Policia e Kosovës sqaron pse e ndërpreu ‘Natën e Muzikës Kurde’ në Prishtinë

10 Shkurt, 2018 - 11:43 am

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion në organizimin e mbrëmshëm “Nata e Muzikës Kurde” nga Qendra Sociale “Sabota”, organizim ky i cili është duke u zhvilluar në javën rreth çështjes së kurdëve.

Fillimisht ky organizim ishte ndërprerë nga Policia e Kosovës për disa minuta, me ç’rast policia kishte kontrolluar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje, ndërkaq më vonë kjo ngjarje ka vazhduar pa ndonjë problem.

Sipas njoftimit të policisë, aksioni është zhvilluar pasi aktiviteti paraprakisht nuk ka qenë i paralajmëruar duke rënë në kundërshtim me normat e rendit dhe qetësisë.

Policia ka marrë informacionet se disa persona të caktuar mund të provojnë të pengojnë mbajtjen e këtij aktiviteti, me c`rast edhe ka nisur aksionin bastisës.

“Ndërkohë që Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për të parandaluar çfarëdo incidenti eventual, ka ftuar në vendin e ngjarjes edhe inspektoret përkatës për të konfirmuar validitetin e organizatorit respektivisht Qendrës Sociale SABOTA”.

“Nga verifikimet e kryera nga ana e inspektorëve ka rezultuar se të njëjtit nuk janë të regjistruar sipas procedurave të nevojshme si dhe nuk posedojnë lejen për aktivitetin në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu inspektorët kanë verifikuar se kjo qendër nuk është e regjistruar sipas procedurave të nevojshme si dhe nuk posedojnë lejen për aktivitetin.

“Ndërkohë që Policia ne perimetrin e jashtëm ka kontrolluar te gjitha lëvizjet dhe ka monitoruar rrjedhën e ngjarjes ka ndaluar dhe shoqëruar për ne stacionin policor dy persona, njeri për shkakun se i është gjetur një mjet i mprehtë (thike) ndërsa tjetri për shkak se ka dështuar të identifikohet, pra nuk ka pasë asnjë dokument identifikimi me vete”, thuhet më tej në njoftim. / KultPlus.com

Të ngjajshme