Sot, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

3 Maj, 2023 - 9:00 am

3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet që nga viti 1993 e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit dhe po ashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të mediave për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale, shkruan KultPlus.

Këtë vit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës më 3 maj do të shënojë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit për t’ua kujtuar qeverive sërish nevojën për ta respektuar zotimin e tyre për lirinë e shtypit. 3 Maji, është po ashtu një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të medias për lirinë e shtypit dhe etikën.

AGK-ja, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Bashkimin Evropian në Kosovë, si dhe Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, do të organizojë një sërë aktivitetesh këtë vit për ta ngritur ndërgjegjësimin për sfidat lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe rëndësinë e mediave të lira e të pavarura.

Me fillim nga ora 10:00, Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës do të mbajë një deklaratë për medie përballë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të ngritjes së shqetësimit për sigurinë dhe shkeljen e të drejtave të gazetarëve, si dhe nevojën për respektimin e medieve të lira, e pavarura.

Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara, me fillim nga ora 13:00, në Kino Armata do të mbahet një konferencë ku do të diskutohet për Sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit, dhe Pozitën e gazetarëve në dhomën e lajmeve ndër vite./KultPlus.com

Të ngjajshme