Qyteti i Freiburgut prezanton pushimin menstrual

24 Janar, 2024 - 2:24 pm

Në Freiburg, punonjëset vajza dhe gra tani lejohen të mungojnë tre ditë për çdo menstruacion. Një certifikatë mjekësore nuk është e nevojshme.

Parlamenti i qytetit të Freiburgut miratoi të hënën në mbrëmje vendimin. Në të ardhmen, gratë do të kenë të drejtën për një pushim deri në tre ditë për çdo muaj në periudhën e menstruacioneve. Një certifikatë mjekësore nuk është e nevojshme, raporton 20 Minuten. Siç shkruan “La Liberté”, masa u miratua me 49 vota kundër 13 dhe 13 abstenime.

Propozimi është paraqitur nga politikanë të PS-së, të Gjelbërve dhe Liberalëve të Gjelbër. Kryebashkiaku Thierry Steiert (PS) tha se ekzekutivi pranoi “faktin që dhimbja menstruale ndoshta është ende e nënvlerësuar në shoqërinë tonë, siç tregohet nga disa studime të publikuara së fundmi”.

Rregulloret e personelit të Freiburg-ut tashmë tolerojnë mungesën e tre ditëve radhazi pa certifikatë mjekësore. Megjithatë, Laura Zahnd, një nga deputetet thotë: “Është e rëndësishme që mund të them që mungoj për shkak të periudhës sime dhe se kjo konsiderohet një arsye legjitime për mungesë. Aktualisht, njerëzit me menstruacione pritet të vijnë në punë edhe kur nuk ndihen mirë dhe ndonjëherë u nënshtrohen komenteve të papërshtatshme”.

Administrata e qytetit të Cyrihut gjithashtu filloi një projekt pilot në këtë drejtim vitin e kaluar. Synimi është të sigurohet që gratë që kanë dhimbje periodike “të rënda” dhe “të rregullta” mund të mungojnë nga një deri në pesë ditë në muaj, ndërkohë që vazhdojnë të marrin pagën e tyre./RTS / KultPlus.com

Të ngjajshme