‘Koko Fest’ shpall më të mirët e edicionit të tetë

6 Shtator, 2021 - 10:30 am

Mbrëmja e së shtunës shënoi mbylljen e festivalit mbarëkombëtar të komedisë “Koko Fest”. Në këtë edicion çmimin e shfaqjes më te mirë e rrëmbeu “Ferma e Kafshëve” nën interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Driada Dervishi fitoi çmimin “Regjia më e mirë”

Driada Dervishi – regjisore.

“Është vërtetë një moment shumë emocionues për mua, sigurisht të qenit regjisore e Teatrit Kombëtar në këtë projekt, ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Jam shumë e lumtur që përveç këtyre dy çmimeve që do të thonë shumë për mua. Unë jam shumë e kënaqur që në “Koko Fest”edhe tre aktorë, të mijtë nëse mund ti quaj kështu, fituan çmime.”

Ndërsa me çmimin “Aktori më i mirë” protagonist u vlerësua artisti Gentian Zenelaj.

Edicioni i tetë i festivalit të komedisë duke patur parasysh edhe situatën e pandemisë, për drejtoreshën e Teatrit të Korçës,  Zamira Kita ishte sprovë, por njëkohësisht edhe një event i rëndësishem për qytetin artëdashës të juglindjes.

Zamira Kita – drejtore e teatrit të Korçës.

“Patëm gati 10 çmime, u vlerësuan artistët më të mirë, ku siç e patë shfaqja më e mirë u shfaq ajo e Teatrit Kombëtar. Publiku e ndoqi me ëndje, sigurisht u përpoqëm të ruajmë të gjitha rregullat, dhe jurisë iu desh që të mendojë për ta bërë këtë vlerësim. Por kështu është “Koko Fest” ka fitues, por ka dhe nga ata që nuk quhen humbës, por që nuk arrijnë të marrin çmime.”

Për 7 netë me radhë “Koko Fest” dhuroi për të gjithë të pranishmit në sallën e teatrit “Andon Zako Cajupi” art, të qeshura por edhe mesazhe të rëndësishme./KultPlus.com

Të ngjajshme