Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave

23 Shtator, 2023 - 2:30 pm

Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave është një mundësi unike për të mbështetur dhe mbrojtur identitetin gjuhësor dhe diversitetin kulturor të të gjithë personave që nuk dëgjojnë dhe përdoruesve të tjerë të gjuhës së shenjave.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur 23 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e gjuhës së shenjave në realizimin e plotë të të drejtave të njeriut të njerëzve që nuk dëgjojnë.

Sipas Federatës Botërore të të Shurdhërve, ka më shumë se 70 milionë njerëz të shurdhër në mbarë botën. Më shumë se 80% e tyre jetojnë në vendet në zhvillim. Së bashku, ata përdorin më shumë se 300 gjuhë të ndryshme të shenjave.

Gjuhët e shenjave janë gjuhë të plota natyrore, strukturalisht të dallueshme nga gjuhët e folura. Ekziston edhe një gjuhë ndërkombëtare e shenjave, e cila përdoret nga personat e shurdhër në takimet ndërkombëtare dhe joformalisht kur udhëtojnë dhe shoqërohen. Ajo nuk është aq komplekse sa gjuhët natyrore të shenjave dhe ka një leksik të kufizuar.

Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara njeh dhe promovon përdorimin e gjuhëve të shenjave. Ajo bën të qartë se gjuhët e shenjave janë të barabarta në status me gjuhët e folura dhe detyron shtetet palë të lehtësojnë mësimin e gjuhës së shenjave dhe të promovojnë identitetin gjuhësor të komunitetit të Shurdhërve. / KultPlus.com

Të ngjajshme