Paraqitet botimi i fotografit të ajrit Alket Islami, ‘Tirana from the Air’

27 Mars, 2024 - 8:25 pm

 “TIRANA NGA AJRI me sytë e një dëshmitari fluturues” – Metamorfoza spektakolare e kryeqytetit të Shqipërisë, nga rrumpalla e viteve ‘90 tek rrokaqiejt e shekullit të ri, është aktiviteti i zhvilluar ditën e sotme në kinema “Millenium” në Tiranë, për paraqitjen e botimit më të ri të fotografit të ajrit Alket Islami.

Të pranishëm në aktivitet ishin kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, kryebashkiaku Erion Veliaj, diplomatë të përfaqësive të akredituara në vendin tonë, e shumë të ftuar të tjerë.

Në fillim të paraqitjes së këtij botimi, përmes pamjeve të videos prezantuese u shpalos evolucioni i kryeqytetit nga vitet ’90 deri më sot.

Alket Islami fotoreporter, autori i librit, u shpreh se, “fluturimin e parë e praktikova për herë të parë në këtë qytet në vitin 1993 dhe më pas Tirana u bë epiqendra e aktivitetit tonë për sportet e ajrit. Lidhja e ngushtë me fluturimin si profesion është e rëndësishme për mua, pasi ka kontribuar në krijimin e një koleksioni të paharruar të pamjeve të qytetit të Tiranës duke e bërë atë të jetë jo vetëm një album me foto, por një rrëfim emocionues dhe frymëzues për të gjithë ata që e shohin dhe brezat që do të vijnë”.

“Nëpërmjet pamjeve nga ajri mund të shohim transformimin gradual të qytetit, nga infrastruktura urbane e deri në objektet kulturore dhe sociale që kanë ndikuar në zhvillimin e tij”, tha ai./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme