Hapet ekspozita ‘Përtej kufirit e portave-Pasdite e përjetshme’ në galerinë FAB

8 Maj, 2023 - 10:00 pm

Artan Peqini ka çelur  ekspozitën e tij të dytë vetjake me piktura të titulluar “Përtej kufirit e portave-Pasdite e përjetshme”, me kuratore Najada Hamza.

Pikturat do të qëndrojnë të ekspozuara në galerinë FAB deri më 21 maj.

Artisti sjell atmosferën e pasditeve në kodrat e Apolonisë, ku njerëzit e ditëve të sotme përballen me paraardhësit e tyre, njerëzit e antikitetit, të cilët paraqiten si koka skulpturash të pikturuara.

Udhëtimi në kohë që sjell Artan Peqini, është si një mundësi që i jepet publikut të kohëve moderne për të kuptuar më mirë realitetin përreth.

Artisti thotë se, kjo ekspozitë ka në qendër fabulën e një udhëtimi të përhershëm, përtej portave e kufijve.

Individët e paraqitur në tablotë e Peqinit janë të paidentifikueshëm, duke lënë hapur mundësinë për t’u transformuar secili nga ne, në personazhet e pikturave të tij.

Ata vijnë pa fokus në portrete dhe me ngjyra që i afrohen terrakotës, me të cilën artisti ka punuar pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Artan Peqini është pedagog i skulpturës e dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura. Megjithëse i njohur më shumë për punën me skulpturën, vitet e fundit, artisti ja ka kushtuar pikturës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme