Rama: Himara perla e bregdetit, pushuesit vlerësojnë shërbimet, sigurinë dhe pastërtinë e plazheve

Himara mbetet një destinacion i preferuar për pushuesit, qofshin këta shqiptarë apo të huaj, të cilët vlerësojnë në këtë sezon cilësinë e lartë të shërbimeve, pastërtinë e plazheve, sigurinë e shtuar dhe aktivitetet e larmishme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa turistëve që kanë zgjedhur për të pushuar në Himarë, perlën e bregdetit shqiptar, të cilët rrëfejnë përvojat e tyre fantastike.

“Unë shoh shumë video në Tik Tok dhe më ka pëlqyer se i kam pasion udhëtimet, prandaj vendosa të vij këtu për të festuar 20-vjetorin e shoqes time. Ushqimi është shumë i shijshëm më ka pëlqyer. Më kanë pëlqyer frutat e detit, ishin perfekte. Është shumë nxehtë, shumë më nxehtë se në Bullgari, por unë e pëlqej diellin kështu që nuk është problem”, u shpreh një turiste bullgare.

“Kemi dëgjuar gjëra të mira për Shqipërinë nga miqtë tanë që ishin këtu me kamper, të cilët na treguan për vende shumë të bukura, për detin që është shumë i bukur dhe njerëzit që janë shumë miqësorë. Vendi gjithashtu ka një kulturë shumë interesante. Është shumë i pastër, uji është shumë i pastër, por përveç kësaj mendoj që njerëzit kujdesen shumë për natyrën”, tha një tjetër turiste e huaj.

“Nuk mendoj se ka rrezik pasi varkat janë larg dhe ka një kordon sigurie. Uji është gjithashtu shumë i pastër, do të më pëlqente të vija përsëri. Unë ndejta këtu më gjatë ndërkohë që miqtë e mi u larguan. Më pëlqen shumë plazhi dhe doja ta shijoja më tepër. Do t’ua rekomandoja të gjithëve të vinin në Shqipëri t’i provonin këto plazhe sepse janë shumë të bukura dhe ja vlen koha e shpenzuar këtu”, u shpreh një tjetër turiste.

“Unë jam Gostivari dhe është hera e katërt që vij në Shqipëri. Sot është dita e katërt dhe vendosa të vij në Jalë sepse ma kanë lavdëruara Jalën shumë shokë dhe e kam parë në internet dhe qenka me të vërtetë shumë bukur. Mua më pëlqen uji, natyra dhe nuk ka diçka negative për të thënë, sinqerisht. Normal ndjehem i sigurt sepse roja është këtu dhe mjetet janë larg plazhit”, u shpreh një tjetër turist.

“Në Jalë kam një javë që pushoj, por ndër vite kam ardhur vazhdimisht. Jala është një nga plazhet më fantastike të jugut. Njerëzit janë shumë të mirë, sidomos fshatarët e Vunoit janë të përsosur. Qetësia është fantastike, ushqimi është shumë i mirë. Këta që kanë marrë plazhet me qera nga bashkitë janë munduar të bëjnë gjëra të bukura. Këtu pranë është roja i sigurisë së plazhit që qëndron vazhdimisht, por njëkohësisht edhe vija kufizuese e plazhistëve me mjetet motorike është e përcaktuar”, tha një tjetër.

“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, është akoma për t’u zbuluar nga shumë vende të botës. Por këto dy vitet e fundit shoh që ka marrë shumë jetë”, u shpreh një tjetër pushues.

“Përshtypjet janë shumë pozitive. Himara është shumë e bukur, shumë relaksuese. Shqipëria është një vend vërtetë i këndshëm dhe siguria është OK. Jemi ndjerë të sigurt kudo ku kemi qenë. Ndryshe nga Australia, këtu ka jetë të egër dhe gjërat janë në mes të rrugës, çka duket më argëtuese”, tha një turist australian.

“Në Holandë kishim një program televiziv ku kishte diçka për Shqipërinë dhe menduam, është një vend i bukur dhe vendosëm të vijmë këtu”, tha një turiste holandeze. /atsh / KultPlus.com

CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e medias prestigjioze amerikane CNN e cila fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Evropës.

Rama u shpreh se, ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediet ndërkombëtare.

“Edhe CNN fton ndjekësit e vet të provojnë Ksamilin, Himarën, Dhërmiun, mes perlave të Evropës. Ky është edhe sezoni turistik me mbulimin më të madh në mediet ndërkombëtare”, nënvizoi Rama.

“Koha kur Shqipëria verore dilte tek-tuk në ndonjë media të huaj, si vend i mbushur me plehra i përket të kaluarës, tanimë kemi hyrë në një rrugë të re”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Na duhet shumë punë akoma në këtë rrugë, por e dimë ku duam të shkojmë, si shkohet aty ku duam dhe se sa të madhe e kemi forcën për t’ia dalë”, shkroi Rama.

Shkrimi i plotë i CNN:

Shumë më pak e njohur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria është ende një sekret që ruhet mirë mes udhëtarëve të zgjuar, por që nuk ka shumë gjasa që të qëndrojë e tillë për një kohë të gjatë.

“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po e zbulojnë tani bregdetin shqiptar”, thotë Alan Mandiç i kompanisë “Secret Dalmatia”.

“Ajo është përrallore dhe është tepër e lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra dhe plazhet, këtu ndodhet gjithçka”, thekson ai.

Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët me çmime shumë të lira, të kapur direkt nga deti Jon, ndërkohë që jeni duke vështruar hapësirën e tij vezulluese.

Madhështia e Himarës nën petkun e dëborës, me syrin e fotografit italian

Dëbora në malet e Himarës ka tërhequr vëmendjen e fotografit italian Luigi Marzo, duke na dhuruar fotografi të mrekullueshme të vendit tonë.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “jemi mësuar me pamjet e spektaklit që ofron Himara në bregun përballë, Salento – Italia. Sidomos javët e fundit kur temperaturat kanë rënë dhe madhështia e maleve tona është aq e pranishme tek italianët përballë, që mahniten me këtë hijeshi krenare dhe të veçantë të Himarës sonë”.

“Por mendoj se kaq bukur me dëborë s’mund të jetë dukur Himara jonë në Otranto apo në Lecce… Luigi Marzo vazhdon të na përkëdhelë jo vetëm ne, por të gjithë publikun e gjerë italian me këto pamje fantastike të Himarës ndryshe, Himarës me dëborë”, thekson Goro.

Kryebashkiaku i Himarës thotë se “pika më e afërt dhe padyshim më e veçantë për të krijuar një imazh të bukur për Shqipërinë. Himara jonë, e së Nesërmes kaq pranë Europës. Një dallgë larg…!”.

Edhe më parë fotografi italian Luigi Marzo ka realizuar fotografi mahintëse të Himarës, ndër të cilat përmendim ato të perëndimit të diellit.

Me një bregdet të mrekullueshëm dhe male të larta, Himara vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve të shumtë, ku gjatë vitit 2018 shënoi një rritje prej 20% të tyre.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.

Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë./ A.T.SH/ KultPlus.com

Shëtitorja e Himarës në konkursin ndërkombëtar “EU MIES AWARD”

Shëtitorja e re e Himarës do të konkurrojë në një tjetër konkurs ndërkombëtar.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “këtë herë shpresojmë se juria e EU MIES AWARD do të vlerësojë jo vetëm projektin, por edhe realizimin e saj”.

“Shëtitorja e Himarës është një ndërthurje e shkëlqyer mes pozicionit të përshtatshëm, shtrirjes dhe qytetit me detin, për shëtitore të tilla”, thekson Goro.

Sipas tij, kjo shëtitore është fantastike edhe nga ana e projektimit dhe zbatimit, përveç kushteve atmosferike kur deti rezervon gjithmonë surpriza të pakëndshme.

Nëpërmjet një ndërhyrje arkitekture, në peizazhin dhe mobilimin urban, shëtitorja e re është zëvendësuar me vijën natyrale lidhëse të detit me shtëpitë ne vijën e parë në breg.

Shëtitorja e re u rehabilitua në sajë të një projekti të qeverisë shqiptare. Duke nisur nga objektet e vijës së parë shëtitorja i përafrohet një shkallareje drejt detit me gjatësi mbi 350m, elemente 2.5 deri 5 të gjerë me pjerrësi dhe zbritje, që mundësojnë aksesin për gjithkënd duke e shfrytëzuar atë për aktivitete të ndryshme, nga plazhi e deri në koncerte apo të tjera evente kulturore.

Himara me bukuritë natyrore dhe monumentet e trashëgimisë kulturore ka qenë ndër më të vizituarat nga grupet e turistëve vendas e të huaj. Turizmi në Himarë gjatë këtij viti është rritur me 20% krahasuar me një vit më parë.

Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea. /k.s/KultPlus.com

Himara vlerësohet në Londër për ruajtjen e banesave tradicionale

Udhëzuesi Praktik për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Banesave Tradicionale në fshatrat e Bregdetit të Himarës është vlerësuar së fundmi me çmimin e nderit në kategorinë e Dizajnit Urban gjatë ceremonisë së Çmimeve të Ekselencës së INTBAU 2018, në Londër.

Lajmin e bën të ditur kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili thekson se anëtarët e jurisë, krijuan bindjen se “ndikimi që udhëzuesi mund të kenë në ruajtjen e trashëgimisë/banesave tradicionale dhe zhvillimin e vendbanimeve rurale në Rivierën Shqiptare, bënë që udhëzuesi të meritojë këtë vlerësim”.

Goro thekson se “ceremonia u zhvillua në “Royal Society of Arts”, në Londër më 28 nëntor, gjatë Kongresit Botëror të INTBAU 2018, një forum që zhvillohet çdo dy vite, i cili bashkon perspektivat dhe njohuritë globale në diskutim dhe debat mbi çështje të ndryshme sfiduese, me të cilat përballet mjedisi i ndërtuar dhe komunitetet rreth botës sot”.

Udhëzuesi është hartuar në kuadër të programit “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, zbatuar nga GIZ Shqipëri, përfitues janë bashkia Himarë dhe komuniteti i fshatrave, shkruan ata.

Projektet e transformimit dhe rijetëzimit të fshatrave të Dhërmiut dhe të Vunoit në bashkinë e Himarës, do të jenë të përfunduara brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm.

Banesat e fshatrave të bregdetit të Himarës përfaqësojnë dhe reflektojnë, jo vetëm traditat në ndërtim, por edhe stilin e jetesës. Në sajë të projekteve synohet që të rikthehen në identitet këto fshatra duke respektuar në detaje të gjithë elementët dhe parametrat arkitekturorë e urbane të periudhave kur janë ndërtuar.

Në fshatin Dhërmi, numërohen rreth 2600 banesa dhe godina të tjera, që janë pjesë e procesit të rikonstruksionit, ndërkohë që në Vuno, numri i tyre shkon në rreth 230.

Veç riparimit dhe restaurimit të fasadave, çative, dyerve, dritareve dhe grilave, në përputhje të plotë me traditën dhe kohën kur janë ndërtuar banesat, projektet përfshijnë edhe plotësimin me infrastrukturën rrugore. Të gjitha rrugicat do të ndërtohen me kalldrëmin tradicional, aq i veçantë dhe karakteristik për këtë zonë, ndërkohë që gjithçka do të plotësohet me sistemin e kanalizimeve, me ndriçim dhe elementë të tjerë të nevojshëm./ KultPlus.com