Në Suedi të gjithë i bien një instrumenti

25 Shtator, 2017 - 9:40 pm

E marrë nga Entela Tabaku Sorman

Në Suedi të gjithë i bien një instrumenti. Në njëzet vjet nuk e kam taku një suedez, fëmijë, të ri, të rritur a plak, që nuk i bie një instrumenti a nuk këndon në një kor. Ose që nuk e ka provu me i ra një instrumenti në një periudhë të jetës së vet. Me nota a pa nota, lodrës a pianos, fyellit a violonçelit, i mbyllur në dhomë, në skenën e shkollës, në kafenenë e lagjes a në shtëpinë e koncerteve. Marrja me muzikë është një mënyrë të jetuari, mosmarrja shenjon diçka jo të zakonshme. Lehtësia me të cilën mund të sigurohet një instrument, lehtëson dhe frymëzon marrjen me muzikë. Pianon time të thjeshtë unë e gjeta falas, mjaftonte të paguaja transportin dhe e mësova për një javë. E megjithatë, në njëzet vjet, nuk e kam taku kurrë, as lexu kund, një muzikant artist të vërtetë, klasik a modern, që jep alarmin se të gjithë po merren me muzikë, muzikën e mori lumi, nuk po e kupton kush muzikën e mirë, sepse të gjithë po i bien qemanes dhe mendojnë se bëjnë muzikë të mirë. Muzikanti që bën art të vërtetë e di se arti nuk është unik, vetëm pse je e vetmja/i vetmi që ka mundësi ta ”prodhojë” atë art. Njeriu, nga natyra ose sepse është pasqyrim i Zotit, është i prirur me kriju. Dhe kënaqësia e krijimit, në të gjitha nivelet, është ndër kënaqësitë më të mëdha intelektuale. Njeriu ka me kriju, sapo t’i jepet mundësia me kriju. Unikaliteti i artit nuk qëndron tek krijimi, por tek aftësia me prekë të tjerët, talenti me gjetë shtigje që të çojnë direkt në shpirtin e kundruesit. Arti i vërtetë shkon përtej krijimit të krijuesit dhe krijon NË kundruesin (a dëgjuesin, a lexuesin). Ky është misteri i artit të mirë. Dhe sa më i mirë, aq më i qëndrueshëm efekti dhe ndikimi. Dhe sa më i qëndrueshëm në kohë ky efekt, aq më i mirë arti. Ka artistë mandej që shkojnë para kohës, kundruesit e të cilëve nuk kanë lindur ende, por vjen një ditë dhe edhe ata i takojnë shpirtrat e vet. Ka arte mandej që krijohen në nivele elitare, aty ku nuk lejohen të gjithë kundruesit, të tjera që e përkundin kundruesin në jetën e përditshme. Por të gjitha kanë vlerën e vet, në atë nivel në të cilin janë. Dhe nëse të gjithë i bien kitarrës, ai/ajo që ka talent të vërtetë, do ta gjejë thirrjen e vet. Dhe arti i vërtetë nuk i druhet krijimit. Sepse arti i vërtetë nuk është vetëm krijim, është fryma e shenjtë që lind për veten e vet por jeton për veten e kundruesit. Dhe nuk vdes me krijuesin, lind me krijuesin por vdes me kundruesin.

Të ngjajshme