“Ana – Rozafa”, sjell muzikantë nga Rumania në Shqipëri për festivalet më të rëndësishme në vendin tonë

25 Gusht, 2023 - 3:30 pm

Ka disa ditë që ka nisur rrugëtimin e tij edicioni i dytë i projektit kulturor rumuno-shqiptar “Ana – Rozafa”, që synon të afrojë nga ana kulturore muzikantë nga Rumania dhe Shqipëria – vende që ndajnë të njëjtën hapësirë kulturore ballkanike, përcjell KultPlus.

Kështu, nga 14 gjer më 27 Gusht 2023, po mbahen një sërë koncertesh në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat nga dy grupe muzikore rumune, njëri jazz dhe tjetri muzikë klasike. Ata po  performojnë në evente të rëndësishme kulturore shqiptare: Shkodra Jazz Festival dhe Rrok Academy. Gjithashtu, ata do të marrin pjesë në një sërë masterclass-esh dhe shkëmbime përvojash në Shqipëri, duke bashkëpunuar me artistë nga e gjithë rajoni ballkanik.

Rumania do të përfaqësohet nga grupet PopFolklorica (Ovi, Mihaela Zlat, Sorin Zlat, Frații Cazanoi) dhe Enescu Young Strings (Andreea Ioana Nistor, Alesia Mihai, Ștefan Ciceu, Carla Herescu). Të dy grupet do të performojnë muzikë rumune në Shkodra Jazz Festival përpara një audience prej mbi 2,000 njerëzve dhe do të bashkëpunojnë me muzikantë shqiptarë për të zhvilluar repertore të reja bazuar në tema muzikore specifike të të dy vendeve. PopFolklorica: PopFolklorica përbëhet nga artistë të shquar që vijnë nga stilet muzikore që variojnë nga jazz-i te motown apo soul, me elemente etno dhe folklorike. Nën këtë koncept unik, i nisur nga solisti Ovi (Ovidiu Jacobsen – Cernăuțescu, i cili mori vendin e tretë në Eurovision 2010 së bashku me Paula Seling) – piano dhe zë, Mihaela Zlat – zë, së bashku me pianistin Sorin Zlat dhe anëtarët e njohur të grupit Frații Cazanoi, PopFolklorica tejkalon kufijtë muzikorë të skenës rumune, falë versatilitetit instrumental dhe energjisë vibruese që ofrojnë si një grup i unifikuar me personalitete krijuese kaq të ndryshme.

Enescu Young Strings: Enescu Young Strings promovon muzikantë të rinj në fillim të karrierës së tyre, të cilët tashmë kanë dalluar veten me rezultate të shquara në konkurse dhe në skenë. Violinistet Andreea Ioana Nistor, së fundmi pranuar në seksionin e violinës të Akademisë Mbretërore të Muzikës në Londër, Alesia Mihai, violonçelisti Ștefan Ciceu dhe flautistja Clara Herescu do të prezantojnë për audiencën shqiptare një program ekskluzivisht rumun të kompozitorëve përfaqësues të shekujve XX – XXI. Kështu, PopFolklorica do të performojë më 23 Gusht, në ora 18:30, në qytetin e Shkodrës në Rrok Academy, dhe më 25 Gusht, në ora 20:30, në Sheshin pranë Bashkisë në të njëjtin qytet. Kuarteti Enescu Young Strings do të performojë në të njëjtin qytet më 20 Gusht, në ora 20:30, në Banesën Oso Kuka, dhe më 27 Gusht, në ora 19:30, në Orkestrën e dhomës Skanderbeg. Titulli i projektit “Ana-Rozafa” flet për mitin themelor dhe metaforën e sakrificës së krijimit, një temë e pranishme në legjenda nga të dy hapësirat, rumune dhe shqiptare.

“Duke vijuar një bashkëpunim të nisur në 2021 mes shoqatave UCIMR dhe Rrok Jakaj – partneri ynë nga Shqipëria, projekti ‘Ana – Rozafa’ forcon një lidhje kulturore të natyrshme mes artistëve të të dy vendeve që kanë shumë të përbashkëta, përfshirë legjendën e vjetër të sakrificës së krijimit, përmes dy personazheve femërorë të sakrifikuar brenda mureve të Manastirit Argeș – Ana – dhe respektivisht të kalasë së Skutarit në Shkodër – Rozafa”, thotë Sebastian Gheorghiu, menaxher kulturor dhe anëtar i Bordit Drejtues të UCIMR.

Projekti Ana – Rozafa është organizuar nga Shoqata UCIMR – Uniunea de Creație Interpretativă a Muzicienilor din România – në partneritet me Shoqatën Kulturore Rrok Jakaj dhe bashkëfinancuar nga Instituti Kulturor Rumun, përmes Programit Cantemir – program financimi për projekte kulturore të dedikuara bashkëpunimit ndërkombëtar. / KultPlus.com

Të ngjajshme