Gjon’s Tears si mysafir nderi në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar ‘Fribourg’

9 Mars, 2022 - 8:00 pm

Festivali i Filmit ndërkombëtar “Fribourg International Film Festival” i cili mbahet në Zvicër, këtë muaj do të ketë mysafir nderi këngëtarin shqiptar Gjon’s Tears, shkruan KultPlus.

Gjon’s Tears, i cili ka prindërit nga Shqipëria e Kosova, do të mbajë një koncert në Nuoveau Monde. Në anën tjetër, drejtori artistik i festivalit, Thierry Jobin, ka thënë se për vite me radhë kanë kërkuar një person nga diaspora e Kosovës.

“Me vite kemi kërkuar një personalitet për Seksionin e Diasporës, rrënjët e të cilit janë në Ballkan dhe që do të na afrojë pak më shumë me kulturën kosovaro-shqiptare”, shpjegon ai.

Në këtë festival do të paraqiten edhe disa filma nga kinematografia shqiptare, duke përfshirë filmat “Zgjoi”, “Martesa”, “Sestri”, “Skënderbeu”.

Gjithashtu, në këtë festival do të paraqitet edhe një dokumentar të punuar nga Fisnik Maxville, ku paraqitet puna e kryer nga Bernard Challandes, zvicërani në krye të kombëtares së Kosovës.

Edicioni i 36-të i FIFF zhvillohet nga 18 deri më 27 mars 2022. /KultPlus.com

© Daniil Zozulya

Të ngjajshme