Rama: Rrugëtim përmes thesareve të trashëgimisë kulturore në Kullën Veneciane në Durrës

Kulla Veneciane në Durrës, e ndërtuar gjatë shekullit XV, pas restaurimit është shndërruar përmes teknologjisë, në një qendër fantastike informacioni për qytetin antik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo kullë e cila pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019, u restaurua nga fondi evropian EUCulture.

“Kulla e rilindur Veneciane e Durrësit, pas restaurimit të thellë falë edhe mbështetjes nga fondi europian EU4Culture është instaluar një program teknologjik i rrugëtimit përmes thesareve të trashëgimisë sonë kulturore”, shprehet Rama.

Ky monument i mrekullueshëm i trashëgimisë tonë kulturore dhe pikë referimi i qytetit të Durrësit, iu nënshtrua restaurimit me mbështetjen e Projektit EU4Culture financuar nga BE dhe u ekzekutua nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Punimet restauruese, përfshinë pajisje multimediale me një buxhet prej 700,000 € dhe rreth 300,000 euro shtesë u investuan për zhvillimin e përmbajtjes multimediale.

Me mbështetjen e projektit, Kulla Veneciane është shndërruar në një Qendër të Interpretimit të trashëgimisë më moderne.

Kjo qendër u ofron vizitorëve mundësinë për të eksploruar ngjarje dhe vende historike përmes mjeteve të ndryshme digjitale dhe multimediale, si kufjet VR, periskopët digjitalë, projeksionet multimediale në kupolë dhe aktivitete të tjera që kombinojnë argëtimin me një vështrim më të thellë të historisë së lashtë të qytetit./atsh/KultPlus.com

Bashkia e Durrësit miraton vendimin, Mirush Kabashi merr titullin ‘Qytetar Nderi’ 

Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.

Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.

Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com

Një dramë për dinjitetin, shfaqet edhe në Durrës vepra ‘7 minuta’! Thirrje për të dalë nga zona e komfortit

E shkruar nga italiani Stefano Masini dhe e vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, shfaqja “7 Minuta” ka mbërritur në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, të Durrësit si një thirrje për të dalë nga zona e komfortit, nga frika e humbjes dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e njeriut dhe të punëmarrësve, në emër të interesave që i kapërcejnë ato personale.

“Këtu luhet me dinjitetin njerëzor. Vepra ka një mesazh të fortë. Ka emocion të bukur, po ka dhe humor, sepse gërshetohen të gjitha. Në një situatë dramatike shumë shqetësuese, patjetër që ka dhe batuta dhe momente të vogla të bukura.”– u shpreh aktorja Zamira Kita.

“7 minuta është një shfaqje jo vetëm argëtuese, po sicc di regjisorja D. Dervishi është ai lloj teatri që të bën të mendosh e reflektosh e ndërgjegjësohesh për shumë gjëra. Janë të drejtat e njeriut që bërtiten fort dhe theksohen me shumë ndjenja.”– tha aktorja Rudina Dembaçaj.

Pas suksesit në Tiranë dhe teatro të tjera të vendit, edhe Durrësi ndoqi me interes të lartë shfaqjen e cila bën bashkë emra të mëdhenj të artit skenik në vend, që sjellin para publikut realitete të ndryshme të grave dhe nevojën për të mbrojtur të drejtat e tyre.

“Publiku i Durrësit e ndoqi me vëmendje se ai është shumë i mirë, po duhet thënë që 7 minuta me regji të D. Dervishit ka shëtitur kudo nëpër Shqipëri dhe kudo salla ka qenë plot. Pjesa sociale është shumë e prekshme dhe ccdo publik gjen veten këtu.”– shtoi Kita

“Jam shumë e emocionuar. Salla ishte ekstremisht plot dhe kam një cclirim tani se kjo shfaqje më jep emocione të veccanta, ndryshe nga një komedi që është më e thjeshtë. 7 minuta është shumë më e ndjerë si shfaqje.”– u shpreh Rudina.

Dilema, përplasje, nevoja për një rrogë dhe frika për të humbur vendin e punës vejnë në pikëpyetje gjithccka derisa rebelimi, mbrojtja e vetes dhe tjetrit triumfon./topchanel/KultPlus.com

Tragjedia “Elektra”! Shfaqet premierë në Durrës me regji të Kiço Londos

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po shfaqet premierë tragjedia e Sofokliut “Elektra” me regji të Kicco Londos.

E sjellë nga teatri shëtitës “Çajupi”, “Elektra” vjen para publikut durrsak me mesazhet e forta që mbërrijnë aktuale nga kohët antike në ditët e sotme.

“Është rol shumë i vështirë. Tragjeditë në vetvete janë të vështira dhe është përgjegjësi e madhe t’i luash. Elektra ka mjaft karakteristika për t’u admiruar. Është një luftarake e padorëzuar deri në fund. Ajo jeton për hakmarrjen e saj dhe e realizon duke vënë drejtësi”, u shpreh aktorja Laura Nezha.

“Është e guximshme për shkak të peshës së madhe artistike që ka Sofokliu është një gjë e rëndë. Elektra gjithashtu. Megjithatë jam i lumtur, krenar për këtë staf që bën gjithçka dhe përtej moshës së re që kanë për të mbajtur një vepër kaq të madhe”, tha regjisori Kiço Londo.

Gjatë të gjithë shfaqjes, tragjedia përfshiu emocionalisht publikun që e vlerësoi gjatë me duartrokitje trupën e aktorëve dhe regjisorin.

“Mbeta shumë i kënaqur dhe i surprizuar jo vetëm nga konceptimi regjisorial, por edhe loja e mrekullueshme e aktorëve. Një lojë ansambël, në veccanti Elektra shkëlqente. Duhen thënë fjalë jashtëzakonisht të mira për regjisorin që tregoi dhe njëherë tjetër se është regjisor i talentuar i vendit tonë”, tha Enver Plaku.

“Një shfaqje e kompletuar me të gjithë elementet. Një Elektër tipike e ditëve të sotme. Laura kishte sjellë një figurë të kompletuar me të gjitha parametrat. I uroj shumë suksese trupës së Kicco Londos dhe pastë rrugë të gjatë “Elektra”, tha Gjergj Doçi.

“Jam shumë e kënaqur për këtë. Personalisation Elektrën, publiku e ka dashur, e ka pritur mirë. Është përlotur bashkë me të. E ka ndjerë dhembjen e personazhit. Me të vërtetë që jam e surprizuar”, tha Laura Nezha.

Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja zbulon pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e harruar të faljes. Pas Durrësit, Elektra do të udhëtojë nëpër gjurmën e rrugës Egnatia si një realitet që bashkon edhe sot vendet e popujt.

“Ky është një projekt që do të udhëtojë nëpër rrugën Egnatia. Është një ndërthurje e teatrit të lashtësisë, teatrit të Sokratit me një rrugë nga më të lashtat jo vetëm në rajonin tonë, po në të gjithë historinë e njerëzimit. Një rrugë që ka lidhur Romën me Lindjen”, tha regjisori Kiço Londo./topchanel/KultPlus.com

Skena lëvizëse e TKOBAP, sonte në Durrës

Skena lëvizëse e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka ndërmarrë një “udhëtim” nëpër disa qytete të vendit, për ta çuar artin sa më pranë artdashësve, e për të mos qenë ekskluzivitet i kryeqytetit.

Fillimisht artistët e TKOBAP janë ndalur në Shkodër dhe në Kukës, ku çuan këngë e valle tradicionale, me orkestrën, solistët, grupin e valleve, dhe grupin koral të Ansamblit Popullor, nën kujdesin e Brikena Jaupajt dhe Alban Tahirit. Dy shfaqjet e para janë ndjekur nga një numër i madh spektatorësh dhe janë pëlqyer prej tyre. Në Shkodër skena u ngrit në sheshin përpara bashkisë, duke lejuar një numër më të madh njerëzish për të ndjekur spektaklin, nën dritat e shumta që shoqërojnë këtë atmosferë festash. Ndërsa në Kukës, koncerti u zhvillua në mjedis të mbyllur.

Udhëtimi nëpër Shqipëri do të vijojë deri më 30 dhjetor. Sonte Ansambli Popullor do të japë shfaqje në Durrës, ndërsa në datat në vazhdim do të interpretojnë në Fier, Vlorë dhe Korçë./atsh/KultPlus.com

Baleti Etoile sjell shpirtin e Ukrainës në qytetin e Durrësit

Trupa e Baletit Etoile, ardhur nga Ukraina, i ka sjellë publikut durrsak e jo vetëm, traditën, kulturën dhe shpirtin e vërtetë ukrainas. 

Të pranishëm në teatrin “Aleksander Moisiu”, përveç artdashësve, kanë qenë edhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ambasadori i Japonisë, Takada Mitsuyuki, si dhe mjaft personalitete të tjera. 

Teatri “Aleksandër Moisiu” hapi dyert dhe mikpriti për 3 javë këtë trupë, duke mbështetur në çdo aspekt të gjithë këtë sipërmarrje me përmasa të mëdha. 

Publiku për dy orë rresht ndoqi me vëmendje këtë shfaqje të vecantë.

“Yjet e Trupës së Baletit Klasik të Ukrainës vendosën që përpos çdo lloj traume e tragjedie që po kalon qyteti i tyre i origjinës, Kharkhivi, të gjejnë forcën e të krijojnë duke inspiruar e shpërndarë artin”, shkroi në rrjetet sociale ministrja Milva Ekonomi.

Trupa ukrainase interpretoi baletin “Princesha e akullit” me koreografi të Andrea Heise, e cila është një histori romantike me muzikën e Mozart, Vivaldi, Halvorsen dhe Leontovich. / atsh / KultPlus.com

Në Durrës zbarkojnë pasagjerë nga Australia, Meksika, Kanadaja dhe Amerika

 Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe të trashëgimisë kulturore po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

Në portin e Durrësit mëngjesin e kësaj të shtuneje është ankoruar një tjetër krocerë.

Kryeminsitri Edi Rama teksa publikoi foto të krocerës së ankoruar në port, bëri të ditur se pasagjerët e saj janë nga Australia, Meksika, Kanadaja dhe Amerika.

“Sot në Durrës, pasagjerët nga Australia, Meksika, Kanadaja dhe Amerika. Pushime të bukura!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti është 2.389.899.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, ky numër është rritur me 42.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Nga këta mbi 2.2 milionë shtetas udhëtuan për pushime apo vizitë te të afërm, ndërsa 50 861 shtetas udhëtuan për qëllime biznesi dhe profesionale.

Sipas INSTAT-it, përgjatë pesëmujorit të 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 2 300 558 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 55 333 dhe 15 060 shtetas./atsh/KultPlus.com

Shëtitorja e re e plazhit të Durrësit, gati për banorët dhe turistët

Shëtitorja e re e plazhit është tashmë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve të shumtë që frekuentojnë bregdetin e Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako përcolli pamje nga shëtitorja e re, vepër e rëndësishme që i shërben turizmit, por edhe banorëve që jetojnë në këtë zonë.

Kjo shëtitore që ndryshon tërësisht imazhin e bregdetit të plazhit të Durrësit ka jo vetëm pistën e këmbësorëve, por edhe atë të biçikletave, hapësira argëtuese për fëmijë, ndriçim dhe gjelbërim.

Projekti parashikon edhe rikonstruksionin e fasadave të godinave si dhe zgjerimin e brezit të rërës.

Lungomarja e re është 3 kilometra vijë bregdetare, me gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive.

Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.

Shëtitorja merr rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë./atsh/KultPlus.com

Durrësit i shtohet një tjetër vepër arti në hapësirat publike

Një skulpturë e re e titulluar “Rrënjët” është vendosur në një nga hapësirat e shëtitores “Taulantia”. Kjo skulpturë e derdhur në bronz është realizuar nga skulptori i mirënjohur Adrian Dule dhe i është dhuruar qytetit të Durrësit.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, së bashku me artistin, i cili ia dhuroi këtë vepër arti Durrësit, prezantuan para qytetarëve domethënien e saj dhe vlerën që ka arti në hapësirën publike dhe për turistët.

Sako tha se, ”Arti në hapësirat publike” është një qasje e qeverisë shqiptare dhe ne duam ta përqafojmë në mandatin që vjen. Është e rëndësishme për ne që çdo pjesë të qytetit, jo vetëm në shëtitoren “Taulantia”, në sheshin “Liria”, por dhe në lagje të tjera të qytetit të bëjmë të mundur vendosjen e veprave artistike të artistëve tanë, pse jo dhe të huaj, në mënyrë që të emocionojmë ata që janë vizitorë të qytetit tonë, turistët, jo vetëm me bukuritë që ka natyra, plazhi, shërbimin e mirë dhe të sigurt që japim në qytetin tonë. Mbi të gjitha për të dhënë dhe emocionet e një qyteti 2700-vjeçar. Kultura dhe arti do të jenë në fokusin tonë gjatë 4-vjeçarit të ardhshëm”.

Kuptimi parësor i kësaj skulpture, sipas autorit të veprës, janë rrënjët që zgjaten nga toka në det ashtu siç është vetë qyteti, i cili është i lidhur përjetësisht me detin.

Artisti Dule tha se, “kjo vepër arti tregon në thelbin e saj rrënjët në tokë dhe tentakulat në det, siç ka Durrësi një të përbashkët mes tokës dhe detit. Sa i përket pjesë së kulturës së qytetit ajo që më ka pëlqyer shumë tek Emiriana kur kemi biseduar është se ka disa plane interesante përsa i përket anës së artit vizual të aplikuar në sheshet dhe paraqet e Durrësit. Do të ketë mbështetjen time të plotë jo vetëm si artist por dhe si këshillues sesi mundet që gjithë ky plan i saj me vlerë të realizohet”.

Nga ana tjetër, simbolika e kësaj skulpture flet për lidhjen e bashkëatdhetarëve tanë me vendin e tyre. Për këtë arsye kjo vepër arti është vendosur në afërsi të monumentit përkujtimor të eksodit të vitit 1991, ku mijëra shqiptarë emigruan jashtë atdheut, por duke qëndruar të lidhur fort me rrënjët e tyre në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike në Durrës, sondazhe gjeologjike të reja në Amfiteatër

Në Amfiteatrin Antik të Durrësit ka nisur sondazhi i shtresave gjeologjike të pazbuluara dhe të panjohura deri më sot nga studiuesit dhe arkeologët. Këto sondazhe i paraprijnë ndërhyrjes së mëtejshme për zbulimin e plotë të monumentit më të madh të botës antike në vend dhe rajon.

“Ministria e Kulturës ka bërë përzgjedhjen e një kompanie që do të bëjë sondazhet duke nxjerrë kampionet nga pjesa e arenës dhe pjesë të tjera dhe pasi të bëhet analiza dhe studimi i sondazheve pritet dalja në konkluzion nga ana e specialistëve deri ku mund të shkojë tabani dhe lloji i shtresave. Punime këto që nuk kanë mundur të bëhen më parë”, ka thënën drejtor i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito.

I zbuluar në vitin 1966, Amfiteatri i Durrësit, një nga 30 amfiteatrot e botës antike, është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Për afro 2 shekuj ai u përdor për dyluftimet e gladiatorëve dhe të kafshëve të egra dhe kishte një kapacitet për 15 mijë shikues. Sipas autoriteteve muzeore, sondazhet e sapo nisura nuk do të pengojnë në vizitueshmërinë e monumentit antik për këtë sezon turistik, që gjithsesi do të ofrojë më pak objekte të trashëgimisë sonë për t’u vizituar, pasi dhe muzeu më i madh arkeologjik në vend është nën rikonstruksion.

 “Në këtë moment kemi vetëm Amfiteatrin të vizitueshëm, pasi Muzeu është në rikonstruksion, Hamami gjithashtu. Edhe Torra Veneciane, që shpresojmë të hapet para sezonit turistik. Me hapjen e Torrës, po dhe të Amfiteatrit do të kemi një fluks të konsiderueshëm vizitorësh të cilin e mirëpresim për t’u dhënë shërbimet e dëshiruara”, është shprehur Alban Ramohito.

Amfiteatri dhe zonat kryesore arkeologjike A dhe B, në Durrës, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve të shumta për të nxjerrë në pah vlerat që ato mbartin nën dhe mbi tokë, për ta kthyer Durrësin në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në 10 vitet e ardhshme. / Top Channel / KultPlus.com

Restaurohet Kulla Veneciane në Durrës

Kulla Veneciane në Durrës është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, ishin në Durrës për të përuruar punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane, të cilat u finalizuan falë programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS.

“Shijuam një performancë befasuese, e cila tanimë është e prekshme për vizitorët. Kulla Veneciane, një thesar që jo vetëm ka dalë në dritë, por ka fituar edhe më shumë vlerë falë teknologjisë”, shkroi ministrja Margariti, në një postim në rrjetet sociale.

Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë do të mund të marrin aty informacion për të gjitha objektet me rëndësi historike e kulturore të Durrësit.

Kulla, përveç se do të rrëfejë historinë e Durrësit, do të orientojë vizitorët përmes monumenteve te tij./atsh/KultPlus.com/