Larmi zhanresh në Millennium dhe Liceun Artistik në ditën e katërt të TIFF

27 Shtator, 2022 - 9:45 pm

Dita e katërt e TIFF ka nisur me filmin me metrazh të gjatë të regjisorit rus, Aleksandr Khant.

“In Limbo” (103’) është një dramë e cila rrëfen historinë e dy adoleshentëve 15-vjeçarë, Sashës dhe Denit, të cilët bëjnë seks për herë të parë. Kur prindërit e Sashës zbulojnë se ajo ka humbur virgjërinë, shpërthen ferri.

Deni e Sasha largohen së bashku, në shenjë proteste ndaj prindërve e kundër shoqërisë në tërësi. Por liria e papritur iu bie në kokë. Filmi është prodhim i vitit 2021 dhe është vlerësuar në disa festivale europiane, ndërsa në festivalin ndërkombëtar të filmit në Varshavë fitoi çmimin Young Fipresci Award.

Njëkohësisht në Kinema Millennium, vazhduan shfaqjet e filmave për fëmijë edhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”, 9 filma të animuar dhe më pas, për fëmijë më të rritur, mbi 11-vjeç u shfaqën 3 filma fiction, të seksionit PANORAMA.

Ora 12:00 shënoi nisjen e projeksioneve të filmave të shkurtër ballkanikë. Gjithsej shtatë filma fiction, nga Turqia, Maqedonia e Verit, Greqia e Serbia.

Pas tyre nisi projeksioni i “Blue Moon”i regjisores Alina Grigore, nga Rumania. Filmi i përket seksionit Perspec TIFF.

Pasdite priten të shfaqen një listë e gjatë filmash të zhanreve të ndryshme, mes të cilëve “Bijtë e Kainit” nga Keti Stamo, film dokumentar, i realizuar mes Francës, Shqipërisë e Italisë./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme