Urat në malin e Sheldisë, pasuri kulturore me rëndësi historike

18 Shkurt, 2024 - 10:43 am

Skuadra e DRTK Shkodër, ka nisur punën për identifikimin dhe dokumentimin e pasurive kulturore me vlerë të rëndësishme historike me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre unike dhe shpalljen e tyre si interes kulturor.

Kësaj here DRTK Shkodër sjell në vëmendje urat në malin e Sheldisë.

Në lartësinë rreth 280 m. ruhen si pjesë e trasesë së rrugës dy ura në distancë rreth 300 m nga njëra tjetra. Vepra inxhinerike në gurë shërbenin si mbikalime mbi vërshimet e përrojve nga Mali i Sheldisë.

Urat janë prej guri, të ndërtuara mbi skarpatin e malit. Në fasadë i është kushtuar kujdes anës estetike në puthitjen mirë të gurëve, skuadrimin e tyre, fugave dhe parapeta.

Ura e parë që ngrihet rrëzë malit të Sheldisë, mbi fshatin Juban me një gjatësi 14 m, ngrihet mbi një qemer njëfish i punuar me gurë të skuadruar me rreze drite 2.70 m. E gjithe ura ka një lartësi 2.10 m dhe gjerësi 3.30 m.

Ura e dytë rreth 300 m në distancë nga e para është më e lartë për shkak dhe të relievit më të thepisur. Për ndërtimin e saj është punuar dhe terreni mbi të cilin janë ngritur këmbët e urës. Me gjatësi 23.40 m, ura ka një lartësi 6.45 m e pajisur me një qemer njëfish me rreze drite 2.70 m dhe gjeresi e trasesë 3.50 m.

Historia e urave mbi fshatin Ganjolle, lidhet me pozicionin gjeografik të Shqipërisë, që e bënte atë të rëndësishme për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye, në vitin 1832 ishte hapur një konsullatë në Shkodër, e cila u bë një qendër e rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon. Si rrjedhojë, në ultësirën perëndimore u planifikua të ndërtoheshin hekurudha për dekovilët si dhe teleferikë që shërbenin për transportimin e materialeve të luftës, ushtarëve, furnizimeve ushqimore etj. Vija më e njohur e dekovilit por dhe teleferikëve ishte Shëngjin Lezhë-Vorë, 40 km i gjatë dhe do të shërbente për transportin e municioneve e ushqimeve madje dhe të trupave./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme