‘Nëse vetë nuk do të mundem, do i them birit tim në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim’ (VIDEO)

19 Shkurt, 2021 - 11:30 pm

Jusuf Gërvalla, poeti e muzikanti që vazhdon të jetojë nëpërmjet artit të tij përtej aktivizmit kombëtar, la shumë krijimtari pas vetes, shkruan KultPlus.

Një ndër veprat e tij të paharrueshme është “Do të kthehem nënë”, e cila ka një tonalitet edhe më emocional për ata që e njohin historinë e Gërvallës.

I detyruar për në rrugën e mërgimit nga përndjekja jugosllave, Gërvalla vdiq në dheun e huaj, pa mundësinë e kthimit për herë të fundit te vendi i nënës së tij.

Kjo i ngjau edhe vëllaut të tij, Bardhosh Gërvallës.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Do të kthehem nënë”:

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babait tënd

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme