Filmi ‘Thurje’ po shijon sukses të madh, fitues i shtatë çmimeve ndërkombëtare

7 Dhjetor, 2021 - 12:10 pm

Filmi i shkurtër “Thurje # Hashtag” me skenar te Brikena Sopit dhe me regji te Lorena Sopit, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të shkurtër ‘Best Short Film’ në Calcuta International Cult Film Festival, i cili ka përfunduar të shtunën mbrëma në Calcuta te Indisë.

“Ky sezon i festivalit nuk përfundon këtu. Projekti juaj ‘Hashtag’ tani është kualifikuar për të konkurruar për çmimet prestigjioze kombëtar Golden Fox Awards në galan vjetore të shfaqjes së drejtpërdrejtë të CICFF, e cila do të mbahet në Kalkuta në janar 2022, kur në të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe Piazza di Cinema, tregu ynë botëror i filmit”, thuhet në njoftimin e Festivalit.

Filmi, “Hashtag” po ashtu është nominuar për çmim kryesor në festivalin ‘Only the Best’ i cili do të mbahet nga data 8-14 dhjetor ne Miami të SHBA-së. Gjatë muajit dhjetor, ‘Hashtag’ do të shfaqet në Actrum International Film Festival i cili mbahet në Madrid të Spanjës, pastaj në Montevideo World Film Festival në Argjentinë, në Italia International Film Festival i cili mbahet në Romë, pastaj në International Moving Film Festival në Tehran.

Filmi “Thurje # Hashtag”, deri më tani ka fituar shtatë çmime ndërkombëtare:

1. Grand Jury Prize – Brandenburg Film Festival, Berlin 2021.

2. Best Short Film – Tagore International Film Festival – Filipine 2021

3. Best Short Film – Druk International Film Festival, Paro Bhutan 2021

4. Outstanding Achievement Award – World Film Carnival, Singapore 2021

5. Outstanding Achievement Award – Star Hollywood Film Festival, LA 2021

6. Best Fictional Short Film – Waikiki Beach Film Festival, 2021

7. Best Short Film – Calcuta International Cult Film Festival, 2021

“Thurje # Hashtag” trajton jetën e dyfishtë virtuale që tashmë mund të konsiderohet si një lloj pandemie globale. Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë bashkë një dhomë banimi. Ato janë të dhëna shumë pas rrjeteve sociale dhe kohën më të madhe e kalojnë të lidhura me telefon mobil. Zana, bënë edhe foto sesione speciale për të krijuar një jetë virtuale të cilën e gjakon. Edhe personat me të cilët ajo është e lidhur e për të cilët beson se janë të rëndësishëm, të pasur e të suksesshëm, në realitet janë po ashtu persona fiktiv dhe te paqenë. Zana, madje organizon edhe seanca mësimi se si duhet krijuar imazhi virtual i një personi. Ajo e subordinon Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina ka dilema. Megjithatë përpiqet ta përcjell Zanën, por përpiqet edhe të mësoj dhe të zë dije në lëmine e shkencës që ajo e studion. Kur pasioni i Zanës për jetën virtuale dhe mediat sociale kapërcen kufijtë e normales, Tina e kundërshton atë duke ia bërë me dije se ajo ka ardhur në kryeqytet për të mësuar dhe për tu bërë ‘dikushi’ me dije. Ajo, paralajmëron Zanën se me këtë logjikë, nuk do te mund te vazhdojnë tutje bashkë. Hendekun mes dy shoqeve e thellon edhe më shumë momenti kur Tina bie prej provimi dhe kërcënon Zanën se udhët e tyre do të ndahen përfundimisht. Zana vazhdon të krijoj personalitetin e rrejshëm dhe të ëndërroj se jeta saj virtuale një ditë do të bëhet realitet. Ajo madje krijon një lidhje serioze me një person te tillë fiktiv. Por kur del në takim me ‘personin e ëndrrave’, zhgënjehet meqenëse kupton se ai person është një i moshuar të cilin ajo e ka angazhuar si fotograf për t’ia sajuar jetën virtuale. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe merr vendim te ndryshoj jetën. Ajo, i kthehet pikturës. Autoportretit të lënë përgjysmë.

Ne rolet kryesore luajnë aktorët Vjollca Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj.

Producent ekzekutiv: Uran Duli, Grimi: Miranda Hetemaj, Kostumografe: Jeta Bajrami, Skenografe: Alba Bytyqi, Zëri: Beslidhje Bytyçi, Muzika: Memli Kelmendi, Asistent i regjisores: Ermal Duli, Drejtor i fotografisë: Lorenc Pelushaj, Skenariste: Brikena Sopi, Regjisore dhe Producente: Lorena Sopi . Prodhoi AS Film Production nga Prishtina. /KultPlus.com

May be an image of text that says 'IADFA BANGALORE CERTIFICATE OF ACHIEVEMENT WINNER BEST SCREENPLAY IS GRANTED TO LORENA SOPI FOR THE FILM SCHAUERFILM IADFA WINNER CERTIFIEDBY INTERNATIONALARTANDDOCUMENTARYFILM ART AND DOCUMENTARY INTERNATIONAL AWARDS BANGALORE 2021 WFCN'

Të fundit

Të ngjajshme