisht në oborr apo në shkallët e gurta të shtëpisë së tyre në qendër të qytetit te lulishtja e “Themistokli Gërmenjit”, që njihet edhe si një nga qendrat burimore më të hershme të serenatës korçare. Të moshuarit tregojnë edhe sot për atë traditë të bukur që kishin në rininë e tyre të largët për t’u mbledhur e për të kënduar tok në “pare” ose siç u quajtën më vonë edhe shoqëri. Ata mblidheshin për të kënduar dhe për t’u argëtuar duke ia shtruar me të gjithë të mirat, me sebep dhe pa sebep. Këndonin në dasma dhe fejesa, për të kremtuar ditët e emrit. Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara. Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatistëve të të gjitha brezave në vite. Magjia e këngës korcare
Këngët kushtuar Korçës, Vangjush Ziko i quan me plot gojën serenata të vërteta dhe të merituara për këtë qytet që jo më kot, atëherë kur kishte lulëzuar serenata u quajt edhe “Paris i Vogël”. Me Korçën janë dashuruar dhe i kanë kënduar edhe të huajt që e kanë njohur këtë qytet, pasi kanë zbuluar bukurinë dhe magjinë e serenatës. “Serenatistët e vjetër tregojnë me krenari dhe buzëqeshje se nuk mbahet mend asnjë rast,asnjë incident në sokakët e Korçës të atyre viteve të largëta, që të kenë dalë pleq me dolloma ose plaka me shami në kokë dhe t’i kenë sikterisur apo mallkuar djemtë e serenatave kur u këndonin bijave apo mbesave të tyre. Vetëm në një rast, kur një bukuri e rrallë korçare dëgjoi se i këndonin poshtë dritares serenatë me pllaka gramafoni, doli dhe hodhi kovën me ujë mbi kokën e atij që kishte kurdisur veglën muzikore”, na rrëfen dëshmitë e qytetarisë Vangjush Ziko. Dashuria korçare kalonte sokakëve të qytetit me kitarën e hedhur në sup, duke ronitur xixëllimat e telave të saj të argjendta mbi kalldrëm. Grupi i serenatistëve, i veshur si për ditë të kremte, si dhëndurë me shamiçkën e bardhë në xhepin e vogël të xhaketës këndonte serenatën më të re. Dashuria korçare këndonte himnin e vet të pavdekshëm; Serenatën! Ridvan Shëllira, një serenatist i vjetër korçar, tregon një histori nga netët e panumërta kur këndonin me kitarë. “I kënduam një bukurosheje nga mëhalla e lumit e na dëgjoi pa e hapur dritaren. Pa e lëvizur perden fare. Ne ishim të sigurt se ajo na dëgjonte, sikur ia ndjenim në sokak frymëmarrjen e saj të shqetësuar. Puna ishte pse nuk na dha ndonjë shenjë, se serenata nuk impononte njeri. Por jo të gjitha vajzat që u këndonim përgjëroheshin për ne. Kur po largoheshim nga bukuroshja që nuk na përfilli, u hap një portë përkarshi. Del një i moshuar dhe na ftoi brenda se na kishte dëgjuar, por dëshironte akoma të këndonim. E kush nuk i ka ndier me shpirt serenatat! Kemi kënduar serenata edhe në vdekje, sepse serenata edhe pikëllimin e vdekjes e vë poshtë”. Për magjinë e serenatës tregojnë edhe një ndodhi tjetër. Familja e vjetër tregtare e Kaçadanëve në Korçë kishte përjetuar shumë fatkeqësi radhazi. Dera e kësaj shtëpie qëndronte vazhdimisht e mbyllur, i kishte pllakosur zija. Pareja e serenatistëve shkoi një mbrëmje dhe trokiti në portën e tyre. E hapi plaku i shtëpisë, por kur pa grupin e djemve me kitara dhe mandolinë u mbylli derën me nervozizëm. Ndërkohë, një nga djemtë kishte arritur të vinte këmbën dhe e kishte penguar derën të mbyllej plotësisht. Të rinjtë këmbëngulën të hyjnë brenda, duke i thënë plakut se kishin ardhur t’i jepnin asaj shtëpie çaste të gëzuara dhe ta prishnin atë zi që i rëndonte jo vetëm familjes, por edhe mëhallës dhe tërë qytetit. Plaku i lejoi më në fund të hynin dhe serenatat që u kënduan me gjithë shpirt e sfiduan vdekjen e zinë që kishte pllakosur shtëpinë e Kaçadanëve, e cila kishte djem e vajza të tjera për të martuar. Serenata ka lidhur me martesë edhe djem e vajza, pasi prindërit nuk pranonin në fillim dashurinë e tyre për shkaqe sociale, sepse ajo nuk ishte vetëm këngë e qejfeve, e mallit përvëlues dashuror, por edhe emancipimit dhe gëzimit të jetës.
Femrat serenatiste
Emancipimi që solli serenata në jetën e qytetit përfshiu edhe femrat korçare, të cilat nuk qëndruan vetëm duke i dëgjuar këngët e dashurisë pas perdes së dritares, por i krijuan dhe kënduan edhe vetë ato. “Serenata është një qelq ku brenda saj rreh një zemër e kristaltë”, ka thënë e para serenatiste korçare, Spanja Pipa. Spanja, që ishte me fat, sepse vinte nga një familje që e dashuronte muzikën, ishte nga të parat vajza që u ngjit në skenë dhe këndoi serenata para publikut korçar. Repertori i serenatave të saj nuk është i madh, por as i vogël. Ka të regjistruar në diskun e saj dhjetë këngët më të dashura për të, këngë që i kushtohen mallit të dashurisë. “Serenatat i këndojnë hapur dhe sinqerisht dashurisë. Shumë dhimbje që këndojnë serenatat janë dhimbje të asaj kohe kur dashuria duhej të mbahej e fshehtë”, thotë Spanja Pipa. Ajo kujton bashkëpunimet me Aleko Skalin e Pirro Manin kur flisnin për serenatën korçare dhe shpreheshin se gurët e rrugëve të Korçës ruajnë shumë kujtime, por edhe shumë të puthura. Vajzat korçare i kanë kënduar serenatat në mjediset e shtëpisë apo edhe në dasma për qejfet e tyre. Gjithashtu i kanë krijuar brenda mureve të shtëpisë dhe po atje i kanë kënduar dhe dashje pa dashje janë bërë pronë e grupeve të serenatistëve të qytetit. Vasilika Bimbli, sot në moshë të thyer, ka krijuar para më shumë se gjysmë shekulli serenatën e titulluar “Sikur ta dinte zemra jote”. Një tjetër pinjolle e kësaj familjeje, Jorgjeta Lalazi, këndon edhe sot në skenën korçare me zërin e saj të ëmbël e pasionant serenatat. “Korçarët e brezit tim nuk e harrojnë këngëtaren e talentuar Pavlina Nika, e cila është e para që ka kënduar përveç serenatave korçare, edhe serenatat spanjolle në skenë”, shkruan Vangjush Ziko. Këngëtare të tjera të serenatës dhe që vazhdojnë ta interpretojnë akoma janë edhe Eli Fara, Lazarela Deti, Mimoza Paraveli, Ermira Kola. Nuk mund të lihet pa përmendur Ermira Babaliu, aktualisht në emigrim në SHBA. Ajo jo vetëm e ka kënduar me shumë pasion serenatën, por është pikërisht kjo këngëtare, që cila në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, kur “bilbilat” e serenatës u detyruan të heshtnin, të këndonin nëpër rrugë, që i mbajti të freskëta serenatat me koncertet e saj.
Bilbilat e serenatës heshtin…
Kantautorët dhe serenatistët e brezit të viteve ‘60-‘70, veçanërisht ata të brezit të gjashtë, tregojnë peripeci sa qesharake edhe të trishtuara. Serenata që kishte qenë për dekada me radhë një stoli e mbrëmjeve korçare, një sonatë hënore, shpallej e ndaluar, se prishte gjumin e qytetarëve, të vajzave që nuk duheshin “shqetësuar” sepse shumë prej tyre punonin në turnet e natës. Serenatat nëpër rrugë dhe oborre ishin bërë të padëshiruara për pushtetin e ri. Bilbilat e serenatës dalëngadalë heshtën, nuk u dëgjuan nëpër rrugët e Korçës këngët e tyre. Serenatat këndoheshin vetëm në mjedise të mbyllura. Serenatistët e atyre viteve kujtojnë se ata që guxonin të dilnin me kitarë rrugës, i merrnin dhe i mbyllnin për një natë në polici. Për peripecitë e tij si këngëtar i serenatave ka treguar edhe kantautori Mihallaq Andrea. Atij nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta dhe punoi në një gurore. Veten e ka në personazh të një romani, dhe shprehet se në atë kohë ecte si një xhanaze dhe qante. Po çfarë kishte bërë? Vetëm kishte kënduar. Serenatistin Tomi Kondakçi e arrestuan dhe e burgosën duke ia ndërprerë për tetë vjet pasionin e tij për serenatën, por pa mundur t’ia shuajnë këtë pasion. E vërteta ishte se serenatat i pëlqenin shumë udhëheqës dhe militantë të partisë, sidomos korçarë, por ato i këndonin në rrethe të ngushta. Ky qëndrim i egër e përshpejtoi venitjen e parakohshme të serenatës në Korçë. Tani, në një periudhë që Vangjush Ziko e quan “Post-serenata”, kjo gjini muzikore nuk mund të krijohet më si dikur, me gjithë dëshirën e mirë dhe nostalgjinë që kemi për të. Ajo e mbylli ciklin e vet dhe atë mision historik të emancipimit shpirtëror, intim e shoqëror që pati në vitet e kaluara. Megjithatë, kantautorët e serenatës korçare bëjnë përpjekjet e tyre për rinovimin e saj, duke qenë në kërkim të atij kufiri që do ta mbante formalisht serenatën brenda kërkesave të gjinisë së saj. Por, shkëputja e serenatës nga sfondi i saj tipik, nga “skena” e rrugës po e shpie drejt gjinisë tjetër, këngës lirike që ngjitet në skenë dhe jo nën dritaren apo ballkonin e vajzës. Serenatës tani i mungon ritmi i trokitjeve të një zemre, që rreh e lumtur pas perdes së dritares, duke e ndier veten një perëndeshë, së cilës i kanë rënë në gjunjë dhe i betohen për adhurim të përjetshëm. / KultPlus.com
I kërkova mikut tim floqar, Ahmet Likës ndonjë dokument që lidhet me Rushan Beun, personalitet i lartë ushtarak dhe mik i afërt i Ataturkut. Ai ka ruajtur me kujdes skrupuloz, disa letra e fotografi interesante. Letra “flet” për dasmën në Stamboll të Myzejenit, vajzës së Rushanit. E ka nisur ta shkruajë Selman Hasa, daja i Rushanit nga Goskova më datën 18/8/1937 dhe e ka përfunduar të nesërmen, ditën e enjte. Ja si tregon Selmani:
Më 14/8/937, të shtunë u bëmë hazër të gjithë…Vajtmë në skelë të Ysqydarit…duallëm në Istambull…gjene hipmë otomobilrat. Më ora 7 vajtmë në Tokatlijan Hotel që ishte marë me qira për atë natë me 1400 lira turke…sallonet poshtë ishin bashkuar dhe ishte bërë një mejdan i madh sa selishta që kemi neve (dy killë farë)… Kur vajtmë neve, dhëndërri ishte atje me gjith t’ëmën e të vëllezërit. Për Myzejenin ishin bërë hazër tri oda që të nisej nuse. Neve, burrat e shtëpisë ndenjëm në sallonet për të pritur mysafirët. Për të nisur Myzejenin nuse kishin ardhur katër matmazele që më 7 e gjer më 10 të natës…Nga ora 20 e gjysëm allafrënga deri më ora 22 u mbushën sallonet me gra e burra ataturktë ftuar.
Kishte afër 600 shpirt të ftuar. Në mes të tyre ishte edhe çupa e Ataturkut…që e quakëshin Sabiha Gokçen. Më ora 22 erdhi nusja me gjith dhëndërrin…Ata gjezdisnë tërë sallonet pastaj i puthnë dorën Rushan Beut dhe Mynires dhe vjehrrës…Më tej çifti nisi dancin. Pas tyre filluan dancimin gjith të ftuarit…Edhe Rushan beu me Myniren dhe me vjehrrën lojtnë danc. Më ora 23 e gjysëm u hapnë bufetë për të ngrënë e për të pirë. Orkestra përbëhej prej 24 vetash. Tamam në ora 24 telefonuan që do të vinte Ataturku… Ai mezi erdhi në ora një të natës pasi ishte larg Istambullit një saat me automobil. Rushan beu, Mynirja, djemtë, nusja me dhëndërrin e pritën te porta e hotelit. Muzika i binte marshit dhe njerëzia durtrokiste. Sapo zuri vënd në trapezë, Qemal Ataturku. Ai mori në të djathtë të tij Rushan beun…në të mëngjër mori Myzejenin, dhëndërin dhe Myniren e pas saj ca ministra. Pasi ngriti një dolli dhe uroi çiftin, Ataturku dancoi me Myzejenë dhe ja dha Rushan beut i cili pasi bëri danc me çupën e tij e çoi atë te dhëndërri për të vazhduar dancin…Dasma u ndez. Të gjithë zunë të loznin danc. Ataturku u ngrit disa herë e bëri dancim me të tjerët…
Ataturku ndenji gjer në shtat e gjysëm të sabahut allafrënga pastaj u largua. Sa ishte në dasëm, shumë herë u përqafuan me Rushan beun. Ai foli në dasëm, uroi çiftin e miqtë, por foli edhe për dashurinë dhe miqësinë që paska patur ai për Rushan beun. Edhe Rushan beu iu përgjigj me një fjalim fort të bukur. Njerëzit që shoqëronin Ataturkun ishin ministra, deputetë dhe gjeneralë. Ataturku i dha 1000 lira turke Myzejenit për të blerë ndonjë gjë si dhuratë nga ay… Llafi i shkurtër është ky: Çupa jonë, Myzejeni u martua si një bijë pe mbreti…dhe vajti te një saraj që ka ndënjur bij e mbretit…Shtëpia e Myzejenit duket fare mirë nga neve. Është në majë të Çamllixhesë, më lart nga të tërë viset e Istambullit…Pe shtëpisë së Rushan beut është larg 10 minuta me otomobil, si Goskova me Porodinën. …Si ta këndoni juve këtë letër (të afërmit në Goskovë – F. Sh.) t’ia jepni Myrtezait. Dy ditë le të rrijë ne ata. Pasdaj t’ja u epni edhe Naxhiut. Të rrijë dy ditë në Floq, ta këndojnë mirë edhe ata. Pazdaj ta merrni dhe ta ruani gjer të vij unë… * * * Pasi u përcolla këtë fragment letre të nderuar lexues, po e shikoj me vëmendje fotografinë ku duket në vallëzim Ataturku me Myzejenin, vajzën floqare…Ky njeri, Mustafa Qemal Pasha, frymëzues dhe drejtues i revolucionit turk që rrëzoi sulltanin në nëntor të vitit 1922, president dhe themelues i Turqisë moderne, teformator i madh dhe mik i afërt dhe i sinqertë i shqiptarëve, pikërisht ky që po vallëzon me këtë vajzë nga Floqi i Korçës, pas një viti, më 10 nëntor 1938, në orën 9 të mëngjezit do të vdiste në pallatin Dollmabahçe në moshën 57 vjeçare./ KultPlus.com
Martin Camaj ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.
Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.
Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.
Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 21 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.
Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.
Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.
Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.
Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të 1956) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.
Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.
Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.
Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emërtuar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.
Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.
Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991. / KultPlus.com