Ennio Morricone festoi sot 90-vjetorin e lindjes

11 Nëntor, 2018 - 9:30 pm

Një nga kompozitorët më të famshëm të botës, Ennio Morricone mbushi sot 90 vjeç.

I lindur në Romë më 10 nëntor 1928, në një familje muzikanti, ai u shqua që në femijëri për talentin e tij në muzikë. Ishte vetëm 12-vjeçar kur u regjistrua në konservatorin e muzikës në një program 4-vjeçar, të cilin e përfundoi në vetëm 6 muaj. U diplomua më 1946 në trumpetë me udhëheqës të famshmin Goffredo Petrassi, i cili do të bëhej edhe udhëheqësi e frymëzuesi i tij muzikor.

Studimet i përfundon në Konservatorin e Santa Cecilia në vitin 1954, ku mori Diplomë në Kompozicion me një vlerësim të lartë: 9.5/10.

Kompozimet e para i filloi që në moshën 6-vjeçare. Deri më sot ai ka kompozuar më shumë se 500 melodi të pavdekshme për kinema dhe televizion. Por pasioni i tij i vërtetë mbetet muzika simfonike dhe eksperimentimi me risi muzikore.

I konfirmuar me një yll në “Walk of Fame” në Los Angeles, dhe me çmimin Oskar për karrierën në vitin 2007, Morricone ka dhe një mori çmimesh që shenjojnë karrierën e tij.

Pavarësisht nga qindra rezultate që kanë bërë epokë, partneriteti me Sergio Leone do të ishte simboli ideal për kinemanë e Morricone-s. Nuk ishte rastësi që, në vitin 2007, në skenën e çmimeve Oskar u ngjit aktori Clint Eastwood për t’i dhënë statujën e lakmueshme: Eastwood nuk do të kishte ekzistuar pa Sergio Leone-n dhe Morricone-n. Dhe muzikanti kishte gjetur tek aktori, simbolin e parë të muzikës së tij të dashur në të gjithë botën.

Muzika e Morricone-s gjithmonë ka pasur një ndikim kryq, që “infektoi” gjenerata të ndryshme dhe ka siguruar famë përtej kinemasë me më shumë se 70 milionë regjistrime të shitura.

Ai ka treguar shpesh pjekuri edhe kur filloi të performonte në publik si dirigjent i kompozimeve të tij. Dhe me shkopin e dirigjimit në dorë, para orkestrës së tij, Morricone zbulon çdo herë aftësinë e tij si kompozitor bashkëkohor, krijues i epikës për publikun e gjerë, këngëtari nostalgjik i emocioneve sekrete, shkruan ata./ KultPlus.com

Të ngjajshme