Shqipëria mikpret Turqinë, në kuadër të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare”

30 Qershor, 2022 - 10:00 pm

“Ngjyrat e Turqisë” çeli Javën e Kulturës Turke. Një shfaqje folklorike me këngë e valle të Ansamblit Shtetëror të Valleve Popullore Turke dhe Ansambli i Muzikës Popullore Moderne Turke performoi në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Shfaqja u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit të Republikës së Turqisë.
Shembujt më të dalluar të artit dhe të kulturës turke, të kërcimit dhe të muzikës, janë prezantuar me entuziazëm dhe me një qasje bashkëkohore për publikun shqiptar.

Kjo shfaqje synon të afrojë, edhe më shumë, të dyja kombet, përmes artit.

Shqipëria e mirëpret kulturën turke, në kuadër të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare”, me një program që nisi datën 29 qershor dhe që do të vazhdojë deri më 7 korrik.

Programi i pasur i këtyre ditëve përfshin aktivitete si evente gastronomie, sporte tradicionale, aktivitete për fëmijë, promovime librash, shfaqje operistike, si edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Bibliotekave dhe Botimeve të Bibliotekës Kombëtare të Turqisë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme