Dr. Rifat Latifi boton librin “Surgical Decision Making”, autori e vlerëson si një ndër librat më të preferuar

Shtëpia botuese prestigjioze “Springer“ ka botuar në gjuhën angleze librin “Surgical Decision Making”, të autorit të njohur nga fusha e kirurgjisë Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili me përvojën e tij të pasur dhe me ndikimin e tij profesional dhe akademik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në analet e kirurgjisë globale, këtë libër e sjell për të gjithë adhuruesit, ekspertët, studiuesit e shumtë kudo në botë, si një sihariq për këtë fillim vit.

Profesor, Rifat Latifi tashmë konsiderohet si një ekspert me nam në arenën ndërkombëtare dhe çdo prezantim i tij shkencor e studimor, pritet me kënaqësi nga publiku dhe jo vetëm.

Ndryshe lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vet autori profesor Latifi përmes një postimi në rrjetin social “Linkedin” i cili botimin e këtij libri e konsideron edhe një prej librave më të preferuar.

Më poshtë, KultPlus e sjell të plotë njoftimin e Dr. Rifat Latifit

“Me kënaqësi njoftoj se edicioni i ri i një prej librave të mi të preferuar që kam shkruar/redaktuar është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm më 24 janar 2025: – Surgical Decision Making .Marrja e Vendimeve Kirurgjikale“ Ky edicion i rishikuar dhe i zgjeruar trajton vendimmarrjen kirurgjikale në procedura të ndërlikuara kirurgjikale, duke përfshirë marrjen e vendimeve të vështira, ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi gjendjen fiziologjike të pacientit, profilin biokimik, rikuperimin me parametra përfundimtarë dhe gjendjen fiziologjike të vetë kirurgut. Diskutohen gjithashtu vendime specifike kirurgjikale, si kur duhet ndërhyrë dhe kur jo, ri-operacionet dhe operacionet në kushte dhe grup mosha të caktuara. Ky edicion i ri adreson këto dhe elementë të tjerë që janë të rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes intraoperative dhe perioperative, duke përfshirë pyetje bazë që nuk janë trajtuar siç duhet në literaturë. Shumë prej nesh marrim vendime bazuar në prova aktuale, por shpesh ato bazohen në “ndjenjën e brendshme”, “intuitë” apo “efektin e flokëve të thinjur,” ndër teknika të tjera. Në këtë libër, anatomia e këtyre vendimeve eksplorohet nga një këndvështrim teorik si dhe përmes të dhënave objektive që ne si kirurgë përdorim për të marrë vendime kirurgjikale. Askund tjetër, çështja e si marrim një vendim – shpesh me një sasi shumë të kufizuar të dhënash, vendime që vendosin mes jetës dhe vdekjes së dikujt – nuk është më e dukshme se në kirurgjinë e traumës dhe në operacionet komplekse, përfshirë kthimin e paparashikuar në sallën operatore. Përvoja jonë kolektive si kirurgë tregon se një kombinim faktorësh kontribuojnë në procesin tonë të vendimmarrjes perioperative dhe intraoperative, përfshirë arsimin, njohuritë klinike, mentorimin, si dhe kreativitetin dhe ekselencën që vijnë me praktikën e gjatë dhe disiplinën e rreptë. Edicioni i dytë i Surgical Decision-Making: Evidence and Beyond ofron një burim të veçantë dhe të vlefshëm në fushën e kirurgjisë për kirurgët që janë aktualisht në trajnim dhe për ata që tashmë ushtrojnë kirurgjinë në nivel akademik apo në komunitet.

Ndërkohë, për botën akademike shqiptare në fushën mjekësore – kirurgjikale vlerësohet se ky libër ka një vlerë të jashtëzakonshme./ KultPlus.com

Porosia e Kantit dhe shpërdorimi nga moderniteti

Nga Albert Vataj

Shprehja e Kantit “Njeriu duhet trajtuar gjithmonë si qëllim dhe kurrë si mjet” është një nga parimet qendrore të etikës filozofike, të shprehur në kryeveprën “Imperativin Kategorik”. Kjo ide lidhet me respektin që duhet të kemi për dinjitetin dhe vlerën morale të çdo individi.

Kanti argumenton se çdo qenie njerëzore ka një vlerë të brendshme dhe të pakushtëzuar që nuk varet nga qëllimet e jashtme apo interesat utilitare. Kjo do të thotë, se njeriu nuk është thjesht një mjet për arritjen e qëllimeve të dikujt tjetër, por një qenie me dinjitet dhe autonomi që meriton respekt të pakushtëzuar.

Trajtimi i njeriut si qëllim do të thotë të respektosh autonominë e tij, të drejtën për të marrë vendime të lira dhe të arsyetuara për jetën e tij. Nuk duhet të manipulosh, të shfrytëzosh ose të detyrosh dikë për të arritur qëllimet e tua, gjë e cila është një realitet që merr nën kërcënim identitetin dhe integritetin e individit në përballjeN e tij me rritjen e pretendimeve dhe minimizimin e mundësisë për të përfituar nga atributet e kësaj të drejte themelore, për të cilën këshillon Kant dhe shpërdoron moderniteti.

Kësisoj konstato se trajtimi i njeriut si mjet, ndodh kur një person përdoret për përfitim personal, pa marrë parasysh ndjenjat, interesat ose dinjitetin e tij. Kjo mund të ndodhë në situata si të themelta që lidhet me parimet, mbi të cilat vepron pragmatizmi i realitetit.

Referuar mësimeve të Emanuel Kant përftojmë se, çdo person ka të drejta të patjetërsueshme që nuk mund të sakrifikohen për “të mirën e përgjithshme”.

Pacientët nuk duhet trajtuar si mjete për eksperimentim shkencor, por si qëllime më vete, me të drejtën për të vendosur mbi trupin e tyre.

Kant na thotë se njerëzimi brenda çdo individi është një qëllim në vetvete. Duke e respektuar këtë parim, ne afirmojmë dinjitetin njerëzor dhe ndërtojmë një shoqëri më etike dhe më humane.

Është fakt i pamohueshëm se moderniteti e ekspozon njeriun ndaj kërcënimit të trajtimit si mjet dhe jo si qëllim, pa pikësynim të qëllimshëm, por thjeshtë për shkak të ndryshimeve të mëdha sociale, ekonomike, teknologjike dhe politike që kanë karakterizuar botën.

Progresi i pagjasë shpesh e trajton individin si një mjet për prodhim dhe përfitim, ku punëtorët konsiderohen thjesht si burime të zëvendësueshme dhe jo si qenie me vlera të brendshme.

Globalizimi ka krijuar një treg global pune ku njerëzit, veçanërisht në vendet më të varfra, shpesh shfrytëzohen për kosto më të ulëta të punës, duke u trajtuar si mjete për përfitime të atyre që marrin nën kërcënim resurset dhe kapacitetet gjeneruese të botës, si një habitat i gjithëpranuar në një bashkëjetesë të harmonishme, ku mundësitë janë në proporcion të drejtë me kërkesën.

Në epokën e teknologjisë së informacionit, njerëzit shpesh reduktohen në të dhëna dhe algoritme. Kompanitë teknologjike përdorin të dhënat personale për qëllime komerciale, duke trajtuar individët si mjete për reklamim dhe fitim.

Manipulimi i informacionit në mediat sociale ka krijuar një model ku njerëzit trajtohen si mjete për të ndikuar opinionin publik ose për të manipuluar vendimet e tyre konsumatore, dhe jo vetëm kaq, për të shpërbërë në mënyrë graduale dhe të pakthyeshme thelbësoren e njeriut, duke e zhveshur atë nga çdo parim, ideal dhe ego e progresit shpirtëror.

Në botën politike, njerëzit shpesh trajtohen si një masë për vota, ku udhëheqësit fokusohen në mbajtjen e pushtetit dhe jo në mirëqenien e individëve. Populizmi dhe manipulimi politik shpesh shfrytëzojnë emocionet dhe frikërat e njerëzve për qëllime të ngushta pushteti.

Njeriu modern shpesh shihet si një konsumator, ku vlera e tij përcaktohet nga aftësia për të blerë. Në këtë mënyrë, individi reduktohet në një pjesë të një mekanizmi ekonomik dhe humbet vlerën e tij si qëllim.

Respektimi i dinjitetit njerëzor nga Kanti te moderniteti kanë pësuar një ndryshim të themeltë, por pa mundur dot ta shuaj atë zë të gjëmimshëm të mendimit pozitivist, sipas të cilit shoqëria duhet të respektojë secilin individ si qëllim në vetvete. Kjo kërkon sisteme që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, duke garantuar që askush të mos shfrytëzohet për interesin e dikujt tjetër.

A është e mundur kjo?

Kant do të argumentonte për ndërtimin e ligjeve dhe institucioneve që mbrojnë autonominë dhe dinjitetin e individëve, duke kufizuar pushtetit absolute, të orientuar nga manipulimi dhe shfrytëzimi e njerëzve.

Individët duhet të fuqizohen për të kuptuar dhe mbrojtur vlerën e tyre si qenie me dinjitet. Formimi etik mund të ndihmojë në krijimin e një kulture që refuzon instrumentalizimin e individit.

Mendimi filozofik i Kanti ka qenë dhe mbetet në anën e zgjidhjes së problemeve, më shpresën dhe synimin për një botë ku njerëzit janë partnerë të barabartë dhe jo mjete të shfrytëzimit./ KultPlus.com

Ngrohja globale në vitin 2024 ishte mesatarisht 1,6 gradë Celsius

Sipas një raporti të publikuar sot, 2024 ishte viti i parë që temperaturat ishin mesatarisht 1,5 gradë Celsius mbi standardin e klimës që nga fillimi i regjistrimeve.

”Kjo gjithashtu e bëri atë vitin më të ngrohtë në histori”, sipas të dhënave nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike ”Copernicus”, i cili kishte paraqitur vlerësime të ngjashme paraprake në muajt e fundit.

Sipas të dhënave të fundit, viti i kaluar ishte 1,6 gradë Celsius më i ngrohtë se temperatura mesatare e vlerësuar për periudhën 1850-1900, periudha e referencës paraindustriale.

Në të njëjtën kohë, secili nga 10 vitet e fundit (2015-2024) ka qenë ndër 10 më të ngrohtat që nga fillimi i regjistrimeve./ atsh/ KultPlus.com

Fragment nga ‘Libri i Bardhë’ i nobelistes Han Kang

“Bardhë / Libri i Bardhë” nga nobelistja Han Kang

Petku i të sapolindurës

Fëmija i parë i nënës sime vdiq as dy orë pasi erdhi në jetë, më thanë.

Më thanë që ishte vajzë, me fytyrë të bardhë si ëmbëlsirat prej orizi në formë gjysmëhëne. Ndonëse shumë e vogël, dy muaj e parakohshme, tiparet e saj qenë përvijuar qartësisht. Kurrë nuk mund ta harroj çastin, më tha nëna, kur ajo i çeli dy sytë e zinj dhe i ktheu drejt fytyrës sime.

Asokohe prindërit e mi jetonin në një shtëpi të izoluar në fshat, afër shkollës fillore ku babai im jepte mësim. Data e pritshme e lindjes ende ishte shumë larg, prandaj nëna u gjend krejtësisht e papërgatitur kur një mëngjes i plasën ujërat. Askush nuk ishte atypari. Telefoni i vetëm i fshatit gjendej në dyqanin e vogël pranë stacionit të autobusëve – njëzet minuta larg. Babai do të kthehej nga puna pas gjashtë orësh.

Ishte dimër i hershëm, bryma e parë e vitit. Nëna ime 22 vjeçare shkoi këmbadoras deri në kuzhinë dhe vloi pak ujë për t’i sterilizuar një palë gërshërë. Duke kërkuar kuturu nëpër kutinë për qepje gjeti pak stof të bardhë, të përshtatshëm për petkun e të porsalindurës. E mbërthyer nga kontraktimet dhe tmerrësisht e frikësuar, lotët filluan t’i rridhnin gjersa e përdridhte gjilpërën. Përfundoi petkun e vockël, kapi një jorgan të hollë për ta përdorur si lidhëse djepi dhe i shtrëngoi dhëmbët kur dhimbja iu kthye, gjithnjë më e shpejtë dhe më intensive.

Mbas të gjithave, lindi. Ende e vetme, e këputi kordonin e kërthizës. Trupin e vogël e të përgjakur e veshi me petkun e sapokrijuar dhe e mbajti në krah masën rënkuese. Pashë Zotin mos vdis! – pëshpëriti me zë të mekur, pa u ndalur, si një mantra. Pas një ore, qepallat e mbyllura fort të foshnjës papritmas u çtegelisën. Derisa sytë e nënës sime u panë me sytë e fëmijës së saj, buzët sërish iu drodhën menjëhershëm. Pashë Zotin mos vdis! Rreth një orë më vonë, foshnja vdiq. Qëndruan në dyshemenë e kuzhinës – nëna ime me foshnjën e vdekur shtrënguar në gjoks, duke e ndier të ftohtin që ngadalë i përshkonte në mishra, për t’iu kredhur në eshtra.

Vaj s’dëgjohej më.

Heshtje

Kur ditëve të gjata më në fund u shihet skaji, është e nevojshme një kohë për të qenë të qetë. Njëjtë si kur, pavetëdijshëm para stufës, heshtas i mbaj duart të shtangura, me gishtat hapur dhe shtrirë në ngrohtësinë e saj të lehtë.

Flokëthinjur

Asaj i kujtohet njëri nga ish-shefat e saj, burrë në mezomoshë, i cili thoshte se kishte merak që përsëri ta takonte të dashurën e dikurshme kur të plakej, me flokë të bardhë si pupla. Kur të jemi shumë të moshuar… Kur secila fije floku të na zbardhet, atëherë dua ta shoh, patjetër.

Nëse do të ekzistonte një kohë që do të donte ta shihte sërish, kjo gjithsesi do të duhej të ndodhte në atë rast.

Kur edhe rinia, edhe trupi, do të kishin mbaruar.

Kur s’do kishte më kohë për afsh.

Kur veç një gjë do mbetej për t’u bërë pasi të përfundonte takimi: të ndaheshin. Të largoheshin prej trupave të tyre, duke u shkëputur përjetësisht.

Xixëllimë

Ç’është kjo punë me mineralet xixëlluese, si argjendi, ari ose diamantet, që i bën njerëzit t’i konsiderojnë fisnike? Sipas një teorie, për njeriun e lashtë xixëllimat e ujit sinjalizonin jetën. Uji shkëlqyes nënkuptonte ujë të pastër. Vetëm ai ujë që është i pijshëm – dhe jep jetë – është i tejdukshëm. Kurdo që, pas ecjeve nëpër shkretëtira, pyje dhe moçale të qelbura, një grup arrinte të dallonte në largësi masë uji bardhësisht xixëlluese, pjesëtarët e tij ndiheshin të plasaritur lumturie. Sepse do të ishte jetë. Sepse do të ishte bukuri.

Krahë

Në periferinë e këtij qyteti ajo e pa fluturën. Fluturën e bardhë, me krahë të palosur mbi kallamishte, në një mëngjes nëntori. Asnjë flutur nuk ishte parë që nga vera. Ku ka mundur të fshihej kjo? Javën e kaluar temperatura e ajrit ra shumë dhe ndoshta për shkak të ngrirjes së shpeshtë të krahëve prej tyre kulloi ngjyra e bardhë, duke i bërë disa pjesë pothuajse të tejdukshme. Aq të kthjellëta, saqë vezullojnë nga reflektimi i tokës së zezë. Tash duhet vetëm pak kohë dhe bardhësia do të largohet krejtësisht prej këtyre krahëve. Ata do të shndërrohen në diçka tjetër, s’do të jenë më krahë, ndërsa flutura do të bëhet diçka tjetër e s’do të jetë më flutur.

Shtëllungë goje

Mëngjeseve të ftohta, shtëllunga e parë që na lirohet kur marrim frymë është dëshmi që po jetojmë. Dëshmi e ngrohtësisë së trupave tanë. Ajri i ftohtë nxiton në mushkëritë e zeza, e thith ngrohtësinë nga trupi ynë dhe frymënxirret në formë të perceptueshme – i bardhë me pikla të përhime. Shpërhapje e mrekullueshme e jetëve tona, jashtë në ajrin e zbrazët.

Stuhi bore

Disa vite më parë u dha paralajmërimi për reshje të dendura bore. Seuli rrezikohej pandalshëm nga stuhitë e borës, gjersa ajo ecte e vetme përgjatë shtegut kodrinor. Çadra e

saj rezultoi e padobishme ta mbronte prej borës. Vazhdoi ecjen, ndërsa shtjellat e shpejta dhe të trasha të fjollave të bardha i binin fytyrës dhe trupit. E pazonjë për ta kuptuar se ç’dreqin ishte kjo gjë kaq e ftohtë, kaq armiqësore. Kjo brishtësi që zhdukej, kjo rëndësirë shtypëse e bukurisë.

Përkthyer nga Artan Muhaxhiri

-Bukuri lirike, thellësi filozofike, zbulim mallëngjyes i gjendjes njerëzore.

“Bardhë / Libri i Bardhë” i nobelistes Han Kang veçohet për gjuhën magjepsëse të prozës poetike. Mini-tregimet meditative krijojnë simbolikë shumështresore të së bardhës, me perspektivat e përjetimeve universale të brishtësisë shpirtërore.

“Eksplorim formësisht i guximshëm, emocionalisht shkatërrues dhe thellësisht politik i pikëllimit personal përmes prizmit të ngjyrës së bardhë” – e cilësoi The New York Times Book Review.

Origjinali u botua me titullin “Huin” (“Bardhë), në vitin 2016, kurse përkthimi në anglisht një vit më pas, si “The White Book” (Libri i Bardhë)./ KultPlus.com

Sot, 72 vjet nga hapja e Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës

Sot bëhen 72 vite nga hapja zyrtare e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje këtë datë të veçantë për artdashësit e qytetit bregdetar.

“Në 11 janar 1953, Durrësi, ky qytet me një histori gati tremijëvjeçare, do të themelonte Teatrin profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisiu.”

Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpinë e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 Nëntori” e më pas, veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” u lidh kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965”, shkruan Sako.

Sako shton më tej se ky rrugëtim 72-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistet e profileve të tjerë të këtij teatri.

“Me mbi 250 premiera e me një trupë tashmë të konsoliduar aktorësh, shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitet që do të vijnë. Jetë të gjatë Teatrit”, shkruan Sako.

Në videon e ndarë në rrjetet sociale disa nga aktorët të cilët kanë performuar ndër vite në skenën e këtij Teatri, kanë shprehur urimet e tyre.

“Uroj që teatrit t’i kthehet identiteti i tij dhe emri i madh “Aleksandër Moisiu”, pastë jetë të gjatë si jeta e gjithë popullit se Teatri është i popullit dhe populli e do Teatrin se është pasqyra e jetës së tij”, tha Ali Bega.

“Jetoftë në jetë të jetëve, suksese pastë gjithmonë!”, u shpreh Hysen Bashhysa.

“Funksioni i teatrit është argëtimi dhe edukimi dhe me këtë rast unë i uroj Teatrit Aleksandër Moisiu sa më shumë shfaqje të bukura që ta kryejnë sa më mirë dhe sa më bukur misionin për të cili ekziston”, tha Sanie Hoti.

“Dua të falenderoj të gjithë artistët për kënaqësitë e mëdha që i kanë dhënë dhe i japin spektorit tonë durrsak dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Aishe Stari.

Shfaqja e parë e vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu” ka qenë komedia “Vajza nga fshati”, e shkrimtarit Fatmir Gjata, me regji të Pandi Stillu./atsh/ KultPlus.com

‘Thjeshtësia është sofistikimi më i madh’

Thënie nga Leonardo da Vinçi:

1. “Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, kam mësuar si të vdes”.

2. “Thjeshtësia është sofistikimi më i madh”.

3. “Të mësuarit nuk e lodh kurrë mendjen”.

4. “Mashtrimi më i madh nga i cili vuajnë njerëzit, është nga opinion i tyre”.

5. “Nuk mjafton të dish; duhet të veprosh. Nuk mjafton të jesh i gatshëm; duhet të veprosh”.

6. “Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndrra, sesa imagjinata kur je zgjuar?”

7. “Kush mbjell virtyt, korr nder”.

8. “Aty ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta”.

9. “E gjithë njohuria jonë e ka origjinën në perceptimet tona”.

10. “Ashtu si një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur”.

11. “Lotët vijnë nga zemra dhe jo nga truri”.

12. “Koha zgjat mjaftueshëm për këdo që do ta përdorë”.

13. “Kënaqësia më fisnike është gëzimi i të kuptuarit”.

14. “I varfër është nxënësi që nuk e kalon mësuesin e tij”.

15. “Ka kohë që më kishte rënë në sy se njerëzit me arritje rrallë rrinin duarkryq dhe i linin gjërat t’u ndodhnin. Ata lëviznin dhe u paraprinin gjërave”.

16. “Janë katër fuqi: kujtesa dhe intelekti, dëshira dhe lakmia. Dy të parat janë mendore dhe të tjerat sensuale. Tri shqisat, shikimi, dëgjimi dhe nuhatja nuk mund të parandalohen mirë; nuk mund të prekësh diçka dhe të mos shijosh asgjë”.

17. “Njerëzit me gjenialitetin më të lartë kur bëjnë më pak punë, janë më aktivët”.

18. “Ka tre klasa njerëzish: ata që shohin, ata që shohin kur u tregohet diçka dhe ata që nuk shohin”.

19. “Gjithmonë e kam ndjerë se është fati im të ndërtoj një makinë që do ta lejonte njeriun të fluturonte”.

20. “Ai që dëshiron të jetë i pasur brenda një dite, do t’i duhet me siguri një vit për të qenë i tillë”.

21. “Natyra nuk i thyen kurrë ligjet e saj”./ KultPlus.com

‘Margjela’ nga zëri i ëmbël i Eranda Libohovës (VIDEO)

Eranda Libohova është këngëtare e njohur shqiptare. Ajo ka një karrierë të bujshme muzikore, me mbi 10 albume me këngë shqipe. Në spektaklin “Këngët e Shekullit” është përzgjedhur një ndër dhjetë këngëtaret më të mira.

Sonte, KultPlus ju sjell një interpretim fantastik të saj:

Moj Margjel, mori mal’sore,
ku po shkon me at’ kosore?
Ku po shkon moj tu vrapue?
A po vjen o vashë me mue,
se mas teje s’du’ me ngelë
O Margjel, o moj Margjel.

[Refreni]:
(O) Margjelo, mori Margjel,
çilma syrin që m’ke mshelë.
O Margjela e Malsisë,
thuja kangve t’çobanisë.

O Margjel, mori sojnike,
bija e Malsisë kreshnike,
mos t’l’shoj zemra moj sojnike
Trim’i mirë që shkon ai erë
Mendjen ty e ka gjith herë
E nga shpres bëhet verë/ KultPlus.com

Poezi nga Pien Chih-Lin: Vonë në një festival nate

Pien Chih-lin (1910–2000), poet, përkthyes dhe studiues letrar kinez. Poezia e tij ishte e lidhur me Shkollën Hëna e re, që avokonte për poezinë moderne metrikale, por stili i tij ishte më i afërt me atë të simbolistëve kinezë. Ka përkthyer në kinezisht poetë si Baudelaire, Verlaine, Valery, etj.

VONË NË NJË FESTIVAL NATE

Nga Pien Chih-lin

Dritarja para dritës së natës shndrit si një pasqyrë:

mos e tërhiq perden, mos i ngul sytë thellë në natë,

nëse s’dshiron të flakesh mbrapa te vetja jote.

Edhe andej larg dritares është një pasqyrë edhe më e thellë.

Shikoje shkëndijen pulitëse të llampës së ndezur,

syri i kujt është ai që duket aq i trishtë?

“Mëkat që s’mund të dëgjoj me ty frymëmarrjen time në gjumë!”

është e mprehtë si thikë, po prapë s’do ta presë në thela gjeratoren:

ti je ëndrra e tjetrit, ndërsa tjetri është e jotja.

Vonaku i vetmuar hedh tutje thikën e tij të akullt dhe ju bekon të dyve.

SHËNIM I AUTORIT:

Kjo poezi është shkruar nja tetë vjetë më parë. Lërmeni tani të zbuloj momentin të cilit i referohen këto pak vargje:

Epo:

Nata është e qetë pas gjithë gazmendeve të zhurmshme të rëndomta për një ditë festivali. Është vonë. Çdonjëri është kthyer në qoshkun e tij/saj përkatës, duke iu dorëzuar një lodhjeje të ëmbël, mbase duke u shtrirë ngjitur dikujt tjetër. Pse pra je ulur fikall i vetëm? Për të shkruar letra të gjata, siç thotë Rainer Maria Rilke diku në një poezi? Me shumë gjasë kjo është. Tekembramja mund të jesh duke menduar për dikë, se përndryshe nuk do ta ngrije tani perden e dritares të shikosh jashtë duke depërtuar terrin me sytë e tu të nderë. Xhami flakërues, i anësuar me një të zezë blozë, sidoqoftë ta paraqet një imazh që të shikon trishtueshëm dhe me mall – vetë imazhin tënd! Natyrisht, nuk ndihesh rehat. Po hajt, de, veç përfytyroje pak si të tjerët për të cilët je duke menduar mund të jenë duke performuar të njëjtin veprim diku në një vend andej larg. Çka është distanca për syrin e mendjes? Dritarja e ndiçuar, tjetra, është shfaqur menjëherë në shikimin tënd nga larg fare si një shkëndijë pulitëse, ose thënë më mirë, si një sy i përgjumur që pulitet dhe të shikon. Dhe çka është distanca për syrin e mendjes, posaçërisht për të dashnorin? Madje mund të shquash në dritën që zgjerohet gradualisht një palë sy aq të trishtë dhe përplot me mall – sytë e kujt janë? Të tjetrit a të tutë? Të tutë dhe të tjetrit? Oh, nuk mund të mohosh më gjatë se je goxha i lumtur këtu. Ju jeni një, ti dhe tjetri.

Cila është dobia e një ujdie harbute: ““Mëkat që s’mund të dëgjoj me ty frymëmarrjen time në gjumë!”. Mund të duket se është thënë bukur, ftohtësisht e vërtetë. Qoftë edhe shpinë për shpine në shtrat, nëse njërin prej tyre e zë gjumi një çikëz më herët se tjetrin, si i bëhet me tjetrin? Flakur tutje, i pashoqëruar, i braktisur, se individët janë në fund qeliza të veçuara, të ndarë nga njëri-tjetri. Por jo, ky vrojtim i mprehtë nuk mund të bëjë keq, përveç mbase vetvetes. Edhe nëse dështon e gjithë fuqia e shpatës poetike të Li Po-së, siç e pranon ai vetë, të ndërpresë ujin që rrjedh përjetësisht, si mundet kjo thikë vulgare ta ndajë në thela gjeratoren – “ti je ëndrra e tjetrit, ndërsa tjetri është në të tuat”. Përkundrazi, kjo dëshmon vetëm fortësinë e lidhjes tënde duke e paguar vetë – me shumë gjasë me shpëtimin e vetes duke e humbur veten në atë rrjedhë, pastaj duke e rigjetur veten të vërtitur në breg, i veshur nga koha dhe ndryshku, që të ngrihesh lart dhe të bëhesh një artikull i ri në katalogun e muzeut ose një dyqani të gjërave të rralla. Mirë pra, njeriu i vetmuar që është ngritur si ti, por që këmbëngul të mendojë me kujdes të shtuar për tjetrin, e ka lëshuar veten në besimin magjepsës se “ai është i vetmi esëll në mesin e gjithë të tjerëve të dehur”, tash njëmend zgjohet ta gjejë veten në një imazh mendjeje të vlefshëm sa një Budë – një Budë që e kishte bërë veten të tillë duke e ndjekur porosinë e famshme “Lëshoje poshtë thikën tënde prej kasapi dhe do të bëhesh Budë menjëherë” – dhe i lumi ti, ti dhe ai tjetri, që të dy.

4 nëntor 1943

Marrë nga ‘Contemporary Chinese Poetry’, Routledge, 2023/Gazeta Express/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Thethi i mbuluar me borë

Thethi është kthyer në një atraksion gjithëvjetor për turistët e huaj, por edhe ato vendas.

Kjo zonë e Shqipërisë së Veriut është mbuluar nga dëbora këtë janar, duke e shndërruar në një pikë referimi për turistët që pëlqejnë zonat e thella malore në dimër për të zhvilluar pasionet e tyre sportive, por edhe për të shijuar edhe magjinë e natyrës në dimër.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale, pamjet nga Thethi i mbuluar me borë kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.

Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.

Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 metrave, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas./atsh/ KultPlus.com

Greva e aktorëve të TKK-së vazhdon me heshtje, pas fushatës zgjedhore paralajmërohet për hapa të mëtutjeshëm

Pas grevës 54-ditëshe, si shkak i mosrealizimit të kërkesave për rritjen e koeficientëve të pagave, Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës zgjedhore aktivitetin sindikal ta vazhdojë përmes heshtjes.

Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës përmes një komunikate për media.

“Duke qenë të vetëdijshëm se prej sot Kosova hyn në fushatë zgjedhore, dhe duke marrë parasysh se çdo veprim publik i yni – përmes performancave alternative, protestave apo debateve mediatike – mund të interpretohet si anim politik, kemi vendosur që gjatë kësaj periudhe të zhurmshme zgjedhore aktivitetin tonë sindikal ta vazhdojmë përmes heshtjes duke besuar se heshtja jonë do të dëgjohet dhe kuptohet si një kambanë alarmi.

Pas përfundimit të fushatës zgjedhore ne do të vazhdojmë me aktivitete tjera sindikale deri në realizimin e kërkesave tona të drejta”, thuhet në njoftimin e Sindikatës./ KultPlus.com

Ese nga Isaih Berlin: Një mesazh për shekullin XXI

Më 25 nëntor 1994, Isaiah Berlini e kishte pranuar titullin e nderit Doktor i Drejtësisë në Universitetin e Torontos. Në ceremoninë e rastit ai e kishte lexuar këtë tekst, i cili ishte botuar njëzet vjet më vonë, 23 tetor 2014, nga The New York Review of Books. Më 2015 pastaj ishte përfshirë në antologjinë ‘The Best American Essays, 2015’, të përgatitur nga Ariel Levy dhe botuar  nga Houghton Mifflin Harcourt

NJË MESAZH PËR SHEKULLIN XXI

Nga Isaiah Berlin

“Ishte koha më e mirë, ishte koha më e keqe”. Me këto fjalë Dikensi e nis romanin e famshëm ‘Tregimi i dy qyteteve’. Por kjo, medet, nuk mund të thuhet për shekullin tonë të llahtarshëm. Njerëzit prej mijëra vitesh e kanë shkatërruar njëri-tjetrin, por të bëmat e Atilës, Xhengis Kanit, Napolonit (i cili e futi vrasjen masive në luftë), madje edhe masakrat armeniane, e humbin kuptimin para Revolucionit rus dhe pasojave të tij: shtypja, tortura, vrasja që mund t’i lihen te dera Leninit, Stalinit, Maos, Pol Potit dhe falsifikimi sistematik i informacionit që pamundësonte njohjen e këtyre tmerreve me vite të tëra – këto janë të pakrahasueshme. Ato nuk janë fatkeqësi natyrore, por krime njerëzore të parandalueshme dhe çkado që mund të mendojnë ata që besojnë në determinizmin historik, ato mund të shmangeshin.

Unë flas me një ndjesi të veçantë, ngase jam njeri njëmend në moshë dhe kam jetuar gjatë pothuajse gjithë shekullit. Jeta ime ka qenë e qetë dhe e sigurt dhe disi ndihem me turp për këtë, duke pasur parasysh atë që u ka ndodhur shumë qenieve njerëzore. Unë nuk jam historian dhe nuk mund të flas me autoritet rreth shkaqeve të këtyre tmerreve. Po prapëseprapë, mbase mund ta provoj.

Ato nuk ishin shkaktuar, sipas mendjes sime, nga ndjenjat e rëndomta njerëzore negative, siç i kishte quajtur Spinoza – frikë, makutëri, urrejtje tribale, xhelozi, etje për pushtet – sado që edhe ato e kanë luajtur rolin e tyre në këtë. Ato janë shkaktuar, në kohën tonë, nga idetë; ose më konkretisht, nga një ide e veçantë. Është paradoksale që Karl Marksi, i cili e kishte minimizuar rëndësinë e idesë në krahasim me forcat jopersonale sociale dhe ekonomike, të mund, me shkrimet e tij, të ketë shkaktuar shndërrimin e shekullit XX, në të njëjtën kohë në drejtim të asaj që ai donte dhe, si reaksion, kundër saj. Poeti gjerman Hajne, në njërin prej teksteve të tij të njohura, na thotë të mos e nënçmojmë filozofin e qetë të ulur në studion e tij; Nëse Kanti s’do ta kishte dërrmuar teologjinë, deklaroi ai, mbase Robespierre nuk do ta kishte prerë kokën e mbretit të Francës.

Ai parashikoi se dishepujt e armatosur të filozofëve gjermanë – Fichte, Schelling dhe etërit e tjerë të nacionalizmit gjerman – një ditë do të shkatërronin monumentet e mëdha të Evropës Perëndimore në një dallgë të shkatërrimit fanatik para të cilit Revolucioni francez do të dukej një lojë fëmijësh. Kjo mund të ketë qenë e padrejtë për metafizikët gjermanë, sidoqoftë ideja qendrore e Hajnes duket të jetë valide: në një shkallë të ulët, ideologjia naziste i ka pasur rrënjët te mendimin gjerman anti-Iluminist. Ka njerëz që do të vrisnin dhe gjymtonin me një ndërgjegje të qetë nën ndikimin e fjalëve dhe shkrimeve të disa prej atyre që janë të sigurt se e dinë se mund të arrihet perfeksioni.

Lejomëni të shpjegohem. Nëse jeni njëmend të bindur se ka njëfarë zgjidhjeje për të gjitha problemet njerëzore, se mund të përfytyrohet një shoqëri ideale që njerëzit mund ta arrijnë veç nëse bëjnë atë që është e domosdoshme për t’ia dalë në krye, atëherë ju dhe shokët tuaj duhet të besoni se asnjë çmim nuk mund të jetë aq i lartë për ta paguar me qëllim që t’i hapen dyert një parajse të tillë. Vetëm budallai dhe dashakeqi do t’i rezistojë me t’iu ofruar njëherë një e vërtetë kaq e thjeshtë. Ata që rezistojnë duhet të binden; nëse nuk mund të binden, duhet të kalohen ligjet që i shtrëngojnë ta bëjnë këtë; nëse kjo s’kryen punë, atëherë detyrimi, po qe nevoja për dhunë, do të përdoret në mënyrë të pashmangshme – nëse e domosdoshme, terrori, kasaphana. Lenini e besoi këtë pasi që e lexoi Das Kapital, dhe në mënyrë konstante ligjëroi se nëse një shoqëri e drejtë, paqësore, e lumtur, e lirë dhe virtytshme mund të krijohet me mjetet për të cilat avokonte ai, atëherë qëllimi i justifikon cilatdo metoda që lypset të përdoren, literalisht cilatdo.

Bindja që fshihet nënë këtë është se çështjet qendrore të jetës njerëzore, individuale a shoqërore, kanë një përgjigje të vërtetë që mund të zbulohet. Mund dhe duhet të implementohet dhe ata që e kanë gjetur atë janë liderët fjala e të cilëve është ligj. Ideja se për të gjitha çështjet e çiltra mund të ketë vetëm një përgjigje të vërtetë është një mendim bukur i moçëm. Filozofët e mëdhenj antikë, hebrenj dhe të krishterë, mendimtarët e Renesancës dhe Parisi i Luigjit XIV, reformuesit radikalë të shekullit XVIII, revolucionarët e shekullit XIX – sado shumë që të dallonin rreth asaj se cila ishte përgjigjja ose si të zbulohet ajo (dhe luftërat e përgjakshme ishin bërë për këtë) – që të gjithë ishin të bindur se e dinin përgjigjen dhe se vetëm veset njerëzore dhe budallallëku mund ta pengojë realizimin e saj.

Kjo është ideja për të cilën fola dhe ajo që do të doja t’jua them është se është false. Jo vetëm ngase zgjidhjet që japin shkollat e ndryshme të mendimit social dallojnë dhe asnjëra nuk mund të demonstrohet me metoda racionale – por për një arsye edhe më të thellë. Vlerat qendrore me të cilat shumica e njerëzve kanë jetuar, në shumë vende të mëdha në kohëra shumë të mëdha – ato vlera, pothuajse nëse jo krejtësisht universale, nuk janë gjithmonë në harmoni me njëra-tjetrën. Disa janë, disa nuk janë. Njerëzit përherë kanë dëshiruar me zjarr lirinë, sigurinë, barazinë, lumturinë, drejtësinë, diturinë e kështu me radhë. Por liria e plotë nuk është në përputhje me barazinë e plotë – nëse njerëzit do të ishin plotësisht të lirë, ujqit do të ishin të lirë të hanë delet. Barazi e përsosur do të thotë se liritë njerëzore duhet të shtrëngohen, ashtu që me të zotët dhe ata që kanë më së shumti dhunti të mos lejohen të avancohen mbi ata që pashmangshërisht do të humbisnin nëse do të kishte kompeticion aty. Siguria, dhe realisht lirirë, nuk mund të ruhen nëse është e lejuar liria për t’i përmbysur ato. Në të vërtetë, jo çdonjëri mëton sigurinë ose paqen, përndryshe disa sish s’do të mëtonin lavdinë në betejë ose sportet e rrezikshme.

Drejtësia përherë ka qenë ideal njerëzor, por nuk është plotësisht në përputhje me mëshirën. Imagjinata kreative dhe spontaniteti, të shkëlqyeshme në vetvete, nuk mund të pajtohen plotësisht me nevojën për planifikim, organizim, kujdes dhe kalkulim të përgjegjshëm. Njohja, ndjekja e së vërtetës – më të fismet e qëllimeve – nuk mund të pajtohen plotësisht me lumturinë ose lirinë që njerëzit e dëshirojnë, se edhe nëse unë e di se kam ndonjë sëmundje të pashërueshme kjo s’do të më bëj më të lumtur ose më të lirë. Më duhet gjithmonë të zgjedh: mes paqes dhe eksitimit, ose dijes dhe injorancës së bekuar. E kështu me radhë.

Atëherë çfarë duhet të bëhet që të shtrëngohen mbrojtësit, nganjëherë tejet fanatikë, të njërës apo tjetrës vlerë, ku secili tenton të shkelë mbi të tjerët, ashtu siç tiranët më të mëdhenj të shekullit XX kanë shkelur mbi jetën, lirinë dhe të drejtat e njeriut e miliona vetave, ngase sytë e tyre ishin të ngulur mbi një të ardhme të artë të mbrame?

Druhem se nuk kam përgjigje dramatike t’jua ofroj: vetëm se nëse këto vlera njerëzore të mbrame me të cilat jetojmë duhet të ndiqen, atëherë duhet të ketë kompromist, shkëmbime, aranzhime, nëse nuk duam të ndodhë më e keqja. Liri aq sa barazi, vetëshprehje individuale aq sa siguri, drejtësi aq sa dhembshuri. Pikëpamja ime është se ca vlera përplasen: synimet e ndjekura nga qeniet njerëzore që të gjitha gjenerohen nga natyra jonë e përbashkët, por ndjekja e tyre duhet deri në njëfarë shkalle të kontrollohet – liria dhe ndjekja e lumturisë, po e përsëris, mund të mos jenë plotësisht në përputhje me njëra-tjetrën, as nuk janë liria, barazia dhe vëllazëria.

Pra duhet të peshojmë dhe të masim, të biem në ujdi, të bëjmë kompromis dhe të parandalojmë përplasjen e njërës formë të jetës me rivalet e saj. E di shumë mirë se ky nuk është një flamur nën të cilin djemtë dhe vajzat entuziaztë dhe idealistë do të donin të marshonin – duket shumë i zbutur, shumë i arsyeshëm, shumë borgjez, nuk i zoton emocionet bujare. Por duhet të më besoni, s’mund të kemi gjithçka që duam – jo vetëm në praktikë, po bile as në teori. Mohimi i kësaj, kërkimi për një ideal të vetëm mbizotërues, ngase është i vetmi dhe i vetmi i vërtetë për njerëzimin, domosdo çon në detyrim. Pastaj në shkatërrim, gjak – vezët janp thyer, por omëleti nuk shihet askund, ka vetëm një numër të pafund vezësh, jetë njerëzore, gati për t’u thyer. E në fund idealisti i pasionuar e harron omeletin dhe thjesht vazhdon të thyejë vezë.

Jam i lumtur të vërej se para përfundimit të jetës sime të gjatë diçka nga realizimi i kësaj po fillon të dështojë. Racionaliteti, toleranca, mjaft të rralla në historinë njerëzore, nuk janë të përçmuara. Demokracia liberale, pavarësisht të gjithave, paravërisht burimit më të madh modern të nacionalizmit fundamentalist fanatik, po përhapet. Tiranitë e mëdha janë në rënie, ose do të jenë – as në Kinë s’është e largët ajo ditë. Jam i lumtur se ju të cilëve po ju flas do ta shihni shekullin XXI, i cili ndihem i sigurt mund të jetë një kohë më e mirë për njerëzimin se sa që ka qenë shekulli im i tmerrshëm. Ju përgëzoj për fatin tuaj të mbarë; ndiej keqardhje që unë s’do ta mbërrij këtë të ardhme të ndritur, e cila, jam i sigurt, po vjen. Me gjithë trishtimin që e kam përhapur, jam i lumtur ta përfundoj me një shënim optimist. Ka njëmend arsye të forta për të menduar se është i justifikueshëm. /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Sunday Dispatch (1938) / Rrëfimi i markezit të Donegall-it mbi udhëtimin e tij në Shqipëri dhe takimin me Mbretin Zog I në Durrës

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Janar 2025

“Sunday Dispatch” ka botuar, të dielën e 28 gushtit 1938, në faqet n°2 dhe 11, rrëfimin e markezit të Donegall-it mbi udhëtimin e tij asokohe në Shqipëri dhe takimin me Mbretin Zog I në Durrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Pothuajse në konfidencë

nga Markezi i Donegallit

(Edward Arthur Donald St George Hamilton Chichester, Markezi i 6-të i Donegall-it)

Burimi : Sunday Dispatch, e diel, 28 gusht 1938, faqe n°2
Burimi : Sunday Dispatch, e diel, 28 gusht 1938, faqe n°2

Të enjten e ardhshme, 1 shtator, siç ju them në faqen njëmbëdhjetë, Shqipëria do të përjetojë disa ditë gëzimi për të festuar 10-vjetorin e ngjitjes në fron të Mbretit Zog – dhjetë vjet përparim të jashtëzakonshëm.

Të paktën kështu duhet të jetë, sepse idetë e vjetra për atë që supozohet të jetë Shqipëria janë kudo. Në Dubrovnik, vendpushimi përallor bregdetar në bregdetin dalmat, jugosllavët e sjellshëm më lejuan të rrezikoja për disa ditë me makinë vajtje-ardhjen për në Shqipëri.

Shpifje e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Më thanë, para së gjithash, që nuk duhet të vozis kurrë natën – banditë. Se duhej të merrja absolutisht të gjitha pjesët e këmbimit që mundja, se rrugët ishin praktikisht shtigje dhie dhe se më mirë të merrja me vete benzinë dhe naftë për 300 milje që më ndanin nga Tirana, kryeqyteti.

Në shtëpi, A.A.-ja jonë, pasi vuri re që po udhëtoja me një makinë 38 kuajsh, më tha : “Oh, mirë, nuk ka rëndësi, do të arrish dhe do të kthehesh, por nuk do të jetë diçka e rehatshme.

Ky dokument i vlefshëm, Lista e Ministrisë së Jashtme, informon diplomatët dhe konsujt tanë se Tirana dhe Durrësi janë “të pashëndetshëm për pushime”. Ndoshta dhjetë apo njëzet vjet më parë !

Prandaj propozoj t’ju tregoj për vizitën time në këtë “vend të mbushur me hajdutë, të paqytetëruar, të pashëndetshëm dhe pa kulturë.”

Nisja për në Mal të Zi

Duke tundur kokën dhe me plakën gjermane që kujdeset për mua në Dubrovnik pothuajse e përlotur, nisem në mesditë për në fundjavën time shqiptare. Falë shumë këshillave, mora gaz, vaj dhe ushqim me vete. Mora gjithashtu disa bombola gaz lotsjellës dhe një automatik të vogël.

Zakonisht, kur lëviz me motor në pjesë të çuditshme, armatimi im i vetëm përbëhet nga një pistoletë uji e mbushur me amoniak – një armë më efikase kundër shumicës së llojeve të dhunës.

Një kryeqytet i thjeshtë

Atë mbrëmje arrita në Cetinje, ish-kryeqyteti i Malit të Zi, tani pjesë e Jugosllavisë. Është një fshat i madh, pikërisht në zemër të maleve të larta. Pallati i mbretit Nikolla I., i cili vdiq në rivierën franceze në vitin 1921, duket si një fermë angleze. Mbreti u tërhoq në Francë gjatë luftës dhe malazezët votuan për bashkimin me Jugosllavinë në vitin 1918.

Një nga industritë kryesore të Cetinjes duket se do t’u shesë turistëve pulla të mbretërisë së vjetër të Malit të Zi. Thuhet se mbreti Nikolla, kur u gjend në një situatë të vështirë, kishte shtypur disa pulla me kokën përmbys ose me ndonjë gabim tjetër dhe kështu përfitonte shuma të konsiderueshme nga filatelistët.

Më shumë pengesë

Ishte një hotel krejtësisht i përshtatshëm dhe të nesërmen në mëngjes u nisa për 200 miljet e mbetura të udhëtimit tim për në Tiranë. Ju duhet të dini se nuk udhëtohet më shumë se 20-25 milje në orë në këto rrugë malore.

Kështu, pas rreth një ore arrij në Podgoricë, qyteti i fundit i madh i Jugosllavisë, dhe ndërsa ndaloj për një birrë në vapën e mesditës, një burrë vjen duke parë EGK4 dhe “G. B.” dhe duket se ai ishte me trupat tona në Selanik. Gjithsesi, ai është i gatshëm, nëse mundej, për ndalimin e një anglezi që të hyjë në mesin e “banditëve” shqiptarë.

Më në fund Shqipëria

Atëherë jam i vendosur të zbuloj se për çfarë bëhet fjalë për këta hajdutë dhe banditë dhe më në fund arrij në postën kufitare jugosllave në një qafë malore. Është një vend i quajtur diçka si Hottentot (Hani Hotit) – përveç se ky vend është vetëm një emër në hartë.

Aventurë më në fund ! Një milje më poshtë rrugës, vij te posta e kufirit shqiptar dhe del një oficer me pamje të rregullt. Me habinë time të plotë, pasi i dha përshëndetjen e dorës në zemër të shqiptarit, ai thotë : “Bonjour, Monsieur ! Votre passeport, s’il vous plait!

Rrugët dhe sipërfaqet

Kështu ai më fut në një zyrë ku një fotografi e Mbretit Zog varet në sfond dhe formalitetet trajtohen me shpejtësi. Përsëri, përshëndetja shqiptare, “Bon voyage, Monsieur !”, dhe drejtohem për në Shkodër, qytetin më të madh, megjithëse Tirana është kryeqyteti i ri i Shqipërisë.

Për të qenë plotësisht i sinqertë, rrugët në Shqipëri nuk janë vërtet si ato në Portsmouth. Por me një makinë të mirë, ju mund të vozitni rehat deri në 30-40 milje në orë, përveç rasteve kur kthesat e malit e pengojnë atë.

Unë kam vozitur 65 milje në orë disa herë, dhe e vetmja rrugë mjaft e tmerrshme është ajo nga Tirana në Durrës, ylli balnear i Adriatikut ku Legata Britanike gjendet gjithmonë. Është vetëm 25 milje dhe një rrugë krejtësisht e re është në ndërtim e sipër.

Gjithsesi, të gjitha rrugët e Shqipërisë janë më të gjera se ato në Jugosllavi dhe për sa i përket sipërfaqes, ato nuk janë të shtruara mirë.

Vëzhgimet buzë rrugës

Kështu që arrita në kohë për drekë dy ditë pasi u nisa nga Dubrovniku, duke mos vërejtur asnjë “bandit” rrugës, por disa gjëra të tjera. Format kryesore të transportit janë një kontrast; mallrat transportohen ose me gomar ose me kamionë amerikanë të rinj ngjyrë të kuqe dhe shumë elegantë. Nuk ka asnjë centimetër linjë hekurudhore në vend sepse, siç më tha një shqiptar, “Vendi im ishte në gjumë kur të gjithë të tjerët ndërtonin hekurudhat !

Ka edhe qerre kau, dhe më duhet të them se fshatarët, me kostumet shumëngjyrëshe dhe pantallonat e gjera “turke” shkaktojnë pengesë minimale dhe zakonisht i tundin një përshëndetje automobilistit. Vura re se makinat nuk kanë targa të përparme dhe se, megjithëse burrat mbajnë plis (qylaf), gratë nuk janë të mbuluara.

Djalë i ri i zënë

Në Shkodër, sapo kisha parkuar jashtë Grand Hotelit, vjen një i ri që më drejtohet në frëngjisht dhe më thotë se është përfaqësues i Klubit të Automobilizmit Mbretëror Shqiptar.

Ai thotë se quhet Shyqyri Xhaferi, se pret 19 shkencëtarë britanikë, se sapo ka dërguar 40 britanikë të tjerë në malet shqiptare, se ai njeh Dukën e Windsor-it, se do që Duka i Kentit të vijë në Shqipëri, se është i çmendur pas kuajve dhe se ai mund të jetë i dobishëm për mua.

Kështu, duke i tretur të gjitha këto, i thashë : “Do të pi një birrë dhe do të bëjmë kështu. Po kërkoj dikë, gjeneral-major Sir Jocelyn Percy, sepse më duhet të shkoj të takoj mbretin tuaj dhe telegramet duket se nuk funksionojnë shumë mirë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Shefat e policisë britanike

“Shyggy” bëhet shumë informativ. Ai është i sigurt se për këtë nuk është faji i Byrosë Telegrafike Shqiptare (që doli se nuk ishte), dhe Gjenerali Percy është në atë moment në një hotel fqinj duke vuajtur nga një sulm i papritur i lumbagos, gjë që e kishte penguar atë të shkonte në veri atë mëngjes për të mbikëqyrur veprimtarinë e xhandarmërisë së tij.

Më lejoni të shpjegoj këtu se për dymbëdhjetë vitet e fundit, xhandarmëria është organizuar dhe drejtuar nga gjenerali Percy, me ndihmë, besoj, për tetë vjet, të kolonelit Hill dhe anglezëve të tjerë të ndryshëm që largoheshin në intervale të rregullta, pasi shqiptarët ishin trajnuar për punën e tyre.

Mbetën vetëm gjenerali Percy dhe koloneli Hill dhe ata do të largohen në fund të shtatorit.

Mbreti buzë detit

Një kartë i dërgohet gjeneralit dhe pas pak minutash vjen një djalë i ri i zgjuar me atë që duket si uniformë oficeri britanik (vetëm gri-jeshile) që flet një anglishte perfekte dhe më çon te gjenerali. Bëmë një bisedë të këndshme dhe gjenerali thotë se një Zot e di se çfarë ndodhi me telegramet dhe më mirë të shkoja të shihja kolonel Hill në Tiranë; ai më jep edhe të dhënat e para të sakta për Mbretin Zog. Mbreti ndodhet në shtëpinë e tij në plazh në Durrës, sapo është kthyer nga një lundrim me jaht rreth Korfuzit.

Nga fshati në qytet

EGK4 del sërish në rrugë dhe mbërrijmë në Tiranë rreth orës pesë të pasdites për të kontaktuar kolonelin Hill.

Tirana disa vite më parë, ishte një fshat i vogël pa asnjë rëndësi. Më pas mbreti Zog e bëri kryeqytetin e tij dhe mund të shihet një qytet modern në zhvillim e sipër.

Fillimisht u ngrit ndërtesa e Parlamentit (e përbërë prej 60 deputetësh), por tani është e eklipsuar nga të gjitha ministritë që e rrethojnë në sheshin kryesor të shtruar në mënyrë madhështore.

Një rrugë, e përuruar nga Konti Ciano, hap rrugën e hyrjes në qytet dhe vazhdimi i saj do të jetë rruga e re për në Durrës. Mbreti Zog zgjodhi Tiranën si pikë qendrore dhe strategjike, gjë që nuk është rasti për Shkodrën, pikërisht pranë kufirit jugosllav.

Vërshim pyetjesh

Koloneli Hill, ashtu siç duhet të jenë të gjithë anglezët e mirë, ishte në klubin e tenisit. Orari i tij i punës fillon në pesë të mëngjesit dhe mbrëmjet janë relativisht të lira.

Ne darkuam së bashku dhe i bëra shumë pyetje për Shqipërinë që doja të kuptoja.

Më duket,” thashë, “se nuk ka asgjë shumë të prapambetur në këtë vend. Pra, çfarë janë gjithë këto marrëzira që na thonë jashtë vendit ?

Kam vetëm gjysmë ore këtu, por shoh që hidraulika në hotelin tim është e klasit të parë, ushqimi në Shkodër ishte i mirë, farmacisti shet të gjitha përgatitjet e Elizabeth Arden dhe parfumet e Parisit.

Bleva një film për një aparat fotografik Leica, disa cigare amerikane dhe më thanë se nesër do të kishin një zinxhir për orën time zvicerane. Dhe në emër të Zotit, ku janë banditët ?

Thjesht të jashtëligjshëm

Koloneli trim e gëlltiti paksa këtë vërejtje. “Para së gjithash,” tha ai, “nuk ka banditë në kuptimin e njerëzve që sulmojnë udhëtarët, i grabisin apo i rrëmbejnë për shpërblim. Ka pak të jashtëligjshëm që merren ose me gjakmarrje ose me sherre politike.

Ata fshihen në zona krejtësisht të paarritshme dhe nëse përpiqemi t’i kapim, miqtë e tyre i fshehin dhe njerëzit tanë qëllohen. Por ata nuk janë më pak të interesuar për udhëtarët, qofshin të huaj apo shqiptarë.

Sigurisht që ka pasur banditë, por opinioni botëror për Shqipërinë nuk ka ecur në hapin e progresit të mahnitshëm të dekadës së fundit.

Jo ferexhe, por plisa (qylafë)

Më pas ai vazhdoi duke thënë se një pjesë e progresit është për shkak të interesit që Italia ka dukshëm për Shqipërinë. Aeroporti i Tiranës dhe shërbimi ditor për në Romë, për shembull, drejtohen prej tyre. Shitja e kozmetikës franceze i detyrohet pjesërisht mbretëreshës Geraldinë, e cila u martua me Mbretin Zog prillin e kaluar dhe pjesërisht heqjes së ferexhesë nga mbreti për gratë vitin e kaluar. Natyrisht, gratë myslimane janë interesuar për këto gjëra.

Sa për burrat myslimanë, sipas ligjit shqiptar, atyre u lejohet vetëm një grua; por edhe pse, si në Turqi, ferexheja është hequr, plisi është ende i përdorur.

Resort i ri

Të nesërmen në mëngjes nisem për në Durrës dhe ende nuk mund ta kuptoj pse “Foreign Office List” e klasifikon këtë qytet si “të pashëndetshëm”. Këtu është qyteti i vjetër, i cili me sa duket është mjaft i shëndetshëm për të strehuar pallatin e mbretit të vendosur në një mal (kodër), dhe legatën britanike.

Por 2 milje larg qytetit ka një rrip plazhi 3 milje të gjatë. Gjatë dy viteve të fundit, resorti i ri i kënaqësisë Durrës-Plazh është zhvilluar në këtë rrip.

Katër rreshta bungalosh, duke filluar nga kabinat prej druri me ngjyra të ndezura deri te bungalotë imponuese të vendkalimeve, rreshtojnë plazhin nga njëri skaj në tjetrin. Makinat shpejtojnë përgjatë plazhit.

Princeshat, sigurisht !

Në fakt, pikërisht teksa po hyja për t’u larë, përpara meje kaloi një makinë amerikane e kuqe shumë e bukur me një shpejtësi rreth 85 milje/orë

Nuk e dija që Malcolm Campbell ishte këtu.” — I thashë gjeneralit Serregi, adjutantit të mbretit.

Kjo është makina e motrave të mbretit.” — u përgjigj ai. “Princeshat pëlqejnë të ngasin shpejt !” Vë bast se po !

Hapja tek Muftiu

Atë natë pati një kërcim në klubin e plazhit, ku morën pjesë shumica e Trupit Diplomatik. Atmosfera ishte gjysmë shqiptare dhe gjysmë italiane. Princeshat kishin marrë pjesë në hapjen e klubit dy javë më parë, por nuk ishin të pranishme në atë mbrëmje.

Duket se kjo ishte një ceremoni pasditeje dhe se Madhëritë e tyre Mbretërore kishin veshur fustane pasditeje dhe jo uniformat e tyre të bardha tani të famshme me shpata. Në fakt, gjatë qëndrimit tim në Shqipëri nuk kam takuar njeri që i ka parë me uniformë, edhe pse kartolinat e tyre shiten në çdo dyqan.

Veranda në breg të detit

Tre miljet e plazhit përfundojnë befas me një mal mbi të cilin “Zog I” dhe “G. Z.” (Me sa duket Geraldina dhe Zogu për çiftin mbretëror) të mbuluara me kurora, janë gdhendur në majë si distinktivët e regjimentit të Salisbury Plain.

Nën lisin e malit është shtëpia e mbretit në plazh, ku ai jeton gjatë gjithë verës. Dera e saj e përparme ka pamje nga plazhi dhe veranda e saj të çon drejtpërdrejt në det, shtëpia është e ndërtuar pjesërisht mbi shtylla.

Mobilje të thjeshta

Kjo shtëpi në plazh është prej druri dhe e lyer me një ngjyrë tërheqëse të kaltër Wedgwood. Është e mobiluar me mobilje te lehta te tipit bungalow. Pas saj ka një rrethim, i ruajtur nga një roje, ku janë ndërtuar disa bungalow për Oborrin mbretëror.

Ekziston edhe një godinë prej betoni që mbreti Zog e përdor si zyrë dhe ka dy roje dhe një oficer roje në detyrë kur punon aty.

Pikërisht në ndërtesën prej betoni u zhvillua audienca ime me Mbretin, e përshkruar në faqen njëmbëdhjetë.

Në përmbledhje

Unë jam përpjekur t’ju jap një pamje të vogël të një vendi që bota këmbëngul ta mbushë me hajdutë dhe egërsira.

Është me të vërtetë një vend i njerëzve mikpritës, disa prej të cilëve, është e vërtetë, janë veçse fëmijë të thjeshtë dhe ska asgjë të keqe për këtë. Është një vend i madhështisë së madhe të peizazhit dhe ashpërsisë së karakterit. Dhe ai ka në krye të saj një monark progresiv me sharm të konsiderueshëm.

Lordi Denegall flet me një mbret të vetëshpallur 

Burimi : Sunday Dispatch, e diel, 28 gusht 1938, faqe n°11
Burimi : Sunday Dispatch, e diel, 28 gusht 1938, faqe n°11

Këtë javë Mbreti i vetëm në botë i vetëshpallur feston dhjetëvjetorin e fronëzimit të tij.

Zogu I i Shqipërisë ishte një njeri i thjeshtë. Ai u ngrit në udhëheqjen e vendit të tij jo si diktator, por si monark.

Ai u martua katër muaj më parë. Ai mohon thashethemet e “themeluara” se gruaja e tij është shtatzënë.

Lordi Donegall ka vizituar Mbretin Zog në Shqipëri për t’u dhënë lexuesve të “Sunday Dispatch” këtë pamje të një njeriu që fitoi një kurorë.

3000 burra i dhanë një kurorë

Ahmet Zogu lindi më 8 tetor 1895, bir i luginës së Matit të Shqipërisë.

I shkolluar në një akademi ushtarake, ai u përfshi në politikën ballkanike në moshën 20-vjeçare dhe ndihmoi në rezistencën ndaj serbëve.

Në moshën 23-vjeçare u bë Ministër i Brendshëm.

Në vitin 1923, ai shtypi një revoltë dhe u bë kryeministër.

Shumë shpejt Zogu u ekzilua me 500 ndjekës, por u kthye në vitin 1924 me 3000 dhe marshoi drejt kryeqytetit, Tiranës. Shqipëria u shpall republikë me Zogun si president për shtatë vjet.

Ai e shpalli veten Mbret në vitin 1928.

Doja të isha në pozitën e një tutori (mësuesi) për popullin shqiptar, dhe monarkia i përshtatet më shumë këtij roli dhe traditave të popullit tim sesa diktatura.

E pyeta Mbretin Zog I të Shqipërisë se përse kishte zgjedhur, 10 vjet më parë, të ishte monark mbi Shqipërinë, në vend që të ndiqte modën relativisht të re për t’u bërë diktator. Ai zgjodhi traditën e vjetër në vend të të resë. Duke qenë se Shqipëria është një vend i sapobashkuar, vendimi i tij më dukej me interes.

Pikërisht në ndërtesën prej betoni në Durrës, që përdorej si zyrë nga Mbreti Zog, u zhvillua audienca ime.

Britanikët janë të mirëpritur

Pas një mirëseardhjeje paraprake, në të cilën Mbreti tha se ishte gjithmonë i lumtur që takonte anglezët dhe e vlerësonte shumë miqësinë e Britanisë, ai më pyeti për atë që më interesonte veçanërisht.

Do të doja të dëgjoja për zhvillimet e së shkuarës dhe të së ardhmes në Shqipëri. Unë nuk mendoj se bota e kupton atë që Madhëria juaj ka bërë që kur u bë Mbret.

Para së gjithash,” u përgjigj Mbreti Zog, “duhet ta kuptoni se turqit nuk lanë asgjë pas tyre. Shqipja ishte gjuhë e ndaluar dhe kur erdha unë në fron kishte vetëm tre shkolla të mesme në të gjithë vendin.

Vështirësia më e madhe ishte se të gjitha tekstet shkollore duhej të përktheheshin në shqip. Kjo ishte një punë kolosale. Por arsimi tani është i detyrueshëm, si në vendin tuaj.

Po transporti ?” — e pyeta.

Ne kemi një program për ndërtimin e rrugëve. Rruga nga këtu në Tiranë është tashmë në ndërtim e sipër. Një tjetër do të shkojë nga veriu në jug të vendit dhe do të lidhë vendet aktualisht të paarritshme. Do të hapë rrugën drejt atyre vendeve që unë i konsideroj si zonat më të bukura të skive në botë.

Planet ajrore (Aeroplanët)

Shpresoj të zhvilloj një vend të vogël afër Korfuzit në një resort kryesor dhe e përfytyroj pas pesë vitesh si një lloj Dubrovniku. Sapo bëra disa kërkime atje në jahtin tim.

Ne kemi një program zhvillimi të transportit ajror, i cili së bashku me transportin rrugor duhet të bëjnë të mundur arritjen e ekselencës në të gjithë Shqipërinë.

Atëherë ju nuk po ndërtoni hekurudha ?

Jo. Do të kushtonin miliona dhe do të ishin krejtësisht të tepërta. Natyrisht. Unë jam në ankth për të përmirësuar tregtinë dhe veçanërisht për të krijuar një treg botëror për duhanin tonë. Po krijoj edhe një radio stacion në Tiranë. Në Greqi dhe në Itali ka shumë shqiptarë dhe Tirana në pak vite do të jetë një kryeqytet model.

Ju tashmë keni ndërtesa shumë të bukura atje,” thashë dhe mbreti u përgjigj se nuk do ta njihja vendin pas pesë vjetësh.

I thashë mbretit se kisha dëgjuar se gjenerali Percy dhe koloneli Hill, dy anglezë që shkuan në Shqipëri për të organizuar policinë (xhandarmërinë), po hiqnin dorë nga postet e tyre. Disa njerëz kishin thënë se këtë detyrë do ta merrnin përsipër italianët.

Kjo nuk është e vërtetë,” u përgjigj mbreti Zog. “Gjenerali Percy dhe koloneli Hill kanë bërë punë të mrekullueshme në stërvitjen e shqiptarëve.

Ne do ta menaxhojmë vetë xhandarmërinë në linjat në të cilat ata e kanë ndërtuar. Është një trupë e mirë njerëzish. Më vjen keq që humbas gjeneralin dhe kolonelin, por nuk ka pasur asnjë ide që ata të qëndrojnë përgjithmonë.

Do të doja të dija mendimin e Madhërisë suaj për situatën botërore ?” — i thashë.

Unë jam optimist,” u përgjigj mbreti. “Unë nuk mendoj se do të ketë një luftë evropiane në pesë vitet e ardhshme. Nuk mund të shohim përtej kësaj, por një luftë do të ishte një tragjedi për Shqipërinë, tani që sapo e kemi marrë veten nga vitet e gjata të errësirës që i paraprinë pavarësisë sonë. Unë mendoj se kombet kanë shumë frikë nga njëri-tjetri për të rrezikuar luftën.

Nuk është një diktator

Më pas e pyeta mbretin nëse i vinte keq për lirinë që gëzonte kur ishte deputet dhe nga e cila duhej të hiqte dorë si mbret. Një vështrim mjaft i largët iu shfaq në sy dhe tha :

Ndonjëherë, po. Dikur galopoja (kalëroja) në malet tona të egra. Ishte kënaqësia ime më e madhe.

Por çfarëdo sakrifice që kam bërë, është shpaguar mjaft duke parë Shqipërinë të rritet në adoleshencë me ndihmën time. Kjo është tani jeta ime.

Por unë ende kalëroj me motrat e mia këtu dhe rrotull Tiranës. Dikur ushtroja skermën, por nuk e kam bërë këtë prej disa kohësh. Unë notoj, sigurisht.”

Pikërisht atëherë Mbreti Zog më tha se pse zgjodhi të ishte Mbret dhe jo Diktator i Shqipërisë. Unë përdor fjalën “tutor” për njerëzit e tij : fjala aktuale që ai përdori ishte  ajo franceze “instituteur”.

Mbretëresha

Nuk duket se ka ndonjë degë të ndonjë gjëje shqiptare që ai të mos e ketë në zemër. Ne folëm për letërsinë. Një ish-armik i Mbretit – njeriu që ishte President i Këshillit kur mori detyrën, po përkthen Shekspirin në shqip. “Mbreti Lear” dhe “Othello” tashmë janë në përfundim e sipër.

Së fundi, folëm për Mbretëreshën. Duket se ajo flet anglisht në mënyrë perfekte dhe jo, siç e kisha menduar, me theks amerikan.

Në Shqipëri flitej se pas disa muajsh mund të pritet një trashëgimtar i fronit. Duket se edhe një herë thashethemet kanë gënjyer.

Ose përndryshe nuk më kanë thënë.” — tha Mbreti me një buzëqeshje.

Kështu mbaroi biseda jonë, veç se kur u ndamë, mbreti tha : “Nëse mundeni, ejani si mysafir në festimet e 1 shtatorit.

Kjo është data e cila shënon dhjetëvjetorin e ngritjes së tij në fron./ KultPlus.com

Vdes Sam Moore ikona e soul-it

Sam Moore, ikona e muzikës soul dhe i njohur për hitet e fundit të epokës si ”Soul Man” dhe ”Hold On, I’m Comin’”, vdiq në moshën 89-vjeçare, sipas ”The Guardian”.

Publicisti Jeremy Westby tha se Moore vdiq të premten në mëngjes në Coral Gables, Florida, për shkak të komplikimeve gjatë shërimit nga operacioni.

Moore, i cili ndikoi te muzikantët duke përfshirë Michael Jackson, Al Green dhe Bruce Springsteen, u fut me Dave Prater në Rock and Roll Hall of Fame që në 1992-shin.

Moore regjistroi disa nga hitet më të qëndrueshme të muzikës soul, të cilat përfshinin gjithashtu ”You Don’t Know Like I Know”, ”When Something is Wrong With My Baby” dhe ”I Thank You”.

Shumica e hiteve janë shkruar dhe prodhuar nga ekipi i Isaac Hayes dhe David Porter dhe i kanë paraqitur me grupin ”Stax House Booker T & the MGs”.

Ashtu si shumë dukuri shpirtërore të epokës së tij, grupi i tij ”Sam & Dave” u zbeh pas viteve 1960.

Por, ”Soul Man” doli sërish në krye të klasifikimeve në fund të viteve 1970, kur ”Blues Brothers”, John Belushi dhe Dan Aykroyd, e regjistruan atë me shumë nga të njëjtët muzikantë.

Moore bëri shumë padi gjyqësore me pretenddimet se industria e diskografisë e kishte mashtruar atë nga përfitimet e pensionit.

Moore dhe artistë të tjerë paditën kompani të shumta diskografike dhe Federatën Amerikane të Artistëve të Televizionit dhe Radios në 1993.

Moore shkroi këngën ”Dole Man”, modeluar sipas ”Soul Man”, për fushatën presidenciale të republikanit Bob Dole në 1996.

Në vitin 2017, ai ishte ndër të paktët artistë që performuan për festimet e presidentit  Donald Trump.

Moore u lind më 12 tetor 1935 në Miami dhe filloi të këndonte në kishë që i vogël.

Ai ishte një interpretues i shpeshtë në ”Kennedy Center Honors” dhe performoi për presidentë, përfshirë Obamën.

Moore la pas gruan e tij, Joyce, vajzën, Michell dhe dy nipër e mbesa./ KultPlus.com

Media amerikane “World Footprints”: Shqipëria mes destinacioneve kryesore që ia vlen të eksploroni në 2025

Shumë turistë, të cilët planifikojnë pushimet e tyre në vitin 2025, janë në kërkim te përvojave që shkojnë përtej të zakonshmes, shkruan Tonya Fitzpatrick në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “World Footprints”.

Ndërsa shumë destinacione turistike tradicionale përballen me turizmin masiv, një numër në rritje vizitorësh po kërkojnë vende që janë më të qeta, më kuptimplota dhe të pacënuara.

Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar 10 destinacione të reja për t’u vizituar vitin e ardhshëm – mes të cilave kryeson Shqipëria.

Nga pikat e nxehta në zhvillim deri te thesaret e fshehura, këto destinacione premtojnë aventura unike.

Shqipëria: Parajsa bregdetare e pacënuar e Evropës

Shqipëria po bëhet shpejt destinacioni më i kërkuar i Mesdheut.

E njohur për ujërat e saj bruz, qytetet e bukura bregdetare si Saranda dhe rrënojat antike si ato të Butrintit – kjo perlë ballkanike ofron një alternativë të re kundrejt destinacioneve të mbipopulluara më vizitorë si Greqia apo Kroacia.

“Shqipëria mbetet ndër vendet turistike nën radar për t’u vizituar edhe në 2025. Ajo ofron histori, peizazhe dhe bukuri mesdhetare me një kosto më të përballushme krahasuar me destinacionet më të njohura evropiane”, tha Tom Hall, zëvendëspresidenti i “Lonely Planet”.

Riviera Shqiptare është shtëpia e plazheve të pacenuara dhe ujërave të pastra kristal – ndërsa pikat kryesore në brendësi të vendit të vogël mesdhetar – përfshijnë Bjeshkët e Nemuna, të preferuara nga alpinistët – dhe Gjirokastrën, një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – i famshëm për arkitekturën e tij të epokës osmane.

Ndërsa infrastruktura vazhdon të përmirësohet, Shqipëria ka vendosur të lehtësojë aksesin në atraksionet e saj autentike dhe të pazbuluara.

Në një epokë kur turizmi masiv po riformulon destinacionet e njohura, eksplorimi i vendeve si Shqipëria ofron jo vetëm një përvojë më intime, por edhe mundësinë për të mbështetur praktikat e qëndrueshme.

“World Footprints” rendit 10 destinacione të reja për t’u vizituar në vitin 2025:

1-Shqipëria
2-Gjeorgjia
3-Huaraz, Peru
4-Salta, Argjentinë
5-Ishujt Ikaria dhe Kythira, Greqi
6-Uzbekistani
7-Zambia, Afrikë
8-Medellín, Kolumbi
9-Laos, Azia Juglindore
10-Grinlanda       / KultPlus.com

Rijetësimi i kalasë, Rama: Rrit numrin e turistëve dhe vlerën e pronës në Elbasan

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se rijetësimi i kalasë së qytetit të Elbasanit do të jetë një motor i vërtetë zhvillimi për qytetin.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me AADF (Albanian-American
Development Foundation) për rijetësimin e kalasë së Elbasanit, Rama solli në vëmendje rëndësinë e transformimit në funksion të turizmit.

“Ka një fakt që duhet adresuar dhe përmbysur. Ndërkohë, Berati që e ka nisur procesin e rilindjes dhe transformimit në funksion të turizmit dhe e ka kthyer faktikisht turizmin në një motor të fuqishëm të ekonomisë vendore, ku Fondi ka patjetër kontributin e vetë në partneritete me ne, ka arritur në 800 mijë vizitorë dhe turistë”, tha Rama.

Ndërsa Elbasani, sipas tij, ka sot 20-25 mijë vizitorë.

“Ndërkohë që vizitorët dhe turistët në Kalanë e Beratit ka kohë që kanë kapërcyer numrin e 100 mijë të tillëve, në kalanë e Elbasanit  janë rreth 4 mijë. Këto shifra mund dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e Kalasë”, tha Rama.

Kalaja e Elbasanit, sipas tij, “ka një histori dhe ka disa përbërës që ka një potencial të jashtëzakonshëm për nga aspekti i pranisë së religjioneve përmes simboleve të tyre brenda në Kala”.

“Nëse ne do të arrijmë të bëjmë një projekt të nivelit ‘kriminal’ të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, atëherë do të kemi absolutisht më shumë turistë. Besoj se duke shfrytëzuar gjithë këto komponentë të fshehur që ka Kalaja, ne do të arrijmë të kemi një rritje shumë të madhe të numrit të vizitorëve brenda në lagje. Kjo do të bëjë që vlera e pronës, e shtëpive në lagje të rritet eksponencialisht”, shtoi Rama./ KultPlus.com

Parku i Butrintit, xhevahiri më i çmuar i investimeve me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje projektet e shumta që po zhvillohen në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), ndërsa veçoi atë të Parkut të Butrintit, të cilin e cilësoi si xhevahirin më të çmuar në kurorën e këtyre investimeve.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me AADF për rijetësimin e Kalasë së Elbasanit, Rama nuk la pa përmendur edhe “sulmet” e opozitës ndaj projekteve të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

“AADF tanimë është i njohur për shumë më tepër njerëz falë edhe faktit që ka një ‘stalker’ (përndjekës) personal. Një personazh-kanarinë në zooparkun e politikës shqiptare që këndon në mënyrë persistente, duke bërë në njëfarë mënyre ‘kukuvajkën’ e punëve të Fondit. Mbasi AADF ka ‘grabitur’ me sukses Butrintin dhe ia ka dalë të vihet në zotërim të një pasurie kombëtare duke shkelur sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë, tani na është bashkuar për të grabitur edhe Kalanë e Elbasanit. Por ne kemi siguruar që grabitja do realizohet këtu dhe nuk do ta marrin kalanë ta çojnë në një territor tjetër të botës”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi projektet e realizuara me AADF-në, ndërsa shprehu besimin për suksesin e projektit të Kalasë së Elbasanit.

“Përtej mënyrës se si po e shpreh këtë fatkeqësi që i ka rënë Fondit mbi kokë, që të ketë një stalker privat që nuk i ndahet, tani jemi në kushtet kur të gjithë vizionin dhe përgatitjen paraprake të punës për transformimin e lagjes mund ta konsiderojmë të garantuar midis qeverisë, bashkisë dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan, me të cilin kemi realizuar vepra që flasin vetë”, shtoi Rama.

Kryeministri solli në vëmendje disa nga projektet e realizuar në bashkëpunim me AADF-në, si qendra TUMO, që mbështet edukimin e më të vegjëlve me teknologjinë, të cilën e konsideroi “një histori të bukur suksesi”.

“Edhe në Elbasan tek ish-Materniteti do të krijojmë një vatër dijeje për teknologjinë digjitale për fëmijët në partneritet me bashkinë dhe Fondin dhe me gjasë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, tha Rama.

Kryeministri e konsideroi Butrintin si xhevahirin më të çmuar të kurorës, falë ekspertizës që sjell AADF.

“Po ashtu edhe falë kulturës së administrimit që sjell Fondi, gjë që po e shohim të na japë rezultat konstant te Piramida e Tiranës, mund ta shohim të ardhmen e Parkut Kombëtar me shumë optimizëm. Mund të shohim se si që tani gjëra të reja po shtohen. Projekti i qendrës së mikpritjes në Parkun Kombëtar të Butrintit është konsideruar botërisht si një nga 25 projektet më influente të vitit 2024 nga organizata ndërkombëtare”, shtoi Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se me AADF-në po punohet në zonën arkeologjike të Durrësit, në lagjen rreth Amfiteatrit, që është një punë mjaft e ngjashme nga karakteristikat me punën që do të bëhet në Elbasan.

“Mirëpresim sa më parë ‘stalkerin e Fondit’ që të shfaqet në kala dhe të këndojë këngën e kukuvajkës me pamjen e kanarinës, në mënyrë që ta marrim këtë bekim, se na duhet. Këtu në Elbasan ka një besim të palëkundur tek hudhra, si një komponent i rëndësishëm i mbajtjes larg të syrit të keq, por nëse do të na nderonte me vizitën e saj këtu kukuvajka- kanarinë ne do të ishim shumë mirënjohës, sepse do të na jepte mundësinë ta forconim këtë marrëdhënie ‘mafioze’, ‘kriminale’, ‘korruptive’ me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe të vinim të gjitha paratë e krimit të përbashkët në dispozicion të Elbasanit. Të më falni për këtë entuziazëm patetik që kam, kur më kujtohet fakti që Fondi ka fatin e madh që të ketë një stalker. Jo se mua më kanë munguar stalker-at, por nuk kam pasur kurrë në trajtën kaq cicëruese”, tha Rama./ KultPlus.com

Transformimi i lagjes “Kala”, portë e re për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Aulona Bylykbashi, nënkryetare e bashkisë së Elbasanit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për rijetësimin e lagjes “Kala” të Elbasanit, tha se transformimi i saj do të jetë një fillim i ri jo vetëm për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por dhe për qytetarët e Elbasanit.

“Thonë se kalatë janë një rikthim tek e shkruara, por unë sot e shoh ndryshe. Për mua transformimi i “Kalasë” do të jetë një fillim i ri jo vetë për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Ajo që sjellim sot këtu nuk është vetëm një akt i emancipimit mbi mënyrën si po qeverisen dhe zhvillohen qytetet tona, por është një portë e re e hapur drejt horizonteve të reja përmes jetësimit të kësaj hapësire dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, tha Bylykbashi,

Në nisje të fjalës së sja Bylykbashi theksoi se “Kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike mbrojtje, por gjithashtu ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare kulturore dhe shoqërore për qytetin e Elbasanit ndër shekuj”.

“Brenda mureve të kalasë janë zhvilluar dhe funksione të rëndësishme tregtare”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi shtoi ndër të tjera se bashkëjetesa e shumë objekteve të besimeve të ndryshme “brenda mureve të kalasë është një tregues shumë i rëndësishëm i asaj tolerance unike dhe bashkëjetese kulturore dhe fetare që ka karakterizuar ndër breza komunitetin e Elbasanit”.

“Kalaja ka strehuar edhe shkolla dhe institucione arsimore”, nënvizoi Bylykbashi.

“Edhe sot kalaja e Elbasanit është një hapësirë me një jetë dhe dinamizëm. Kjo është një kala në të cilën ka dyqane artizanale, punishte tradicionale, restorante të cilat na ofrojnë një shije të mirë të kulinarisë tonë tradicionale”, tha Bylykbashi./ KultPlus.com

72 vjet “Aleksandër Moisiu”: Mbi 250 premiera

Sot bëhen 72 vite nga hapja zyrtare e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ka rikthyer në vëmendje këtë datë të veçantë për artdashësit e qytetit bregdetar.

“Në 11 janar 1953, Durrësi, ky qytet me një histori gati tremijëvjeçare, do të themelonte Teatrin profesionist me emrin e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisiu.”

Ishin 14 aktorë, një pjesë e mirë tepër të angazhuar në lëvizjen amatore, të cilët themeluan këtë teatër duke nisur historinë e një tradite të mirëfilltë teatrore në shtëpinë e parë të teatrit durrsak, ish-kinemanë “14 Nëntori” e më pas, veprimtaria kryesore e teatrit “Aleksandër Moisiu” u lidh kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila u përurua më 4 shkurt të vitit 1965”, shkruan Sako.

Sako shton më tej se ky rrugëtim 72-vjeçar numëron mjaft tituj, çmime e arritje në rang kombëtar e më tej nga aktorët, regjisorët si dhe artistet e profileve të tjerë të këtij teatri.

“Me mbi 250 premiera e me një trupë tashmë të konsoliduar aktorësh, shfaqjet po ridimensionojnë profile të rinj aktorësh me ambicie, përkushtim e shumë dëshirë, duke na dhënë besim për t’a vijuar më tej traditën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitet që do të vijnë. Jetë të gjatë Teatrit”, shkruan Sako.

Në videon e ndarë në rrjetet sociale disa nga aktorët të cilët kanë performuar ndër vite në skenën e këtij Teatri, kanë shprehur urimet e tyre.

“Uroj që teatrit t’i kthehet identiteti i tij dhe emri i madh “Aleksandër Moisiu”, pastë jetë të gjatë si jeta e gjithë popullit se Teatri është i popullit dhe populli e do Teatrin se është pasqyra e jetës së tij”, tha Ali Bega.

“Jetoftë në jetë të jetëve, suksese pastë gjithmonë!”, u shpreh Hysen Bashhysa.

“Funksioni i teatrit është argëtimi dhe edukimi dhe me këtë rast unë i uroj Teatrit Aleksandër Moisiu sa më shumë shfaqje të bukura që ta kryejnë sa më mirë dhe sa më bukur misionin për të cili ekziston”, tha Sanie Hoti.

“Dua të falenderoj të gjithë artistët për kënaqësitë e mëdha që i kanë dhënë dhe i japin spektorit tonë durrsak dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Aishe Stari.

Shfaqja e parë e vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu” ka qenë komedia “Vajza nga fshati”, e shkrimtarit Fatmir Gjata, me regji të Pandi Stillu./ KultPlus.com

“Tejdukshmëri ekzistenciale”, ekspozita vetjake e piktorit Krist Dimo në COD

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) e nisi aktivitetin e saj kulturor për 2025, me ekspozitën e piktorit Krist Dimo, të titulluar “Tejdukshmëri ekzistenciale” ku në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Drejtoresha e COD, Jetona Koçibelli është edhe kuratorja e kësaj ekspozite vetjake, ku piktura e Dimos shqyrton ndikimin e shoqërisë moderne dhe postmoderne, duke ofruar një përvojë vizuale, që është njëkohësisht edhe një përvojë mendore dhe emocionale për shikuesin.

Në shkrimin kuratorial, puna e Krist Dimos paraqitet si një kërkim për të kuptuar natyrën e ekzistencës njerëzore, që shpesh është e mbushur me tensione dhe kontradikta, konflikte të brendshme dhe të jashtme, por gjithashtu është një hapësirë e pafund mundësish.

Fytyrat e njeriut të mbytur, si kafka, me sy bulbozë, hundë të lyer dhe dhëmbë të dukshëm, si dhe skicat anatomike, përshkruajnë devizën e artit të tij. Kanavacat e mëdha të Dimos vibrojnë me ngjyra, shenja, forma dhe tekste.

Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe, ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj.

Në shumë prej veprave të tij, Krist Dimoja eksploron ndikimin e shoqërisë moderne e postmoderne tek individi, duke shqyrtuar aspektet e identitetit, të lirisë dhe të shprehjes personale.

Krist Dimo lindi në Durrës, në vitin 1956. Përpara vitit 1991, orientimi i tij ndaj pikturës ishte pothuajse jo formal. Talenti dhe stili i tij autodidakt e udhëhoqi në këtë periudhë.

Pas vitit 1991, duke emigruar në Itali (Foggia) mund të flasim për një periudhë të vërtetë formimi, duke iu përkushtuar krejtësisht pikturës. Kjo falë prof. Dario Damatos (drejtor i Akademisë së Arteve Foggia 1988-2000), i cili i krijoi kushtet për të punuar dhe për t’u zhvilluar. I gjithë qëndrimi 10-vjeçar i tij në Itali ishte mjaft produktiv dhe shërbeu si bazë e prodhimtarisë së tij artistike (kuadrot e kësaj periudhe janë në një koleksion privat në Romë).

Ka marrë pjesë në “ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, si dhe në Galerinë Kombëtare (Tiranë, 1982). Pas “Onufri 2000”, Tiranë, e gjithë prodhimtaria i përket periudhës 2015-2024. Së fundmi ka qenë pjesëtar i Fedac Found Brussels, Hambly and Hambly dhe galeria Kiro Group C Irlande, si dhe Eine Art Galery.

Ekspozita Ekspozita që përmban 31 vepra artistike dhe do të qëndrojë e hapur për publikun nga 11 janari, deri më 14 shkurt 2025./ KultPlus.com

Gonxhja: Mbi 1,3 milionë vizitorë në sitet kulturore në 2024-ën

Numri i vizitorëve në sitet kulturore, ku historia takohet me të tashmen dhe përcillet ndër vizitorët dhe brezat e të ardhmes, gjatë vitit 2024 shënoi rritje me 31%.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se sitet kulturore gjatë vitit 2024 janë vizituar nga 1 314 999 persona, 31% më shumë krahasuar me 2023.

Pesë sitet më të vizituara janë Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik në Apoloni.

Të dhënat e publikuara nga ministri Gonxhja tregojnë se Kalaja e Gjirokastrës pati numrin më të lartë të vizitorëve, 263 048 gjithsej.

Parku Kombëtar i Butrintit në vitin që lamë u vizitua nga 200 570 vizitorë, ndërsa Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë nga 174 571 vizitorë.

Parku Arkeologjik i Shkodrës u vizitua nga 157 827 vizitorë dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga 121 807 qytetarë./ KultPlus.com

‘Do t’më pëlqente të mund të kërkoja, po s’kam forcë’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./KultPlus.com

Gjykata e Lartë e prirur të mbështesë ndalimin e platformës Tik-Tok në SHBA

Gjykata e Lartë dukej e prirur të premten të mbështeste një ligj që do të detyronte shitjen ose do të ndalonte aplikacionin e videove të shkurtra TikTok në Shtetet e Bashkuara duke nisur nga 19 janari, ndërsa gjykatësit u përqëndruan në shqetësimet mbi një kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare.

Platforma sociale thotë se ligji shkel Amendamentin e Parë dhe duhet të hedhet poshtë.

Kompania ByteDance, e cila ka në pronësi TikTokun, e ka qendrën në Kinë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara thotë se kjo paraqet një kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare. Zyrtarët amerikanë thonë se autoritetet kineze mund ta detyrojnë TikTokun t’i dorëzojë asaj të dhëna të ndjeshme të një numri shumë të madh të amerikanëve që e përdorin këtë platformë apo mund të ndikojë në shpërndarjen e informacionit në këtë platformë.

Një gjykatë e apelit la në fuqi ligjin, i cili ndalon TikTokun nëse nuk shitet.

Ligji hyn në fuqi më 19 janar, një ditë para fillimit të mandatit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili ka 14.7 milionë ndjekës në këtë platformë. Udhëheqësi republikan thotë se ai dëshiron “ta shpëtojë TikTokun”.

Gjatë seancës ku u dëgjuan argumentet, e cila zgjati rreth 2 orë e gjysmë, nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë pyetën avokatët që përfaqësonin platformën TikTok, kompaninë kineze ByteDance, që e ka në pronësi TikTokun dhe përdoruesit e aplikacionit në lidhje me rrezikun që qeveria e Kinës të shfrytëzojë platformën për të spiunuar amerikanët dhe për të kryer operacione të fshehta ndikimi, ndërsa shqyrtuan gjithashte edhe shqetësimet lidhur me lirinë e fjalës.

Disa gjyqtarë ngritën shqetësime për ndikimin e ligjit në lirinë e fjalës, por shqetësimi i tyre dukej i përqendruar tek ndërlikimet lidhur me sigurinë kombëtare, në kushtet kur një platforme e mediave sociale me pronarë të huaj mbledh të dhëna nga 170 milionë përdorues amerikanë, rreth gjysma e popullsisë së Shteteve të Bashkuara.

Gjyqtari konservator Brett Kavanaugh e pyeti avokatin e Tik Tok dhe ByteDance Noel Francisco mbi rreziqet e mundshme në nivel afatgjatë lidhur me faktin që Kina mbledh të dhëna për përdoruesit, veçanërisht ata që filluan të përdornin aplikacionin në moshë të re dhe mbi rreziqet se mund ta përdori “atë informacion, me kalimin e kohës për të spiunuar, apo për të shantazhuar njerëzit, individë që mund të punojnë në një të ardhme në FBI ose CIA ose Departamentin e Shtetit.”

Avokati Francisco e cilësoi aplikacionin një nga platformat më të njohura ku amerikanët ushtrojnë lirinë e fjalës dhe shtoi se në thelb Tik-Tok do të mbyllej më 19 janar pa u shitur.

Gjyqtari konservator Samuel Alito më vonë paraqiti mundësinë që gjykata të vendoste atë që quhet pezullim administrativ që do të ngrinte përkohësisht ligjin ndërsa gjykatësit vendosin se si të vijojnë më tej.

Kur e merr vendimin Gjykata e Lartë?

Anëtarët e Gjykatës së Lartë do ta marrin vendimin pas argumenteve të premten, një vendim i shpejtë bazuar në standardet e gjykatës.

Gjykata e cila është e përbërë nga një shumicë konservatore mund të japë shenja se nga cili drejtim po anon gjatë shpalosjes së argumenteve verbale.

Avokatët e TikTokut nxitën anëtarët e Gjykatës së Lartë të ndërhyjnë para se ligji të hyjë në fuqi, duke thënë se një ndërprerje qoftë edhe njëmujore e aplikacionit do të ndikonte në humbjen e rreth një të tretës së përdoruesve të saj amerikanë në ditë dhe do të dëmtonte të ardhurat nga reklamat.

Gjykata mund ta bllokojë hyrjen e ligjit në fuqi edhe para se ta shpallë vendimin e saj përfundimtar, nëse të paktën pesë nga nëntë gjykatës mendojnë se ai është në kundërshtim me kushtetutën.

A është ndaluar TikToku?

Tani për tani jo, por aplikacioni ku postohen video të shkurtra të përdoruesve që ndahen me publikun, mund të ndalohet brenda më pak se dy javëve nëse Gjykata e Lartë e lë ligjin në fuqi.

Kongresi e miratoi ligjin me përkrahjen e dy partive dhe Presidenti demokrat Joe Biden, e nënshkroi atë në muajin prill.

Avokatët e TikTokut sfiduan ligjin në gjykatë, ku u shoqëruan me përdoruesit e aplikacionit dhe krijuesit e përmbajtjes, të cilët thonë se ndalesa e platformës do të përmbyste jetesën e tyre. Përfaqësuesit e TikTok-ut thonë se shqetësimet për sigurinë kombëtare bazohen në informacion të pasaktë dhe hipotetik.

Por një trupë gjyqësore i apelit, i përbërë nga gjykatësit e emëruar nga presidentët republikanë dhe demokratë, vendosi unanimisht që ta lë ligjin në fuqi.

Çfarë ka deklaruar Presidenti i zgjedhur Trump për këtë çështje?

Ligji hyn në fuqi më 19 janar, një ditë para se zoti Trump të fillojë mandatin e tij si president.

Ai bëri një hap të pazakontë duke dorëzuar dokumente gjyqësore përmes të cilave kërkoi nga Gjykata e Lartë ta ngrinte ligjin në mënyrë që ai të negociojë një marrëveshje për shitjen e TikTokut pasi të ketë filluar detyrën. Qëndrimi i tij është shembulli i fundit se si ai po përfshihet në çështjet kombëtare para se të fillojë mandatin. Qëndrimi i tij po ashtu ka ndryshuar që nga mandati i tij i kaluar presidencial, kur dëshironte ta ndalonte atë.

Kompania ByteDance, që e ka në pronësi TikTokun, në të kaluarën ka thënë se nuk ka plane për ta shitur platformën. Zoti Trump është takuar me drejtorin ekzekutiv të TikTokut Shou Zi Chew në pronën e tij në Mar-a-lago, në Floridë, muajin e kaluar.

Kush tjetër është përfshirë në debat?

Grupet që angazhohen për lirinë e shprehjes, siç është ACLU dhe Fondacioni për Frontin Elektronik, po nxisin gjykatën të bllokojë ligjin, duke thënë se qeveria nuk ka dhënë prova të qenësishme për dëmin që shkakton TikTok-u dhe se ndalesa do të shkaktonte “probleme të jashtëzakonshme” në jetën e amerikanëve.

Në anën tjetër, Senatori Mitch McConnell, ish udhëheqësi republikan në Senat dhe një grup prej 22 shtetesh kanë dorëzuar shkresa në përkrahje të ndalimit, duke argumentuar se ligji mbron lirinë e shprehjes duke ruajtur të dhënat e amerikanëve dhe duke parandaluar manipulimin e mundshëm të informacioneve që gjenden në këtë platformë nga autoritetet kineze./VOA/ KultPlus.com

Fillon edicioni i 34-të i “Flakës së Janarit”, Hyseni: Për 3 javë, Gjilani do të jetë qendër e aktiviteteve kulturoro-artisitike

Të shtunën fillon manifestimi mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit”, organizuar nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport.

Aktivitetet do të fillojnë me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për të vazhduar deri me 31 janar me aktivitete të shumta kulturore e artistike.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se edicioni i 34-të i “Flakës së Janarit” nis më 11 janar në Gjilan.

“Për 3 javë, qyteti do të jetë qendër e aktiviteteve kulturore e artistike në nderim të dëshmorëve. Filma, festivale, ekspozita e panele do të kujtojnë sakrificën e tyre”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, fton qytetarët t’i bashkohen aktiviteteve për të nderuar traditën dhe për të mbajtur gjallë flakën e kujtesës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes

Presidentja Vjosa Osmani kujton veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Enver Maloku ishte profesionist i fjalës së shkruar, luftëtar i mendimit të lirë dhe njeriu që me guxim dhe përkushtim mbrojti idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ai ishte shtyllë e informacionit të drejtë dhe të paanshëm në kohë të errëta, kur e vërteta rrezikohej nga dhuna dhe shtypja.

Kujtimi për Enver Malokun është i përhershëm, teksa puna dhe sakrifica e tij janë pjesë e historisë sonë, ndaj e vërteta që ai mbrojti do të jetojë gjithmonë dhe do të mbrohet kur autorët të dalin para drejtësisë.

Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!/ KultPlus.com