Edhe kur kujtesa ime e lodhur Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë, Unë ty s’do të harroj.
Do të kujtoj Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu, Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim Si një dëborë e pashkundshme.
Ndarja erdhi Po iki larg teje… Asgjë e jashtëzakonshme, Veç ndonjë nate Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë… / KultPlus.com
Emrin e gjarprit “Stihia” e ndeshim në baladën shqiptare të Dhoqinës të studiuar imtësisht nga Fatos Arapi. Kënga shqiptare e Dhoqinës nis me vargjet:
“Ditën e Pashkës së madhe,
seç u ther një ka në fshat.
Vajta mora një ok mish,
e kërceva në kusit.
Mora një kërcu të zi,
atje ndodhej një stëhije,
helmoi dijemet e mijë…
Fatos Arapi (“Këngë të moçme shqiptare”, faqe 99. Botimet I – T 2007) në lidhje me këtë thekson: “Kjo hapje është e veçantë dhe nuk ndeshet gjëkundi në këngët e popujve të tjerë të Ballkanit”.[1] Ai vazhdon: “Kënga e Dhoqinës është zhvillimi i këngës së Halil Garrisë, që do të thotë se ajo i ka rrënjët në paganizëm, por që u korrektua me futjen e kristianizmit. Terreni artistik ku ka ndodhur ky proces është kënga e Dhoqinës, të cilën nuk e ka asnjë prej popujve të tjerë të Ballkanit. Kënga e Dhoqinës shtrihet në një zonë të gjerë që përfshin Durrësin, Gramshin, Pogradecin (gjurmë të saj gjejmë edhe në Korçë), Përmetin, Libohovën, Gjirokastrën, Beratin, Fierin, Vlorën, Sarandën, Çamërinë”.[2] Në shumicën e varianteve të këngës së Dhoqinës, vëllezërit vdesin nga stëhija, gjarpri, në disa raste nga murtaja ose kolera dhe më vonë nga lufta. Kjo ngjitje progresive kohore tregon karakterin origjinal, të lashtë të motivit, nga prehistoria në kohët e reja, tregon vazhdimësi kohore, traditë të ngulitur mirë në territorin vendas. Varianti i Zagorisë së kësaj kënge emrin e gjarprit mitologjik e jep në trajtën “Stihi”. Kënga nis kështu:
Ditën e Pashkës në drekë
seç u ther një ka në fshat.
Vajta mora një ok mish
dhe e hodha në kusi,
sakaq dola në avlli
të marr një krah me karthi.
Të më shpiket një stihi,
me vrap m’u hodh në kusi,
më helmoi djemtë e mi.
Nëndë djem e nëndë nuse,
të nënda me djem në duar;….”.[3
Në Zagori “Stihia” zihet në gojë si shprehje popullore: “Më doli përpara stihia ose stëhija”, më përpiu stihija, më zuri stëhija”, etj. Nuk dihet lidhja mes emrit të dragoit me fjalën shqipe “stuhi”. Nga e ka marrë këtë emër balada shqiptare? Sa e vjetër është kjo fjalë? Balada njihet dhe të arbëreshët e Italisë. Gavril Dara i Riu, poet i shquar arbëresh i shekullit të XIX, në poemën e mrekullueshme “Ashtu si kulshedrat natën, kthyer stihis’ së Himarës, i vërtiten duke i shtënë, Shi me breshër e me gjëmë…” Cila është gurra fillestare e saj? Kënga e Dhoqinës, sikurse konkludon Fatos Arapi është autentike shqiptare, fakt që flet në të mirë të gurrës vendase të kësaj fjale. Nga ana tjetër, dimë se gjarpri është simbol i ilirëve. Për këtë arsye, i kthejmë sytë nga letërsia antike dhe mitologjia pellasgo-ilire, ndoshta gjejmë gjurmë të këtij gjarpi. Te Virgjili, në veprën “Eneida”, Libri III, lexojmë: “Stygiis”, faqe 178: “Kurrë mos dil nga valët e Stigiis”. “Stygiamque paludem”, faqe 332, VI. “Këtu në Koqito të Thesprotisë, ti shikon ujrat e thellë e të ndenjur (Kënetor) të “Stigia”.
“Te Stygi tremure lacus, te ianitor Orci”, faqe 438, VII. “Dridhet liqeni nga gjarpri Stygi, Orci përgjon…ose Dridhet liqeni i Stihisë, Orci përgjon”. Nga leximi i vëmendshëm i vargjeve të mësipërme të Virgjilit kuptohet se bëhet fjalë për ujërat e Stihisë, pra, për një lumë, liqen, ose burim. Ky lumë, burim, liqen gjendet në Koqito, pra, vendoset në Thesproti, në lumin e nëndheshëm të Hadit, të Ferrit. Për ta sqaruar më tej këtë rrethanë duhet t’i drejtohemi mitologjisë, gurra nga është frymëzuar poeti. Perënditë në kohët e lashta premtimet i mbanin me betim. Betimi më i shenjtë ishte “Për ujërat e Styx”, shqiptimi “stih”~”stihi ose “stihe”. A. Suli, (“Mythologie grecque”, faqe 22-23. Tubi’s), thekosn se kur një Zot betohej për “ujrat e burimit të Styhit” betimi, besa, nuk thyhej për asnjë arsye. Zeusi i vinte në provë zotat duke i kërkuar ta shoqëronin betimin me pirjen e ujit të Stihe (të burimit). Dhe ja ku shfaqet një zakon tjetër, tepër i lashtë, autentik shqiptar, besa, betimi i mpleksur dhe i shkrirë me një element tjetër karakteristik të sferës së fesë dhe të mitologjisë, shenjtërisë së gjarprit.
Në mitologji “Styxi” është lumë në Ferr; sipas Hesiodit “Styxe” është fëmijë i Oqeanit dhe i Tethis; sipas disa të tjerëve i natës dhe i territ. “Stihe” figuron edhe si shoqëruese e Persefonës, bijës së Dhemetrës, banuese në vendin e Dhemetrës, hyjnisë dodonase të tokës. Pyetja që shtrohet këtu është: kush e helmonte ujin e burimit? Fryma e Kuçedrës! Po i referohemi përsëri traditës mitologjike. Sipas një varianti mitologjik Stihia u bashkua me Pira-n dhe lindën Ehidhnën, sipas një varianti tjetër Hidra është gjarpër uji, përbindësh i lindur nga çifti Tifon dhe Ehidhna. Gjarpri është rritur nga Hera në hijen e një rrapi, pranë një burimi, të quajtur Amimone. Hidra e Lernës paraqitet si një gjarpër me pesë deri në njëqind kokë, lëshonte zjarr nga goja, kur i prisje një kokë në vend të saj mbinin dy të tjera. Koka qendrore ishte e pavdekshme, me t’u prerë ajo u gropos thellë në tokë dhe u mbulua me një shkëmb gjigand. Hidra e Lernës shkretonte të korrat dhe shfaroste bagëtinë.
Herkuli u përkel me Kuçedrën e Lernës (Hidren e Lernës) dhe e vrau. Vetëm Herkuli zbriti në Had dhe voli mollët e Kopshtit të Heshperideve, që ruheshin nga kuçedra! Këtë dragua, kuçedër, e vrau dhe heroi tjetër pellasgo-iliroepirot, Kadmi, pikërisht pranë një burimi të shenjtë. Në përrallat shqiptare, kuçedra shter ujin e burimit, me të ndeshet heroi popullor njëlloj si Kadmi dhe Herakliu. Heroi legjendar i luftës së Trojës, Akili ajakidës, u zhyt nga e ëma në ujërat e Stigjës (Stihisë) të lumit të shenjtë Sperkio për ta bërë të pavdekshëm. Sipas Willy Borgeaud, gjarpri është Zot i Ujërave dhe i Detit, sikurse Engjela (ngjala). Kujtesa folklorike shqiptare ruan edhe sot mitin e Harmonisë; ajo cilësohet Feniçka. Harmonia dhe bashkëshorti i saj Kadmi pësojnë metamorfozën njerëzgjarpërinj. Kadmi lindi gjarpër njëlloj si Iliri, si Aleksandri i Madh.
Në traditën popullore të jugut, gjarpri quhet bir i Mbretit, i Bukuri i Dheut, por edhe nuse mbreti, e Bukura e Dheut, fakt që na kujton legjendën e Kadmit dhe rrënjosjen e mitit të gjarpërit në këto anë. Sipas mitit të lashtë të Kadmit, Iliri, i biri i tij, ishte rritur nga një gjarpër. Miti i gjarprit është i lidhur edhe me gurrën e shenjtë, me Kuçedrën që thante ujët e burimit, me Stihinë ose me Hidhrën. Në burimin e shenjtë qëndronte i fshehur Stihia, gjarpri, kuçedra e ujit, prandaj uji helmohej nga fryma e saj. Ja si ruhet fjala, miti, besimi, tradita. Stema mbretërore e Piros së Epirit është riprodhim besnik i stemës mbretërore të Herkulit, stemë që e ndeshim te principata e Gjin Bue Shpatës në shekullin e XIV. Burimi rridhte nga një shkëmb i lartë dhe humbiste thellë nën tokë. Ky përshkrim të kujton toponimin “Vrima e Kuçedrës” në gji të Tomorit, pranë fshatit Bogovë në rrethin e Skraparit. Johan Han dëshmon se toskët dhe dibranët besojnë se në tokë ka shumë thesare të fshehura, që ruhen nga gjarpërinjtë, që kanë pamje njeriu dhe nxjerrin zjarr nga goja: “stihjo” ”stihi”. Burimet latine e japin në trajtën “Stige”, ato greke me “Stihe”. Shkronja “x” duhet të jetë shqiptuar si një “kh”, që ka dhënë “h” në shqip. Letërsia gojore shqiptare tregon se kjo fjalë ka ardhur në ditët tona në trajtën origjinale të saj pa ndryshime fonetike.
Në Apolloni, gjatë një vëzhgimi rastësor, vërejta se legjenda e Gjarprit-Kuçedër është e gjallë në ditët tona. Poshtë rrapit të qytetit antik të Apollonisë, sipas besimit vendas, ndodhet një thesar i madh me flori, nga ku mund të shkohet nëpërmjet një hyrjeje sekrete. Thesari ruhet nga Gjarpri-Kuçedër, i cili fle mbi flori pasi ari e mban të freskët. Gjarpri ka pamje të lemerishme, është më shumë koka, nga gjuha nxjerr flakë. Sipas banorëve vendas deri tani numërohen katër-pesë viktima; ata kanë mundur të futen brenda hyrjes së fshehtë, por kanë mbetur përgjithmonë aty. Asnjeri sot nuk guxon të përsërisë veprimin e tyre. Thesari është i paprekshëm. Fshatarët e Pojanit, ku ndodhet qyteti antik e madhështor i Apollonisë së Ilirisë, nuk i dinë këto hollësira nga librat, por nga tradita gojore vendase të cilën e kanë trashëguar brez pas brezi. Mjafton edhe ky element për të vërtetuar lidhjet organike, të drejtpërdrejta, të shqiptarëve me dodonasit, hyllejtë dhe ilirët.
[1] Fatos Arapi “Këngë të moçme shqiptare”, faqe 99. Botimet I – T 2007.
[2] Po aty, faqe 75.
[3] Stefan Bulo “Këngë popullore nga Zagoria”. Albin 2000, faqe 352./ KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Kurti tha se me Hovenierin folën për progresin e arritur gjatë këtij mandati të Hovenierit dhe bashkëpunimin që kanë pasur gjatë kësaj kohe.
“Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ka arritur nivele të reja gjatë mandatit të tij, dhe kontributi i Ambasadorit Hovenier ka qenë thelbësor për forcimin e këtyre lidhjeve në fushat e mbrojtjes, sigurisë, inteligjencës, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Më tej, bëhet e ditur se Kurti, i uroi Hovenierit dhe familjes së tij shëndet dhe se “Kosova do të jetë gjithmonë shtëpi e tyre”./ KultPlus.com
Shkodra është kthyer mbrëmë në një arenë festive, me muzikë dhe performanca të veçanta nga artistët më në zë të qytetit.
Bashkia e këtij qyteti, ka shpërndarë sot në rrjetet sociale, një fotoalbum me momentet më të bukura nga koncerti i mbrëmshëm me rastin e Krishtlindjes, ku mjeshtri i këngës Bujar Qamili dhe Justina Aliaj, sollën një performancë të mrekullueshme për publikun.
Hitet më të njohura të këngëtarit Qamili dhe performanca e Justina Aliajt u duartrokitën gjatë nga qytetarët, që kishin sfiduar temperaturat e ulta, për të shijuar një natë të veçantë me muzikë tradicionale shqiptare dhe shumë surpriza./ KultPlus.com
S’rreshta kurrë së menduari për ty, do doja aq shumë të ta them.
Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem, Se më mungon dhe të mendoj. Po s’të kërkoj. Madje s’të shkruaj as njatjeta. Nuk di si je. Dhe më mungon ta di.
Ke projekte? Buzëqeshe sot? Ç’ëndërrove? Do dalësh? Ku do t’shkosh? Ke ëndrra? A hëngre?.
Do t’më pëlqente të mund të kërkoja. Po s’kam forcë. Dhe as ti nuk e ke. Dhe at’herë rrimë e presim më kot.
Dhe mendojmë. Dhe kujtomë. Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.
Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme. Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com
Zyra e Presidencës ka njoftuar se nesër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ky takim lamtumirës do të mbahet në Presidencë në orën 10:00.
Tutje bëhet e ditur se pas takimit, Osmani e Hovenier do të bëjnë homazhe tek shtatorja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Pas homazheve do të ketë deklarim për media./ KultPlus.com
Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA), në bashkëpunim me redaksitë vendore Tiranë-Prishtinë, organizoi takimet e dakordësuara mes drejtuesve të redaksive vendore gjegjëse dhe redaktorëve përgjegjës të disa redaksive.
Këto takime, me redaksitë e 8 grupeve të fushave, ishin pjesë e fazës përmbyllëse për finalizimin e punës me Fjalësin e bashkuar.
Në këto takime morën pjesë 32 përfaqësues të redaksive vendore, drejtuesit e redaksive dhe, aty ku ishte e nevojshme, morën pjesë edhe disa prej anëtarëve të redaksive të fushave (redaksia Mesjeta, Bizanti, Periudha osmane dhe Rilindja; redaksia e Arteve Skenike, Pamore dhe Multimediale) apo anëtarë të redaksisë vendore (Lashtësia).
Raundi i parë i këtyre takimeve bëri bashkë për 3 ditë, 8 redaksi, të cilat kishin ende problematika dhe çështje për të dakordësuar mes tyre.
Takimet u drejtuan nga akademiku Mehmet Kraja, njëherazi drejtues i redaksisë vendore Prishtinë, dhe zëvendëskryeredaktor i projektit Enciklopedia shqiptare, akad. Vasil Tole dhe dr. Arian Leka, drejtues i QBEA-së dhe anëtar i redaksisë vendore Tiranë.
Në fund u dhanë udhëzimet përkatëse që të gjitha redaksitë të plotësojnë me shënime sqaruese artikujt e propozuar, aty ku artikulli shfaqet jo i plotë, duke dhënë shpjegime mbi argumentin se çfarë përfaqëson artikulli i propozuar pse duhet të jetë artikull më vete apo përmbledhës në enciklopedi.
U dakordësua në parim që të ketë një tjetër raund takimesh në janar për redaksitë e Gjuhësisë/Albanologji, Arsimimit, Sistemet politike, Historisë ushtarake, Ekonomisë, disa redaksi të shkencave natyrore dhe shkencave ekzakte, përfshi këtu saktësimet përfundimtare re propozimet e ardhura nga redaksia e posaçme e Maqedonisë së Veriut, drejtuar nga prof. Aziz Pollozhani dhe prof. Valbona Toska.
U vendos që afati i dorëzimit të Fjalësit të jetë jo më vonë se 15 janari 2025. Versioni i Fjalësit të dorëzuar të jetë përfundimtar: i konverguar, i integruar dhe i njësuar.
Hartimi i “Enciklopedisë shqiptare” është një projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i mbështetur dhe bashkëfinancuar nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo është konceptuar si një tërësi njësish enciklopedike me rreth 300 artikuj të mëdhenj; 2000 artikuj të mesëm; 7000 artikuj të vegjël e rreth 600 artikuj përmbledhës./ KultPlus.com
Ndërsa NASA po kërkon për jetë në Mars, një dokument i CIA-s pretendon se ajo u zbulua 40 vjet më parë.
Raporti i quajtur “Eksplorimi i Marsit, 22 maj 1984,” detajon sesi agjencia përdori projeksionin astral—idenë që shpirti i një personi mund të udhëtojë në një plan astral—për të transportuar një ‘subjekt’ në Mars afërsisht një milion vite para Krishtit.
Studimi ishte pjesë e Projektit Stargate, një njësi sekrete e Ushtrisë Amerikane e krijuar në vitin 1977, e cila u fokusua në fenomene të jashtëzakonshme, përfshirë shikimin e largët, telepatinë dhe psikokinezën.
Pjesëmarrësit iu ekspozuan tingujve si ritmet binaurale dhe audio hemi-sync për të induktuar gjendje të ndryshuara të ndërgjegjes dhe për të nxitur aftësi psikike.
Gjatë eksperimentit, ‘subjekti’ u transportua në planetin Mars në vitin e specifikuar, duke raportuar një “pamje të pjerrët të një piramide” dhe një “rrugë shumë të madhe” me një monument të ngjashëm me ato të njohura midis egjiptianëve të lashtë në Tokë, sipas raportit.
Vizioni më pas kaloi te një popullatë e ‘njerëzve shumë të mëdhenj’ që kërkonin “një vend të ri për të jetuar pasi mjedisi i tyre ishte korruptuar.”
Projekti Stargate ishte arma e re e qeverisë amerikane kundër Bashkimit Sovjetik, me qëllim krijimin e spiunëve që mund të lexonin mendjen e armiqve të tyre.
Ky projekt i klasifikuar u zhvillua në Fort Meade, Maryland, duke rekrutuar burra dhe gra që pretendonin të kishin perceptim jashtë shqisave (ESP) për të zbuluar sekrete ushtarake dhe të inteligjencës vendase.
Ai u mbyll në vitin 1995, por gjatë më shumë se 10 viteve të ekzistencës së tij, psikiatër të njohur si “shikues të largët” morën pjesë në një gamë të gjerë operacionesh, nga gjetja e pengjeve të rrëmbyer nga grupet terroriste islamike deri te ndjekja e kriminelëve të arratisur në SHBA.
Një nga episodet e fundit ishte raporti “Eksplorimi i Marsit, 22 maj 1984,” i deklasifikuar në vitin 2017 dhe i rikthyer kohët e fundit online.
Dokumenti fillon me një përshkrim të shkurtër: “Metoda e marrjes së vendndodhjes: Zarf i mbyllur i çiftuar me koordinata gjeografike.”
Zarfi iu dha subjektit para intervistës, por nuk u hap deri pas saj.
“Brenda zarfit ishte një kartë 3×5 me informacionin e mëposhtëm: Planeti Mars. Koha e interesit: afërsisht një milion vite para Krishtit,” shkruhet në dokument, transmeton GazetaExpress.
Administratori i eksperimentit përcolli me zë përmbajtjen e zarfit dhe lejoi subjektin të jepte vëzhgimet e tij. Ora e fillimit ishte 10:09 paradite.
Subjekti u udhëzua të përqendronte vëmendjen te “40.89 gradë veri, 9.55 gradë perëndim.”
“Duket si… një pamje e pjerrët e një piramide ose forme piramide,” tha subjekti.
Ata përshkruan strukturën si me ngjyrë okër, një hije që varion nga e verdhë te portokallia e thellë dhe kafeja.
Subjekti më pas vëzhgoi hije të “njerëzve shumë të gjatë dhe të hollë” që mbanin veshje të çuditshme.
Lëvizja në një vend tjetër zbuloi një rrugë të gjatë me atë që dukej si Monumenti i Uashingtonit në fund.
“Është si një… obelisk,” tha subjekti, përpara se të përshkruante një stuhi të dhunshme që përfshinte Marsin dhe njerëz që përdornin piramidat gjigante si strehë.
“Njerëz shumë të gjatë… të hollë. Ata veshin si një lloj mëndafshi të lehtë,” përshkroi subjekti.
“Ata janë shumë filozofikë për këtë. Po kërkojnë një mënyrë për të mbijetuar, por nuk munden.”
Subjekti pretendoi të kishte komunikuar me një prej këtyre njerëzve, i cili i tha se një grup ishte larguar për të gjetur një vend tjetër për të jetuar.
“Udhëtova me ta dhe pashë një vend të çuditshëm me vullkane, gazra dhe bimë të çuditshme – shumë i paqëndrueshëm.”
Eksperimenti përfundoi me kthimin e subjektit në dhomë, duke lënë pas vetëm një mister të thellë mbi ekzistencën dhe historinë e lashtë të Marsit./ KultPlus.com
Selfixhe Ciu – Broja u lind vitin 1918. Ka qenë shkrimtare shqiptare dhe gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri. Më 28 nëntor të vitit 1935 botoi një poesi tek e përkohshmja “Populli”, me emrin e pendës “Kolombia”.
Selfixhja u lind në lagjen Varosh të Gjirokastrës, në gjirin e një familjeje të kamur qytetare, e bija e tregtarit grosist, Ibrahim Ciu. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Bundo”. Njohu dhe u miqësua me Musine Kokolarin, gruaja e parë shqiptare e cila botoi një roman. U njoh me gazetarët e kohës, Nonda Bulkën, Petro Markon dhe Kolë Berishën.
Ajo ka studiuar në Firencë dhe më pas vijoi studimet në Grenoble, në Francë, ku njohu bashkëshortin e saj, Xhemal Brojën dhe bashkë me të hapën një dyqan me libra në Shkodër.
Njohja e saj me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave “Urani Rumbos”, në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej. Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia. Poezinë e parë e botoi në revistën “Populli”, 28 nëntor 1935.
Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”. Shkrimet e një gruaje nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë tek letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj: “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar.
Shumë shpejt Colombia filloi të njihej në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje. Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java”, në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’ , deri te Colombia”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi.
Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte. “Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo. Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së gruas. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh gruan si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”. Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, kishte besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë”, të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”.
Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës. Bashkë me familjen, ajo ishte internuar, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot.
Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958). Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë.
Selfixhe Ciu – Broja në vitin 1998 botoi poezi në një libër dhe e quajti “Tallazet e jetës”.
Ajo vdiq në moshën 85-vjeçare, në vitin 2003, në Tiranë./ KultPlus.com
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka nderuar “tre kolegë të jashtëzakonshëm” të ambasadës amerikane në Kosovë derisa ata po dalin në pension.
Hovenier tha se mbështetja e tyre ka qenë kyçe për avancimin e misionit amerikan në vend.
“Përkushtimi dhe mbështetja e tyre e palëkundur kanë qenë jetike për avancimin e misionit të SHBA-së në Kosovë. I falënderojme për shërbimin e tyre dhe i urojmë suksese në të ardhmen!”./ KultPlus.com
Më 11 dhe 13 janar 2025, duke filluar nga ora 20:00, do të mbahet koncerti tradicional me rastin e festës “Shën Vasili” 2025 ” në Operën dhe Baletin Nacional.
Këtë vit bëhen 30 vite nga mbajtja e parë e koncertit tradicional me rastin e festës e cila fillimisht u prezantua si koncept programor në vitin 1995 në skenën e OBN-së, ndërsa me kalimin e viteve u bë i njohur, i famshëm dhe një nga ngjarjet më të vizituara në vend.
Tradita do të vazhdojë edhe këtë vit, andaj publiku do ta ketë mundësinë t’i shijojë interpretimet e disa prej arieve dhe dueteve më të spikatura dhe më të njohura, nga veprat me famë botërore të kompozitorëve si Xh. Verdi, F. Çilea, Xh. Puçini, P. Maskanji, G. Doniceti dhe të tjerë. Nën dirigjentin e mysafirit nga Spanja, Oliver Diaz, dirigjent i shquar, fitues i disa çmimeve dhe mirënjohjeve prestigjioze, së bashku me orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional, do të performojnë mysafirët nga Spanja, Irene Palazoni, soprane dhe Hoze Luis Sola, tenor.
Irene Palazon, soprane nga Spanja, e njohur për teknikën e saj vokale ekspresive, ka karrierë që përfshin paraqitje në skenat kryesore operistike në Europë dhe njihet për tonin e saj të pastër, saktësinë teknike dhe performancën emocionale. Palazon njihet për rolet e saj në opera si “Traviata”, “Karmen” dhe vepra të tjera klasike dhe bashkëkohore. Me kalimin e kohës, ajo ndërtoi emrin e saj si një nga sopranot kryesore spanjole, duke interpretuar në disa nga teatrot më të famshëm në Spanjë dhe më gjerë.
Hoze Luis Sola është tenor i famshëm spanjol, i cili e fillon arsimimin e tij muzikor në Escolanía Ninos Cantores de Navara, e më pas vazhdoi ta përsosë teknikën e tij të të kënduarit nën mentorimin e tenorit të famshëm Rikardo Visus. Karriera e tij përfshin interpretime në vepra të ndryshme operistike dhe simfonike ndërsa shquhet për shkathtësinë e tij në repertorin klasik dhe operistik, me fokus të veçantë në veprat e Mocartit, Donicetit, Verdit, Bizeut, Gunos e të tjerë. Sola ka performuar në skena prestigjioze dhe me orkestra të ndryshme, duke fituar vlerësime për performancat e saj të fuqishme dhe emocionuese. Ai është i njohur edhe për interpretimet e tij në botën e muzikës sakrale/e shenjtë dhe të korit, gjë që pasuron krijimtarinë e tij.
Biletat janë lëshuar në shitje në biletari dhe online./ KultPlus.com
Valët zanore të vizuelizuara nga këngët e Dua Lipës janë vënë në shitje për të ndihmuar fondacionin ‘Sunny Hill’ që në fokus ka të rinjtë e talentuar në muzikë, art e kulturë.
Ylli botëror i muzikës pop, Dua Lipa, në bashkëpunim me fondacionin ‘Soundwaves Art’, ka publikuar një projekt të veçantë për fansat dhe artdashësit kudo: vepra arti të krijuara nga valët zanore nga regjistrimi i hiteve të saj.
Fondacioni ‘Soundwaves Art’ që nga themelimi i tij ka realizuar bashkëpunime me artistë botëror më në zë si: Peter Gabriel, The Killers, Robert Smith (the Cure), Metallica, Pink, Billie Eilish, Tame Impala, James Blake, Liam Gallagher, etj.
Dua personalisht ka nënshkruar secilën prej këtyre veprave ekskluzive pak para performancës së saj në Austin City Limits më 12 tetor 2024. Ky koleksion u ofron fansave mundësinë që të kenë një pjesë unike të historisë muzikore duke kontribuar njëkohësisht për kauza të rëndësishme.
Ky publikim pasqyron jo vetëm suksesin e vazhdueshëm të Dua Lipës si artiste, por edhe përkushtimin e saj për të ndihmuar të rinjtë kosovarë. Fansat që blejnë artin e Dua Lipës, do ta kenë një pjesë të trashëgimisë së artistes së tyre të preferuar, por njëkohesisht do të kontribuojnë për një të ardhme me shumë mundësi për të rinjtë e talentuar në muzikë, art e kulturë.
Si gjithmonë, arti i Dua Lipës shkon përtej muzikës—ai frymëzon ndryshim.
Të gjitha të ardhurat nga ky projekt do të shkojnë drejtpërdrejtë për Fondacionin Sunny Hill, organizatë e themeluar nga familja Lipa në Prishtinë.
Me synim që të fuqizojë komunitetin dhe të shpalosë potencialin e madh të Kosovës, Fondacioni Sunny Hill fokusohet në projekte të rëndësishme në edukim, art, muzikë dhe nisma të udhëhequra nga vullnetarët. Duke promovuar kreativitetin, Fondacioni Sunny Hill tashmë ka dëshmuar që është forcë transformuese në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë këtij viti, fondacioni Sunny Hill dërgoi 11 të rinj në kampin e shkollës prestigjioze suedeze “Musikmakarna” në Suedi, mbështeti Siparantum Choir në fitoren e tyre botërore në Seoul (Korea e Jugut) si dhe ndau 30 bursa për vajza të reja studiuese në fushat e STEM, bashkë me kauza të tjera të rëndësishme sociale në Kosovë./ KultPlus.com
Noel Malcolm, për Skënderbeun, në librin “Agents of Empire”:
“Askund në Ballkan nuk ishte ba përpjekje për çlirim nga pushteti i Sulltanit ma fuqishëm e ma me kambëngulje, sesa në Shqipninë e shekullit pesëmbëdhjetë, ku një pinjoll i një familjeje të randësishme pronare tokash, Gjergj Kastrioti – i njohun si Skenderbe, nga turqishtja ‘Iskender Bey’, ’Zoti Aleksandër’ – udhëhoqi një varg fushatash anti-otomane gjatë 25 vjetëve deri para se me vdekë me 1468. Tri herë sulltanët erdhën personalisht me armatat e tyne për me e shkatërru atë, dhe të tria herët nuk ia dolën të merrnin kështjellën kryesore, fortesën e Krujës. Skenderbeu do të vdesë nga sëmundja, jo në fushëbetejë, dhe ndodhi vetëm në vitin 1478, një dekadë pas vdekjes së tij, kur Kruja ra.“ /KultPlus.com
Kalaja e Rozafës përjetoi sot një moment të veçantë. Mesha e Shenjtë për nder të Shën Shtjefnit u kremtua sot në rrënojat e Katedrales së hershme në Kalanë e Shkodrës, duke rikthyer traditën dhe përkujtimin e këtij shenjtori.
Shën Shtjefni konsiderohet si shenjtori mbrojtës i qytetit të Shkodrës.
Ceremonia, e organizuar nga Arqipeshkëvia Metropolitane Shkodër-Pult, mblodhi besimtarë dhe figura të rëndësishme të komunitetit për të nderuar trashëgiminë shpirtërore dhe historike të qytetit.
Kisha e Shën Shtjefnit, e ka origjinën në kohë të largëta. Duke qenë e vendosur brenda mureve të Rozafës, kjo kishë pati privilegjin të ishte kishë e parë (katedrale), mes kishave e abacive të tjera që ngriheshin përherë e më të shumta jashtë perimetrit të mureve, aty ku shtriheshin lagjet e jashtme të qytetit.
Nuk dihet se cilit shenjtor i ishte kushtuar fillimisht kisha në Rozafë, por dihet që u ngrit në shek. XIII, kohë që përkon me përhapjen në krejt këtë zonë të kultit të protomartirit Shën Shtjefni.
Shën Shtjefni u shpall pajtor i qytetit dhe festa e Shën Shtjefnit kremtohej çdo vit me hapjen e një panairi të madh në sheshin para kishës, që grumbullonte tregtarët e gjithë zonës, përfshirë ata të ardhur nga Venediku e nga Republika e Raguzës.
Edhe Kisha e Madhe, siç njihet ndryshe Katedralja e Shkodrës, i kushtohet Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor të qytetit, sipas Kishës Katolike. Ajo është ndërtuar më 7 prill 1858, kur vendi ishte ende nën sundimin e Perandorisë Osmane./KultPlus.com
Në intervistën e këtij viti për platformën Letterboxd, Nicole Kidman zbuloi se filmi i saj i preferuar i të gjitha kohërave është komedia kult romantike “When Harry Met Sally” nga viti 1989.
Gjatë promovimit të A Family Affair të Netflix, i cili doli në qershor dhe u bë një hit i madh, gazetarët e Letterboxd i kërkuan fitueses së Oskarit dhe yjeve të saj të emërtonin katër filmat e tyre të preferuar të të gjitha kohërave.
Aktorja australiane tha se pyetja ishte shumë e vështirë, por kur një gazetar e pyeti nëse kishte një film që e donte aq shumë, ajo e pa atë një milion herë, Kidman tha pa u menduar: “When Harry Met Sally”./KultPlus.com
“Tirana Festive” ishte aktiviteti që u organizua mbrëmë në sheshin “Skënderbej”, ku qindra qytetarë sfiduan temperaturat e ulëta, për të shijuar këngët e artistëve të preferuar, që u ngjitën në skenën e koncertit për t’i dhënë më shumë magji, natës së Krishtlindjeve.
Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Tiranë, ka ngjitur në skenë disa nga këngëtarët e njohur, si Enxhi Nasufi, Semi Jaupaj, Sardi Strugaj, Ronela Hajati etj, ndërsa mbrëmja është përshëndetur edhe nga një performancë artistike e korit “Harlem Gasper”.
Koncertet në sheshin “Skënderbej” do të vazhdojnë deri në datë 29 dhjetor, ku pritet të ngjiten në skenë edhe një sërë emrash të njohur të skenës muzikore në vend, si Arjola Toska, Eli Fara, Sinan Hoxha e plot performanca të tjera nga grupet artistike të fëmijëve e plot këngëtarë të tjerë./atsh/KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshet bëri me dije se, në krye të Departamentit për Ruajtjen e Kulturës Arbëreshe, të fondacionit kulturor “Paola di Tarso”, u emërua dr. Paola Napolitano.
Dr. Napolitano do të jetë në krye të koordinimit dhe drejtimit të këtij departamenti me rëndësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe, raportet mes komuniteteve lokale arbëreshe dhe mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, si dhe në nder të gjithë atyre që sakrifikuan jetën e tyre në emër të paqes dhe ruajtjes së trashëgimisë arbëreshe.
“Ne mendojmë se ruajtja e Kujtesës së Popujve që bashkëjetojnë në paqe prej shekujsh në territorin italian duke bashkëndarë vlerat dhe duke i rritur nëpërmjet shkëmbimit reciprok të traditave, duhet të jetë një objektiv i rëndësishëm për të gjithë ata që kanë për zemër paqen”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Fondacionit Kulturor “Paola di Tarso”, Fabio Gallo./KultPlus.com
Një poezi të lirë nga gramatika nga tingulli i fjalëve të çliruar nga shkrimi.
Një poezi simotër nga të gjitha poezitë që pijnë burimin e ndritin, gurët në diell.
Një poezi pa shijen nga e imja pa atë gjurmën që lënë dhëmbët, kafshuar shtyllën kurrizore.
Një poezi nga ato, të lindura prej skutave t’errta të mureve, me fjalë të varfra me fjalë të dekompozuara, por të lira për të vendosur vetë ato, nëse duhet të shkruhen, ose jo.
Himara është shndërruar në epiqendrën e festimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me larmishmëri aktivitetesh artistike dhe kulturore për të gjitha moshat.
Mesnata e 24 dhjetorit u gjallërua nga shpërthimi i fishekzjarreve shumëngjyrëshe të cilat përndezën qiellin e qytetit bregdetar.
Ndërsa mëngjesi kishte të tjera surpriza për qytetarët himariotë, e veçanërisht për fëmijët të cilët u surprizuan nga një shfaqje e veçantë, ardhja e babagjyshit me një varkë nga deti dhe të mbushur me dhurata për ta.
Mbërritja e Babagjyshit nga deti, si asnjëherë më parë solli lumturi tek fëmijët dhe turistët që kishin zgjedhur bregdetin himariot për të kaluar orë festive, një organizim i jashtëzakonshëm ndryshe nga çdo vit tjetër nga Bashkia e Himarës, duke sjell për qytetarët atmosferë magjike Krishtlindjeje dhe në vigjilje të festës së fundvitit.
Vigjiljen e festës qytetarët mbushën sheshin ku ishte organizuar një koncert festiv me ndërthurje të muzikës tradicionale folk si dhe të ritmeve moderne.
Artdashësit ndoqën këngëtarë të mirënjohur si Angela Peristeri, Mateus Frroku, Gentian Selfo etj. si dhe pjesë nga Ansamblet e Himarës, Dropullit, Pilurit dhe Ansamblin “Plakat e Selosë”.
Përgjatë shëtitores së Himarës është ngritur edhe tregu i Krishtlindjes ku mbahet Panairi i artizanatit, poçerisë si dhe kulinarisë.
Panairi “Oda Himarjote” me këndin e mjeshtërisë, prodhimet artizanale si dhe workshop-et për artizanët më të mirë nga e gjithë Shqipëria, u frekuentua nga një numër i madh qytetarësh.
I pranishëm gjatë aktiviteteve ishte dhe kryebashkiaku Vangjel Tavo si dhe deputeti dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun Vlorë, Bledi Çuçi.
Ndërsa fëmijët u angazhuan në aktivitete të tjera si piktura mbi letra artizanale, punimet me baltë apo dekorimi i biskotave “babagjysh”, aktivitet të cilin e realizuan së bashku me prindërit.
Shtëpizat e vogla prej druri ofruan prodhime dhe aktivitete nga më të ndryshmet./atsh/KultPlus.com
U çel dje, në ditën e Krishtlindjes, ekspozita e mjeshtrit të njohur të artit figurativ, Roland Karanxha.
Ekspozita vetjake e Karanxhës titullohet “Paleta e vjetër” dhe do të jetë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë.
Të pranishëm në ceremoninë hapëse ishin artdashës, kolegë të piktorit, personalitete të artit në Korçë e më gjerë. Mes tyre edhe kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.
“Ekspozita përbën një pasqyrë të veçantë të krijimtarisë artistike të Roland Karanxhës, punimet e të cilit janë të njohura për detajet e mprehta dhe pasionin që ai shpreh në çdo vepër”, u shpreh Filo. Edhe prefekti Jole vlerësoi dhe uroi piktorin Roland Karanxha, bashkëqytetarin artist, të njohur në gjithë vendin, që solli nëpërmjet ngjyrave të tij karakteristike një ekspozitë shumë të veçantë.
“Paleta e vjetër” ofron një mundësi të shkëlqyer për adhuruesit e artit dhe të kulturës të cilët përjetojnë një shkrirje mes realitetit dhe imagjinatës, ku mjeshtri Karanxha ka arritur të kapë dhe shprehë shpirtin e një populli dhe një qyteti që ka shumë për të treguar.
Jole tha se ekspozita ishte vërtet një udhëtim i bukur përmes ngjyrave dhe penelit të piktorit korçar dhe një rast për të qenë mes bashkëqytetarësh, miqsh dhe adhuruesve të arteve pamore.
• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?
• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.
• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.
• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.
• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.
• Pa letërsi, jeta është një ferr
• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.
• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë
• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.
• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë.
• Të pirit është një gjë emocionale. Të nxjerr nga rutina e jetës së përditshme, nga të qenit çdo ditë njësoj. Të vendos me shpatulla pas murit. Kam ndjesinë se të pirit është një formë vetëvrasjeje ku të lejohet të kthehesh në jetë dhe ta fillosh jetën nga fillimi. Është si të vrasësh veten e më pas të ringjallesh. Besoj se deri tani kam jetuar 10-15mijë jetë
• Mbahu për birra. Birra është një gjak i përhershëm; një dashnore e përjetshme…
• Mendoj që kemi nevojë për një pije. Pothuajse të gjithë kanë nevojë, thjesht nuk e dinë.
• Më pëlqen t’i ndryshoj shpesh dyqanet e pijeve sepse nëpunësit fillojnë t’i dinë zakonet e tua nëse ke shkuar çdo natë dhe ke blerë sasi të mëdha alkooli. E ndjej tek mendojnë se si ka mundësi që nuk kam vdekur akoma dhe kjo më bën të mos ndjehem rehat. Mbase ata nuk e mendojnë diçka të tillë, por kjo më është kthyer në paranojë
• Të deheshe ishte diçka e mirë. Vendosa se gjithnjë do më pëlqente të bëhesha tapë.
• Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë… por, tek të gjithat shkruhej: pas buke!
• Të shkruash poezi nuk është e vështirë. Të jetosh është e vështirë.
• Secili ka të metat e tij, dihet. Por unë isha tri herë më lart se persekutorët e mi.
• Kaloja para dyqind vetave dhe nuk arrija të shikoja qoftë dhe një qenie njerëzore.
• Mendoni për miliona veta që jetojnë së bashku edhe pse nuk iu pëlqen, e urrejnë punën por kanë frikë ta humbasin, nuk ka pse të çuditësh që e kanë atë fytyrë të cilën e kanë.
• Jam i sigurt që do të më jepet një minutë për t’i menduar të gjitha herët që doja ta ulërija atë që ndjeja, por kam heshtur nga frika se nuk do të kuptohem, dhe do të pendohem për synimet të cilat i kam braktisur ngaqë frika se do të dështoja më ka ndaluar t’i vazhdoja.
• Kjo jetë është një e përdalë. Shkon kështu çakërqejf, sepse ka çaste që të lënë shije të hidhur në gojë, e të tjera çaste aq të bukura sa të bëjnë të harrosh paudhësitë e pafundme të jetës.
• Ndryshimi midis një demokracie dhe një diktature është se në një demokraci ti voton një herë e pastaj i merr urdhrat; në një diktaturë nuk e shpenzon fare kohën duke votuar.
• Nëse një ditë më dëgjoni të flasë për dashuri, e yje… ju lutem, më vrisni!
• Filloni ta shpëtoni botën duke shpëtuar një njeri çdo herë; gjithçka tjetër është romantikë madhështore ose politikë.
• Është e mundur të dashurosh një qenie njerëzore nëse nuk e njeh atë më tepër se duhet.
• Ka gjithmonë diçka që na i rrënon jetët tona. Gjithçka varet se cila prej tyre nga bie hise e para.
• Ne të gjithë jemi pengje dhe jemi të gatshëm të merremi peng./ KultPlus.com
‘Ç’mrekulli kjo, që na gëzoi Erdh pranvera, dimri shkoi. Ljeu Krishti në një skutë, Ljeu i varfër e i butë. Ljeu aty, e s’ljeu në Horë, Në një shpellë e nën dëborë, Ljeu, e qielli u bë dritë Nata u shndërrua në ditë. Jeta u mbush plot me gëzim, pemët, me fletëza në bulim. Na pru Zoti në këtë dhe Gaz të madh, paqe e hare!
Ninulla në arbërishte:
Çë thavmasmë isht kjo? Çë edhe nata ditë u bë. të ghzon zemërën dimri shkoi e s’ ishtë më gjithë jeta bën hare ljulje e peme për në dhe Ljeu jashtë e jo në Horë në një shpellë, në një gërromim ljeu në tsin, ljeu në sborë ljidhur klje te një skutin mbet në kashtë e në sanùa si i vapkëth për mua E si ljeu n’ ata malje n’ ata malje ashtu tutsè me ghzim Parraisi u psaljë gazin m’ i madh njeriut i qièlli paqe, gaz, haré yn’ Zot pru në ktë dhe
Kjo ninullë është shkëputur nga përmbledhjet “siculo-arbëreshe” të Lionardo Vigo (1805-1888). Ai ishte një poet, filolog e politikan Italian që në vitin 1857 botoi “La Raccolta di canti popolari siciliani”, në të cilën përfshiu dhe këngë popullore të arbëreshëve të Sicilisë. Vigo ishte një dishepull i Romantizmit, dhe besonte se këngët popullore dhe motivet folklorike gjithmonë ndjellin dhe shpirtin poetik të së shkuarës për të krijuar atë që Herderi e quan dhe Volksgeist-“shpirt i kombit” që u fal njerëzve impulsin krijues përsa i përket përforcimit të nacionalizmit të tyre kulturor. /KultPlus.com