Rusëve u lejohet sërish përdorimi i Facebook dhe Instagram

E njëjta gjykatë e Moskës që javën e kaluar ndaloi përdorimin e Facebook dhe Instagram në Rusi tani ka vendosur se qytetarët mund të përdorin platformat e mediave sociale përsa kohë që aktivitetet janë të ligjshme, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Më 21 mars, Gjykata e Tverskoy ndaloi përdorimin e platformave duke i cilësuar ato si organizata “ekstremiste” pas një kërkese të prokurorit të përgjithshëm.

Kompania mëmë “Meta” u akuzua për promovimin e thirrjeve për dhunë ndaj trupave ruse në Ukrainë.

Edhe përpara vendimit të Gjykatës, të dy shërbimet ishin bllokuar zyrtarisht për përdoruesit në Rusi, megjithëse ato mbetën gjerësisht të disponueshme përmes shërbimeve VPN.

VPN-të i lejojnë përdoruesit e internetit të anashkalojnë censurën e qeverisë për të hyrë në faqet e ndaluara.

Duke pasur parasysh statusin e tyre të errët ligjor, shumë individë që përdorën dy rrjetet sociale për të fituar para, kishin frikë për jetesën e tyre pas masave të rrepta qeveritare./ KultPlus.com

Pas Facebook-ut, Rusia do ta ndalojë edhe rrjetin social Instagram

Pas Facebook, Rusia ka filluar lëvizjet për ta ndaluar edhe Instagramin, si dhe duke e cilësuar Metën një “organizatë ekstremiste”, transmeton KultPlus.

Kufizimet e reja vijnë menjëherë pasi Meta – e cila zotëron Instagram, WhatsApp dhe Facebook – njoftoi se do të shkelte politikën ekzistuese dhe do t’i lejonte përdoruesit të bënin thirrje për vdekjen e forcave të armatosura ruse.

Emërtimi për gjigantin e teknologjisë erdhi nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Federatës Ruse, sipas një raporti nga Interfax.

“Në përputhje me Ligjin Federal “Për Kundër Veprimtarinë Ekstremiste”, Prokuroria e Përgjithshme e Federatës Ruse dërgoi një kërkesë në gjykatë për të njohur Meta Platforms Inc. si një organizatë ekstremiste dhe për të ndaluar aktivitetet e saj në territorin e Federatës Ruse. “, tha sot Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Federatës Ruse.

WhatsApp “nuk do të preket nga masat ndaj Metës, pasi është një mjet komunikimi që nuk poston informacion”, tha një burim për agjencinë shtetërore RIA Novosti, duke kundërshtuar raportet fillestare./ KultPlus.com

Rusia bllokon Facebook-un

Rregullatori shtetëror rus për mediat Roskomnadzor, ka bërë të ditur se qasja në rrjetin më të madh social në botë, Facebook është ndaluar në Rusi.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, vendimi vjen pasi që Roskomnadzor ka gjetur shkelje që përbëjnë diskriminim ndaj Rusisë nga Facebook-u.

Në raportim thuhet se janë gjetur 26 shkelje që nga tetori i vitit 2020. / KultPlus.com

DokuFest sjell risi për Pavarësi, për herë të parë do t’i shfaqin tre filma në ‘Livestream’

Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, DokuFest ka kuruar një program special me tre filma të shquar për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.

“Filmat ngritin temën e identitetit dhe shtrojnë pyetje rreth sovranitetit e përkatësisë. Të tre filmat do ti ofrohen publikut falas, të enjten me 17 shkurt 2022, në platformën Livestream në dokufest.com në ora 16:00 dhe 22:00″, thuhet në njoftimin e DokuFest.

Kjo do të jetë hera e parë kur ata do të bëjnë për herë të parë testimin e opsionit të transmetimit të filmave “LIVE” në faqën e tyre.

“Jemi të lumtur që këtë e fillojmë në këtë ditë madhështore, për të shënuar ditën e Pavarësisë me tre filma mahnitës që sjellin rrëfime nga periudha të ndryshme kohore, e që lidhen me historinë e shtet formimit të Kosovës”.

Transmetimi do të nis me filmin e parë I KUJT ËSHTË FLAMURI nga Baris Karamuço i cili trajton çështjen e identitetit kombëtar për kosovarët, të cilët kanë opinione të ndryshme për flamurin e tyre me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe e artë. Përshkrues, filmi tregon në mënyrë brilante çështjen duke përdorur sekuenca të një çerdheje, ku edukatorja ua mëson flamurin fëmijëve.

Programi do të vazhdojë me filmin SANS LE KOSOVO nga Dea Gjinovci, me një portretizim në jetën e Asllan Gjinovcit, i cili pas përfshirjes në protestat studentore që kërkonin autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të largohet nga vendi për tu vendosur përfundimisht në Zvicër. Duke kërkuar të eksplorojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në të sajën, regjisorja dhe babai i saj marrin rrugën për të ripërshkruar mërgimin e tij si një refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.

Programi i Pavarësisë do të mbyll transmetimin me filmin THE AGREEMENT nga Karen Stokkendal Poulsen. Historia botërore është duke u bërë kur kryenegociatori i BE-së Robert Cooper duhet të zgjidhë një marrëveshje për bashkëjetesë të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumentari danez e sjell audiencën drejt e në thelbin e këtyre negociatave intensive. Bastet janë të larta, por pavarësisht seriozitetit të negociatave, ato rezultojnë të jenë çuditërisht qesharake dhe të realizuara me stil e sharm nga tre personazhet në tavolinë. Është konflikti i fundit territorial i Evropës dhe vendimtar që BE-ja të provojë aftësinë për të bërë paqe në oborrin e saj. Sa larg janë të gatshëm të shkojnë secila palë?

DokuFest falenderon regjisoret Dea Gjinovci dhe Karen Stokkendal Poulsen, si dhe producenten Vibeke Vogel nga Bullitt Film që na dhanë filmat dhe mundësuan transmetimin e tyre në programin tonë të Pavarësisë.

Të drejtat e filmave të tjerë janë siguruar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës Suedeze, National Endowment for Democracy dhe përmes bashkëpunimit me organizatën daneze ‘Why Foundation’. /KultPlus.com

Facebookut i fshihen 30% e aksioneve

Mark Zuckerberg , bashkëthemelues i Facebook dhe një nga aksionarët kryesorë të tij, pa pasurinë e tij të bjerë me gati 30 miliardë dollarë në një ditë pas një rënie rekord të aksioneve të kompanisë mëmë Meta, të enjten.

Me një pasuri aktuale prej 84.3 miliardë dollarësh, sipas Forbes, kjo është hera e parë që 37-vjeçari nuk përfshihet në 10 njerëzit më të pasur në planet që nga vera e 2015.

Zuckerberg zotëron pothuajse 13% të Meta Platforms, kompania mëmë e Facebook.

Shlyerja prej 29.8 miliardë dollarësh e pasurisë së Zuckerberg është humbja e dytë më e madhe ditore në histori. Është pak më shumë se 35 miliardë dollarët e humbur nga njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, nëntorin e kaluar, pasi ai shkroi në Twitter se synonte të shiste 10% të aksioneve të tij në Tesla.

Aksionet e Meta ranë pasi kompania paralajmëroi për rritje më të dobët se sa pritej të ardhurat tremujorin e ardhshëm dhe tha se ndryshimet e fundit të privatësisë së Apple do t’i kushtonin kompanisë 10 miliardë dollarë, sipas CNBC.

Rënia prej 26% ishte rënia më e madhe njëditore e Metës dhe rezultoi në humbjen e më shumë se 200 miliardë dollarëve në kapitalizimin e kompanisë. Kjo shumë është gjithashtu një rekord historik negativ.

Çfarë ka ndodhur në kompani së fundmi?

Facebook njoftoi të mërkurën se fitimet e tij ranë me 8%, pra 10.29 miliardë dollarë në tremujorin e fundit të 2021. Oksimoroni në këtë rast gjendet në elementin e mëposhtëm: Në të njëjtin njoftim thuhet se të ardhurat janë rritur me 20%, pra me 33.67 miliardë dollarë.

Si është e mundur të rriten të ardhurat, por të zvogëlohen fitimet?

Sipas analistëve, kjo papajtueshmëri vjen për shkak të kostove për departamentin e Reality Labs, pra departamentin që do të “lançojë” të ardhmen e botës online, realitetit virtual. Sipas raportimeve, Meta ka investuar tashmë mbi 10 miliardë dollarë në këtë teknologji dhe pritet të shpenzojë edhe më shumë fonde.

Ndryshimet e fundit të privatësisë nga Apple e bëjnë më të vështirë për kompanitë si Meta gjurmimin e njerëzve për qëllime reklamimi, gjë që ushtron presion edhe mbi të ardhurat e kompanisë. Në një telekonferencë me analistët të mërkurën, shefi financiar i Metës tha se kompania po përballej me 10 miliardë dollarë nga ndryshimet e Apple në 2022. Analistët në MoffettNathanson, në një shënim për klientët, e përshkruan vlerësimin si “të befasishëm”.

Meta parashikoi të ardhura shumë më të ulëta se pritjet e analistëve për tremujorin aktual, pjesërisht për shkak të konkurrencës në rritje nga TikTok , tha kompania, duke ndikuar qartë investitorët.

Rekrutimi i saktë dhe ndryshimi i orientimit

Meta Platforms Inc. synon të zbatojë planin e Mark Zuckerberg për të ndryshuar peizazhin në rrjetet sociale, duke instaluar një “botë” të re të realitetit virtual , siç paralajmëroi disa muaj më parë. Që atëherë, kompania ka zhvendosur burimet dhe ka punësuar inxhinierë nga konkurrentët si Apple dhe Google, të cilët mund të ndihmojnë në realizimin e vizionit të saj. Zgjeroi fuqinë punëtore me 23%, duke e mbyllur vitin me 71,970 punonjës, kryesisht në role teknike, për t’i shërbyer planit dhe për të përshpejtuar kalimin në botën e re që po përgatitet të prezantohet në internet./albeu.com/ KultPlus.com

Rrjetet e tjera sociale po i shkaktojnë probleme Facebook-ut

Gjigandi i mediave sociale, Facebook, për herë të parë në historinë 18 vjeçare ka shënuar një rënie të përdoruesve aktiv të përditshëm, shkruan BBC, përcjell KultPlus.

Meta Networks thotë se përdoruesit aktiv ranë në 1,929 miliardë në tre muajt deri në fund të dhjetorit, krahasuar me 1,930 miliardë në tremujorin e mëparshëm.

Firma paralajmëroi gjithashtu për ngadalësimin e rritjes së të ardhurave përballë konkurrencës nga rivalët si TikTok dhe YouTube, ndërsa reklamuesit gjithashtu po shkurtojnë shpenzimet.

Rënia e çmimit të aksionit të Metës fshiu rreth 200 miliardë dollarë (147.5 miliardë paund) nga vlera e tregut të aksioneve të kompanisë.

Aksionet në platformat e tjera të mediave sociale, duke përfshirë Twitter, Snap dhe Pinterest, gjithashtu ranë ndjeshëm.

Meta, e cila zotëron platformën e dytë më të madhe të reklamave dixhitale në botë pas Google, tha gjithashtu se ishte goditur nga ndryshimet e privatësisë në sistemin operativ të Apple.

Ndryshimet e kanë bërë më të vështirë për markat që të synojnë dhe matin reklamat e tyre në Facebook dhe Instagram dhe mund të kenë një ndikim “në rendin prej 10 miliardë dollarësh” për këtë vit, sipas shefit financiar të Metës, Dave Wehner.

Të ardhurat totale të Meta-s, pjesa më e madhe e të cilave vjen nga shitjet e reklamave, u rritën në 33.67 miliardë dollarë në periudhë, duke mposhtur thuajse parashikimet e tregut.

Ai gjithashtu parashikoi të ardhura nga 27 miliardë deri në 29 miliardë dollarë për tremujorin e ardhshëm, që është më e ulët se sa prisnin analistët.

Ndërsa kompania ka bërë investimet e veta në video për të konkurruar me TikTok, në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance – ajo fiton më pak para nga ato oferta sesa burimet e saj tradicionale në Facebook dhe Instagram. /KultPlus.com

Facebook ndërron emrin

Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg ka njoftuar se ka ndërruar emrin kompanisë në “Meta”.

Ky vendim ishte pjesë e një ndryshimi strategjik për të theksuar zhvillimin e botës virtuale ndërkohë që biznesi kryesor i rrjetit social është në krizë.

“Nga tash e tutje, ne së pari do të quhemi si metaverse, jo Facebook. Facebook është një nga produktet më të përdorura në botë. Por çdo ditë e më shumë ajo nuk përfshin gjithçka që bëjmë ne. Aktualisht, marka jonë është aq e lidhur ngushtë me një produkt sa që nuk mund të përfaqësojë gjithçka që ne po bëjmë”, tha Zuckerberg. / KultPlus.com

Facebook do të ndryshojë emrin

Facebook po planifikon të ndryshojë emrin e kompanisë javën e ardhshme sipas një burimi të afërt me këtë çështje.

Ndryshimi i ardhshëm i emrit, për të cilin shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg planifikon të flasë në konferencën vjetore të kompanisë më 28 tetor, por mund të zbulohet më herët.

Ky ndryshim ka për qëllim të sinjalizojë ambicien e gjigantit të teknologjisë për t’u njohur më shumë sesa mediat sociale. Një zëdhënës i Facebook refuzoi të komentojë për këtë çështje, transmeton rtv21.tv./ KultPlus.com

Krijimi i ‘botës online’, kërkohen 10 mijë evropianë për dimensionin e ri të Facebook-ut

Facebook po krijon “botën online”. Për këtë planifikon të punësojë 10 mijë persona në vendet e Bashkimit Europian për të zhvilluar të ashtuquajturin “univers virtual”.

Me anë të kësaj platforme, të quajtur metaverse, përdoruesit mund të luajnë lojëra, punojnë dhe komunikojnë në një mjedis virtual, shpesh duke përdorur dhe pajisjen VR, transmeton KultPlus.

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka udhëhequr punën për këtë koncept të ri. “Universi virtual ka potencial të ndihmojë në zhbllokimin e mundësive të reja kreative, sociale dhe ekonomike. Europianët do t’i japin formë atij që prej fillimit”, tha Facebook përmes një deklarate.

Njoftimi vjen teksa Facebook përballet me një sërë problemesh dhe skandalesh dhe thirrjet ndaj rregullatorit për të kufizuar ndikimin e tij. Për vendet e reja të punës që do të krijohen në 5 vitet e ardhshme do të kërkohen inxhinierë me specializim tepër të lartë. Gjigandi teknologjik thotë se investimi në Bashkimin Europian ofron shumë avantazhe, përfshirë qasje në një treg më të madh konsumatorësh dhe talente të cilësisë shumë të lartë të universiteteve prestigjioze, transmeton tutje KultPlus.

Facebook e ka shndërruar krijimin e botës online, një ndër prioritetet më të mëdha të tij. Pavarësisht historikut të blerjes së rivalëve, gjigandi teknologjik pretendon se “universi virtual” nuk do të ndërtohet brenda natës dhe nga një kompani e vetme.

Marrë shkas nga kjo, Facebook premton të bashkëpunojë dhe me kompani të tjera. / KultPlus.com

Facebook po kujdeset për mbrojtjen e llogarive të përdoruesve afganë në mes të kontrollit të talebanëve

Facebook ka sjellë masa të reja sigurie për përdoruesit në Afganstan, përderisa talebanët vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre mbi pushtetin.

Firma thotë se “hoqi aftësinë për të parë dhe kërkuar në listën e ‘miqve’ për llogaritë e afganëve në Facebook” për të mbrojtur njerëzit nga shënjestrimi.

Faqja profesionale e rrjeteve LinkedIn gjithashtu ka ndërmarrë hapa duke fshehur lidhjet e kujtdo në vend.

Masat shtesë të sigurisë u njoftuan të enjten nga shefi i politikës së sigurisë në Facebook, Nathaniel Gleicher.

“Ne ua kemi mundësuar përdoruesve në Afganistan t’i mbyllin më shpejt llogarinë e tyre përmes një klikimi. Kur profili i tyre është i kyçur, njerëzit që nuk janë miqtë e tyre nuk mund të shkarkojnë ose shpërndajnë foton e profilit të tyre ose të shikojnë postimet e tyre. “, shkroi Gleicher në Facebook.

Gleicher shtoi se Facebook po punon ngusht me homologët në këtë industri, shoqërinë civile dhe qeverinë për të ofruar çdo mbështetje për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve./KultPlus.com

Facebook ndalon të gjitha postimet që mbështesin talebanët

Facebook thotë se ka ndaluar postimet e talebanëve dhe çdo përmbajtje që i mështesin ata në këtë platformë pasi e konsideron grupin si një organizatë terroriste, transmeton KultPlus.

Kompania thotë se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar dhe hequr përmbajtjet në lidhje me këtë grup.

Për vite me radhë, talebanët kanë përdorur rrejtet sociale për të përhapur mesazhet e tyre.

Pushtimi i shpejtë i Afganistanit ngre sfida të reja për firmat teknologjike se si të merren me përmbajtjet lidhur me talebanët.

“Talebanët janë të sanksionuar si një organizatë terroriste sipas ligjit amerikan dhe ne i kemi ndaluar ata nga shërbimet tona.. Kjo do të thotë që ne heqim llogaritë e mbajtura nga ose në emër të talebanëve dhe ndalojmë lavdërimin, mbështetjen dhe përfaqësimin e tyre,” tha një zëdhënës i Facebook për BBC.

“Ne gjithashtu kemi një ekip të përkushtuar të ekspertëve të Afganistanit, të cilët janë folës të gjuhëve amtare të Dari dhe Pashtos dhe kanë njohuri për kontekstin lokal, duke na ndihmuar të identifikojmë dhe paralajmërojmë për çështjet e reja në platformë,” shtuan ata.

Facebook theksoi se politika zbatohet për të gjitha platformat e saj, përfshirë rrjetin e saj kryesor të mediave sociale, Instagram dhe WhatsApp.

Sidoqoftë, ka raporte se talebanët po përdorin WhatsApp për të komunikuar.

Facebook i tha BBC -së se do të merrte masa nëse zbulonte se llogaritë në aplikacion ishin të lidhura me grupin.

Platformat rivale të mediave sociale janë vënë gjithashtu nën vëzhgim se si ata trajtojnë përmbajtje të lidhura me talebanët.

Zëdhënësit kanë përdorur Twitter për të azhurnuar qindra mijëra ndjekësit e tyre, pasi organizata rimori kontrollin mbi Afganistanin.

Në përgjigje të pyetjeve të BBC -së në lidhje me përdorimin e Twitter nga talebanët, një zëdhënës i kompanisë theksoi politikat kundër organizatave të dhunshme dhe sjelljeve të urrejtjes.

Sipas rregullave të tij, Twitter nuk lejon grupe që promovojnë terrorizmin ose dhunën kundër civilëve.

YouTube ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të BBC për koment mbi politikat e saj në lidhje me talebanët./KultPlus.com

Getty Images

Vlera e Facebook-ut arrin shifër rekorde, mbi 1 trilion dollarë

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara i hodhi poshtë dy padi kundër rrjetit social, Facebook, duke ndikuar që vlera e tij të arrijë në nivel rekord.

Gjykatësi James Boasberg vlerësoi se ankesa e Komisionit Federal të Tregtisë kundër rrjetit social është shumë e paqartë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Një padi tjetër rreth konkurrencës, të dorëzuar nga disa shtete të ShBA-së, gjithashtu u hodh poshtë, sepse shkeljet e pretenduara kishin ndodhur shumë kohë më parë.

Pas këtyre vendimeve, vlera e aksioneve të Facebook-ut u rrit për 4.2 për qind dhe vlera e kompanisë në treg për herë të parë shkoi në mbi 1 trilion dollarë.

Sa i përket padisë së dytë, gjykatësi Boasberg tha se shtetet nuk kanë ofruar justifikim të arsyeshëm për atë se pse kanë pritur nga gjashtë deri në tetë vjet për të vendosur që ta padisin Facebook-un. Ai shtoi se shtetet kanë dështuar që të ofrojnë pretendime me fakte. / KultPlus.com

Facebook mbyll faqen për ‘gjuhë fyese’, por nuk e di që është emri i qytetit

Bitche, një qyteze të vogël historike në veri-lindje të Francës, iu mbyll faqja zyrtare e drejtuar nga autoritetet lokale, për shkak se algoritmi i Facebook e konsideroi si faqe që përdorte “gjuhë fyese” (nga anglishtja, bitch – bushtër). Pas kësaj, platforma kërkoi ndjesë dhe riktheu faqen.

“Emri i qytetit tonë duket se vuan nga një interpretim i keq…gjëja më e habitshme është se Facebook mori kaq shumë kohë për ta korrigjuar gabimin,” u shpreh në një postim kyetari i Bashkisë, Benoît Kieffer.

Facebook mbyll faqen për ‘gjuhë fyese’, por nuk e di

Emri i faqes ishte Ville de Bitche dhe u zhduk nga Facebook në 19 mars pa ndonjë paralajmërim ose arsye të dukshme. Ndërkohë, stafi i bashkisë krijoi një faqe të re, Mairie 57230, kodi postar i qytetit, për t’i mbajtur banorët të përditësuar me lajmet dhe informacionet lokale.

Facebook mbyll faqen për ‘gjuhë fyese’, por nuk e di.

“Unë dhe bashkëqytetarët e mi do të dëshironim të ftonim zotin Mark Zuckerberg që të vizitonte qytetin tonë të bukur dhe të fortifikuar,” shkroi Kieffer.

Ai bëri edhe një shaka/ironi me shprehjen “son of a bitch” (që përdoret si term i përgjithshëm për përbuzje, fyerje, sharje).

“Së bashku, ne mund të nderojmë kujtimin e atdhetarëve dhe miqve tanë amerikanë të cilët erdhën nga Karolina e Jugut për të çliruar qytetin tonë: çlirimtarët e quanin veten ‘sons of Bitche’.”

Ok, qartë. Facebook, puno me algoritmin or mik./ KultPlus.com

Facebook po ndryshon politikën, më fuqishëm kundër dezinformatave gjatë pandemisë

Facebook po ndryshon përsëri politikat e saj dhe kompania ka njoftuar disa masa për të luftuar dezinformimin në lidhje me vaksinat, përfshirë vështirësimin e gjetjes së llogarive që dekurajojnë njerëzit të vaksinohen përmes kërkimeve në Instagram, e cila është në pronësi të Facebook.

Siç raporton CNN, Facebook njoftoi të hënën se po zgjeron përpjekjet e saj për të hequr pretendimet e rreme në platformën e saj dhe Instagram në lidhje me coronavirus, vaksinat kundër COVID-19 dhe përgjithësisht rreth vaksinave gjatë një pandemie, transmeton KultPlus.

Kompania njoftoi gjithashtu se do të fillojë të postojë lajme për pandeminë në një sektor të veçantë për shëndetësi, për të ndihmuar përdoruesit të përcaktojnë nëse kualifikohen për vaksinën dhe si mund ta marrin atë.

Njoftimi i Facebook vjen një ditë pasi “CNN Business” raportoi se Instagram vazhdoi të shfaqte në mënyrë të dukshme llogaritë “anti-vaaksina” në rezultatet e tij të kërkimit, ndërsa grupet e Facebook që janë kundër vaksinave janë ende të lehta për t’u gjetur.

Gjetjet kanë shkaktuar shqetësim në mesin e ekspertëve të shëndetit publik amerikan, duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e zbatimit më të madh të imunizimit si pjesë e masave për të luftuar pandeminë e coronavirusit, raporton rrjeti televiziv amerikan. / KultPlus.com

17 vjet nga themelimi i Facebookut

Sot bëhen 17 vjet nga themelimi i gjigandit teknologjik ‘Facebook’.

Pra, më 4 shkurt të vitit 2004, Facebook, një rrjet lidhjesh shoqërore në internet, u themelua nga Mark Zuckerberg me 4 shokët e tij të dhomës, Eduardo Saverin, Andrew Mçollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes, ndërkohë që studionin në Universitetin e Harvardit.

Kështu që nga 4 shkurti i 2004-ës ndryshoi rrënjësisht edhe mënyra e komunikimit në botë.

Por çka do të thotë emri “Facebook”?

Emri “Facebook” vjen nga një togfjalësh për libër të dhënash udhëzuese lëndësh mësimore me të cilin pajisen studentët në disa universitete amerikane.

Themeluesit fillimisht e kishin kufizuar anëtarësimin në Facebook vetëm për studentët e Harvardit, por më vonë e zgjeruan për universitetet Boston, Princeton, Yale, Stanford.

Gradualisht, Facebook u hap për studentët në kolegje e universitete të tjera, pastaj për nxënësit e shkollave të mesme, dhe më në fund për të gjithë personat të moshës 13-vjeç e sipër kudo në botë.

Në vitin 2012, Facebook u vlerësua si një kompani biznesi me vlerë prej 104 miliardë dollarësh.

Facebook ka njohur vetëm rritje si në të ardhura ashtu edhe në numrin e përdoruesve, ndërsa në vitet e fundit është përfshirë nga një skandal për shitjen e të dhënave personale të përdoruesve për çfarë themeluesi Mark Zuckerberg u detyrua t’i përgjigjet autoriteteve amerikane. / KultPlus.com

Mesatarja e pagave, kaq paguhet një punëtor i Facebook-ut

Duke qenë se pasuria personale e Mark Zuckerbergut është 33.3 miliardë dollarë, paga mesatare e punëtorëve të tij nuk është për t’u nënvlerësuar.

Referuar të dhënave të hulumtimit nga Glassdoor, mesatarja e pagës së inxhinierëve fillestarë është 106 mijë dollarë, ndërsa e një analisti mesatar është 118.864 dollarë.

Duhet theksuar se inxhinierët e programeve të gjigantit të mediave sociale marrin pagë mesatare prej 183.397 dollarëve.

Ndërkohë, vlera e Facebook-ut është aktualisht 200 miliardë dollarë, gjë që tregon se pagat e 8.348 punëtorëve janë goxha mbresëlënëse.

Facebook u themelua më 2004 nga studentët e Harvardit: Mark Zuckerberg, Dustin Moskovitz, Chris Hughes dhe Eduardo Saverin. Ky rrjet social së shpejti u zgjerua në universitetet tjera amerikane dhe më pas u bë një fenomen botëror. /Albinfo.ch/ KultPlus.com

SHBA-ja akuzon Facebookun se po i favorizon imigrantët për vendet e punës

Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Drejtësi ka akuzuar rrjetin social Facebook se po diskriminon punëtorët amerikanë duke dhënë preferenca për punësim për imigrantët.

Sipas një padie, rrjeti social ka refuzuar të rekrutojë, konsiderojë apo punësojë amerikanë të kualifikuar për më shumë se 2600 pozita.

Këto vende pune kryesisht kishin shkuar për të huajt me viza të përkohshme, sipas padisë.

Facebooku ka mohuar pretendimet.

Departamenti ka akuzuar Facebookun se po keqpërdor vizat e përkohshme, që zakonisht përdoren nga gjigantët teknologjikë për të sjellë në SHBA punëtorë të huaj me shkathtësi të mëdha. Në akuzën e vet, Departamenti ka thënë se Facebooku ka krijuar një “sistem të qëllimshëm punësimi” që favorizon imigrantët dhe të huajt më shumë se amerikanët.

Sipas departamentit, për këtë janë kryer hetime dyvjeçare. / KultPlus.com

Facebooku bllokon materialet ofenduese për Kamala Harrisin

Facebook ka fshirë një numër postimesh, memesh dhe komentesh raciste në lidhje me zëvendës-presidenten e zgjedhur të SHBA-së, Kamala Harris.

Rrjeti social ka fshirë përmbajtjet pas raportimit të BBC ku kishte lajmëruar për tri grupe që shpërndanin materiale urrejtëse. Aty thuhet se publikoheshin materiale propagandistike, shpifje raciste dhe mizogjiniste, ku disa prej tyre thonin se Harris nuk ishte “aq e zezë sa duhet” për demokratët, ajo duhej dëbohej për në Indi e të tjera.

Në anën tjetër, Facebook është kritikuar vazhdimisht nga reklamuesit dhe grupet e të drejtave civile se nuk ka bërë sa duhet për të trajtuar gjuhën e urrejtjes. Në muajin gusht, në shenjë proteste, qindra kompani patën ndaluar reklamat./ KultPlus.com

Si për mohimin e “Holokaustit”, Facebook-u do ta ndalojë edhe “islamofobinë”

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, i ka shkruar kryeshefit ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zucemberg, duke kërkuar për ndalimin e islamofobisë në platformën e tij, duke i thënë se ajo duhet të trajtohet në mënyrën e njëjtë si të mohimit të holokaustit.

Kryeministri dhe ish-ylli i kriketit tha se bota nuk duhet të presë që një “masakër kundër myslimanëve” të përfundojë “para se të ndalohet opobia (urrejtja) e islamit”. 

Duke theksuar përgjigjen franceze ndaj prerjes së kokës së mësuesit Samuel Paty , Khan paralajmëroi se “margjinalizimi çon në mënyrë të pashmangshme në ekstremizëm”, duke shtuar se është “diçka që botës nuk i duhet”.

Nën presionin e qeverive në të gjithë botën që bëjnë thirrje për veprim për të parandaluar që rrjetet sociale të bëhen një medium për përhapjen e urrejtjes dhe dezinformimit, Facebook-u ka ndërmarrë një numër hapash korrigjues. 

Në fillim të këtij muaji, Facebook-u ndaloi postimin e çdo përmbajtjeje, që mohon ose deformon Holokaustin  – një hap që u mirëprit shumë. Në gusht, platforma e mediave sociale e përdorur nga më shumë se 2.5 miliardë njerëz në të gjithë botën kishte ndaluar gjuhën e urrejtjes të tilla si përmbajtja që përshkruan fytyrën e zezë ose stereotipet rreth hebrenjve që kontrollojnë botën. 

Në letrën e tij për  Zuckerberg-un të dielën në mbrëmje, kryeministri Pakistanez bëri thirrje për vëmendje ndaj “Islamofobisë në rritje që inkurajon urrejtjen, ekstremizmin dhe dhunën në të gjithë botën” veçanërisht përmes platformave të mediave sociale si Facebook-u.

“Unë e vlerësoj që ndërmarrët hapin për të ndaluar me të drejtë çdo postim që kritikon ose vë në dyshim Holokaustin, i cili ishte kulmi i masakrës naziste të hebrenjve në Gjermani dhe në të gjithë Evropën … Sidoqoftë, sot ne po shohim një masakër të ngjashme kundër myslimanëve pjesë të ndryshme të botës”, ka shkruar Khan. 

Në përgjigje të thirrjes së Khan, një zëdhënës i Facebook-ut tha se kompania ishte kundër të gjitha formave të urrejtjes dhe se nuk lejonte sulme të bazuara në racë, etni, origjinë kombëtare ose fe.

“Ne do ta heqim këtë gjuhë urrejtjeje sa më shpejt që të bëhemi të vetëdijshëm për të”, tha zëdhënësi në një deklaratë, duke shtuar se kompania pranoi që ajo kishte “më shumë punë për të bërë”. /IndeksOnline/ KultPlus.com

Facebook vendos sanksione të reja ndaj mohuesve të Holokaustit

Facebook ka marrë vendim që do sanksionojë çdo gjuhë që mohon apo shtrembëron tragjedinë e Holokaustit.

Këto vendime rrjeti i njohur social i mori sot gjatë ditës, duket thënë se nga fundi i këtij viti, do të drejtojë njerëzit që kërkojnë terma të lidhur me Holokaustin ose mohimin e tij. Drejtori i Facebook, Mark Zuckerberg, në vitin 2018 kishtë thënë përmes një interviste se ishte ndier i fyer kur kishte parë një përmbajtje që e mohonte tragjedinë e njohur.

“Kam luftuar mes qëndrimit rreth shprehjes së lirë dhe dëmit të shkaktuar nga minimizimi apo mohimi i tmerrit të Holokaustit. Mendimi im ka ndryshuar pasi kam parë të dhëna që tregojnë një rritje të madhe antisemitike”, ka shtuar Zuckerberg.

Vendimet e fundit i ka mbështetur edhe Kongresi Botëror Hebre dhe Komiteti Hebre Amerikan, duke shtuar se duhen rishikuar shumë publikime në rrjetin social Facebook, dhe t’i klasifikojnë si gjuhë urrejtjeje./ KultPlus.com

Facebook mund të mbyllet në Evropë

Fal rregullave të reja që janë vendosur nga Bashkimi Evropian ndaj kompanive amerikane, Facebook-u ka bërë me dije se mund të ndalojë së operuari në Evropë.

Sipas “Business Insider”, aplikacioni bazë i Facebook-ut dhe po ashtu Instagrami mund të largohen nga Evropa.

Referuar seancës gjyqësore më 10 shtator në Irlandë, kompania ka dorëzuar një deklaratë vullnetare nën betim me fakte të shkruara në Gjykatën e Lartë.

Facebook ka sfiduar urdhër preliminar të lëshuar më herët këtë muaj nga institucioni monitorues i të dhënave private në Irlandë, Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC), që kishte kërcënuar Facebook-un nga transferimi i të dhënave të BE-së për në SHBA nga shqetësimi i privatësisë.

“Në rast se ndalohet plotësisht transferimi i të dhënave në SHBA, siç duket se ka propozuar DPC-ja, nuk është e qartë se si aplikuesi, në këto rrethana, do të mund të ofronte shërbimet e Facebook-ut dhe Instagramit në BE”, ka thënë Yvonne Cunnane, kreu i mbrojtjes së të dhënave të Facebook-ut në Irlandë, duke shtuar se Facebooku ka 410 milionë përdorues aktivë në Evropë.

Një zëdhënës i Facebookut ka mohuar se kjo përbën rrezik nga tërheqje nga BE-ja, transmeton KultPlus.

“Facebook-u nuk po kërcënon që të tërhiqet nga Evropa. Dokumentet ligjore të dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Irlandës përbëjnë një realitet të thjeshtë se Facebooku, dhe shumë biznese tjera, e organizata dhe shërbime, mbështeten nga transferimi i të dhënave nga BE-ja për në SHBA, në mënyrë që të operojnë”, ka thënë zëdhënësi.

“Mungesa e një bartje të dhënave ndërkombëtare në mënyrë të sigurtë dhe të ligjshme, do të përbënte dëme financiare, pikërisht në kohën kur po shikojmë të rikuperohemi nga COVID-19”. / KultPlus.com

Zuckerberg, njeriu që ua mori botën të gjithëve, për ta shijuar i vetëm

Facebook është bërë një mënyrë jetese, një element pa të cilin askush nuk do të mund të paramendonte jetën, i cili shpesh përdoret për çështje personale e herë për profesionale, shkruan KultPlus.

Facebook u krijua në rrethana të çuditshme, duke nisur si diçka e thjeshtë për t’u bërë më vonë në rrjetin më të madh social në botë.

Facebook u themelua nga Mark Zuckerberg me shokët e dhomës dhe shokët studentë Eduardo Saverin, Andreë McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes.

Antarësimi në faqe fillimisht u kufizua nga themeluesit te studentët e Harvardit, por u zgjerua në kolegjet e tjera në zonën e Bostonit, në Ivy League, dhe në Universitetin Stanford. Gradualisht u shtua mbështetja edhe për studentët në universitete të ndryshme përpara se të hapej për studentët e shkollave të mesme dhe përfundimisht për këdo mbi 13 vjeç.

Megjithatë, sipas një ankete të Consumer Reports e realizuar në maj 2011, janë 7.5 milionë fëmijë nën 13 vjeç me një llogari dhe 5 milionë nën 10 vjeç, duke shkelur kushtet e shërbimit të faqes. / KultPlus.com

Facebook me ndryshime të reja të rëndësishme

Rrjeti më i madh social, Facebook ka ndërmarrë një tjetër veprim në përpjekje për të parandaluar keqinformimin dhe informacionet e rreme me përmbajtje të dëmshme.

Facebook ka vendosur disa “limite” për Messenger dhe tashmë përdoruesit e tij do të jenë në gjendje të dërgojnë mesazhe vetëm në pesë persona ose grupe në të njëjtën kohë.

Masa e marrë vjen në kuadër të shqetësimit të vazhdueshëm në lidhje me përhapjen e informacioneve jo të vërteta për virusin.

Drejtori për menaxhimin dhe sigurinë e Messenger, Jay Sullivan u shpreh: Ne po vendosim një limit të mesazheve në Messenger, për të ndihmuar në frenimin e përpjekjeve të atyre që kërkojnë të shkaktojnë kaos, pasiguri ose të shpërndajnë informacione jo të sakta, transmeton tvklan.al.

Kjo veçori e re është përpjekja e fundit e Facebook për t’u ofruar përdoruesve të Messenger një përvojë më të sigurt dhe më private të dërgimit të mesazheve.

Facebook tha se vendimi është i rëndësishëm në kushtet kur pandemia globale vazhdon dhe kur priten të zhvillohen zgjedhjet në SHBA, Zelandën e Re dhe vende të tjera.

Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg gjithashtu ka zbuluar hapat për të mbrojtur zgjedhjet, duke përfshirë kufizimet në reklamat e reja politike në javën para zgjedhjeve në SHBA dhe heqjen e postimeve, që pretendojnë se njerëzit do të marrin Covid-19 nëse marrin pjesë në votime./Insajderi.org / KultPlus.com

Facebook, Twitter dhe Youtube fshijnë videon “e mjekëve që bënë pretendime të rreme rreth koronavirusit”

Një video ku paraqitej një grup mjekësh që bënin pretendime të rreme dhe të dyshimta në lidhje me koronavirusin u hoq nga Facebook, Twitter dhe YouTube pasi gjatë ditës së hënë u bë virale në internet.

Videoja, e publikuar nga media e krahut të djathtë “Breitbart News”, shfaqte një grup njerëzish të veshur me rroba të bardha të laboratorësh duke e quajtur veten “America’s Frontline Doctors” që po inskenonte një konferencë shtypi përpara Gjykatës Supreme të SHBA-së në Uashington, DC, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Presidenti Trump shpërndau versione të shumta të videos me 84 milion ndjekësit e tij në Twitter të hënën mbrëma, përkundër pretendimeve të dyshimta që kundërshtojnë ekspertët e vetë administratës së tij të shëndetit publik.

Zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan më tutje CNN.

Gjatë konferencës për shtyp, një folës i cili e identifikon veten si mjek, bën një numër pretendimesh të dyshimta, duke përfshirë faktin që “nuk ju duhen maska” për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, dhe se studimet e fundit që tregojnë hydroxychloroquine është joefektive për trajtimin e COVID-19 janë “shkencë e rreme” e sponsorizuar nga “kompani të rreme farmaceutike”.

“Ky virus ka një kurë, quhet hidroksilkolina, zinku dhe Zithromax”, pretendon gruaja. “Ju nuk keni nevojë për maska, ka një kurë.”

Pretendimet bien ndesh me studime të shumta mbi ilaçin kundër malarisë dhe këshillat e zyrtarëve të shëndetit publik për të parandaluar përhapjen e virusit.

Një studim zbuloi se as hidroksilklorina vetëm dhe as hidroksilkorina e bashku me azitromicinwn  nuk u duk se ndikuan në gjendjen e pacientëve në shenjën 15-ditore. Për më tepër, ritmet e pazakonta të zemrës dhe nivelet e ngritura të enzimës në mëlçi ishin më të shpeshta tek pacientët që merrnin vetëm hidroksilklorinë ose me azitromicinë.

Videoja shpejt u bë virale në Facebook, duke u bërë një nga postimet me performancat më të larta në platformë me më shumë se 14 milionë shikime para se të largohej të hënën në mbrëmje për promovimin e dezinformatave.

Ajo gjithashtu u shpërnda afro 600,000 herë, sipas Crowdtangle, një firmë analitike e të dhënave në pronësi të Facebook.

Twitter ka punuar për të fshirë videon vonë të hënën në mbrëmje pasi Trump ndau versionet e videos që grumbulluan qindra mijëra shikime.

Videoja u hoq gjithashtu nga YouTube, ku ishte parë më shumë se 40,000 herë. Përdoruesit që po përpiqeshin të hynin në video të hënën vonë u përshëndetën me një mesazh që thoshte se ishte hequr për “shkelje të Udhëzimeve të Komunitetit të YouTube”.

Deri ditën e hënën, virusi ka shkaktuar gati 150,000 vdekje në SHBA, sipas Universitetit Johns Hopkins, dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë një shkak kryesor i vdekjeve në vend./ KultPlus.com