Kori i femrave –MKC nga Shkupi, një ansambël me amatorë befasoi Prishtinën mbrëmë

7 Tetor, 2018 - 9:22 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmja e parafundit e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit në Prishtinë, solli para të pranishmëve një program mjaft interesant me vepra të larmishme të cilat u interpretuan nga Kori i Femrave i Qendrës Kulturore Rinore (MKC), shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare Universitare mirëpriti për herë të parë në Prishtinë, Korin e Femrave –MKC. Ky ansambël, përmes performimit të një repertori të gjerë duke përfshirë autorë nga të gjitha stilet muzikore dhe periudhat, me një vëmendje të veçantë për muzikën e shenjtë dhe letërsinë e korit maqedonas, dëshmoi që edhe këngëtarët amatorë mund të arrijnë rezultate profesionale.

Një gjë të tillë ky kor e bëri edhe në Prishtinë përmes veprave që sollën duke përfshirë këtu vepra të kompozitorëve si: Dmitriy Bortnjaski, Todor Skalovsi, Risto Avramoski, Dragan Shuplevski, Trajko Prokopiev, Richard Rodgers/Kirby Shaw, e të tjerë.

Një program ky i cili u mirëprit edhe nga të pranishmit. Dirigjenti Rafet Rudi, tha për KultPlus se u vërejt që dirigjenti ka njohuri shumë të mira për muzikën vokale. Tutje ai e përgëzoi korin për punën që bëjnë duke u shprehur se paraqitja e tyre ishte befasuese.
“Ishte një program i mirë. Dirigjenti është njohës i mirë i muzikë korale dhe ishte një përgatitje shumë e mirë e korit, mos ta besosh që në këtë mënyrë mund të tingëllojë një kor amator”, u shpreh ai.

Në mesin e veprave të cilat u interpretuan ishte edhe vepra “Një tokë, një kokë”, pikërisht e kompozuar nga dirigjenti dhe kompozitori Rudi. “Vepra ime që u luajt sonte ka kohë që është shkruar, 40 vite më herët në rininë time. Bukur e kishin përgatit natyrisht meqenëse është teksti poenta e veprës, po të ishte dëgjuar edhe më qartë do të ishte më interesant. Por përgjithësisht ishte një mbrëmje e mirë”, vazhdoi tutje Rudi për KultPlus.

Në anën tjetër ardhjen në Prishtinë ky kor e konsideroi si privilegj. Dirigjenti Sasho Tatarchevski, para të pranishëmve tregoi se kjo është hera e parë që ata janë në Prishtinë dhe se ndjehen të nderuar me thirrjen që u është bërë nga festivali.

“Kori i Femrave i Qendrës Kulturore në Shkup, ekziston që 46 vite dhe për këto vite ka pasur shumë suksese ndërkombëtare bazuar në faktin se ky është një kor amator dhe në këtë mënyrë edhe punohet. Sonte këtu jemi dy e treta e korit sepse me korin amator nuk mundet që çdo herë të jetë njëjtë. Sonte në kuadër të këtij koncerti sollën një program më të gjerë. Në fillim sollën kompozime të viteve të 80-ta, këngë kishtare. Më pas disa kompozime të cilat bazohen në folklor për të vazhduar me ato perëndimore”, u shpreh ai.

Sonte në Kishën Shën Ndou në Prishtinë është duke performuar po ashtu edhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, i cili me koncertin e tyre po shënojnë edhe përfundimin e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme