Valbona nën petkun e bardhë të dëborës

3 Dhjetor, 2023 - 1:00 pm

Valbona, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve, me male e lugina mbresëlënëse është një ndër më të frekuentuarit nga turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm pamje nga parku kombëtar i Valbonës, ku dëbora ka shtruar petkun e bardhë.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, parku kombëtar i Valbonës nuk njeh stinë, me vizitorë të shumtë në çdo periudhë të vitit.

Gjatë stinës së dimrit reshjet e dëborës e shndërrojnë parkun në vend magjik, ndërsa rruga mirëmbahet vazhdimisht për të mundësimin qarkullimin pa ndërprerje të vizitorëve.

Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet shqiptare.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996-ës. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit të Bajram Currit, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte. / KultPlus.com

Të ngjajshme