Muzeu Historik Kombëtar në prag të rikonstruksionit rrënjësor

Pas 43 vjetësh nga krijimi, Muzeu Historik Kombëtar do t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe rikonceptimit muzeal.

Do të jetë një operacion i jashtëzakonshëm, i udhëhequr nga “Casanova & Hernandez Architects”, Hollandë, mbështetur në analizën e një skuadre profesionistësh të shkencave albanologjike.

Në një postim online MHK bën me dije se, interesi i madh i publikut vendas dhe të huaj, që është çdo vit në rritje, solli nevojën për investimin më madhor për vitin 2024. Investimi mbështetet nga fondet e Bashkimit Europian dhe buxheti i shtetit e pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në qasjen e publikut te historia dhe elementet thelbësore të identitetit tonë kombëtar.

Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar për vitin 2023 arritën në 99796 persona. Kjo shifër ishte 80% më e lartë, në krahasim me vitin 2022, vit kur u regjistruan 55306 vizitorë gjithsej.­/ atsh / KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, në 9 muaj, më shumë se 71 mijë vizitorë

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, publikoi shifrat e vizitueshmërisë së 9 muajve të fundit.

Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar në 9 muaj, për periudhën janar-shtator 2023, llogaritet të kenë arritur në 71328 persona. Kjo shifër është shumë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vizitorët ishin vetëm 38776 persona. Krahasuar me 2022, rritja është me 84% më shumë vizitorë.

Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./atsh/KultPlus.com

Busti i Papa Klementi XI Albani-t vendoset në Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Fondacioni “Papa Klementi XI Albani” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, organizuan ceremoninë e dhurimit së bustit të Papa Klementi XI Albanit në ambientet e pavijonit të mesjetës. Muzeut Historik Kombëtar iu dhuruan edhe disa dokumente kushtuar Papa Klementi XI Albanit.

Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe të ftuarve të shumtë. Zef Bushati, President i Fondacionit Papa Klementi XI-Albani bëri përshkrim të rrugëtimit të bustit të Papa Klementi XI Albanit. Si kishte lindur idea dhe si u realizua busti në sajë të donacionit të familjes Barattini.

“Më 18 dhjetor 1700, Albani u kurorëzua papë në Lateran të Romës. Krenaria e origjinës shqiptare u rishfaq edhe në momentin që ai u zgjodh papë, sepse emrit të tij të papërisë, që përkonte me emrin e lavdishëm të fisit shqiptar të Kelmendit do t’i shtonte edhe mbiemrin e tij Albani, për tu dalluar përpara gjithë botës se ishte shqiptar. Në këtë mënyrë ai praktikonte të dy emrat Klement dhe Albani, duke i motivuar ato me botën shqiptare, sepse njeri emër ishte i një fisi të famshëm shqiptar, dhe emri tjetër i vetë popullit shqiptar, të cilin e kishte në shpirt”, shpjegoi drejtoresha e Muzeut Historik Kombëtar, Entela Çipa.

Busti i Papa Albanit ne Muzeun Kombetar. / atsh / KultPlus.com

Muzeu Historik aktivitet mbi firmëtarin e Pavarësisë, Pandeli Cale

Muzeu Historik Kombëtar me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Pandeli Cales (1874-1923), nënshkrues i Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministri i parë i Bujqësisë, Tregtisë dhe Industrisë, organizoi aktivitetin me temë “Objektet e Pandeli Cales në Muzeun Historik Kombëtar”.

Një nga objektet e Pandeli Cales janë dylbitë, të cilat i janë dhuruar Muzeut Historik Kombëtar nga e bija e tij Konstanca Prodani.

Fjalën e rastit e mbajti Andrea Llukani, i cili foli për jetën dhe aktivitetin e Pandeli Cales.

“Pandeli Cale ka lindur në Korçë. Studimet e larta i kreu në Kajro të Egjiptit. Mori pjesë në mbledhjen e shqiptarëve të Bukureshtit si dhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës në vitin 1912. U zgjodh ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali. Mbështeti mbajtjen e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920 dhe ishte deputet i Korçës në vitet 1920-1922”. tha Llukani.

I ftuar nderi në aktivitet ishte studiuesi Ilir Ikonomi, i cili foli rreth rrugëtimit të firmëtarëve të pavarësisë.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të një cikli me leksione të hapura me temë mbi trashëgiminë kulturore dhe historinë dhe është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku./ atsh / KultPlus.com

Promovohet katalogu i artit pasbizantin në Muzeun Historik Kombëtar

Sot, në ambientet e pavijonit të ikonave pasbizantine, Muzeu Historik Kombëtar bëri promovimin e katalogut “Ikonat pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar” në gjuhën angleze, të autorëve dr. Dorian Koçi dhe Andrea Llukani.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare për të përmbushur misionin e tij, ka botuar katalogun në gjuhën angleze “Post-Byzantine Icons in The National Historical Museum.

Pavijoni i ikonave pasbizantine është ngritur në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në mjediset e këtij pavijoni janë ekspozuar rreth 70 ikona pasbizantine, një proskinitar, dyer të bukura dhe një ikonostas. Objektet përfshijnë një hark kohor që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.

Në katalog ka ikona të ikonografëve Onufri, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Joan Athanasi vëllezërit Zografi, vëllezërit Çetiri, anonimë dhe Mihal Anagnosti. Katalogu ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen ikonat pasbizantine, ndërsa në pjesën e dytë, objektet liturgjike kishtare prej ari dhe argjendi.

Materiali është renditur sipas radhës kronologjike. Për jetën dhe veprimtarinë artistike të piktorëve ikonografë, autorët janë mbështetur te mbishkrimet kishtare, që ata kanë lënë mbi ikona, afreske ose objekte liturgjike kishtare. Katalogu mbyllet me një fjalorth, me anën e të cilit shpjegohen veshjet kishtare dhe enët e shenjta që përmenden në tekst./ atsh / KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar informon fëmijët për rëndësinë e xhubletës

 Sektori i Programeve Edukative pranë Muzeut Historik Kombëtar shkoi në shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” për të organizuar veprimtarinë informuese dhe argëtuese “E Ka Kush E Ka” – “Xhubleta”, me mbështetjen dhe ndihmën e CHwB Albania.

Nxënësit mësuan për rëndësinë e xhubletës, e cila identifikon trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar.

Në fund nxënësit u argëtuan duke prerë figurat dhe duke i ngjitur ato sipas modelit të dhënë.

Nëntorin e kaluar, pas një pune të gjatë, plot përkushtim, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta është një veshje tradicionale e shqiptareve, veçanërisht e zonave malore.

Ky kostum dhe dijebërja e tij ka udhëtuar shumë në kohë, duke treguar për gjurmët e qytetërimit ilir në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin në mënyra në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbole që na sjellin mesazhe të cilat ende dhe sot një pjesë prej tyre nuk mund ti shpjegojmë dot./KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, 55,306 vizitorë në vitin 2022

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të mbetet një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.

Në 2022 ky muze mirëpriti 55,306 vizitorë. Shifrat e vizitorëve janë bërë të ditura në një postim në rrjetet sociale të Muzeut Historik Kombëtar.

Muzeu bën të ditur se, “gjatë 2022 numri i vizitorëve ishte 55,306, ose 230% më shumë vizitorë në total në krahasim me vitin 2021, ku numri i tyre ishte 16,757. Në krahasim me vitin 2020 është 893% më shumë vizitorë, ku numri i tyre ishte 5,571”.

Gjatë këtij viti në muze janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore për historinë e vendit, si dhe konferenca të mirëfillta shkencore.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./atsh/ KultPlus.com

Historia e Kosovës përmes fotove të paekspozuara më parë në Muzeun Historik Kombëtar

Ekspozita “Mos Harro” me kurator historianin Ragip Zekolli, është hapur sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Ekspozita flet për dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, luftën çlirimtare të UÇK-së, përkrahjen e NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe për plagën e të pagjeturve në luftën e Kosovës.

Rakip Zegolli tha se ekspozita përfshin ngjarjet më të rëndësishme e më të dhimbshme për Kosovën, që nga sulmet e 24 majit e deri me krijimin e institucioneve të pavarura.

Pjesa e parë e ekspozitës përfshin dhunën, terrorin e gjenocidin serb. Pjesa tjetër është për të pagjeturit.

“Kjo ekspozitë përmban dhimbje. Pas çdo fotoje qëndrojnë dhe dhjetëra të tjera që s’kam mundur t’i publikoj”, shprehet historiani Zekolli.

Profesori ka deklaruar se shumica e këtyre fotove publikohen për herë të parë. Ekspozita e tij është ftuar të shkojë edhe në Shkup, ndërkohë që vetë kuratori i saj, thotë se vitin e ardhshëm ka synim ta cojë në të gjitha qendrat europiane me qëllim ndërgjegjësimin për të bërë më shumë për Kosovën pas 22 vitesh. /atsh /KultPlus.com

Si sot, 41 vjet më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar

Si sot, 41 vjet më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar. Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.

Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi e shumë të tjerë.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. / KultPlus.com

Ekzpositë ku pasqyrohet miqësia tradicionale mes dy popujve

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, me rastin e Javës Kulturore Kineze u hapekspozita e fotografive historike kino-shqiptare. Përmes fotove, kjo ekspozitë pasqyron miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet mes dy popujve.

Ekspozita u hapnë praninë e personaliteteve nga fushat e artit dhe diplomacisë, si dhe të të ftuarve dhe qytetarëve nga Tirana.

I pranishëm në këtë veprimtari, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, Zou Ding, shprehu mirënjohjen për realizimin e kësaj ekspozite fotografiko-historike, ku janë fiksuar çaste mbresëlënëse dhe të çmuara nga miqësia mes dy vendeve tona.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, tha se është nder dhe kënaqësi që hapja e Javës Kulturore Kineze përurohet në Muzeun Historik Kombëtar. Më tej ai vuri në dukje se Shqipëria dhe Kina janë dy partnerë të rëndësishëm edhe në fushën e artit e të kulturës, duke nënvizuar se, herë pas here, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, në Muzeun Historik Kombëtar janë organizuar mjaft veprimtari që kanë bërë të njohura për publikun thesaret e trashëgimisë kulturore.

Ambasadori kinez shpërndau gjatë kësaj ceremonie një album grafikësh e skulpturash të “Skulptorit të Popullit”, Mumtas Dhrami, album i realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Kinës dhe që përmbledh punë të artistit, të realizuara gjatë qëndrimit të tij në Republikën Popullore Kineze, në 1967.

“Ftuam posaçërisht  Z.Dhrami, skulptorin dhe piktorin e njohur që mori pjesë në 18-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1967, për të ardhur në skenë dhe për të na sjellë albumin e tij të shkëlqyer. Kanë kaluar 55 vite nga vizita e fundit e Z.Dhrami në Kinë. Kina ashtu edhe Shqipëria kanë patur ndryshime të tyre, por miqësia mes dy vendeve është mbetur të palëkundur dhe bërë edhe më të fortë me kalimin e kohës”, u shpreh ambasadori kinez.

Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë e hapur për vizitorët përgjatë gjithë javës kulturore kineze. /atsh /KultPlus.com

FOTO: ATSH
FOTO: ATSH

Mbi 30 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të mbetet një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet.

“Nga janari deri në fund të gushtit Muzeu Historik Kombëtar është vizituar nga 30 983 vizitorë, nga të cilët 15 198 të huaj dhe 6342 vendas”, bëri të ditur Muzeu Historik Kombëtar në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Muzeut Historik Kombëtar, gjatë muajit gusht muzeu është vizituar nga 9 101 vizitorë, nga të cilët 5153 të huaj dhe 2302 vendas.

Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Gjatë këtij viti në muze janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore për historinë e vendit, si dhe konferenca të mirëfillta shkencore.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve./atsh /KultPlus.com

Mbi 5 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë bilancin e vizitorëve përgjatë muajit korrik.

Shifrat tregojnë për një numër të madh vizitorësh, vendas e të huaj, por përveç tyre ka edhe një numër të konsiderueshëm vizitorësh online.

Në muajin korrik të këtij viti, Muzeu Historik Kombëtar është vizituar nga 1371 vizitorë vendas. Numri i turistëve të huaj është më i lartë, duke arritur në 3165 dhe vizitorë online grup 447 persona, pra në total 5614 vizitorë.

Muzeu Historik Kombëtar është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në të gjenden objekte që i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari  IV para Krishtit e deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Muzeu Historik Kombëtar është i ndarë në pavijone: Pavijoni i Lashtësisë, Pavijoni i Mesjetës, Pavijoni i Rilindjes Kombëtare, Pavijoni i Pavarësisë, Pavijoni i Ikonave, Pavijoni i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe Pavijoni i Terrorit Komunist. /atsh/ KultPlus.com

Së shpejti promovimi i “Doke dhe tradita: Një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër kanunet shqiptarë”

Botimet Toena në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizojnë promovimin e “Doke dhe tradita: Një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër kanunet shqiptarë”, përcjellë KultPlus.

“Doke dhe tradita: Një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër kanunet shqiptarë” nga autorja Gelanda Shkurtaj do të promovohet këtë të mërkurë.

Ngjarja do të zhvillohet duke filluar nga ora 18:00 në Sallën UNESCO në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës.

Ndërkaq, aktiviteti do përmbyllet me një koktej për të pranishmit. / KultPlus.com

Hapet “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, ekspozohen eksponatet me vlera artistike, estetike dhe historike së qyteteve ilire

Gjithsej 25 stenda të cilat përmbajnë objekte e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut, erdhën nëpërmjet ekspozitës së titulluar “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” që u shpalos sot për publikun në hapësirën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi fiks 18:00, ishin të pranishmit ata që zunë vend për të parë nga afër stendat si: Portreti i Erosit nga mermeri, Mbulesën e Ikonës së Gjën Gjergjit nga argjendi dhe ari që ndodhet në Kishën e Gjirokastrës, Dyert e Bukura që i përkasin vitit 1591 e që gjenden në Kishën “Shën Maria” në Berat, Këmbën vazi në formë feniksi që vjen në formën e bronzit, skulpturën Athina Promahos e punuar në mermer, Kokën e Apollonit që po ashtu është punuar në mermer, Dividi dhe kama e shkruesit së Ali Pashë Tepelenës si dhe shumë të tjera që tërhiqnin vëmendjen e gjithsecilit.

Kjo ekspozitë që vjen në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, është realizuar nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” solli para publikut një numër të madh të objekteve të shumta, koleksion të pasur me artefakte arkeologjike siç është koleksioni i objekteve prehistorike, koleksioni i skulpturave, enët nga qeramika, monedhat ilire greke e romake, objekte të punuara në qeramikë dhe metal si dhe koleksione që hyjnë në vazhdën e antikitetit greko-romak për të vazhduar deri në mesjetë.

Pra, qysh nga periudha e antikitetit të vonë e deri tek ajo bizantine dhe osmane, ekspozita synon të paraqes larminë e këtyre objekteve mesjetare që në thelb shpërfaqin kulturën materiale që është formuar në territorin e Shqipërisë si dhe ngjarjet kryesore që kanë zënë vend në territorin e saj.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” krejt në fund paraqet disa objekte ikonografike, të cilat përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX.

Ndërkaq, objekt i veçantë në këtë ekspozitë u konsiderua edhe Epitafi i Gllavenicës që daton në vitin 1373.

Fillimisht, fjalën e parë e mori drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i cili foli rreth bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ju uroj mirëseardhjen në ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në koordinim me Muzeun Kombëtar të Kosovës. Siç e dini më parë kemi pasur një memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve tona që i ka parapri një marrëveshje dhe një kalendar i përbashkët për organizimin e ekspeditave në mes institucioneve. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë dhe të tjerat do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2022. Shpresoj që shpejt do ta kemi edhe ekspozitën nga Muzeu Kombëtar i Kosovës në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Leci.

Sipas tij, kjo ekspozitë paraqet thesare nga Muzeu Historik Kombëtar që tashmë veçse ekziston rasti që të shihet.

Po ashtu, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth veçantisë së kësaj ekspozite që sipas tij dëshmojnë për të kaluarën e historisë tonë.

“Është kënaqësi e veçantë që sot edhe njëherë gjatë këtij viti, disa muaj pas ceremonisë në Elbasan, po kalojmë nga akti i nënshkrimit tek akti i zbatimit. Është një ekspozitë interesante ku paraqiten thesaret e Muzeut Kombëtar Historik. Është dëshmia e të kaluarës, e historisë tonë dhe e të tjerëve, por mbi të gjitha është një moment për ta freskuar bashkërisht atë që na bashkon dhe çka më mirë se kultura, trashëgimia, identiteti dhe historia jonë e përbashkët”, thotë Çeku.

Sipas tij, në aktivitetet e kalendarit të përbashkët, qëndron synimi për afrimin sa më të madh dhe pikërisht në këtë drejtim do të bëhet gjithë ajo se çfarë i takon Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi theksoi se në këtë ekspozitë gjenden gjurmët e një Shqipërie të hershme që vjen nëpërmjet imazheve.

“Është një kënaqësi e veçantë që të rikthehemi sërish pas një periudhe të aktivitetet këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës për të ardhur në një ekspozitë e cila realizon dhe tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Në këtë ekspozitë ka pjesë të madhe të objekteve kryesore të thesarit që  ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur kështu gjurmët e një Shqipërie të hershme e cila vjen jo vetëm përmes teksteve por edhe fotove dhe imazheve”, thotë Koçi.

Sipas tij, kënaqësi tjetër është që në vazhdën e aktiviteteve që do të vinë, fundin e vitit do të përmbyllet me botimin e katalogut të përbashkët të trashëgimisë arkeologjike të Muzeut të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tregoi për dimensionin e lartë nëpër të cilën ka kaluar Kosova dhe Shqipëria me rastin e kësaj ekspozite.

“Shqipëria ka një avantazh në këtë drejtim sepse për të pasur një ministër të suksesshëm siç është Çeku, i ka dhënë një vizion më të gjerë se thjesht të qenurit një ministër, por një njeri intelektual, kulturalisht i përmbushur për të kuptuar edhe ato pak ndasi që ekzistojnë midis nesh por që mund të jenë një vlerë e shtuar për punën që bëhet në Kosovë. Duke parë këtë ekspozitë, më vjen në mendje që po kalojmë në një dimension tjetër më të lartë. Kemi të bëjmë me trashëgiminë kombëtare, që është më e rëndësishme sesa sensi kulturor i ngushtë”, thotë Minxhozi.

Sipas tij, këto ekspozita të kësaj natyre janë shumë të rëndësishme, jo thjesht për t’i vizituar por pse jo që këto të jenë edhe pjesë e teksteve shkollore për arsye se ka shumë mangësi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Krejt në fund, u bë e ditur se me iniciativën e ministrit Ceku, do të organizohet 150 vjetori i Asdrenit, (Himnit Kombëtar), ku në Prishtinë do të bëhet një ceremoni e madhe. / KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”

Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, të mërkurën hapin ekspozitën me titull “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.

Kjo ekspozitë përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut. Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë. Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë.

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” hapet me datën 30 Mars 2022, ora 18:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

135 vite nga hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Muzeu Historik Kombëtar sot përkujtoi 7 marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, përcjell KultPlus.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht: “…Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzjou se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë“.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. / KultPlus.com

Përkujtohet Besëlidhja e Lezhës

Sot, Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar Besëlidhjen e Lezhës, përcjell KultPlus.

578 vite më parë, më 2 mars 1444, në katedralen e kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt “Besëlidhja e Lezhës”. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Vendimet e kuvendit ishin:

  1. Krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore me në krye Skënderbeun.
  2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.
  3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
    Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

/ KultPlus.com

Përkujtohet në 140 vjetorin e lindjes një nga figurat më të ndritura të kombit, Fan Noli

Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot lindjen e Fan Stilian Nolit (6 janar 1882 – 13 mars 1965).

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, përkthyes, politikan, diplomat, historian e muzikolog, Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme.

Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju-Jorkut e shuguroi prift ortodoks.

Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.

Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

Fan Noli si përfaqësuesi i parë në Lidhjen e Kombeve gjatë vitit 1921, shpresonte shumë te Lidhja e Kombeve, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e shteteve të vogla, përballë tryezave të mbyllura të diskutimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, që përcaktonin fatet e shteteve të vogla.

Sot, shumë vite më vonë, Shqipëria ulet në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB. / KultPlus.com

Në kuadër të 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit, Muzeu Historik Kombëtar së shpejti do të hapë ekspozitë

Në kuadër të 113-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Muzeu Historik Kombëtar do të hapë ekspozitën me titull “Rrugëtimi drejt Alfabetit – Kongresi i Manastirit 14 – 22 Nëntor 1908” në ambientet e Muzeut të Alfabetit në Manastir më datë 22 nëntor, ora 17:00, dhe në ambientet e Galerisë Nacionale “Çifte Hamam” në Shkup, Republika e Maqedonisë së Veriut në datën 23 nëntor 2021, ora 18:00.

Ekspozita paraqet rrugëtimin e përpjekjeve të rilindasve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në shek. XIX dhe veçanërisht në fund të gjysmës së parë të tij. Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.

Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.

Kjo ekspozitë e përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar do të qëndrojë si një ekspozitë e përhershme në Muzeun e Alfabetit në Manastir. / KultPlus.com

Si sot, 39 vjet më parë u inaugurua Muzeu Historik Kombëtar

Sot janë bërë 39 vjet nga koha kur u inaugura Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.

Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit.

Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës është drejtuar nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Odhise Paskali, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi e shumë të tjerë.

Muzetë historikë kombëtarë janë ndër përçuesit më të rëndësishëm të interpretimit zyrtar të historisë së një vendi, krahas dhe me sistemin kombëtar të arsimimit të tij. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit për kombin si dhe për përcjelljen e këtij vetimazhi tek vizitorët dhe në botën e jashtme. Por muzetë dallojnë nga ajo çka jep historia e shkruar, pasi për një muze gjuha e të shprehurit janë objektet muzeore të ekspozuara, shoqëruar me të dhënat për to.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. / KultPlus.com