‘Tony Drum Studio’ në koncertin e nëntë shpalosi mrekullinë e këngëve të viteve të 90-ta

18 Tetor, 2022 - 4:30 pm

Era Berisha

Dhuntia e gjithsej njëmbëdhjetë bateristëve (Rubin Pergega, Lis Plakolli, Eron Marashi, Lorenc Xhelili, Jon Çarkaxhiu, Jori Blakiqi, Lana Blakiqi, Zog Berisha, Malsor Morina, Olti Berisha, Fion Aliu), ka ardhur mbrëmë nëpërmjet koncertit tradicional të “TonyDrumStudio”. Ka qenë një mbrëmje ku është dalluar krejt lehtazi pasioni i gjithsecilit për të shfaqur dashurinë e tyre ndaj baterive. Tash e nëntë vite, promovimi i bateristëve për këtë studio ka qenë pikë kyçe, dhe po vazhdon të jetë e tillë, shkruan KultPlus.

Pak para se koncerti të gjente fillimin e tij, ishin të pranishmit e shumtë ata që kanë zënë hapësirën e Teatrit Oda në masë të madhe. Karriget e shumta tashmë ishin mbushur, por kjo nuk i ndaloi të pranishmit që ta ndiqnin koncertin edhe në këmbë. Në anën tjetër, qe ndriçimi me reflektorë në ngjyrë të vjollce dhe të kaltër, ajo që i ka dhënë një hijeshi tjetër kësaj mbrëmjeje. Ndërsa, dritat e ngrohta kanë qenë ato që pingul kanë reflektuar mbi skenë, asisoj që duart e bateristëve të rinj të jenë fokusi kryesor i mbrëmjes.

Fillimisht, ishte moderatorja Vlora Merovci ajo që nisi mbrëmjen me një fjalë rasti, ku është shprehur se këngët e planifikuara janë këngë të cilat kanë gjetur strehë në shumë kë.

“Besoj që ky koncert na kthen prapa në kohë dhe na kujton se si kanë filluar bateristët shqiptarë për të performuar nëpër rrugë në vitet e 90-ta. Është e pamundur për t’iu referuar atyre viteve, pa na ngjallë shumë emocione, ku besoj që edhe gjenerata jonë që kemi jetuar atë kohë, kemi shumë kujtime e momente nga kohë të vështira. Epoka e kthesës ka qenë viti 1991, ku në Televizionin e Prishtinës hynë masat e dhunshme dhe njëkohësisht ishte fundi i një fillimi të ri, momenti kur artistët tanë morën guximin dhe ishte muzika ajo që i dha ngjyrë jetëve tona, në një kohë pa ngjyra. Gjithë ajo kohë, ai mllef, e ajo protestë ka qenë arsye e shumë këngëve që na kanë dhënë guxim, emocion të madh, e jemi rritur me to shpirtërisht e fizikisht”, thotë Merovci.

Kur ora shënoi fiks 19:10, bateristët e rinj dolën në skenë dhe krejt çka ishin para tyre, qenë objektet si kovat apo gypat që shërbenin për improvizimin e baterive. Me shkopinj në duar nisi gjithë loja e tyre. Zhurma e krijuar nga harmonia e tyre e përbashkët, ka qenë simboli i kësaj nate që me të vërtetë do të mbetet një nga netët më të paharruara.

“Albanian 90’s” është titulluar ky koncert që për temë ka muzikën shqipe të viteve të 90’ta, dhe gjithçka mbrëmë është lidhur me atë periudhë. Këngët e njohura janë rikthyer në versione më moderne, mirëpo gjithmonë duke e ruajtur origjinalitetin e tyre. Këtë vit, ka qenë edhe orkestra ajo që dukshëm ka luajtur rolin e saj, duke filluar nga dirigjenti Arbnor Gashi, nën udhëheqjen e Artan Elshanit, e deri tek vokalet e mahnitshme të Agim Gërgurit, Bekim Hallaqit, Arbër Krasniqit, Vesa Kelmendit, Dafina Bytyqit, Erza Qerkinit, Rita Hysenit dhe Labinot Reqicës.

“Beso në diell”, “E dua Dashurinë”, “Ëndërr”, “Dashurinë ku e kam” dhe “Ujku plak”, ishin disa nga këngët më të bukura që kanë ardhur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndjeshmëria e përçuar, vokalet dhe instrumentet harkore në ndërlidhje me talentin e bateristëve, kanë arritur që ta mbështjellin këtë natë brenda një bote muzikore ku magjia është ekzistuese.

Ndërkohë, nuk kanë munguar as edhe hitet e tjera të cilat kanë ardhur nëpërmjet interpretimeve të mrekullueshme. Për këtë mbrëmje që jehoi nëpër tinguj shqiptarë, ishin pikërisht duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato që sinjalizuan për fundin e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Ndërsa, Faton Aliu është shprehur tejet falënderues ndaj të pranishmëve e sidomos në veçanti ndaj bendit.

“Si zakonisht, unë kam shumë emocione kur i shoh më të dashurit e mi këtu dhe shumica nga ju jeni dashamirë të artit. Faleminderit shumë që keni ardhur dhe dua ta falënderoj në veçanti bendin, maestron Arbnor Gashi, Artan Elshanin, mikun Festim Kabashi e të tjerët”, ka thënë Aliu.

Koncerti “Albanian 90’s” u zhvillua nën moderimin e Vlora Merovcit, konceptin e Fion Aliut, kurse drejtues dhe producent gjeneral ishte Faton Aliu.

Koncerti është përkrahur nga Komuna e Prishtinës dhe Radio Televizioni i Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme