Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë po mbahet në Pogradec

22 Qershor, 2022 - 6:00 pm

Në qytetin e Pogradecit, është duke u zhvilluar edicioni i 12-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Ky edicion, që nisi në datën 20 qershor, do t’u sjellë qytetarëve të Pogradecit, kineastëve dhe artdashësve nga vendi e rajoni rreth 66 filma: filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma me metrazh të gjatë nga 10 vende të Ballkanit.

Kineastët pjesëmarrës në festival përveç Shqipërisë, vijnë nga Turqia, Kosova, Rumania, Serbia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Sllovenia e Greqia.

Këtë vit filmat do të shfaqen përgjatë 6 ditëve, në dy lokacione: filmat që janë në program gjatë paradites do të projektohen në kinemanë e qytetit, duke filluar nga ora 11:00, ndërsa për programin e mbrëmjes, bashkia Pogradec ka mundësuar edhe këtë vit Odeonin, vetëm pak metra larg liqenit.

Edicioni i 12-të i Festivalit është mundësuar falë mbështetjes së Bashkisë Pogradec, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Ministrisë së Kulturës. Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme