Naser Berisha vjen me dedikim për qytetin e lindjes, “Himni i Gilanit” do të lansohet të premten (VIDEO)

4 Prill, 2023 - 9:45 pm

Dashuria për qytetin e lindjes kësaj radhe vjen nëpërmjet këngës, dhe hiq më pak se lansimi i një himni, himn që vjen nën interpretimin e këngëtarit të njohur Naser Berisha, shkruan KultPlus.

Kjo këngë që përfshinë copëza të kujtimeve të një qyteti, sikurse ato të historisë, kulturës, artit, sportit e shumë kujtimeve të tjera që rrumbullakojnë kujtimet e qytetarëve,  vjen me titullin “Himni i Gilanit”, e që tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Naser Berisha e Xhelil Haziri, muzikën Naser Berisha, orkestrimin Rinor Ukimeri dhe  mix -master nga Minimalistmusic.

Kjo këngë që do të prezantohet më 7 prill në Gjilan, përkatësisht në Vali Ranch, sipas Naser Berishës është ideuar dhe sponsorizuar nga “Global Consulting & Development Associates”, përkatësisht Arsim Vranovci.

“Himni i Gilanit” tashmë ka të realizuar edhe videoklipin e që natyrisht është realizuar në qytetin të cilit edhe i dedikohet, kurse sikur shumë këngë të Naser Berishës që janë të shndërruar në hite të mëdha, edhe kjo këngë pritet të këtë të njëjtin rrugëtim.

Naser Berisha para një viti ka shënuar rikthimin e tij në muzikë, ku në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, pat bërë promovimin e albumit “Epikë”, album që ka shënuar poashtu një sukës të madh.

Ndërkohë, të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e promovimit të kësaj kënge, mund të rezervojnë hyrjen për këtë gala mbrëmje në numrin e telefonit  048 203 206./ KultPlus.com

Të ngjajshme