Erli Gurra, mjeshtri që bën drurin të nxjerrë tinguj

13 Qershor, 2021 - 2:33 pm

Erli Gurra, është një nga të rinjtë më të veçantë në Tiranë për shkak të zanatit të tij, që lidhet me krijimin e instrumenteve muzikore, mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre ku violina zë vendin kryesor.

Në një intervistë për ATSH-në Erli tregon historinë e gjithë këtij rrugëtimi të veçantë. Ai tregon fillesat e tij në kohën që ai e kishte si një formë argëtimi dhe deri në ditët e sotme ku ka vendosur që “Ljuterinë” apo restaurimin e veglave muzikore me harqe e ka kthyer në profesionin e jetës së tij, falë edhe arsimimit të veçantë që ai ka kryer në të vetmin institucion “Ljuterie” në shkollën Antonio Stradivari në Kremona të Italisë.

Ai tregon se pasioni për veglat muzikore me harqe i lindi në moshë të vogël duke parë babin e tij,

“Pasionin për instrumentet e kam të trashëguar nga babai im, Ramazan Gurra i cili punon prej 40 vjetësh punon si akordator në Universitetin e Arteve. Gjyshi ndërkohë ka qenë kompozitor i këngëve qytetare tiranase, Muharrem Gurra dhe ai ndërtoi një violinë vet pasi ja prishën të dyja violinat që dispononte në kohën e komunizmit. Edhe sot e kësaj dite ne e ruajmë atë violinë si objekt të shtrenjtë familjar. Kjo ka qenë arsyeja se përse ky pasion ka qenë rritur bashkë me mua”, tregon ai për ATSH-në.

Vendimin për të ndjekur hapat e gjyshit dhe babait të tij Erli e bëri fakt në momentin që u arsimua enkas për “Ljuteri”.

“Për mua ishte shumë  e lehtë pasi unë jam rritur në mes të instrumenteve sepse shtëpia ime ka qenë një laborator instrumentesh dhe kemi pasur shumë lloje veglash. Gjatë gjithë kohës kam qenë i rrethuar prej tyre. Argëtimi im më i madh ka qenë pikërisht laboratori i punës së babait tim. Mbase duke parë gjithë ato instrumente të prishura që rikonstruktoheshin nga babai im dhe që rregulloheshin bëri që unë të merresha me këtë gjë sepse e kuptoja që e kisha pasion. Në moshën 18 vjeçare unë isha i bindur dhe e kisha të vendosur se kush  do të ishte profesioni im në jetë”, tregon ai për ATSH-në.

Me kalimin e kohës Erli vendosi që të investonte shumë, megjithëse ishte jo i lehtë si udhëtim dhe si zgjedhje ai sërish ja doli.

“Në 2007 kam mbaruar studimet dhe në 2008 kam mbaruar edhe specializimin në një ndër laboratorët më të njohur në Kremona tek mjeshtri Edgar Rus. Mbas specializimin për 1 vit e gjysmë kam punuar bashkë me të dhe më vonë u ktheva në Shqipëri. Ishin shumë faktor që më rikthyen, doja që të ndërtoja laboratorin tim këtu në Shqipëri. Unë gjithashtu përfaqësoj Shqipërinë edhe në evente apo panaire ndërkombëtare për “Ljuteri”. Kam marr pjesë më panairin Mondo Muzika, që është panairi më i rëndësishëm në Europë që zhvillohet duke iu dedikuar instrumenteve me harqe, në Frankfurt Music Mese dhe në Sangai Muzik China”, shprehet ai.

Gjatë këtij rrëfimi Erli na tregon se ku arrin të siguroj të gjithë materialet bazë të cilat janë shumë specifik dhe se akoma zgjidhet e njëjta bazë materiale që përdorej në vitet 1600-1700.

“Gati e gjithë prodhimtaria ime shkon e gjithë jashtë. Bazën materiale e marr në Itali në të njëjtin vend ku i merte Stradivari, në 1600 dhe prej aty vjen e gjithë baza materiale e imja. Ne vazhdojmë në të njëjtën mënyrë pune në të cilën funksiononte Stradivari, çka e bëri atë edhe njeriun më të njohur në botë për konstruksionin e instrumenteve me harqe. Në Bosnje, Kroaci dhe në veri të Italisë merret pjesa më e madhe e të gjithë bazës time materiale. Por edhe të gjitha veglat që unë punoj janë të krijuara posaçërisht për këtë proces pune dhe është një investim prej mijëra eurosh”, shprehet Erli për ATSH-në.

“Për një violinë më duhet plot një muaj kohë që të punoj me të në mënyrë intensive dhe me një orar të plotë dhe jo duke e neglizhuar. Ka raste kur më duhet të punoj edhe më tepër se 10 orë.  Një violinë e imja kushton rreth 8 mijë euro jashtë. Diferenca eshtë e madhe pasi sensibiliteti që kemi në duar për perceptimin akustik që lëshon druri. Unë e kuptoj tingullin që do të ketë violina sapo filloj të punoj me të, sapo e prek për herë të parë. Këto veçori makineritë nuk mund ti kenë. Njeriu nuk zëvendësohet dot. Ky është një zanat shumë i vjetër pasi Ljuteria ka filluar të ushtrohet që në 1500 dhe paraardhës të violinave kanë qenë lahutat, Ljutat ku për këtë shkak mori edhe emërtimin zanati ynë. Violina doli në skenë më 1500 pasi më parë ka pasur të tjerë instrumente të përafërta si Viola D’amore, Viola d’agamba, Viuela dhe shumë instrumente të tjerë me harqe që janë paraardhëse të violinës. Përveç violinës unë ndërtoj edhe violë, violinçel dhe kontrabas”, tha Gurra.

Në gjithë këto vite pune numri i instrumenteve të dala nga duart e Erlit është i madh, ku këto instrumente të punuara me pasion prej tij luajnë në skena prestigjioze të teatrove botëror dhe nga instrumentistë virtuoz.

“Unë kam një treg shumë të madh duke filluar nga Azia, që është Japonia, Koreja e Jugut, Kina, por edhe në Europë si Francë, Spanjë, Angli, apo edhe nga Amerika dhe thuajse në të gjithë botën. Niveli i instrumenteve që bëj unë janë për instrumentist profesionist që luajnë me orkestra dhe në teatro shumë të njohur. Ndonjëherë merrem edhe me riparime të instrumenteve në Shqipëri dhe më tepër e bëj për të ndihmuar instrumentistët.  Instrumenti është pronë e vet artistit dhe asnjë institucion nuk përgjigjet për këtë pjesë. I kanë pronë dhe investim por edhe mirëmbajtja e tyre është investim më vete”, shprehet Gurra për ATSH-në. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme