Jusuf Buxhovit i jepet çmimi letrar ‘Beqir Musliu’

Shkrimtari Jusuf Buxhovi është shpallur fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu” për vitin 2024.

Juria letrare në përbërje me Ibrahim Kadriun, Albina Idrizin dhe Sabit Rrustemin pas një shqyrtimi të tërësishëm të listës së shkrimtarëve të propozuar për këtë çmim, unanimisht ka rënë në dakord që sivjet Çmimi “Beqir Musliu” t’i jepet shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi.

Ky çmim, i cili ndahet nga Komuna e Gjilanit, është një nderim për autorët që kanë kontribuar në zhvillimin e letërsisë dhe kanë lënë gjurmë të dukshme përmes veprave të tyre.

Jusuf Buxhovi është një personalitet i rrallë gjithë shqiptarë i cili, më shumë se gjysmë shekulli i është përkushtuar letërsisë në cilësinë e tregimtarit, dramaturgut dhe romancierit, duke vazhduar me përkushtim të madh në studimet e çështjeve historike shqiptare, për të vënë në binarë normal të ndodhurat nëpër shekuj në trojet e shqiptarëve, e veçanërisht në Kosovën tonë. Në fushën e historisë u angazhua  në fund të shtatëdhjetave pasi, në vitin 1968 u diplomua në Universitetin e Prishtinës në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Por studimet e mëtutjeshme, pra, ato pasuniversitare, i vazhdoi në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës ku magjistroi në temën  “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane.” 

Siç mund të kuptohet nga këto të dhëna telegrafike, nga këto shënime të shkurta, Jusuf Buxhovin e shohim të angazhuar në dy fusha të krijimtarisë, të asaj imagjinare të rrumbullakuar me vepra letrare, me aq shumë vepra letrare, dhe të asaj historike me të cilat sfidoi konceptet e të dhënave labile në fushën e historisë duke i zëvendësuar ato me argumentime reale, me dëshmi konkrete përmes të cilave vihen në dyshim shumë qasje pa mbështetje serioze në periudhat përmes të cilave definohet rrugëtimi i etnitetit tonë. Në këtë aspekt përmes veprave historike të Jusufit na ofrohen dëshmi që nga antikiteti deri në ditët e sotme me shtrirje në Kosovë, por edhe në Maqedoni. Vepra këto të cilat janë përkthyer edhe në anglisht dhe janë shpërndarë në botë.

Jusuf Buxhovi është i lindur në Pejë (më 1946). Më 1972 botoi librin e parë me tregime me titull “Cirku”. Më tutje, vazhdimisht botoi libra me drama, tregime, vështrime e romane, me dhjetëra romane, siç janë “Matanëkrena”,”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Nata e shekujve”,. “Galeria e të vdekurve”, “Libri i të mallkuarave”, “Prapë vdekja” (tre libra), “Qyteti i dënuar me vdekje”, “Kodi i dashurisë”, “Libri i Bllacës”- trilogji, “Libri i Gjakovës”, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”, “Mona”, “Rrushja” e tj, mandej dramat: “Dinozauri”, ”Pranvera e zhveshur” e shumë vepra historike, siç janë “Kongresi i Berlinit 1878”, “Kthesa historike” tre vëllime, “Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane”, “Kosova” në njëmbëdhjetë vëllime, “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, “Dardania – Antika, Mesjeta” e “Kosova – histori e shkurtër” .

Veprat e Jusufit u përkthyen edhe në gjuhë të huaja. “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, për shembull – u përkthye në gjuhët: serbokroate, sllovene, frënge, italiane, kurse romani “Dosja B” u përkthye në anglisht, sikur edhe veprat histerike “Kosova I,II,III dhe “Maqedonia antike”.

Jusuf Buxhovi për veprimtari letrare u nderua edhe me çmimet:  “Hivzi Sulejmani”, me çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, me Çmimin kombëtar “Azem Shkreli” e tj.

Çmimi letrar “Beqir Musliu” që jepet për vlera të mirëfillta letrare dhe prurje të reja në letërsi nga radha e shkrimtarëve tanë që kanë ndèrtuar një karierë të gjatë letrare, nderon jo vetëm fituesin e sivjemë, Jusuf Buxhovin, po edhe vetë emrin e bashkëvendasit tone, shkrimtarit të nderuar që tashmë me decenie prehet në amshim, Beqir Musliut./ KultPlus.com

Ekspozita ‘Symphony of Ethnos’ vjen si homazh i fuqishëm për traditën dhe shpirtin shqiptar në Galerinë ODA

Rozafa Shpuza

Galeria ODA, një qendër e njohur arti që ka mirëpritur artistë nga vende të ndryshme të botës, këtë fundvit u bë mikpritëse e një ekspozite mbresëlënëse nga artisti i njohur Agron Mulliqi. Me një CV të pasur dhe një qasje autentike në artin bashkëkohor, Mulliqi solli në këtë hapësirë krijuese ekspozitën “Symphony of Ethnos,” një homazh i fuqishëm për traditën dhe shpirtin shqiptar, i ndërthurur me mjeshtërinë dhe vizionin e tij bashkëkohor.

Hapja e një ekspozite të tillë në një qytet si Shkodra, me një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, është një kontribut i rëndësishëm për pasurimin e jetës artistike dhe kulturore të qytetit. Shkodra, si një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Shqipëri, i jep një kuptim të thellë çdo eventi artistik, duke krijuar një dialog mes traditës së saj të lashtë dhe shprehjeve moderne që vijnë përmes artit bashkëkohor. Ekspozita e Mulliqit, me një ndërlidhje të fortë mes së kaluarës dhe vizionit bashkëkohor, është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur breza dhe për të frymëzuar në një qytet ku arti ka qenë gjithnjë një pjesë e pandashme e identitetit të tij.

Krijimet e tij, të ndërtuara me përpikëri dhe harmoni të jashtëzakonshme, reflektojnë një sintaksë unike artistike, ku vijat, simbolet dhe figurat gjeometrike rrëfejnë historitë e një etnosi të pasur. Elementet tradicionale shqiptare – nga flamuri kombëtar te furkat dhe djepat – shfaqen si pjesë të një mozaiku kulturor që ruan dhe celebron identitetin kombëtar. Këto motive krijojnë një ndërlidhje të thellë mes së kaluarës dhe së tashmes, duke i ofruar artdashësve një përvojë që është njëkohësisht nostalgjike dhe e freskët.

Pikturat e Mulliqit shpesh të ftojnë në misterin e një pazëlli, ku ti, si shikues, bëhesh pjesë e procesit krijues, duke vendosur pjesën që mungon. Përmes kësaj qasjeje, Mulliqi krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, duke i dhënë artit të tij një dimension interaktiv dhe reflektues.

“Shijoni atë që kam shprehë përmes vijave, simboleve, figurave gjeometrike” – ky është mesazhi i qartë i Mulliqit, që i fton vizitorët të zhytën në artin e tij dhe të përjetojnë një dialog estetik përtej fjalëve. Ekspozita, e mirëpritur me entuziazëm dhe kuriozitet, e ngre artin në një nivel ku emocionet dhe tradita kombëtare përjetohen përmes një gjuhe universale, duke konfirmuar mjeshtërinë e veçantë të artistit./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Serbia me mbështetje të Rusisë, ka ngritur narrativa për të dëmtuar Kosovën dhe përparimin e saj

Kryeministri Albin Kurti, në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, u shpreh se Serbia, me mbështetje të hapur nga Rusia, ka ngritur një rrjet narrativash që synojnë të dëmtojnë Kosovën dhe të pengojnë përparimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Lidhur me këtë, ai u bën thirrje diplomatëve që të vërtetën ta kenë ta gatshme përherë, e mbi të gjitha të jenë të shpejt e të qartë në atë që tregojnë, njofton Klankosova.tv.

“Është e rëndësishme që rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbehemi, por edhe si ndërveprim me njerëzit. Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë, sigurisht që kanë rritur dhe forcuar lidhjet mes shteteve dhe popujve tanë”.

“Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve”, u shpreh i pari i qeverisë.

“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi që të jeni të shpejt në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë”.

Aktorja e ‘Romeo and Juliet’, vdes në moshën 73-vjeçare

Aktorja Olivia Hussey, e cila fitoi famë ndërkombëtare si adoleshente për rolin e saj në versionin e njohur filmik të vitit 1968 të “Romeo and Juliet”, ka vdekur në moshën 73-vjeçare.

Aktorja me origjinë argjentinase, e cila u rrit në Londër, vdiq të premten e rrethuar nga të dashurit e saj, thuhet në një deklaratë të postuar në Instagramin e saj, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Hussey fitoi çmimin “Golden Globe” për aktoren e re më të mirë për rolin e saj si Juliet, por dekada më vonë ajo paditi Paramount Pictures për abuzim seksual pasi ishte vetëm 15 vjeç kur filmoi skenë nudo në film.

Roli tjetër i saj më i dukshëm në ekran ishte si Maria, nëna e Jezusit, në miniserialin televiziv “Jezusi i Nazaretit” të vitit 1977.

Fituesit e ‘Fest 63’ në podkastin ‘Flasim’: Muzika shkodrane përcjell ndryshe nga ‘Shkodra elektronike’

Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion Shqiptar ishin të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në episodin 16, të sezonit 3 të podkastit “Flasim”.

Vokalistët e grupit “Shkodra Elektronike” kanë rrëfyer emocionet e pjesëmarrjes në eventin të madh muzikor, ndërsa u shprehën se nuk e prisnin çmimin e madh.

“Zjerm” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025, që do të mbahet në 13-17 maj 2025 në Bazel të Zvicrës.

Në podkastin “Flasim” ata treguan fillesat e grupit “Shkodra Elektronike” në vitin 2019, ndërsa u shprehën se ishte pikërisht muzika shkodrane që i bashkoi, ndërsa kishin krijuar secili jetën e tyre artistike në Itali, ku edhe jetonin prej vitesh.

Aranzhimi elektronik i këngëve shkodrane është risia që sjell ky grup, i cili ia doli të fitonte që me debutimin e parë në një event kaq të rëndësishëm muzikor siç është Festivali i Këngës.

“Muzika shkodrane në shtëpinë time këndohet gjithë ditën”, u shpreh Beatriçe, e cila është larguar drejt Italisë me familjen në vitin 1997, në moshën 6-vjeçare.

Nip i kompozitorit të shquar Gjon Simoni, Kola tregoi rrugëtimin e tij nga liceu “Prenkë Jakova” në Shkodër ku studionte për piano drejt muzikës elektronike, por pa hequr dorë nga muzika tradicionale shkodrane.

Në edicionin e 63 të Festivalit të Këngës, performanca e “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” mori në total 143 pikë në votimin e ndarë 50% nga juria dhe 50% nga publiku.

Festivali i Këngës është eventi më i rëndësishëm i muzikës shqiptare që organizohet nga Radiotelevizioni Shqiptar çdo vit që prej vitit 1962. Festivali përcakton përfaqësuesin shqiptar në ngjarjen më të rëndësishme të muzikës evropiane, në Eurovizion, që nga viti 2004./atsh/ KultPlus.com

Ali Podrimja: Kthehu në vargun e Homerit

Poezi nga Ali Podrimja

Kthehu në vargun e Homerit
kthehu atje prej nga erdhe
koha jote s’është kjo, kthehu
liroji njerëzit prej vetvetes
e hijeve liroji prej maskave
e ikjeve liroji prej pagjumësisë
e heshtjeve liroji prej etheve
e shirave koha jote s’është kjo
kthehu në vargun e Homerit
Troja ra e Marsejezën
kahmot s’e këndojnë njerëzit.

‘Tirana Festive’, muzika popullore ndez sheshin “Skënderbej”

“Tirana Festive” ishte aktiviteti që u organizua mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej”, ku qindra qytetarë sfiduan temperaturat e ulëta, për të shijuar këngët e artistëve të preferuar, që u ngjitën në skenën e koncertit për t’i dhënë më shumë magji, këtyre netëve deri në prag të ndërrimit të viteve.

Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Tiranë, ka ngjitur në skenë disa nga këngëtarët e njohur deri më tani, si Enxhi Nasufi, Semi Jaupaj, Sardi Strugaj, Ronela Hajati etj, ndërsa mbrëmja e sotme i është dedikuar muzikës popullore dhe qytetare shqiptare, që është duatrokitur nga qindra qytetarë që ishin të pranishëm.

Koncertet në sheshin “Skënderbej” do të vazhdojnë deri në datë 29 dhjetor, ku pritet të ngjiten në skenë edhe një sërë emrash të njohur të skenës muzikore në vend, si Arjola Toska, Eli Fara, Sinan Hoxha e plot performanca të tjera nga grupet artistike të fëmijëve e plot këngëtarë të tjerë.

Krijoi një nga ‘perandoritë’ më të mëdha të prodhimit të motorëve dhe makinave, vdes Osamu Suzuki

Osamu Suzuki, i cili drejtoi Suzuki Motor Corporation për më shumë se dyzet vjet, ndërroi jetë në ditën e Krishtlindjeve, në moshën 94-vjeçare.

Ishte vetë prodhuesi japonez i makinave që bëri njoftimin të premten e 27 dhjetorit, dy ditë pas vdekjes dhe pas funeralit privat.

Suzuki u largua nga kompania në vitin 2021, duke mbetur një nga drejtorët e saj, edhe pse pa role operacionale.

I lindur në vitin 1930, Suzuki ka qenë prej kohësh  një nga figurat më të mëdha të industrisë globale të automobilave dhe motoçikletave. Në Japoni, ai konsiderohet para së gjithash një prej baballarëve themelues të industrisë së madhe kombëtare.

Pasi mori rolin e presidentit të Suzuki Motor Corporation në prag në vitin 1978, Suzuki kishte udhëhequr kompaninë Shizuoka.

Suzuki kishte mbajtur edhe postin e CEO, duke dhënë dorëheqjen në vitin 2016, pas një skandali të lidhur me disa parregullsi që dolën në testet për konsumin dhe emetimet e automjeteve të saj./tch/ KultPlus.com

Bota është një vend i bukur

Lawrence Ferlinghetti. 
Përkthyer nga Fadil Bajraj.

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë lumturia
të mos jetë gjithmonë
bash burim kënaqësie
po s’të prishi punë ta shijosh ferrin
herë pas here
bash atëherë kur çdo gjë të shkon për qejfi
ngase bile as në parajsë
nuk këndojnë
gjithë kohën e lume

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë që do njerëz vdesin
vazhdimisht
apo ndoshta vdesin urie
për një farë kohe
që nuk është bash aq keq
nëse nuk jeni ju

Oh bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
nëse fort s’ta ndien për
disa tru trumcakësh
që gjenden në pozita të larta
apo për një a dy bomba
që eksplodojnë herë pas here
në fytyrat tuaja të përmbysura
apo padrejtësi të tjera të tilla
si shoqëria jonë e famshme
që është pre
e njerëzve të saj të shquar
dhe njerëzve të saj të zhdukjes
dhe e priftërinjve të saj
dhe e policëve të tjerë

dhe e segregacioneve të saj të ndryshme
dhe e hulumtimeve kongresiane
dhe e kapsllëqeve të tjera
që trupi ynë i trentë
mund t’i trashëgojë


Vërtet bota është vendi më i mirë
për shumë gjëra të tilla siç është
skena zbavitëse
skena e dashurisë
skena e trishtueshme
këndimi i këngëve të dëshpërimit dhe pasja e inspirimit
endja andej-këtej
shikimi në çdo gjë
marrja erë luleve
qirja e statujave
dhe bile të menduarit
dhe puthja e njerëzve
lindja e foshnjeve dhe veshja e pantollonave
heqja e kapelës
dhe vallëzimi
notimi në lumenj
shkuarja në pikniqe
në mes të verës
dhe në përgjithësi
‘të jetosh sipas qejfit’
Po
ama bash në atë çast
vjen varrtari
buzagaz./ KultPlus.com

‘Para se të dashuroja, gjithçka ishte bosh’

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda

Para se të dashuroja, e dashur,
Asgjë s’ishte e imja:
endesha rrugëve, midis sendeve
asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte:
vetëm ajër që priste ishte bota.
Unë pashë sallone në ngjyrë hiri,
galeri të banuara prej hënës,
hangare të pashpirt në ndarje,
pyetje që ngulnin këmbë në rërë.
Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur,
rrëzuar, braktisur, lëshuar;
gjithçka ishte e huaj, tjetërsim,
e të tjerëve ishte dhe e askujt, –
gjersa bukuria jote dhe varfëria
e mbushën vjeshtën me dhurata./ KultPlus.com

“Duhet të njohësh shpirtin e njeriut, që të mund t’i admirosh fytyrën”

KultPlus ua sjellë disa thënie me shumë vlerë nga njerëz të famshëm.

1. Depresioni është si një grua me të zeza. Nëse shfaqet, mos e dëbo. Ftoje brenda, ofroi një karrike, trajtoje si mysafire dhe dëgjo atë që dëshiron të thotë –Carl Jungu

2. Nëse mjeti juaji i vetëm është çekiçi, keni tendencën ta shihni çdo problem si një gozhdë –Abraham Mazlou

3. Është më e thjeshtë të luftosh për një parim, sesa të jetosh sipas tij –Alfred Adler

4. Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, unë jam ajo që kam zgjedhur të bëhem –Carl Jungu

5. Të jesh praktik në politikë, do të thotë të injorosh faktet – Henri Bruk Adams

6. Kush mendon shumë që të bëjë të mira, nuk gjen kohë të jetë i mirë për vete – Rabindranath Tagore

7. Barra më e rëndë për një fëmijë janë jetët e pajetuara të prindërve –Carl Gustav Jung

8. Nëse mendoni se edukimi është i shtrenjtë, prisni të shikoni sesa kushton injoranca – Barack Obama  

9. Nëse doni të jetoni një jetë të lumtur, lidheni atë me një synim, dhe jo me njerëz apo objekte – Albert Ajnshtajn

10. Ju duhet të jeni vetë ndryshimi, që dëshironi të shihni në botë – Mahatma Gandi

11. Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën – Friedrich Nietzsche

12. Vetëm kur e braktisni dikë, bëheni plotësisht të hipnotizuar nga gjithçka që sillet rreth tij. Ky është paradoksi i dashurisë – Erich Maria Remarque

13. Duhet të njohësh shpirtin e njeriut, që të mund t`i admirosh fytyrën – Victor Hugo

14. Ata që nuk bëjnë asgjë, zakonisht janë të parët që kritikojnë për çdo gjë- Charles Spurgeon

15. Mos u mbaj fort pas dikujt që po ikën, përndryshe nuk do të takosh atë që po vjen –Carl Gustav Jung

16. Ti dhe vetëm ti mund t’i ndryshosh situatat e tua. Mos fajëso asgjë dhe asnjë për to –Leonardo Dicaprio

17. Të çuditshëm jemi ne njerëzit, harrojmë sa të mëdhenj jemi kur dashurojmë e sa të vegjël kur urrejmë- Azem Shkreli

18. Po nuk foli i marri, nuk dallohet dot nga i urti –Sami Frashëri

19. Kam tri gjëra për t’ju mësuar: thjeshtësi, durim, dhembshuri. Këto janë tre thesaret më të mëdha – Lao Tzu

20. Gjithçka në lidhje me njerëzit e tjerë që nuk na kënaq, na ndihmon që të njohim dhe kuptojmë më mirë veten tonë  –Carl Jungu. / KultPlus.com

Qytetet po fundosen: Një krizë globale

Miliarda njerëz jetojnë përgjatë vijave bregdetare të botës, zona që tashmë janë të kërcënuara nga rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike. Por rreziku nuk mbaron këtu. Një fenomen më pak i njohur, por po aq i rrezikshëm, ka fituar ritëm kohët e fundit: fundosja e tokës. Kërkimet e fundit, të fokusuara tek qytetet bregdetare në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, tregojnë se bregdetet e këtyre vendeve po fundosen me një ritëm alarmant, duke rrezikuar qindra miliona njerëz dhe disa nga qytetet më të mëdha të botës.

Çfarë po ndodh?

Fundosja, ose rënia e nivelit të tokës, nuk është një fenomen i ri. Arsyet kryesore për këtë proces përfshijnë peshën e ndërtesave, teksa ato më të mëdhatë shtojnë presionin mbi tokën; heqjen e ujërave nëntokësore për përdorim publik dhe industrial, që çon në rrëshqitje të tokës; shfrytëzimi i naftës dhe gazit; nxjerrja e burimeve nga nëntoka, gjë cila lë boshllëqe që e dobësojnë strukturën e tokës; si edhe formimi i tokës së re, ku kompaktësimi i mbushjeve për të krijuar tokë të re në bregdet shkakton lëvizje.

Nxjerrja e ujërave nëntokësore është veçanërisht shkatërruese. Kur uji largohet nga shkëmbinjtë dhe dheu ku mbështetet toka, kjo e fundit nis të bjerë. Në disa raste, ky proces mund të ndodhë me disa centimetra në vit, duke sjellë pasoja të mëdha me kalimin e kohës.

Kina dhe SHBA: Të parat që paguajnë çmimin

Dy nga ekonomitë më të mëdha në botë janë ndër më të prekshmet ndaj këtij fenomeni.

Kina

Një studim i prillit 2024 nga Zurui Ao dhe kolegët e tij në Universitetin Normal të Kinës Jugore zbuloi se nga viti 2015 deri në 2022, pothuajse gjysma e tokës urbane e rreth 82 qyteteve kryesore në Kinë po fundosej me një ritëm prej 2.5 cm në vit. Në disa zona, ky ritëm ishte deri në 20 cm në vit.

Deri në vitin 2120, një e katërta e tokës në qytetet bregdetare të Kinës pritet të jetë nën nivelin e detit për shkak të kombinimit të fundosjes së tokës dhe rritjes së nivelit të detit. Qytete si Pekini dhe Tianjini po fundosën më shpejt, duke rrezikuar 270 milionë njerëz.

Shtetet e Bashkuara

Në bregun lindor të SHBA-së, një studim i publikuar në janar 2024 nga Leonard Ohenhen i Universitetit Teknik të Virxhinias zbuloi se qytete si Baltimore, New York dhe Norfolk po fundosen me ritme nga 0.1 deri në 0.2 cm në vit. Ky fenomen, i kombinuar me rritjen e nivelit të detit dhe stuhitë si Uragani Sandy, përbën një recetë për fatkeqësi. Rreth 16 milionë njerëz përgjatë bregut lindor mund të preken nga këto ndryshime.

Pasojat

Ekspertët paralajmërojnë se fundosja e tokës është një rrezik i nënvlerësuar që shton kërcënimin nga përmbytjet bregdetare. Anjali Fernandes, një shkencëtare e Tokës në Universitetin Denison në Ohajo, thotë: “Matjet e përsëritura dhe mjetet e tjera të monitorimit janë urgjentisht të nevojshme për të kuptuar ndryshimet në peizazhin bregdetar.”

Për të zbatuar strategji efektive, shkencëtarët kanë nevojë për më shumë të dhëna mbi ritmet e fundosjes dhe proceset që e shkaktojnë atë.

Kursimi i ujit mund të jetë zgjidhja më e mirë për të ngadalësuar fundosjen. Menaxhimi më i mirë i ujërave nëntokësore jo vetëm që ndihmon në furnizimin e qëndrueshëm me ujë për qytetet dhe zonat bujqësore, por gjithashtu parandalon rënien e tokës.

Pa veprime proaktive, kombinimi i deteve që ngrihen dhe tokave që fundosen do të çojë në fatkeqësi edhe më të mëdha dhe më të kushtueshme për qytetet bregdetare në mbarë botën. / bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

”Forbes”: Trump vlen 6,1 miliardë dollarë

Pasuria e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump u rrit me 3,6 miliardë dollarë duke arritur në vlerën prej 6,1 miliardë dollarësh.

Llogaritjet janë bërë nga ”Forbes”, sipas të cilit Trump në fillim të vitit kishte një vlerë prej 2,5 miliardë dollarësh.

Në mars, presidenti i zgjedhur u pasuroi kuotat e tij përmes rrjetit ”Truth”, duke arritur një vlerë deri në shtatë miliardë.

Megjithatë, në prill, aksioneve të Truth humbën terren, duke ”varfëruar” përkohësisht manjatin, por në maj, pasuria e tij shkoi në tetë miliardë me përdorimin e rrjetit të tij social në bursë, përpara se të binte përsëri kur u shpall fajtor nga një juri e Nju Jorkut me 34 akuza për paratë abuzive ndaj aktores së kinematografisë pornografike, Stormy Daniels.

Në muajt në vijim pati ulje-ngritje, deri në stabilizimin e pasurisë së tij në 6,1 miliardë.

Sipas llogaritjeve të ”Forbes”, Trump shpenzon mesatarisht, bazuar në të dhënat që variojnë nga 2010 deri në 2019, rreth 130 milionë dollarë në vit.

Katër vitet e tij të para në Shtëpinë e Bardhë e bënë atë të pasur, me bizneset e tij që realizuan 2,4 miliardë dollarë të ardhura dhe 550 milionë dollarë fitim midis 2017 dhe 2020./ KultPlus.com

BE shpall 8 projektet fituese për rivitalizimin e vendeve të trashëgimisë kulturore

Ambasada e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot, përmes rrjeteve sociale, shpalljen e fituesve të fazës së tretë dhe të fundit të granteve të programit “EU4Culture”, me temën “Rikrijo të kaluarën, ndërto të ardhmen”.

Ky program mbështet projekte që fokusohet në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, fuqizimin e të rinjve dhe krijimin e lidhjeve mes zakoneve tradicionale dhe turizmit. Tetë projekte të selektuara do të rivitalizojnë vendet e trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Me një financim të përgjithshëm prej rreth 356,000 dollarësh, këto iniciativa synojnë ringjalljen e traditës, nxitjen e turizmit dhe forcimin e identitetit kulturor, duke kontribuar kështu në rritjen ekonomike lokale./ KultPlus.com

Shitet për 5.2 milionë dollarë rezidenca e ‘I vetëm në shtëpi’

Një blerës është gjetur për shtëpinë McCallister nga filmi i vitit 1990 ‘I vetëm në shtëpi’. Prona me pesë dhoma gjumi dhe gjashtë banjo në periferi të Çikagos, Illinois, SHBA, u rendit për shitje me 5.25 milionë dollarë.

Faqja e internetit e kompanisë së listimit të pasurive të paluajtshme Coldwell Banker Realty e liston shtëpinë tani si “shitje në pritje”, që do të thotë se shitësi ka pranuar një ofertë.

Pjesa e jashtme e rezidencës u përdor si shtëpia e familjes McCallister si në “Home Alone” të viteve 1990 dhe në vazhdimin e tij të vitit 1992 “Home Alone 2: Lost in New York”.

Aktori Macaulay Culkin, i cili luajti Kevin McCallister në filma, pranoi se kishte menduar ta blinte shtëpinë kur ajo doli në treg në fillim të këtij viti.

Shtëpia, e cila është 836 metra katrorë, është ndërtuar në vitin 1921 dhe ka katër oxhaqe, dy dhoma lavanderi, dy vaskë të nxehtë, një zonë rekreacioni, një palestër, një dhomë private kinemaje dhe një fushë sportive të brendshme./ KultPlus.com

Osamu Suzuki, manjati japonez i industrisë së automobilave vdes në moshën 94-vjeçare

Manjati japonez i biznesit dhe ish-presidenti i “Suzuki Motor Corporation”, Osamu Suzuki, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, njoftoi sot kompania.

Ai shërbeu si president, kryetar ose shef ekzekutiv i “Suzuki Motor Corporation” që nga viti 1978.

Në shkurt 2021, kompania japoneze e prodhimit të automjeve njoftoi se Suzuki do të tërhiqej nga posti në qershor 2021 dhe do të bëhej këshilltar.

Me më shumë se tre dekada si kreu i kompanisë, Suzuki raportohet të jetë një nga liderët më jetëgjatë në industrinë globale të automobilave.

Suzuki vlerësohet për transformimin e “Suzuki Corporation” në një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të makinave të vogla në botë./ KultPlus.com

Ekspozita “Bashkëbisedim me Mjeshtrat”, Gonxhja: Studentët e artit më pranë trashëgimisë kulturore shqiptare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh sot, përmes një postimi në rrjetet sociale se ekspozita “Bashkëbisedim me Mjeshtrat” me kuratore Merita Selimi, ka sjellë në hapësirat e Galerisë FAB një pasqyrim të artit shqiptar, ku dallojnë teknikat tradicionale të ndërthurura me atë të artit bashkëkohor shqiptar.

“Kjo ekspozitë, si një bashkëpunimin i brezave të rinj me mjeshtrit e mëdhenj të artistëve shqiptar, solli një shpalosje të artit në larmishmëri teknikash si nga metoda e krijimit të telajos, gruntit dhe ngjyrave. Arti shqiptar, ndihmon jo vetëm studentët që të zhvillojnë aftësitë e nevojshme, por edhe për të krijuar, analizuar dhe interpretuar veprat në mënyrë shumëdimensionale”, tha ai.

Ekspozita, e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka si qëllim të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i futur ata në thellësi të veprës së artit të traditës dhe bashkëkohësisë shqiptare./ KultPlus.com

Biblioteka e Roskovecit pjesë e rrjetit të Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka nënshkruar ditën e djeshme një marrëveshje me Bashkinë e Roskovecit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bëhet e ditur se Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi dhe Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi nënshkruan një marrëveshje që konfirmon anëtarësimin me të drejta të plota të Bibliotekës Publike të Roskovecit në sistemin e përbashkët digjital COBISS.AL, që menaxhohet nga Qendra e Informacionit Shkencor (QKPISH) pranë ASHSH-së.

Kjo marrëveshje ka për qëllim zgjerimin e rrjetit të informacionit shkencor dhe akademik përmes bibliotekave dhe qendrave të informacionit në vend.

Në këtë takim bashkëpunimi morën pjesë drejtuesja e Qendrës së Informacionit (QKPISH) Mirlona Buzo, drejtuesja e sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun prof. asoc. Elda Zotaj, nënkryetari i Bashkisë së Roskovecit Maksim Goga dhe përgjegjësja e Bibliotekës Publike të Roskovecit Mimoza Hazizi.

Bashkia e Roskovecit mbështet dhe vlerëson nismën e Akademisë së Shkencave për sigurimin e aksesit të hapur në burime elektronike të informacionit për komunitetin e saj dhe më gjerë./ KultPlus.com

Osmani ia dhuron Hovenierit një gur nga Trepça “si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës”

Presidentja Vjosa Osmani në takimin lamtumirës me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ia ka dhuruar një gur të Trepçës.

Osmani këtë e përshkroi si një “si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës”. Ajo tha se për këtë mision të Kosovës, Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada.

“Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada”.

Njëkohësisht, Osmani tha se është si simbol i vazhdimit të traditës dhe trashëgimisë së Presidentit Rugova, i cili” vendosi themelet e forta të shtetësisë së Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me SHBA-të”.

Për rolin e tij në Kosovë e për ish-presidentin Rugova, Hovenier foli edhe vetë pak më herët gjatë ditës pasi bëri homazhe te shtatorja e tij bashkë me Osmanin.

“Tri vite më parë, pothuajse saktësisht tre vite më parë, në fillim të janarit 2002, erdha në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia Presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me Presidenten për të vendosur një kurorë këtu te statuja e ish-Presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë”.

Hovenier tha se e ka njohur Rugovën kur ishte “diplomat junior”.

“Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë. Prandaj, jam shumë krenar dhe i nderuar që mund t’i bëj këtë nder si aktin tim të fundit zyrtar”.

Hovenier në ngjarjen e fundit zyrtare për të në Kosovë falënderoi popullin e Kosovës.

“Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit”./ KultPlus.com

Ema Andrea dhe Artan Imami në komedinë “Nuk do të gënjejmë më kurrë”

Komedia sentimentale “Nuk do të gënjejmë më kurrë” vazhdon të mirëpritet publiku kryeqytetas.

Shfajet e saj vijuan edhe këtë fundviti në ArTurbina.

“Nuk do të gënjejmë më kurrë” është një komedi e shkruar nga Eric Assous, me dy personazhe të interpretuara nga Ema Andrea dhe Artan Imami. Komedia fitoi çmimin “Molier” për vitin 2015.

Mariane dhe Serge janë një çift të cilët edhe mbas 25 vitesh martese janë të dashuruar dhe jetojnë në harmoni, por një aksident i vogël e pa pasoja do të trondisë jetën e tyre. Një mëngjes makina e Marianës përplaset nga kushuriri i një ish-komshijeje të çiftit. Një rastësi që rizgjoi te Mariane dyshimin e vjetër se Serge kishte pasur një marrëdhënie me të, para martesës, por që ai e kishte mohuar gjithnjë.

E ndërtuar si një thriller policesk, si një hetuesi që shkakton jo pak të qeshura, publiku sheh se sa dhe deri kur Serge do të durojë në këtë situatë. Më në fund pyetja nëse është apo jo më mirë që në çift të mos ketë sekrete apo genjeshtrat janë çimentoja që i zgjat jetën një martese, merr një përgjigje sa argëtuese aq edhe befasuese.

Shfaqja do të vijë për publikun edhe sonte, në ArTurbina./ KultPlus.com

Është vonë të më mungosh

Ilirian Zhupa

Më mungojnë shumë gjëra, po ti më mungon e para.
Rruga më shtyn me bërryla, sikur do të më nxjerrë në skaj.
Atje, nëpër stola, rrinë ulur ca pleq me fytyra të bardha
Dhe të gjitha fytyrat ngjajnë.

Unë ku të shkoj? Unë kë të ndjek? Unë kujt t’i flas?
Shkoj në biblioteka dhe librat më kërrusin nga dashuria,
Ndjek fluturimin e shtërgjve dhe në qiej më pikturohet një vajzë,
Flas me një që s’e njoh dhe s’di se ç’thonë fjalët e mia.

O, po i kam të gjitha e prapë më mungojnë, më braktisin,
Zjarri brufullon brenda gjoksit, ngrohen shumë në të, po jo ti.
Udhët ku shkoj përfundojnë pikërisht atje ku nisin,
Sytë më erren nga pritja sa s’i quaj dot sy.

Pi një kafe me shokët. Ndahemi. Ata vrapojnë te të dashurat e tyre,
Mbështesin kokat mbi supe, pëshpërisin, pastrojnë shpirtin nga bryma.
Po unë çfarë të bëj? Vij te vetvetja. Mbështes kokën në horizontet e grivëra,
Pëshpëris gjer në thirrje dhe më merret fryma.

Pas të gjitha këtyre shkruaj e ç’shkruaj vargje.
Qielli më bëhet i kaltër, mosha më ndihet e bukur, nata më mbushet me yje.
Këndoj dashurinë që e kam dhe s’e kam, po e gjej të brishtë e të madhe
E ndihem demiurg dhe pre i dashurive.

Është vonë të më mungosh, e dashura ime! /KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Nata e Ustikës’ i Petro Markos

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.

U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Poezia është hyjnore, prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar

Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.

Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.

Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.

“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?

Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”

Lasgush Poradeci / KultPlus.com

Petro Marko, shkrimtari rebel i “brezit të humbur”

 33 vjet më parë u nda nga jeta, poeti, prozatori dhe përkthyesi Petro Marko (25 nëntor 1913-27 dhjetor 1991).

Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit vajti në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzet shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Internacionale. Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra. Më 1940 u shtrëngua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika në detin Tirren. Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, më 1947 u arrestua nga regjimi komunist dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.

Veprat e tij më të mira janë cilësuar: “Hasta la vista”, Tiranë, 1958; “Qyteti i fundit”, Tiranë, 1960; “Rrugë pa rrugë”, Tiranë 1964; “Nata e Ustikës”, Tiranë 1989 etj./KultPlus.com