Kryeministri Kurti përkujton Elfete dhe Mentor Humollin, dy të rinjë që u vranë nga forcat serbe

1 Shkurt, 2024 - 12:18 pm

Sot u bënë 34 vite, nga rënia e Elfete Humollit, vajzës së re që u vra nga policia e Serbisë, teksa po protestonte për liri dhe republikë.

Në këtë përvjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Elfete dhe Mentor Humollin duke u shprehur se vëlla e motër kishin ideal lirinë dhe do të kujtohen gjithmonë me nderime.

Postimi i kryeministrit:

Më 1 shkurt 1990, Elfetja bashkë me vëllain e saj Mentorin dhe me shumë të tjerë, kishte marrë pjesë në demonstratë kundër pushtetit represiv të Serbisë pushtuese, që i shtypte shqiptarët në Kosovë, i burgoste mbi baza politike dhe i diskriminonte mbi baza etnike. Elfetja ishte 16 vjeçare, kurse Mentori 13 vjeçar. Mes shtëllungave të tymit të gazit lotsjellës, policët e Serbisë shtinë mbi protestuesit duke i plagosur Eset Kaçiun, Ismet Krasniqin dhe Avni Retkocerin, kurse Elfetja nuk u mbijetoi plagëve. Ajo vdiq aty, teksa fjalët e fundit të saj ishin: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?!”

Mentori kishte shpëtuar dhe e vazhdoi rrugën e të njëjtave ideale të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe duke luftuar me uniformën e saj derisa ra dëshmor më 21 maj 1999 në betejën e Koshares.

Për t’i kujtuar së bashku, Elfeten dhe Mentorin, sot bëmë homazhe të monumenti përkujtimor i ngritur në fshatin Lupç i Poshtëm, afër vendit ku kishte rënë Elfetja 34 vite më parë. Mbi një gur masiv janë gdhendur emrat e Elfete dhe Mentor Humollit, kurse poshtë tij është vendosur një krua me ujë për udhëtarët.

Me nderime u kujtofshin gjithmonë Elfete dhe Mentor Humolli, mes të rënëve për lirinë e Kosovës! / KultPlus.com

Të ngjajshme