Fundjava e Eda Zarit dhe Elina Dunit, në Porto Palermo Festival

24 Korrik, 2023 - 11:03 am

Fundjava që lamë solli në Porto Palermo dy nga zërat dhe zhanret më interesante muzikore. Këngëtaret Eda Zari, Elina Duni, pianisti Genti Rushi e kuarteti AJS ishin disa prej artistëve që i janë bashkuar nismës së Olen Cesarit, në Porto Palermo Festival.

“Magjisë së trashëgimisë kulturore dhe detit, Eda Zari dhe AJS Quartet i shtuan magjinë e muzikës. Porto Palermo Festival , një nga destinacionet më të bukura kulturore të verës, mbështetur nga Ministria e Kulturës” shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.

Skena e pazakontë e kalasë mesjetare të Porto Palermos u mbush me artistë të cilët shpërfaqën pasionin dhe aftësitë e tyre. Imazhi i mirë që ky festival ka krijuar edhe në netët apo edicionet e kaluara, ka bërë që një pjesë e spektatorëve të niseshin enkas nga qytete të tjera, për të ndjekur performancat e kësaj fundjave.

Porto Palermo Festival zhvillohet cdo fundjavë, nga 14 korriku në 14 gusht. Njëkohësisht në lokacione të tjera bregdetare, gjatë fundjavës u zhvilluan aktivitete artistiko-kulturore. Për të qenë të përditësuar me këto informacione, ministrja Margariti kujtoi edhe  një herë për të shkarkuar aplikacionin TEA. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme