“PriFest” do të fillojë nesër me 52 filma, 10 nga ta prodhim kosovar

23 Gusht, 2021 - 10:30 am

Në Kosovë nga nesër do të fillojë njëri nga festivalet më prestigjioz PriFest i cili do të zgjasë nga data 24 deri më 29 gusht.

Prishtina Festival është festival i filmit të metrazhit të gjatë, i cili realizohet në Kosovë dhe këtë vit shfaqja e filmave do të bëhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në amfiteatrin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Organizatorja e këtij festivali Vjosa Berisha në një intervistë për emisionin “Ora 7”, tha se edhe pse këtë vit festivali do të mbahet me publik do të ketë kufizime dhe masa të shtuara anti-COVID për të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa shfaqjet e hapura për publikun do të jenë falas.

“Këtë vit kapaciteti i pjesëmarrësve në festival do të jetë 50% më i ulët. Të gjithë pjesëmarrësit brenda obligohen të bartin maska dhe duhet të kenë me vete dezinfektues”, tha Berisha

Edhe pse këtë vit festivali do të mbahet me prezencë fizike, organizatorja e këtij eventi kujton sfidat që PriFest kaloi vitin e kaluar ku i gjithë festivali u mbajt online.

“Në edicionin online ka pas sfida mjaft pasi kemi mëndu që nuk do të funksionoj, por ka pas një numër të audiencës dhe janë mbajt workshopet dhe seancat me DJ ndërkombëtar, por ka qenë ndryshe sepse takimet fizike janë komplet ndryshe nga ajo që mund të krijoj afërsi përmes komunikimit online”, shtoi Berisha.

Këtë vit në festival do të shfaqen 52 filma, ku 10 prej tyre janë prodhim i Kosovës, ndërsa nata e parë e këtij festivali do të jetë e organizuar vetëm për pjesëmarrës.

“Festivali ofron diçka shumë të rëndësishme, këtë vit me masat dhe problemet që po na shfaqen në këtë periudhë ka sfida financiare dhe logjistike por festivali po mbahet me 52 filma, ku 10 nga ta janë prodhim i Kosovës. Nata e parë do të jetë e mbyllur dhe vetëm me ftesa ku do ti dedikohet sponsorëve dhe do të shfaqet filmi Zoi”, njoftoi organizatorja e këtij eventi.

Në PriFest këtë vit do të jenë tetë kategori garuese për filmat, kurse fokus i këtij edicioni janë gratë./KultPlus.com

Të ngjajshme